VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

DRINI ËSHTË ZHVILLIM - JO VETËM PËRMBYTJE
Shkodër, takimi II i programit CRESSIDA me pjesëmarrjen e vendeve të Rajonit
Nga ELTJANA SHKRELI, planifikuese urbane

E Premte, 03.13.2015, 06:56pm (GMT1)


 
Shkodra, qyteti ku pushon Drini i madhërishëm priti për dy ditë me radhë ekspertë vendas e të huaj, vendimmarrës e përfaqësues të qeverisjes lokale e qendrore nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, në takimin e dytë të programit ndërkombëtar CRESSIDA, të organizuar nga REC Shqipëri dhe me mbështetjen e Agjensisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (USA EPA_Environmental Protection Agency).
Kur Shkodra përmendet në kontekstin e lumit Drin, e para gjë që vjen ndër mend janë përmbytjet e mëdha të viteve të fundit, por kjo nuk ishte tema kryesore e as i vetmi shqetësim i ngritur në këtë konferencë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor ishte mbështetja e komuniteteve lokale dhe zhvillimi i qëndrueshëm përgjatë këtij korridori ujor. Pjesëmarrësit e shumtë nga komunitete lokale të vendeve ndërkufitare që përshkohen nga dy Drinat, e ngritën zërin për sfidat e menaxhimit të basenit lumor, si në shkallë Rajoni, kombëtare e lokale. Meqenëse baseni më i madh i Drinit që mbledh ujërat e një sipërfaqeje prej gati 20 mijë kilometrash katrorë në pothuajse 1/4 e territorit verilindor të Shqipërisë (8200 kilometra katrorë)  - ndër më të pazhvilluarit në vend, zhvillimi ishte emëruesi i përbashkët i të gjithë diskutimeve në konferencë. Në këtë hapësirë territoriale ku sot përfshihen 11 bashki dhe 80 komuna dhe rreth 570 mijë banorë, Drini ka qenë ndër lidhjet më të forta mes njerëzve dikur;  kjo dokumentohet përmes numrit të madh të vendbanimeve të hershme përgjatë tij. Një tjetër dokument me vlerë mbetet edhe vepra "˜Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit' Vjenë 1867-"˜69 e Johan Georg fon Han (1811-1869), shkencëtar gjerman.  Hani kishte filluar ta përgatiste ekspeditën në lumin e Drinit në fillim të viteve "˜60, kur tha: "...është më pak i njohur se të gjithë lumenjtë e Evropës megjithëse derdhet në Adriatik jo më shumë se dhjetë milje nga kufiri jugor i territorit perandorak (të Austro-Hungarisë)."



E nga ana tjetër, pavarësisht se qyteti i hapi dyert e mikpritjes këtij eventi për të dhënë mesazhin e menaxhimit në mënyrë sa më të qëndrueshme ndaj sistemeve ujore, nuk mund të mos ndjehesh i zhgënjyer kur pikërisht këto ditë vazhdon të ndërhyhet pa asnjë lloj kriteri mjedisor në nyjen ku Lumi Buna buron nga Liqeni i Shkodrës në të ashtëquajturin "˜BYPASS'. Grumbuj pa fund inertesh derdhen mbi të, ndërkohë që shkatërrojmë një Zonë të Mbrojtur (Kategoria IV dhe V e IUCN), e cila që prej vitit 2005 bën pjesë në Konventën RAMSAR. Kjo ishte edhe arsyeja që nuk zgjodhëm t'i bënim një vizitë në terren buzë Liqenit, pasi kjo situatë do na shfaqte antitezën e asaj çfarë themi, me atë çfarë bëjmë.

Prandaj grupi i punës së organizatës lokale GO2 vendosi t'i shoqëronte të ftuarit nëpër atraksione të tjera turistike të zonës, siç ishte  guida turistike me biçikleta përgjatë Lumit Buna drejt Kishës së Shirqit, vizita në Kalanë Rozafa e perceptimi i peisazhit nga belvederet dhe frëngjitë e mureve shekullore, prezantimi me ekspozitën e punimit studimor nga studentët e Universitetit "˜Epoka' me temë "˜Rivitalizimi i Lumit Buna Muzeu, si katalizator'. Pjesë e qëndrimit të tyre ishte edhe njohja me kulturën, arkeologjinë, etnografinë, folklorin dhe artet figurative përmes  vizitës në muzeun historik të qytetit, darka në atmosferën e këndshme të restorant "˜Tradita', si dhe vizita e në Muzeun e Kujtesës të periudhës komuniste. Duke qenë se njëri prej ekspertëve të përfaqësuesve të Agjensisë Amerikane (EPA) ishte shqiptaro-amerikani me origjinë nga Oroshi i Mirditës, z. Lek Kadeli, vizita pranë shtëpisë monument kulture së Gjon Markagjonit ishte një nga momentet më të veçanta për të dhe ne që e shoqëronim. Homo narrans-i i nuses së shtëpisë e njohu me realitetin e hidhur të diktaturës ndaj asaj familjeje, histori të cilën e kishte dëgjuar nga gjyshi i tij.

Të nesërmen paradreke, grupi i 4 ekspertëve nga Agjensia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe përfaqësuesit e agjensive ndërkombëtare u nisën për në Sarajevë ku do organizohej takimi analog mbi basenin e Lumit Drinas për pjesën tjetër të shteteve të Ballkanit Jugperëndimor (Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina).


ELTJANA SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.