E Enjte, 04.25.2024, 11:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
MOMENT HISTORIK NE WASHINGTON PER VAJZEN NGA KAVAJA
ERMIRA BABAMUSTA: Vlerësimet nga Kongresi Amerikan dhe Presidenti Obama, momente historike të jetës sime./
Iintervistoi FADIL SHEHU, FLORIDA

E Hënë, 03.02.2015, 11:00am (GMT+1)



Ndjehem shumë i kënaqur që këtë intervistë po e zhvilloj me ju Ermira Babamusta. Ju jeni angazhuar në aktivitete diplomatike-politike, eksperte e punëve të jashtme dhe shkrimtare. Nëse do të ktheheshit në retrospektiv, si do i kujtonit vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës në qytetin e Kavajës, ku ju jeni lindur?

Faleminderit për këtë mundësi, Fadil. Nga fëmijëria ruaj kujtime shumë të bukura, që nga çerdhja, ku kam patur mamin edukatore, deri në momentet e shkollës fillore"24 Maji", tani "Rilindja". Falenderoj përkushtimin e mësuesve të talentuar,Besnike Dollia, Nazmie Dimri,Tafik Biturku,Ismail Biturku, Ramazan Hushi, drejtorët e shkollës Xhavit Bygjymi dhe Xhavit Hylviu. Falë përkushtmit të mësuesve, Lëndina Dollia dhe Fatbardh Kanapari, kam marrë pjesë në shumë konkurse në bazë qyteti në matematikë dhe letërsi, ku jam vlerësuar me disa çmime. Mbarova shkëlqyeshëm tetëvjeçaren, me nota 10-ta. Më pas vazhdova studimet në shkollën e mesme të gjuhëve të huja dega anglisht"Asim Vokshi" në Tiranë.


Ndërkohë, kur ju vazhdonit shkollën, muarët vendimin për tu larguar në SH.B.A. Ishte kjo një zgjidhje e duhur për ju dhe familjen tuaj?

Në vitin e tretë më doli e drejta e studimit për në Amerikë.Vitin e katërt të shkollës së mesme e mbarova në Amerikë me notat më të lartë, GPA 4.00, ku kam fituar shumë medalje në shkallë kombëtare për matematikë,spanjisht,literaturë,fituese e Eagletoun Highschool Quiz Bowl, fituese e kampionatit, etj. Kisha fatin të marrë shkollimin në një sistem edukativ kaq të lartë dhe të zhvilluar si ai amerikan, falë punës dhe mundimit tim, prindërve të mi të dashur, dhe mësuesve të mi në Shqipëri dhe Amerikë.Çmoj vlerën shqiptare, që zhvillon shumë herët tek fëmija aftësitë për njohuri, ambicie, konfidencë me anë të konkurimeve dhe aktiviteteve dhe e përgatit nxënësin për të qenë sa më i mirë në të gjitha fushat që të ofron jeta.Vlen të theksohet që në Shqipëri mësimi i gjuhës së huaj inkurajohet që në fillore, gjë që nxit zhvillimin dhe inteligjencën e fëmijës, që në moshë të vogël. Sistemi shqiptar dhe amerikan i edukojnë nxënësit të jenë të aftë, konfidentë, konkurues dhe të synojnë të jenë më të mirët.

Ju nisët studimet në universitetin më prestigjioz në botë, Harvard. Si ndiheshit si studente shqiptare para pedagogëve, disa prej të cilëve të njohur në nivele të diplomacisë amerikane?
Më vjen shumë mirë që përfaqësova Shqipërinë dhe Kosovën si dhe universitetin tim WVU, në programin e Harvardit. Në gusht 2013 aplikova për programin e çertifikatës për kursin, Strategjia dhe Sigurimi Kombëtar Amerikan, që ofrohet nga shkolla e qeverisë Kenedi në Harvard. Ky program u zhvillua nga dy universitetet më të mira në botë, Harvadi dhe MIT i Maseçusets, ku studiuan studentë të ndryshëm nga bota. Nga mijëra konkurentë, unë isha zgjedhur si një nga 500 fitueset që u pranuan të jenë pjesë e këtij programi, shumë kërkues dhe i një niveli shumë të lartë. Madje nga 500 persona që fituan, vetëm 290 arritën ta përfundojnë atë me sukses, bashkë me mua.Ne, na u akordua çertifikata e mjeshtërisë në Sigurim Kombëtar dhe Strategji. Këtë program e kryeva njëkohësisht kur po kandidoja për doktoraturë në Shkenca Politike tek universiteti WVU në Uest Virxhinia. Pata shansin të jem pjesë e programit dhe të punoj me të njohurin, Profesor Graham Allison,drejtor i qëndrës për shkenca dhe punë të jashtme "Belfer Center". Ka punuar si këshilltar special për sekretarin e mbrojtjes gjatë presidentit Regan, dhe asistent sekretar i mbrojtjes për politikë dhe plane për presidentin Klinton. Ka fituar çmimin e lartë civil nga departamenti i mbrojtjes dhe ka publikuar shumë libra shkencor në lidhje me politikën si "Esenca e Vendimeve", etj. Ndërsa profesor David Sanger, korespondent kryesor i Uashingtonit për "Nju Jork Tajms", fitues i çmimit "Pulitzer", ka botuar disa libra dhe jep mësim në "Harvard" për politikë publike. Ndërkohë Prof. Dr. Derek Reveron është drejtor i Strategjive të Sigurimit dhe Drejtori i Kolegjit "US Naval War College" në Nju Port. Secili prej tyre ka dhënë një kontribut të madh në mësim, duke na mësuar nga përvojat e tyre në politik.
Keni përfunduar studimet shkëlqyeshëm, madje keni kryer me sukses master për shkencat politike"Administrim publik",studimin e avancuar për "Diplomaci OKB" dhe doktoraturën në Shkenca Politike. Pretendoni se tashmë keni arritur gjithçka?
Universitetin e lartë e bëra në Ualdorf Kollege, me arritje të dalluara dhe isha në listën e studentëve të nderuar në "Dean's honor roll". Fitova çmimin Hanson Award, si dhe bursën e paqes "Ponberg për Shkenca Politike dhe Histori". Kur përfundova universitetin pata nderin të punoj në Uashington DC. për Senatorin, Tom Harkin në sektorin politikë ndërkombëtare, për të cilin kam respekt të veçantë. Kam kryer dy mastera. Masterin e parë e përfundova në degën "Administrim Publik" nga universtieti MSU në Minesota dhe fitova bursin e paqes në shkenca politike,"Dr. John Scherzer Scholarship" nga Uashington DC, si studente e dalluar me aspirata për lidere dhe kontribut ndërkombëtar; si dhe bursën e plotë të shkollimit nga Instituti i Paqes "Kesel Peace Institute", që më akordoi më vonë si "Gruaja Ndërkombëtare e Kurajos". Pata sërish nderin të rikthehem në Kongresin Amerikan, duke punuar për Kongresmenin e nderuar Mark Kenedi, në zyrën e tij në Uashington DC. Ndërsa në universitin LIU në Nju Jork, kam kryer dy programe universitare: Masterin e dytë në shkenca politike si dhe programin e avancuar të nivelit "graduate" për diplomaci të OKB-së.. Kam jetuar në Nju Jork që nga 2006, ku kam punuar në departamentin e paqes dhe logjistikës të OKB-së në Manhatan, krahas shkollimit. Pasi përfundova punën në fushatën e parë elektorale të presidentit Obama, aplikova dhe fitova të drejtën e studimit me burse, në universitetin WVU në Uest Virginia, për të kandiduar për doktoraturë në shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Në verë të 2010 përfundova studimin në programin e Strasburgut,Francë në degën "Ligji Europian dhe Institucionet e BE-së". Gjatë studimeve të masterit dhe doktoraturës kam zgjedhur si temë çështjen e Kosovës, hulumtim që e kam nisur që në vitin 2007 dhe vazhdoj ta ndjek nga afër për zhvillimet më të fundit në vend. Përveç edukimit kam kryer dhe trajnime të tjera në punë, për t'u bërë një kandidate e fortë në karrierën time, si dhe kam kryer shërbime vullnetare për t'i shërbyer komunitetit shqiptaro-amerikan, popullit amerikan dhe Amerikës.Më kujtohen shumë mirë fjalët e presidenti Obama, gjatë fjalimit që dha kur pranoi kandidaturën për president në Konventën Demokratike mbajtur në Denver, Kolorado në 2008. Në atë kohë, unë isha zgjedhur si organizatore e Konventës, dhe drejtuese duke sjellë me vete ekipin tim nga Florida, ku punuam së bashku gjatë fushatës. Gjatë fjalimit Presidenti tha se premtimi amerikan, është premtimi që secili nga ne, ka lirinë për jetën, por dhe obligimin për ta trajtuar njëri tjetrin me dinjitet dhe respekt.

Krahas punës suaj në politikë dhe diplomaci keni themeluar "Peace Action Fondacion", Fondacioni Aksioni për Paqe. Si do e vlerësonit funksionimin e këtij fondacioni?

Fondacioni Aksioni për Paqe, ishte një inisiativë dhe projekt i imi, në mënyrë vullnetare, për të cilin u angazhova dhe e kam drejtuar për dy vjet që në 2013. Kjo nismë ishte tribut i ngjarjeve të 11 shtatorit, për të kujtuar dhe vlerësuar veprimet heroike të atyre që luftojnë për lirinë dhe të drejtat tona sot. Qëllimi i organizatës bamirëse ishte i natyrës së aksionit, veprimit dhe shërbimit publik, dhe jo monetar. Pra, të sillnim ndryshim në komunitetin tonë për të krijuar një shoqëri sa më demokratike, të drejtë dhe humanitare, duke i shërbyer shoqërisë. I jam mirënjohës të gjithë anëtarëve që vullnetarisht janë përfshirë në këtë projekt. Falenderoj drejtuesit e ekipit, që kanë dhënë ndihmë humanitare për të rritur rëndësinë e çështjeve sociale dhe përballuar sfidat globale si, Egzon Bunjaku,drejtues i ekipit "Cycle for Nature Team" nga Prishtina; Halil Gashi, Drejtues i Ekipit "Health Auarenes Team" në Gjermani; Michael Moloi, Rachel Bergsieker dhe Katelyn Hughes në Londër.Në vitin 2013 Aksioni për Paqe, ka qenë një nga përkrahësit dhe bashkëpunesit e Tour De Culture, i cili organizohet çdo vit në Kosovë.

Sa kanë ndikuar prindërit, në edukimin dhe formimin tuaj si qytetare dhe diplomate shqiptare-amerikane?
Falë përkujdesjes, mbështetjes dhe dashurisë nga familja, kam fituar shumë vlera në vetëvete. Mbaj mend që babi, si mësues letërsie dhe historie me jepte për detyrë, për të lexuar librat e Frashërit, Kadaresë, Shekspirit, Tolstoit, etj, për t'u njohur me letërsinë shqiptare dhe atë të huaj. Kam filluar të shkruaj poezi që kur isha e vogël dhe më pëlqen të shkruaj në përgjithësi. Po ashtu në tetëvjeçare, babi, më kërkonte të mësoja 30 fjalë të reja çdo ditë nga fjalori i anglishtes dhe t'i recitoja poezitë e Fishtës. Të dy prindërit e mi, kanë treguar interes të madh në përgatitjen time mësimore,duke dhënë një sakrificë të madhe, që unë të kem një të ardhme më të mirë. Kjo bëri që unë të kultivoj shumë herët në jetë përgjegjësi, disiplinë dhe ambicie dhe të përballoj vetëm jetesën larg familjes dhe vendlindjes. Në Amerikë suksesi është një mundësi e barabartë për të gjithë, për atë që punon shumë, i dedikohet punës dhe përgatitet mirë për të arritur synimet në jetë. Kjo e drejtë demokratike më ka dhënë vizion, që një studente si unë, të ketë synime të larta. Pra,pa ndihmën e dikujt, kam arritur vetë, sepse shoqëria amerikane vlerëson atë që punon. Në aspektin politik kam mësuar direkt nga vetë institucionet që bëjnë politikë, Senati dhe Kongresi Amerikan, gjatë punës me kongresmenët e nderuar Tom Harkin dhe Mark Kenedi në Uashington DC, departamenti i paqes i OKB-së në Nju Jork, si dhe puna për zgjedhjen elektorale të presidentit Barak Obama në 2008, Florida dhe në 2012, në Pensilvania, WV dhe Ohajo. Aty mësova nga afër se si funksionon demokracia dhe diplomacia, në sistemin elektoral. Është ky lloj i të menduarit që zhvillon qeverinë bashkë me shoqërinë. Kur mbarova me sukses praktikën tek zyra e senatorit Tom Harkin, në fjalimin e tij para presidentit amerikan me 22 korrik 2003, përmendi emrin tim, duke vlerësuar punën dhe kontributin tim në proçesin dhe sistemin demokratik.

Në vitet 2008 dhe 2012, ju keni punar në administratën e presidentit Obama, në fushatën e tij për president, në shtetet e Floridas, Filadelfias dhe Pesilvanisë. Sa e vlerësuat ju këtë përkushtim dhe si u cilësua puna juaj nga kjo administratë?
Vlerësoj dhe respektoj punën e madhe të presidentit Obama dhe lidershipit të tij, të popullit amerikan. Kam patur një eksperincë të jashtëzakonshme gjatë punës sime në fushatat presidenciale.Në 2008 dhe 2012,kam punuar për administratën e presidentit Obama, si drejtoreshë gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, nëpër shtete të ndryshme, duke punuar në shtete kyçe gjatë fushatës si Florida,Ohajo, Pensilvania, Kolorado, etj. Gjithashtu u zgjodha një nga drejtueset që organizova kuvendin nacional të Partisë Demokratike në Kolorado, në 2008. Këtu ishin të pranishëm mbi 75000 pjesëmarrës, ku senatori Barak Obama, pranoi nominim e partisë demokratike për president. Falë punës time dhe eksperiencës, më ftuan sërish të punoj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, në Filadelfia, ku dolëm me sukses. Pata nderin të marrë ftesë nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009 dhe 2013 në Uashington DC, për të qenë e pranishme në inagurimin e president Obamës me rastin e fitores. Ishin momente historike të paharuara, që do i kujtoj përjetë. Mbi të gjitha vlerësoj lidershipin e presidentit Obama. puna e tij ka patur një transparencë të jashtëzkonshme dhe një lidhje të drejtëpërdrejtë me publikun. Gjatë punës në dy fushatat, kam marrë telefonata përgëzimi nga presidenti, për të uruar punën tonë të ekipit dhe për të na dhënë kurajo për të punuar më shumë. Mbas punës në zgjedhje, në mënyrë vullnetare kam marrë pjesë në organizim për aksion, që ka për synim përparimin e agjendës së presidentit, diplomacisë dhe politikës amerikane.Dhe këtu, Presidenti ka qenë shumë i lidhur me popullin. Kemi patur lidhje video-konferenca të drejtëpërdrejta, telefonata si dhe korespondenca me Shtëpinë e Bardhë. Është kjo lloj politike transparente e Amerikës, në shërbim të popullit, që çon përpara interesin dhe zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit amerikan.

Sa të pranishëm e konsideroni presidentin Obama dhe Amerikën, për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Besoj se Shqipëria dhe Kosova në rradhë të parë duhet të forcohen vetë si shtet, nga ana ekonomike dhe ushtarake, për t'i shërbyer më së miri vendit të tyre, si dhe familjes europiane, për të cilën synojnë. Në këtë drejtim duhet vazhduar për të punuar shumë, për të plotësuar kushtet dhe rritur standartet në vend. Kontribut të madh si në drejtimin e zhvillimit të demokracisë, pavarësisë, juridikut, sigurimit, etj, ka dhënë Amerika bashkë me aleatë të tjerë të popullit shqiptar si Anglia, Gjermania, etj. Të gjithë shqiptarët i janë shumë mirënjohës aleates së fuqishme Amerikës, për miqësinë e fortë, besnikërinë dhe përkrahjen e jashtëzakonshme për shqiptarët.Vlen të theksohet që politika e jashtme amerikane pak a shumë është e njëjtë, homogjene, pra nuk ndryshon me ndërimin e presidentëve apo partive në vend. Presidenti Obama bashkë me paraardhësit e tij, i kanë qëndruar shumë afër popullit shqiptar dhe Kosovës, duke i mbrojtur ato në momentet më kulminante të egzistencës të tij. Për këtë, shqiptarët i janë shumë mirënjohës Amerikës.Gjatë misionit tim të dytë hulumtues diplomatik-kulturor në Kosovë, në 2012, dita e falenderimeve, e kthyer në një festë të madhe, mbushi sheshin "Skënderbej" me flamuj amerikan, si shenjë respekti dhe mirënjohëje ndaj Amerikës. Po ashtu dhe gjatë vizitave të liderëve amerikanë në Shqipëri. Ne jemi i vetmi popull, që i pret amerikanët me shumë miqësi, dashamirësi dhe mikpritje të paparë, gjë që në shtete të tjera, amerikanët nuk i gëzojnë këtë popullaritet madhështor. Me këtë rast përgëzoj dhe vlerësoj punën e përkryer të presidentëve, George Bush, Bill Klinton, Barak Obama, Zv. presidentit Joe Biden, sekretarët e shtetit Hillary Klinton dhe Xhon Kerry, ambasadorët Jackobson dhe Arvizu dhe shumë senatorë e kongresmenë të tjerë që kanë përkrahur shqiptarët. Përgëzoj dhe ambasadorin e ri amerikan, Donald Lu për pozitën e re, dhe i uroj suksese në punën e tij në Shqipëri.

Të parët e prindërve tuaj janë të njohur për vlerat e tyre patriotike, duke ndihmuar direkt figura të shquara të kombit tonë. Cilat janë disa nga aktivitetet e tyre?
Që në kohën për shpalljen e pavarësisë të Shqipërisë në 1912, gjyshi im Beqir Babamusta, me të parët e fisit, pritën një natë në shtëpi Ismail Qemalin, bashkë me shoqëruesit e tij me 25 nëntor 1912. Të nesërmen i dhanë Ismail Qemalit dhe shoqëruesve, ushqime, shoqërues me kuaj, para dhe dy çeta për të siguruar rrugëtimin për në Vlorë. Këtë punë në shërbim të kombit, familja ime e vazhdoi dhe me themelimin e Shoqatës Patriotike Kombëtare "Bajram Xhani", themeluar nga babai im, Neki Babamusta dhe shokët e tij në 1991 në Kavajë. Shoqata kreu aktivitete deri në vitin 2003. Me 15 mars 1992 Shoqata "Bajram Xhani" priti me madhështi në Kavajë ambasadorin e parë amerikan në Shqipëri, Uilliam Rajerson, me 20,000 pjesëmarrës. Shoqata përkrahu të persekutuarit politik dhe vlerat patriotike të tyre lënë në harresë. Punoi për të njohur botërisht luftën heroike të popullit të Kosovës, kundër militarizimit serb të Millosheviçit. Ndihmoi të strehojë të persekutuarit e popullit të Kosovës në qytetin e Kavajës, afro 8,000 persona. Për lirinë e Kosovës Ramazan Cani ,gjyshi i mamit tim, bashkëpunëtor i Bajram Currit, Isa Boletinit, vëllëzërit Myslim dhe Shyqyri Peza, luftoi kundër serbëve me çetën e tij, ndërsa gjyshi im Beqir Babamusta, u plagos, dy kushërinjtë e mi u vranë. Nga dy fiset Bababamusta dhe Cani, janë burgosur dhe vrarë afro 20 anëtarë të familjes. Për këtë kontribut të veçantë Kongresmeni Mark Kenedi, në vitin 2004 nderoi, "Heroi i Popullit", Kastriot Cani ,gjyshin tim, si dhe familjen e tij, si bashkëpunëtor me Amerikën për vendosjen e demokracisë, babain tim, Neki Babamusta, për forcimin e lidhjeve diplomatike Europë-ShBA dhe mua, për shërbimin tim, ndaj Kongresit dhe diplomacisë Amerikane.

Jeni angazhuar me diasporën dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane për shumë kohë. Po ashtu, pozicioni i punës tuaj ju ka dhënë privilegjin e bashkëpunimit me disa prej personaliteteve të njohura politike të kongresit Amerikan. Sa frutdhënës do e vlerësonit këtë bashkëpunim?
Kam shumë vite që jam angazhuar për të zhvilluar komunitetin në Amerikë dhe forcuar bashkëpunimin me diasporën shqiptare. Prioritet ka patur çështja për të drejtat e shqiptarëve, promovimi i kulturës, si dhe lidhjet shqiptaro-amerikane-angleze, që fisi im Babamusta-Cani, ka kultivuar për afro 100 vjet. Ky bashkëpunim ka forcuar më tepër lidhjet dhe miqësinë e fortë midis vendeve tona. Në qershor 1999, unë me familjen, vazhduam punën në Amerikë për mbrojtjen e shqiptarëve, ku nëpërmjet Radios shqiptaro-amerikane"Alba",me qendër në Miçigan, përhapëm vlerat demokratike të kombit shqiptar, duke i bërë të njohur popullit Amerikan, krimet e luftës të Millosheviçit në Kosovë. Kjo radio transmetoi këto programe në shumë shtete të Amerikës. Këtë punë e kemi bërë dhe vazhdojmë edhe sot në takime me ambasadorë anglez dhe amerikanë, ku kemi kërkuar njohjen e shpejtë të Pavarësisë së kosovës.Vlen të përmendet takimi me ish-sekretarin e shtetit Amerikan, Kolin Pouell, senatorin Tom Harkin, për të cilin kam punuar në zyrën e tij në Uashington DC, me kongresmenin,Mark Kenedi, si dhe gjatë punës time në OKB-ë, në takimin me sekretarin e përgjithshëm Kofi Anan. Këtë punë e vazhdova dhe me diplomacinë publike, nëpërmjet gazetës time që themelova në 2008, "Prishtina Press", e cila për dy vjet ka botuar mbi 3000 printime në Prishtinë. Aktiviteti i gazetës vazhdoi online deri në 2013. Gazeta kishte për qëllim përkrahjen e diplomacisë shqiptaro-amerikane, përhapjen e vlerave kulturore dhe demokratike shqiptaro-amerikane.

Vitin e kaluar ju Ermira, keni drejtuar një peticion liderëve dhe institucioneve më të njohura në botë. Përse e keni bërë këtë peticion?

Është më se e vërtetë, që ky peticion, gjatë vitit të kaluar, bëri bujë të madhe ndërkombëtare, duke iu drejtuar liderëve dhe institucioneve, OKB-së, BE-së, Shtëpisë së Bardhë, NATO-s, Senatit Amerikan dhe Uefa-s, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Ky peticion ishte një inisiativë e imja, që e kam shkruar vetë, si rezultat i keqtrajtimit të lojtarëve shqiptar në ndeshjen Serbi-Shqipëri, i cili me pas morri përmasa për barazi dhe të drejta për shqiptarët në përgjithësi. Më pas iu drejtova organizatës "Rrënjët Shqiptare", me të cilën bashkëpunova që ky peticion të nënshkruhej nga sa më shumë njerëz. Këtë nismë timen peticioni, e shndëruam në një platformë, me propozim të Besmir Buranaj Hoxha dhe mbështetje nga Marko Kepi, bashkë me anëtarët e Albanian Roots, për të sensibilizuar të gjithë botën për mbrojtje dhe barazi për shqiptarët. Peticoni drejtuar Shtëpisë së Bardhë u firmos dhe u mbështet nga tre milion shqiptarë në mbarë botën. Shprehja e lirë, lëvizja e lirë, e drejta për edukim, dhe të drejta të tjera të njeriut, janë akoma të cënuara edhe sot, për shumë shqiptarë në trojet e tyre si në Preshevë, Kosovë, Mal të Zi, Çamëri, Maqedoni dhe Serbi. Sot shqiptarët kanë shumë nevojë për përkrahje nga komuniteti ndërkombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Duke biseduar për Kosovën, këto ditë po ndodh një fenomen shumë tronditës, me mijëra familje po braktisin vendin e tyre duke u drejtuar dyerve të Evropës, ikin s'di se ku ? Si do e komentonit këtë hemoragji, e cila si metastaz po shtrihet në mbarë trupin e Kosovës?
Është trishtuese që Kosova po përjeton një eksod tjetër në përmasat e luftës së 98-tës. Inkurajoj popullin e Kosovës të mos largohet nga vendi, sepse nuk është kjo zgjidhja. Uroj që lidershipi dhe qeveria e Kosovës të veprojnë sa më pare, për të krijuar mundësi që qytetarët të kenë vende pune, të jetojnë, të hapin biznese dhe të kenë një jetë të siguruar në vend. Investimet e huaja ndihmojnë, por edhe ato nuk janë zgjidhja. Duhet zhvilluar ekonomia e Kosovës dhe politika e brendshme e saj, duhen zhvilluar industritë në vend, që Kosova të kthehet në vend prodhues si dikur dhe jo të mbahet nga importi me grurë e miser, kur Kosova mund t'i rrisi vetë këto produkte. Duhet të krijohen plane aktuale afat-gjate për zhvillimin e ekonomisë. Deri tani prioritet ka patur pavarësia. Ka ardhur koha që politika e brendshme të ketë prioritet dhe Kosova të ngrejë standartet e jetesës në vend. Nëse nuk merren masat e duhura sa më shpejt, vendi rrezikohet nga trazira dhe pasiguri të tjera.

Prindërit tuaj njihen si mbështetës të popullsisë hebrenje në Shqipëri dhe rritjes së vlerave demokratike në Kosovë. Sa krenare ju bën përkushtimi dhe humanizmi i tyre?
Paqa, toleranca dhe dashuria për njerëzimin, janë vlera që familja ime i çmon, po ashtu si i tërë kombi shqiptar dhe ai amerikan. Më vjen mirë që familja ime, fisi im, Kavaja dhe shumë qytete të tjera shqiptare, treguan akte humane duke shpëtuar hebrenj gjatë luftës së dytë botërore.Në tetor 1943 në shtëpinë e gjyshit tim, Beqir dhe Rabihane Babamusta, ka qëndruar për tre muaj të fshehur një familje izraelite. Në shtëpinë e tyre janë strehuar edhe gjashtë ushtarë italinë dezertorë të luftës, në 1943. Familja izraelite kishte katër pjesëtarë me dy fëmijë të vegjël. Shtëpia e gjyshit ka patur kontrollime të shpeshta nga gestapoja gjermane dhe për fat të mirë familja izraelite nuk është zbuluar. Babai im ishte 8 vjeç në atë kohë dhe më tregon kujtimet që ka patur nga ky përjetim. Pas strehimit tre mujor kjo familje izraelite u shoqërua për në Itali, ku në fillim u vendos në fshatin Spillej, për një javë tek miqtë e familjes Babamusta, tek Sel dhe Dyl Zyba. Për sigurimin e familjes ka ndihmuar Beqir Babamusta dhe Spirro Pello, ndërsa Qamil Babamusta ka shoqëruar deri në Bari të Italisë familjen izraelite, duke e besuar atë tek miqtë e Babamustave në Itali, me të cilët bënin tregëti në atë kohë, tek miku Italian.Manaxheri i tregtisë Itali-Shqipëri, Mehmet Babamusta i pajisi me dokumenta. Përveç kësaj familje, nëpërmjet familjes Babamustës dhe Kavajës, kanë shpëtuar 178 çifutë (Arkiva e Shteti). Për shpëtimin e tyre dhe sjelljen nga Vlora në Kavajë kanë marrë pjesë, Mehmet Babamusta, ish-sekretar i gjygjit, në bashkëpunim me vëllain e tij, Isuf Babamusta, punonjës në gjykatën e qytetit Kavajë, Mihal Lajkatarin, përmbarues i dokumentave në gjykatën e Kavajës.Së bashku, kanë pajisur 178 hebrenj me pashaporta shqiptare. Pas strehimit në Kavajë, hebrenjtë dërgoheshin në qytete të tjera, Kosovë, ose kalonin për në Itali, Europe dhe Amerikë. Sjellja e familjeve çifute nga Vlora për në Kavajë, kordinohej nga vëllezërit Mehmet dhe Isuf Babamusta, bashkë me nipërit e Beqir Babamustës, Halit Babamusta, Ragip Babamusta dhe Ibrahim Babamusta. Në maj të 1954, babai shërbente si mësues në fshatin Gjysulkonaj, ishte vetëm 17 vjeç, dhe shpëtoi gjakderdhjen midis 35 familjeve nga vëllavrasja. Në shtëpinë e tij më pas, bëri pajtimin midis grupeve ku u bë falja e gjakrave. Ka shpëtuar mbi 80 jetë njerëzish.Një nga vlerat që dallon popullin shqiptar është Besa Shqiptare. Besa, mikpritja dhe toleranca fetare, janë tradita shqiptare që na bëjnë krenarë para botës.
Jeni vlerësuar me disa çmime, për kontributin tuaj nga kongresi amerikan, si ambasadore e kulturës dhe diplomacisë amerkane, "Gruaja Humanitare Ndërkombëtare" dhe së fundi në ditët e para të shkurtit të këtij viti 2015, jeni nderuar nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Obama. Çdo të thotë për ju ky vlerësim?
Falenderoj Kongresin Amerikan, Shtëpinë e Bardhë dhe presidentin Amerikan, për vlerësimin që më dhanë. Ndjehem tepër krenare për vlerësimin e dhënë nga drejtuesi i maxhorancës, Senatori Harry Reid, me vlerësimin "Gruaja Humanitare Ndërkombëtare" dhe babait tim, Neki Babamusta si "Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë". Do vazhdoj të jap kontributin tim në shërbim të Amerikës, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, vlerave humanitare, forcimit të Amerikës dhe shqiptarëve dhe përkrah diplomacinë amerikane. Po ashtu, vlerësoj tepër, nderin e madh dhënë nga presidenti Obama, me çmimin për shërbim kombëtar "President's Volunter Service Award". I jam shumë mirënjohës Shtëpisë së Bardhë dhe qeverisë amerikane për këtë vlerësim të lartë. Vlerësoj dhe punën e projektit Borgen, ku kam shërbyer si vullnetare në funksionin drejtoreshë rajonale. Për të patur një botë paqësore, duhet të bëjmë më shumë për njëri-tjetrin, jo vetëm për kombin, po dhe për të gjithë njerëzimin.

Mesazhi juaj për shqiptarët kudo që ndodhen.

Doni dhe respektoni veten si dhe njëri-tjetrin.Uroj që të arrini suksesin dhe ëndërrat e juaja dhe të jepni kontributin tuaj, në të mirë të komunitetit ku jetoni dhe vendit amë që përfaqësoni. Shpresoj që një ditë, të gjithë shqiptarët dhe trojet të jenë të bashkuar, dhe drejt zhvillimit europian, me arritje dhe suksese në botë.

Faleminderit Znj. Ermira, për këtë intervistë eskluzive dhe interesante, që zhvilluam së bashku. Suksese.
Të falenderoj Fadil, për përkushtimin dhe kontributin tuaj, ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan. Të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen i uroj gjithë të mirat.
FADIL SHEHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BEBE REXHA VË NË QARKULLIM VIDEOKLIPIN E KËNGËS I'M GONNA SHOW YOU CRAZY (03.02.2015)
NEUTRALITETI I KINËS VDIQ NË UKRAINËNga PETRIT HALITI (03.02.2015)
MYSLIM PASHA - PAKTI DETAR U RRËZUA, POR JO KALIFI QË E MBROJTI (Intervistë) (03.02.2015)
KISHA E BUTKËS, NDOSHTA FALTORJA MË E ÇUDITSHME NË PLANET- NË TË NJËJTIN ALTAR KRISHTI DHE MUHAMETINga VEPROR HASANI (03.02.2015)
Delegacioni i Kosovës në regjionin Fermo (Itali)DËSHIROJMË BASHKËPUNIM ME FIRMAT FERMANO PËRMES DHOMAVE TË TREGTISËNga FLORIM ZEQA (03.01.2015)
ZOTËRI MINISTRA DHE z STAVILECI, ÇFARË DËNIMI E KISH PRITUR MIXHËN RAMË ME 25 FËMIJË?Nga ASLLAN DIBRANI (03.01.2015)
LUMI VJOSA DHE ADHURUESIT SHQIPTARË TË TSIPRASITNga ARTUR ZHEJI (03.01.2015)
SYRGJYN VDEKURElegji për LUIGJ GURAKUQINNga FAN S. NOLI (03.01.2015)
2 MARS 1925 - AHMET ZOGU VRET LUIGJ GURAKUQINNë 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (03.01.2015)
PARAQITJA E SËRISHME NË OPINION E SOKOL DOBRUNËS KA PËR QËLLIM FRIKËSIMIN E DËSHMITARËVE NË PRAG TË FORMIMIT TË GJYKATËS SPECIALENga SAIM TAHIRAJ (02.28.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]