VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AKADEMIA E SHKENCAVE NDEROI AKADEMIKUN MAHIR DOMI NË 100 VJETORIN E LINDJES

E Djelë, 03.15.2015, 03:25pm (GMT1)


Seit Mansaku referoi me kumtesën "Mahir Domi për historinë e gjuhës shqipe", akademik Ethem Likaj me kumtesën "Ndihmesa e Mahir Domit për morfologjinë historike të shqipes", etj.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademik Mahir Domit, personalitet i shquar i shkencave filologjike dhe i kulturës shqiptare, Akademia e Shkencave organizoi një Akademi solemne në sallën "Aleks Buda". Fjalën e hapjes së kësaj ceremonie e mbajti kryetari i ASH, akademik Muzafer Korkuti, i cili riktheu vëmendjen në punën shkencore dhe vlerat e akademikut Mahir Domi. Më pas referoi dhe akademiku Emil Lafe, i cili u shpreh se Mahir Domi ishte një personalitet dhe organizator i shquar i shkencave albanologjike shqiptare.

Seit Mansaku referoi me kumtesën "Mahir Domi për historinë e gjuhës shqipe", akademik Ethem Likaj me kumtesën "Ndihmesa e Mahir Domit për morfologjinë historike të shqipes", etj. Në fjalën e tij akademiku Gjovalin Shkurtaj foli për ndihmesën e prof. Mahir Domit në lëmin e dialektologjisë dhe onomastikës shqiptare. "Mahir Domi ishte një nga studiuesit që dinte jo vetëm të punojë vetë, po edhe të bashkëpunojë me kolegët dialektologë, duke gjakuar të sjellë ndihmesa të rëndësishme për njohjen e të folmeve të shqipes truallësore dhe të diasporës arbërore, arbëreshe, arbneshe dhe arnaute", pohoi mes të tjerave akademiku Shkurtaj.

Prof. Mahir Domi u lind më 12 mars 1915 dhe u nda nga jeta më 19 tetor të vitit 2000. Prof. M. Domi dha një kontribut të shquar në shumë fusha të dijes albanologjike në të gjitha shkencat filologjike e letrare shqiptare, në radhë të parë në fushë të studimeve gjuhësore, duke u bërë një nga gjuhëtarët më të shquar me një njohje të gjerë brenda dhe jashtë vendit.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.