E Mërkurë, 04.24.2024, 05:35am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MOIKOM ZEQO - MINISTRIA E JASHTME VONOI REAGIMIN PËR VJOSËN, EMËRIMET E ANONIMËVE NË DIPLOMACI, TRISHTUESE (Intervistë)

E Shtunë, 02.28.2015, 08:33am (GMT+1)



Shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo në këtë intervistë për gazetën "˜DITA" flet mbi debatin për devijimin e lumit të Vjosës. Ai e konsideron Çështja Vjosa është një provë serioze për shtetin dhe politikën shqiptare.


- Zoti Moikom, ditët e fundit është rishfaqur një ngërç i ri me Greqinë dhe që ka të bëjë me një projekt grek për devijimin e lumit të Vjosës. Çfarë përbën për ju ky lajm, a mund të shërbejë si shkak për një acarim të ri politik me fqinjin tonë jugor?

- Projekti grek për devijimin e lumit të Vjosës nuk është një hamendësim, por një realitet. Ka plasur një skandal, i cili ka vënë në provë jo vetëm raportet ndërshtetërore midis Shqipërisë dhe Greqisë, por në shumë kuptime, si dhe nënkuptime, ka krijuar një ngërç të ri diplomatik, që përbën një ngjarje të ndërkombëtarizuar dhe ndoshta më të komplikuarën në rajon. Lajmi se grekët kanë devijuar lumin e Vjosës, madje kanë bërë dhe hidrocentralin e Pagait prej kohësh, në të vërtetë është një lajm i vonuar, tepër i vonuar, marrëzisht i vonuar. Pse? A duhej në vitin 2015 të kuptonim dhe të merrnim vesh se paska ndodhur diçka e tillë, që Greqia në mënyrën më të njëanshme dhe më të pabesë, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare si asnjë shtet tjetër në Ballkan, ka vepruar me lumin Vjosa që është një element i përbashkët natyror dhe i gjeografisë, me delirin dhe sindromën e privatizimit të Vjosës pa pyetur fare Shqipërinë?! Pse ka ndodhur një gjë e tillë? Pse duhet të ndodhë një gjë e tillë? Ky fakt publik tashmë është artikuluar në media gati si një kryelajm. Çfarë bënë agjencitë inteligjente të informacionit, por edhe diplomacia shqiptare këto 25 vjet në lidhje me Çështjen Vjosa? Ç'tregon kjo vonesë? Kujt i shërben kjo vonesë? Pse për shqiptarët kjo ngjarje duket si diçka e papritur? Ndërsa për grekët nuk është aspak diçka e papritur. A ka një ngërç të ri midis Shqipërisë dhe Greqisë për Çështjen Vjosa? Si mund të mos ketë?

Janë grekët që e kanë sajuar këtë skenar viktimizimi për Shqipërinë. Pra goditja është e njëanshme. Juridikisht, pabesia e grekëve është jo vetëm një shkelje e të drejtës ndërkombëtare, por edhe një cenim i të drejtave kombëtare të Shqipërisë. Pra është dyfish shkelje. Dyfish pabesi. Çfarë bën klasa politike shqiptare? Çështja Vjosa është një provë serioze për shtetin dhe politikën shqiptare. Nuk është vetëm një provë e dinjitetit, por edhe një provë e konceptualitetit politik. Politikanët janë përballë Historisë. Nëse nuk e përballojnë Historinë, Historia i fshin ata. Përshëndes me gjithë zemër artikulimin publik të një personaliteti të vërtetë, të një njeriu të ditur dhe me integritet të lartë moral, deputetit socialist Besnik Bare që bëri Çështjen Vjosa të vendoset në "syrin e ciklonit" të medieve shqiptare. Njohësi i mirë i subjektit, Besnik Bare ka lartësuar figurën e tij si politikan i ndërgjegjshëm. Po pse të tjerët heshtin? Çështja Vjosa nuk është një çështje politike vetëm e shumicës apo opozitës. Është një çështje madhore kombëtare. Të paktën tashmë mediat e bënë të njohur Çështjen Vjosa. Por askush nuk mund ta justifikojë këtë vonesë.

 

- Moikom, ka nga ata që mendojnë se pas detit, grekët duan të na marrin edhe lumenjtë. Sa real është ky shqetësim?

- A mundet grekët që pas tendencës për të marrë pjesë të detit tonë, të na marrin edhe lumenjtë? Duket sikur ekuacioni i kufijve nuk është thjesht një metaforë. Duket sikur diplomacia greke, më e kualifikuar në stërhollimet e saj, vepron në fshehtësi, si në një realitet okult dhe arrin madje të bëjë që qeveria shqiptare e Berishës ta nënshkruajë Marrëveshjen Detare, por që për fatin e mirë të Shqipërisë e skualifikoi Gjykata Kushtetuese një akt ky historik i admirueshëm. Grekët mund të synojnë gjithçka, por ëndrrat e tyre delirante nuk kanë fuqi as paravepruese, as prapavepruese. Por projektet greke të alambikuara me kujdes nuk marrin parasysh as substancën e të drejtës ndërkombëtare, as interesat ekzistenciale të Shqipërisë. Unë jam i prirë të besoj se nuk do t'ia arrijnë kësaj katrahure të çuditshme dhe arkaike në shekullin XXI.

 

- Ç'është lumi Vjosa për ju si historian dhe studiues, sa i rëndësishëm është ai për Shqipërinë dhe shqiptarët?


- Lumi i Vjosës është një nga kryethesaret e gjeografisë dhe të historisë. Lumi i Vjosës në Shqipërinë e Jugut ka qenë një aortë e zemrës së zhvillimit ekonomik të natyrës dhe të ekologjisë, siç thuhet sot në terminologjinë moderne. Kaq i rëndësishëm ka qenë roli i lumit Vjosa, sa në trojet shqiptare ky lumë në antikitet është konsideruar si një Hyjni vendase e plotfuqishme. Në monedhat e Apolonisë të shek.III para Krishtit jepet edhe rafigurimi i Hyut Vjosa në formë antropomorfe: Paraqitet në formën e një plaku madhështor të shtrirë me flokë dhe mjekër të gjatë që simbolizojnë rrjedhjen e ujërave. Por jo vetëm në numizmatikë, por edhe në skulpturë, Hyu Vjosa jepet në formën e një statuje që e paraqet atë sipas ikonografisë antike të Hyut të lumit Nil në Egjipt. Dokumentet e autorëve antikë e përmendin shpesh Hyun Vjosa si një krye perëndi ilire të zonës. Lumi Vjosa ka qenë i lundrueshëm dhe ai ka qenë shkaku kryesor i ekzistencës dhe lulëzimit të qytetit të Apolonisë, sepse Apolonia ishte edhe një skelë lumore e Shqipërisë së Jugut dhe lumi Vjosë ishte korridori ujor që e lidhte atë me detin Adriatik. Në antikitetin e vonë, në shek.V-VI lumi Vjosë devijoi shtratin dhe mori një rrjedhë tjetër. Kjo bëri që Apolonia të vdiste si qytet përfundimisht. Mos të harrojmë që nga 30 qytetet me emrin Apoloni, sipas kronikanëve antikë, më i madhi, më i lulëzuari, qe qyteti Apoloni i Ilirisë. Ja pra një shembëlltyrë që na vjen nga e kaluara. Ndërrimi i rrjedhës së Vjosës bëri që të vdiste një qytet kaq madhështor. Kjo shembëlltyrë është shumë aktuale sot. Nëse shterojnë ujërat e Vjosës, pra nëse vdes vetë Vjosa, atëherë humbja është aq e madhe, aq e pallogaritshme sa vdekja e Apolonisë do të dukej si diçka e vogël dhe kalimtare. Shembëlltyra që përmenda është një kambanë e humbjes. A kanë veshë politikanët tanë për të dëgjuar?

 

- Si e konsideroni qëndrimin e Ministrisë sonë të Jashtme, por edhe të shoqërisë civile për këtë çështje deri tani?


- Qëndrimi i Ministrisë sonë të Jashtme dhe i ministrit Ditmir Bushati besoj do të jetë i drejtë. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Natyrisht që diplomacia aktuale shqiptare është zënë pak në befasi, kjo krijon një lloj hutimi të kuptueshëm. Pyes: Pse vallë duhej që Ministria e Jashtme të mos reagonte shumë kohë më përpara? U kanë munguar informacionet? Mos ndoshta diplomatët e rinj nuk e kanë kujtesën e diplomatëve më të vjetër? Diplomacia është sublimim i shtetit. Diplomacia është fytyra adekuate e shtetit. Jashtë shtetit nuk janë deputetët, as qeveritarët që kanë komunikim të përditshëm dhe të çdo çastshëm me shtetet e huaja, por janë pikërisht diplomatët. Çështjet diplomatike janë shumë të ndërlikuara. Janë shumë të vështira dhe që kërkojnë një dituri të epërme. Diplomacia kërkon një përfaqësim të të gjithë burrave më të shquar dhe personaliteteve më të mëdha të Shqipërisë. Kështu Çështja Vjosa kërkon ballafaqim me ekspertë të mëdhenj. Me trishtim e them, sepse duhet thënë, sepse është mirë të thuhet, sepse nuk mund të heshtësh në mënyrë idiote se emërimet në diplomaci këto dy vjetët e fundit kanë qenë të pakënaqshme, janë emëruar ambasadorë njerëz anonimë që nuk i njeh askush. Si ka mundësi vallë? Pse duhet të ndodhë kështu? Si mundet që nëpunës të administratës, qoftë edhe asaj diplomatike, të përballojnë marrëdhëniet më të komplikuara dhe më shumë kuptimore në raportet me shtetet e tjera që kanë një diplomaci tejet të zhvilluar? Fakti që përvoja dhe kultura e lartë profesionale e personaliteteve të tilla të sprovuara të diplomacisë shqiptare si Ksenofon Krisafi, Pëllumb Xhufi, apo edhe Fatos Tarifa që janë edhe autorë të spikatur librash kryesorë, të mos kontribuojnë më në diplomacinë shqiptare? Diplomatët e rinj që janë emëruar të paktën duhet të përafërsoheshin me kalibrat mendorë dhe profesionalë të diplomatëve të ashtuquajtur të vjetër. Më duket një marrëzi e madhe që Ministria e Jashtme nuk i ka dhënë rëndësi substanciale nivelit të lartë dhe rolit të patjetërsueshëm të diplomacisë si sublimim i shtetit. Por shpresoj të bëjnë ndryshime të duhura më vonë.

- Profesor Krisafi në analizën e tij për këtë çështje ka shkuar pak më tej. "Nuk përjashtohet që skenari që po zhvillohet në Athinë lidhur me këtë çështje, të jetë edhe një simetri e sajuar për të dalë te një qëndrim i stisur, i ngjashëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i vitit 2010, që hodhi poshtë si të paqenë marrëveshjen për kufijtë detarë. Mbi këtë bazë mund të avancohet ideja e një kompromisi: "Na jepni detin, t'ju japim Vjosën", thotë Krisafi. Sa qëndron sipas jush ky arsyetim i tij?

- Ideja që artikulon profesor Ksenofoni për një skenar grek që të ketë ekuacionin "na jep detin, t'u japim Vjosën", nuk është thjesht një hamendësim, nuk është thjesht një trill. Por a mund të arrihet një gjë e tillë e turpshme? A mund të bëhet një pazar bakenjsh i ndyrë për elementë të tillë madhorë siç është deti dhe lumi Vjosa? Nuk e besoj se grekët do kenë një sukses të padiskutueshëm në ballafaqimin me shqiptarët. Me ne është e drejta ndërkombëtare. Çështja e Vjosës nuk është pa zgjidhje. Profesor Ksenofon Krisafi në shkrimin e tij të mrekullueshëm dhe shkencor të botuar më 24 shkurt 2015 tek Gazeta Shqiptare tregon jo vetëm historikun e Çështjes Vjosa, jo vetëm shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nga ana e grekëve, por jep edhe disa mundësi të zgjidhjeve juridike. Këto bëhen me anë të një Gjykate Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Janë disa zgjidhje të tilla që kanë ndodhur në shtete të tilla si Franca dhe Spanja, këto zgjidhje juridike përbëjnë module të mundësisë dhe të veprimit diplomatik dhe politik për zgjidhjet e çështjeve bilaterale midis shteteve. Këto module që përmenda janë edhe një hulli për zgjidhjen e Çështjes së Vjosës. Por Çështja e Vjosës duhet parë edhe në një optikë tjetër. Çfarë bëjnë shqiptarët për pasuritë e tyre natyrore? Çfarë bëjnë shqiptarët për detet dhe lumenjtë e tyre? Nëse të tjerët i dashkan detet dhe lumenjtë tanë, pse shqiptarët vetë nuk i duan? Nuk i duan? Po, po, kanë treguar se nuk i vlerësojnë dhe nuk i duan siç duhet. A nuk janë shqiptarët që këto 25 vjet i kanë shkatërruar shtretërit e lumenjve, a nuk i kanë prishur pasuritë biologjike të peshqve në dete duke i gjuajtur me dinamit? Pse një mungesë e tillë ndërgjegjeje dhe pakujdesie e shqiptarëve? Ky është thelbi i thelbeve, i çudisë. Në Gjyqin e Mbramë lumenjtë (por edhe detet) do t'i çojnë shqiptarët në Ferr për të shpaguar kështu indiferencën, pakujdesinë dhe marrëzitë e tyre erazmike për pasuritë kombëtare, për shkatërrimin e natyrës dhe për injorancën e tmerrshme që tregojnë edhe ndaj vetvetes.

Intervistoi: XHEVDET SHEHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
PËR SE I DUHET KRYEPESHKOPIT JANULLATOS NËNSHTETËSIA SHQIPTARE?Nga Prof. SKËNDER GJONI (02.28.2015)
'BESA' E KRYEMINISTRIT MUSTAFA DHE DEKLARATA E PAMATUR E MINISTRIT STAVILECINga SKËNDER MULLIQI (02.28.2015)
ORGANIZATA BOTËRORE E SHËNDETËSISË - MOS DËGJONI SHUMË MUZIKË! (02.27.2015)
'BIBLIOTEKA E NJË ALBANOLOGU' - EKSPOZITA KUSHTUAR GUSTAV WEIGANDIT (02.27.2015)
PASHALLARËT E BASHKIVE QË LARGOHEN ME FADROMËNga MENTOR KIKIA (02.27.2015)
1461 - NJË FOTO E RRALLË E GJERGJ KASTRIOTIT NË ITALI (02.27.2015)
SOKOL DOBRUNA DËNOI ME VDEKJE NJERËZIT E VIJËS INSTITUCIONALE TË LUFTËSNga SAIM TAHIRAJ (02.26.2015)
NEXHMIE ZAIMI DHE ROMANI I SAJ 'DAUGHTER OF THE EAGLE'Nga SINAN GASHI (02.26.2015)
LIBRI SUEDEZ I VITIT 1949 - SHQIPTARËT, TRASHËGIMTARË TË ARIANËVE (02.26.2015)
FOTO ANTOLOGJIKE - PESË VAJZAT SHQIPTARE NË VITIN 1920 (02.26.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]