E Enjte, 03.28.2024, 01:26pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MOIKOM ZEQO - CIPRAS DHE NARCISËT E SË MAJTËS SHQIPTARE
Intervistoi: XHEVDET SHEHU

E Djelë, 02.01.2015, 09:55am (GMT+1)



EKSKLUZIVE DITA:  Ky bashkëbisedim me Moikomin në "˜DITA' përqendrohet kryesisht mbi fenomenin Syriza në Greqi dhe ndikimet  në politikat evropiane dhe sidomos në Shqipëri. Moikom Zeqo mendon se vota e 23 qershorit 2013 në Shqipëri ishte një votë plebishitare më e madhe se ajo e Syrizës në Greqi, por që me gjasa nuk është lexuar ende nga e majta.  A do të ketë ndikim fitorja e Syrizës edhe në skenën e politikës shqiptare? "Po, do të ketë patjetër. Ne nuk mund të bëjmë përjashtim nga Italia, apo Spanja. Por ndikimi në Shqipëri e ka gjithmonë "një kompleks vonese" thotë shkrimtari që thekson se politika shqiptare është e kërcënuar sidomos nga dhunimet kushtetuese të vitit 2008.

Më poshtë, intervista e plotë, botuar sot në DITA:

 

- Zoti Moikom, janë zhvilluar një palë zgjedhjesh në Greqi që kanë ngjallur një interes të jashtëzakonshëm. Pse gjithë ky interes, kur në Greqi zgjedhjet kanë qenë të shpeshta vitet e fundit?

- Ju kini të drejtë kur thoni se zgjedhjet e fundit politike në Greqi patën një interesim ndërkombëtar, duke i tejkaluar të tëra parametrat publikë. Këtë herë Greqia ngjante me një laborator politik ku po ndodhte një proces jo i zakontë, por po ashtu jo thjesht një eksperiment alkimik në hullinë e kuriozitetit dhe spektaklit të radhës. Procesi lidhej me Europën dhe substancën e politikës demokratike në një moment ngërçi dhe ambiguiteti. Greqia në një dramaturgji "viktimizimi" të borxhit financiar dhe të rregullave të shtrënguara financiare, ndëshkuese edhe për shkak të fajit të politikës virtuale dhe mashtruese greke, stimuloi një frymë ksenofobizmi ashtu dhe "antimerkelizmi", por që nuk ishin identike. E djathta ekstreme me logon mitike "Agimi i artë" qe njeri skaj i rrezikshëm, tepër i errët. Dy partitë tradicionale PASOK-u dhe Demokracia e Re treguan një pafuqi të pabesueshme, kostumet e leckosura të frazave të tyre nuk i mbronin dot nga alergjia, madje nga urrejtja popullore. Në këto kushte një parti e re, Syriza, e së majtës (jo pa lidhje edhe me të majtën ekstreme, por edhe në një situatë moderacioni) doli në skenën politike me shëmbëlltyrën karizmatike të një djali simpatik, të zgjuar dhe të lindur për politikën e ndërlikuar, i quajtur Tsipras, preku nervin e popullit grek, të frustruar dhe të indinjuar. Populli grek e kishte dyzuar besimin tek tradita e rutinizuar e dy partive tradicionale të së majtës dhe të së djathtës (emërtime këto tashmë konvencionale), ku elita e familjeve të biznesit të politikës si Papandreu dhe Karamanlis (ku pushteti u trashëgohej brez pas brezi emrave të familjeve sipas një koncepti monarkik) pavarësisht sistemit të votimit numerik, krijoi një zhgënjim dhe mungesë shprese tek doktrina demokratike.

- Me këtë që sapo thatë, ju lini të nënkuptoni se nuk kemi të bëjmë me një rast të shkëputur por me një krizë të sistemit të partive, apo jo?

- Kultura politike europiane është kulturë e një krize ciklike. Në krizë është konceptimi i institucionit të partisë. Partitë janë shndërruar në klube oligarkike, të mbyllura. Por zhbërja e konceptit të institucionit të partisë është një katastrofë e vetë sistemit të zgjedhjeve elektorale, pra kemi një mundësi minimi dhe shkatërrimi edhe për të ardhmen e vetë BE-së, një "horror vaqui" (frikë nga boshllëku). Dikur dijetari i madh dhe politologu i famshëm Maks Veber ka parashikuar se "kriza e vërtetë politike nuk është aq lufta midis partive kundërshtare se sa kur partia tradicionale krijon largim, mungesë identifikimi dhe përfaqësimi dhe kontradiktë fatale me elektoralin tradicional, qoftë i majtë, qoftë i djathtë". Kjo gjë po ndodh tashmë në kontinentin europian, sidomos në Greqi, Itali, Spanjë, por edhe në Francë e vende të tjera. PASOK-u, një parti e madhe kryesore e së majtës në Greqi, nga një parti kryesore, brenda 25 vjetëve është bërë një parti periferike. Pse? Elektorati i majtë nuk e beson më dhe e ka braktisur në mënyrë spektakolare. Ja një mësim i madh.

 

- Po lideri Cipras ç'përfaqëson?

- Politikani i ri Cipras me një nuhatje profetike e kuptoi si askush në Europë këtë sindromë të substancës së politikës së keqpërdorur. Cipras u ngrit nga humnera e thyerjes së tabusë së partive të mëdha tradicionale. Pa asnjë lidhje me familjet oligarkike ekonomike dhe vendimmarrëse, ai shqisoi dhe u mbështet tek përkrahja popullore, tek perceptimi popullor për një politikë jashtë klubeve të oligarkisë. Cipras në këtë pikë është gati një novator në politikë dhe kjo përbën një leksion lirie për vetë Europën. Pra fitorja tërësisht demokratike e Ciprasit dhe e partisë së tij është një rekord, një ngjarje madhore. Për herë të parë populli grek thyen totemet e partive të mëdha tradicionale. Hanah Arendt ka thënë se "politika është sferë e lirisë, në të cilin liria është një realitet i gjallë dhe jo thjesht nocion. Politika e vërtetë lejon edhe njeriun më të thjeshtë të realizojë lirinë e vet në jetën publike, përkatësisht në politikë".

Partitë e mbyllura janë mallkimi i demokracisë! Partitë e mbyllura prodhojnë figura të klonuara dhe të dyshimta, klienteliste, por jo personalitete të mëdha dhe seriozë. Cipras është një personalitet i vërtetë.

 

- Të bëjmë tani një pyetje më të drejtpërdrejtë: Çfarë është për ju fenomeni Syriza?

- Në Shqipëri nuk kemi ende një figurë të ngjashme si Cipras, pra një politikan "me këllqe". Dua të ve në spikamë se zgjedhjet e 23 qershorit 2013 qenë një fitore gati plebishitare e së majtës pra elektorati i majtë e bëri një sprovë emancipimi politik. Por kjo nuk është lexuar siç duhet dhe në thellësi nga PS, por edhe vetë nga Edi Rama, ndonëse qeverisja e së majtës ka pika të forta të pakrahasueshme ndryshimesh me paraardhësit dhe duhet pritur të bëjnë korrigjime dhe rikonceptime, duke përfshirë edhe rikompozime më profesionale të vetë kabinetit qeveritar, gjë që është në natyrën e vetë politikës është në vetë thelbin e saj. Por në këto dy vjet të qeverisjes së të majtës, janë vënë re problematika të thekshme midis përfaqësimit politik të PS me elektoratin e majtë. Për një politikan profesionist, këto problematika janë seriozisht subjekte ndryshimi progresiv dhe jo elemente të inatit provincial ndaj kritikës, gjë që krijon një lloj narcizizmi dhe mbyllje të dyerve elektorale të PS.

 

- A mendoni se ky fenomen, pra ai i mposhtjes së dy partive tradicionale që kanë sunduar Greqinë, do të ketë ndikim përtej Greqisë?

- Më përpara mendoj se duhej pyetur: A do të ketë ndikim fitorja e Syrizës edhe në skenën e politikës shqiptare? Po, do të ketë patjetër. Ne nuk mund të bëjmë përjashtim nga Italia, apo Spanja. Por ndikimi në Shqipëri e ka gjithmonë "një kompleks vonese". Politika shqiptare është e kërcënuar nga dhunimet kushtetuese të vitit 2008 që u jep të drejtën kryetarëve të bëjnë listën e deputetëve, duke shkatërruar në thelb procesin e votës së lirë, duke mos u lejuar elektorateve të zgjedhin dhe të votojnë lirisht për profilet e deputetëve, për të mos i bërë ata nomenklaturë e mbyllur.

Pra, reforma më e madhe e politikës lidhet me vetë kushtet kushtetuese të sistemit adekuat të politikës. Të rikthimit të kushtetutshmërisë së sistemit të votimit politik nëse nuk bëhet kjo, është e sigurt se elektoratet tradicionale do të shkëputen nga partitë tradicionale mbas disa kohësh është pashmangshme!


- Po këmbëngul edhe njëherë Moikom tek një pyetje që u bëra pak më parë: Në Shqipëri a do të ketë ndikim fitorja e Syrizës? Pra, a mund të përsëritet një fenomen i tillë në politikën shqiptare? Citoj këtu një shprehje të analizës që Adrian Thano ka bërë në "˜DITA' para pak ditësh: Momenti është i përshtatshëm. Me Berishën që bën për të vjellë dhe Ramën që zhgënjen, me krizën ekonomike dhe kontekstin e përgjithshëm europian, çdo alternativë e majtë e tipit Tsipras do ta fitonte lehtë interesin publik në Shqipëri. A ju intrigon ky opsion?

- Shkrimi editorial i Adrian Thanos për fenomenin Syriza në lidhje me Shqipërinë ishte shumë i mprehtë dhe shqetësues shkrime të tilla profesioniste janë shumë herë më konstruktive se sa apologjitë e rrejshme dhe të kota. Por nuk duhen harruar edhe specifikat e veçanta të Shqipërisë, jo identike me ato të Greqisë.

Situata politike në Shqipëri nuk është e qetë kjo duket haptazi, qartë. E majta qeverisëse ka megjithatë shumicën parlamentare më të madhe, në raport me partitë e tjera fituese në Europë madje më shumë se edhe ajo në Greqi e drejtuara nga Cipras. Po si ka mundësi që është kjo situatë e komplikuar, disa herë edhe e rëndë dhe absurde? A mund që dikotomia me opozitën të ishte me një klimë tjetër? A është faji, vetëm i opozitës? Vendimmarrjen politike e ka në dorë shumica, por jo opozita; atëherë pse nuk ka një situatë më e qetë? Arsyet janë të shumta. Arsye të ndryshme!

Po e abstragoj pak realitetin: Kemi një klasë politike që unë shpesh e kam quajtur si një klasë parapolitike. Si ka mundësi që parlamenti shqiptar të ketë kaq shumë anonimë? Pse mungojnë me ndonjë përjashtim personalitetet? Mos vallë e kanë fajin shqiptarët që i kanë votuar? Pse i kanë votuar? Sepse kështu ishin formuluar listat e kryetarëve të partive? Kush ua dha këtë atribut prej magjistari, kryetarëve të partive? Marrëveshja e turpshme dhe antikushtetuese e vitit 2008? Pse këta kryetarë partish ngelën në media duke bërë propagandistin banal dhe të bezdisshëm të vetvetes? Nuk e kuptojnë se populli nuk i dëgjon? Ose bën sikur i dëgjon? Kujtojnë se shqiptarët janë budallenj? Por shqiptarët nuk janë të tillë! Shqiptarët e thjeshtë, dmth populli, kanë probleme ekzistenciale, papunësia është e madhe dhe nuk mbulohet me gjethe fiku, pabarazia sociale po zmadhohet midis të pasurve dhe të varfërve kjo përbën një ankth! Si ka mundësi që njerëzit, mbasi i votojnë, nuk përfillen më në mënyrë cinike nga të votuarit? Shpresojnë se do t'i votojnë sërish? Nuk e besoj!

Politikanët qoftë të majtë a të djathtë i përgjërohen popullit në prag votimesh, për të mos i dëgjuar më pas. Pse, kështu do të vazhdojë përherë ky ritual? Nuk e besoj! A mundet që manipulimi të jetë subaeternitas? Nuk e besoj! Progresi kërkon ndryshim konceptual! Kështu do të ndodhë padyshim!

 

- Së fundmi, Cipras theu edhe një tabu tjetër: Bëri betimin si Kryeministër i Greqisë mbi Kushtetutë dhe jo mbi Bibël si pasardhësit e tij. Ç'do të thotë ky gjest i tij për ju?

- Kryeministri Cipras është i pari Kryeministër që nuk e bëri betimin para përfaqësuesit të fesë kjo konfirmon laicitetin e shtetit që është substancialisht një progres konceptual por edhe juridik. E di se Cipras ka një sfidë kolosale përpara, por edhe me dy risitë e mëdha që shqyrtuam më sipër, nuk janë pak për t'u përmendur si shëmbëlltyrë politikani në histori.

 

- Brenda këtij konteksti që kemi folur deri tani, kemi edhe një sërë zhvillimesh në Kosovë, ku ditët e fundit patëm edhe një protestë të dhunshme antiqeveritare nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosja. Si do t'i komentonit zhvillimet në Prishtinë?

- Demonstratat në Prishtinë të drejtuara nga Vetëvendosja për dorëheqjen e ministrit serb Jabllanovic dhe që Trepçja të jetë e Kosovës si pasuri publike, në thelb janë një protestë e drejtë por shfaqjet e dhunës së dyanshme midis demonstruesve dhe policisë janë një marrëzi, të papranueshme e madje kompromentuese. Por ajo që është më e rënda, flet në Kosovë për një klasë politike akoma më parapolitike se edhe në Shqipëri. Kjo tregon se tensioni social është në një nivel kritik. Edhe politikanët shqiptarë në Maqedoni nuk janë në një situatë më të mirë dhe më të paqme. Ja në çfarë hullish të ndërlikuara ecën emancipimi i ëndërruar politik i shqiptarëve! Dhe rruga nuk është e shkurtër.

 

- Ju Moikom vazhdimisht këmbëngulni në vitalitetin e kombit shqiptar, në pasuritë e mëdha intelektuale dhe natyrore që ne kemi. Mirëpo si e shpjegoni që nuk shfrytëzohen këto pasuri dhe kemi këtë realitet që kemi?

- Kjo është një pyetje me shumë vend. Kombi shqiptar ka potenciale krijuese dhe njerëz të zotë, personalitete të përkushtuar, të talentuar dhe të ndershëm. Po ku janë? Pse janë në hije? Pse të pazotët dhe servilët janë kaq shumë të suksesshëm? Ja një enigmë e raportit negativ të politikës me kulturën! Politika, kur zgjedh pseudo-kulturën, dmth kitsch-kulturën, nuk mund të gjejë asnjëherë vetveten, identitetin dhe perspektivën! Intellego, ut credam! Kuptoj që të besoj, thonin latinët.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
INTERVISTË ELEKTRONIKE ME NANËN MBRETËRESHË, 15 PRILL 2002 NENA MBRETERESHE GERALDINA (APONY): KOMBI SHQIPTAR DUHET TE MARRE SHEMBULL NGA AMERIKAIntervistuan: ELIDA BUÇPAPAJ dhe BEQIR SINA (01.31.2015)
KOSOVA NUK ËSHTË ARENË LUFTEVështrim nga SKËNDER MULLIQI (01.31.2015)
PSE NJË QEVERI TEKNIKE PËR KOSOVËNNga KIM MEHMETI (01.31.2015)
FJALA NË AKADEMINË PËRKUTIMORE PËR KADRI OSMANIN - MANISHPALOSJE KUJTIMESH PËR MIKUN TIM KADRI OSMANI - MANI NGA IDRIZ ZEQIRAJ (01.31.2015)
ZBRAZJA E KOSOVËS NGA TË RINJTË - MALLKIM PËR SHTETIN!Nga FLORIM ZEQA (01.31.2015)
VEPRA 'BRIGJEVE TË DRINIT, MORAÇËS E LIMIT', VËLLIMI I PARËDy fjalë nga autori RAMIZ LUSHAJ (01.31.2015)
PËRUROHET LIBRI I SKËNDER HAKLAJT 'TROPOJA E MREKULLIVE SHPIRTËRORE'Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues-Tiranë (01.31.2015)
NJË LIBËR ME VLERA NJOHËSE E STUDIMORE (Skënder Haklaj, Tropoja e mrekullive shpirtnore - Studim -Tiranë, 2014, fq. 339)Nga Prof. ass. SHEFQET HOXHA (01.31.2015)
LIDHJA E SHKRIMTARËVE, ARTISTËVE DHE KRIJUESVE SHQIPTARË NË GJERMANI ORGANIZON  ORЁ LETRARE - NЁ PЁRKUJTIM TЁ POETIT SHABAN CAKOLLI  Më 31.01. 2015 (e shtunë) (01.30.2015)
DEPUTETJA E AAK DONIKA KADAJ-BUJUPI: ISHTE POLICIA QË PROVOKOI E PARA TURMËN DUKE LËSHUAR GAZIN LOTËSJELLËS Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ (01.30.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]