VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

'BIBLIOTEKA E NJË ALBANOLOGU' - EKSPOZITA KUSHTUAR GUSTAV WEIGANDIT

E Premte, 02.27.2015, 03:00pm (GMT1)


"Biblioteka e një albanologu" është quajtur edhe ekspozita e cila do të çelet sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, e që i kushtohet studiuesit të shquar gjerman Gustav Weigand.

Në 155-vjetorin e tij të lindjes dhe gjestit të tij sa shkencor aq edhe elegant të dhurimit më 1930 të 81 titujve të koleksionit personal albano-balkanologjik Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Biblioteka Kombëtare përmes këtij përkujtimi do të shpallë edhe vitin e 95-vjetorit të themelimit të saj si vit i dhurimeve për pasurimin e fondeve albano-balkanologjike.

Ndërkohë që ekspozita "Biblioteka e një albanologu" do të shoqërohet me një referim shkencor kushtuar kontributit gjuhësor të Weigand-it nga balkanologu Prof. Dr. Dhimitri Bello (Universiteti i Tiranës), e veçanërisht mbi veprën "Etnografi e Maqedonisë", falë vlerave historike, etnografike e gjuhësore që ajo përfaqëson.

Gustav Weigand (1860-1930) kontribues i shquar në studimet ballkanologjike, hartues atlasesh gjuhësore, hulumtues i marrëdhënieve mes gjuhëve e kulturave të popujve ballkanikë, vështruar në kontekstet e tyre historike e etno-folklorike, zuri një vend të rëndësishëm edhe në debatet shkencore mbi historinë e gjuhës shqipe, veçanërisht përmes 12 argumenteve të tij mbi prejardhjen e saj prej trakishtes.

Ky studim u publikua pak vite para se ai të ndahej nga jeta, më 1927 në "Balkan Archiv", u përkthye dhe botua po atë vit në revistën "Diturija" nga Aleksandër Xhuvani.

Për gjuhën shqipe G. Weigand njihet edhe për gramatikën e gjuhës shqipe, 1913 dhe fjalorin shqip-gjermanisht e gjermanisht-shqip, 1914.

Ndër veprat më të njohura veçojmë: gjuha e vllahëve të Olimpit, 1888; gramatikë e megleno- vllahishtes, 1891; vllaho-meglenishtja 1892; atlas gjuhësor i trevës dako-rumune (2 vëll), 1898, 1909; arumunët (2 vëllime), 1894- 1895; gramatika e gjuhës bullgare, 1907; biblioteka bullgare (9 vëllime); etnografia e Maqedonisë, 1923 etj.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.