VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SIMPOZIUM SHKENCOR KUSHTUAR SHTJEFËN GJEÇOVIT
Nga Prof. MURAT GECAJ

E Enjte, 03.05.2015, 08:11am (GMT1)


Siç është e njohur dhe na tregon tani prof. Musa Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave të Edukimit, në Tiranë, krahas studimeve e botimeve për çështje aktuale të arsimit e të shkollës dhe të mendimit tonë pedagogjik në mbarë trojet shqiptare, ky instuticion joqeveritar ka përgatitur e organizuar disa konferenca zonale, kombëtare, mbarëkombetare dhe ndërkombëtare. Me emrin e kësaj Akademie, janë botuar disa vepra në nivele universitare, si "Vetëvlerësimi shkollor", "Historia e arsimit dhe e pedagogjisë shqiptare", "Mësuesi e pedaogu, personaliteti dhe etika e tyre", "Pedagogjia SHSHPP (Pedagogjia:shkolla shqipe, me program plotësues) etj.
x x x
Në vazhdim të veprimtarive të mëparshme dhe në kuadrin e 140-vjetorit të lindjes së atdhetarit , studiuesit e arsimtarit të shquar, "Mësuesit të Popullit" At Shtjefën Gjecovi (12 korrik 1873-14 tetor 1929) dhe në prag të festës së 7 Marsit, "Ditës së Mësuesit", Akademia e Shkencave të Edukimit organizoi një simpozium, në sallën "Aleks Buda" të Akademisë së Shkencave, në kryeqytet. Ishin të pranishëm akademikë e profesorë, punonjës të arsimit, shkencës e kulturës, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e disapora etj.
Këtë veprimtari e çeli kryetari i Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Edukimit, prof. Kolec Topalli. Me këtë rast, i lexuan përshëndetjet e tyre studiues nga Tirana, Prishtina e Vlora.
Në vazhdimësi, vëmendjen e të pjesëmarrësve e tërhoqën kumtesat e paraqitura, për jetën dhe veprimtarinë shumëplanëshe të At Shtjefën Gjeçovit. Përmes tyre, hidhej dritë e re në ndihmesën e tij të njohur atdhetare, arsimore e kulturore, shkencore e shoqërore. I pari, e lexoi temën e vet prof. Musa Kraja, "At Shtjefën Gjeçovi, personalitet i shquar dhe edukator i madh popullor". Përveç trajtimit të këtij personaliteti si iluminist rilindës dhe kundër pushtuesve, para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë, ai solli disa të dhena te reja nga veprimtaria e Gjeçovit në Gomsiqe të Vaudejës e në Lisën Vjerdhë dhe ne kontakte me Munellën, zonë në të cilën kishte shërbyer 6 vjet mësues, në rininë e tij, bile, duke banuar në dhomën e Gjeçovit dhe ku kishte takuar ish-nxënës të tij.
Prof. Laurant Bica, e trajtoi veprimtarinë e At Gjeçovit, duke e quajtur atë "Legjenda e Shqiptarizmës". Ky autor është i njohur për lexuesit tanë, me tre vëllime për rilindësin e madh, Hasan Tahsini dhe me dy vëllime të tjerë, për Naim Frashërin. Në vazhdim kumtesën e studiuesit Anton Çefa, aktualisht në SHBA, e lexoi Ma. Frrok Vukaj, "Shtjefën Gjeçovi, dëshmues i fazës arkretipale të psikologjisë etnike të popullit tonë". Juristi i njohur, prof. Rrustem Gjata trajtoi në punimin e tij, "Ide juridike në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe ndikimi i tyre", duke i parë ato dhe në këndvështrimin e ditëve të sotme.
Përveç botimeve, studimeve e shkrimeve të shumtë për Gjeçovin, për jetën dhe veprimtarinë e tij arsimore ruhen edhe mjaft dokumente arkivore. Për këtë gjë, "Mësuesi i Popullit" Kolec Çefa lexoi temën e tij, "Gjeçovi në epistonin e ruajtur në AQSH". Ndërsa sudiuesi Frrok Kristaj, nga Prishtina, i cili ka kaluar më këmbë në vendet, ku ka sherbyer At Gjeçovi, u ndal në disa vepra të papublikuara të tij.
Prof. Vebi Bexheti, nga Universiteti UEJL i Tetovës dhe autor i mjaft botimeve në nivel universitar e më gjerë, u ndal në disa dëshmi interesante rreth vrasjes së Gjeçovit, bazuar në organin e shtypit të kohës, "Hylli i Dritës".
Prof. Hamit Xhaferi, nga Kërcova, studiues i njohur, jovetem në Maqedoni, mësimdhënës universitar në UEJL, në punimin e ti, i bëri një analizë shkencore, veprimtarisë krijuese të Gjeçovit. Më tej, dr. Asqeri Llanaj, i cili i ka ndjekur mjaft nga "Takimet e Gjeçovit", në Zym, e lexoi kumtesën për Gjeçovin e Vlorën, të përgatitur në bashkëpunim me prof. Bardhosh Gaçe. Për këto lidhje të tij, atje e kanë shpallur Gjaçovin "Qytetar Nderi". Sonila Titili, pedagoge dhe studjuese e re në Universitetin "Alaksandër Xhuvani" të Elbasanit, foli për përkthimin e veprës madhore të Gjeçovit, në disa gjuhë të huaja, si dhe për interesimet e treguara për të.
Një kumtesë mjaft interesante kishte dërguar prof. Hajrullah Koliqi, zëvedëskryetar i kësaj Akademie, autor i shumë veprave, përfshirë dhe "Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar". Përshendetje kishin dërguar, gjithashtu, Akademik Pajazit Nushi-Prishtinë, Anton Çefa-SHBA etj. Aty përshendetën dhe disa të ftuar të tjerë, që ishin në sallën, ku u organizua kjo veprimtari shkencore.
Me shumë duartrokitje u prit artistja e mirënjohur Justina Alija, e cila recitoi vargje kushtuar At Shtjefën Gjeçovit. Me kënaqësi u pritën edhe leximet e recitimet e pjesëve, nga krijimtaria e Gjeçovit, që i interpretuan dy maturante të Gjimnazit, në qytetin e Laçit-Kurbin.
Në mbështetje të këtij simpoziumi ishin deputeti i zonës, ku ka punuar Gjeçovi, Mark Frroku, si dhe disa veprimtarë të tjerë.
Nga kjo veprtimtari mbresëlënëse, u miratua propozimi për t'ia dërguar Presidentit të Republikës, që At Shtjefën Gjeçovit t'i jepet titulli më i lartë, "Nderi i Kombit".
Sigurisht, botimi i kumtesave të paraqitura në këtë veprimtari shkencore, do të jetë një ndihmesë tjetër e rëndësishme për njohjen e mëtejshme, nga brezat e sotëm dhe ata pasardhës, të jetës dhe punës së palodhur të At Shtjefën Gjeçovit, për Atdheun e popullin tonë.
Tiranë, 4 mars 2015



Prof. MURAT GECAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.