VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KULLAT E KRENARISË SONË NËN MËSHIRËN E TË PA MËSHIRËVE….
Nga TAHIR BEZHANI

E Enjte, 03.19.2015, 08:42am (GMT1)



Gjatë luftës së fundit në Kosovë, pos gjakderdhjes së pakursyer për liri nga barbaria serbe, vendi e pësoi edhe me djegie e shkatërrime  të përgjithshme në pasuri, duke mos kursye asgjë mbi sipërfaqen të tokës, vetëm e vetëm që këtë popull ta varfërojnë deri në skajshmëri.

Në vazhdën e këtyre shkatërrimeve, pikësynim parësorë i soldateskës serbe, ishte edhe rrënimi, djegia e kulturës e historisë kombëtare në çdo aspekt. Djegia e kullave gjithsesi, ishte edhe si amanet i kahershëm i shovinizmit serb. Nuk ishte ky synim vetëm në luftën e fundit, por këndvështrim qubrilloviçian me amanete për shkatërrimin e  arkitekturës dhe kulturës autoktone iliro-shqiptare në Kosovë.

Kullat përherë kanë qenë pjesë psikologjike e shovinizmit serbo-malazez, sepse e kanë ditur dhe e dinë historinë e tyre që kur ka filluar ndërtimi i tyre (shek. XVII-të) e deri me sot, se ato kulla, reflektojnë trimërinë (sepse ishin fortifikata), sepse aty është gatuar bujaria, mikpritja, burrërimi si karakteristika të rralla të një populli liridashës.

Në kullat tona është zhvilluar e pjekur dija e menquria,ku kullat ishin universitet e parlament i kohëve të ndryshme,për marjen e vendimeve për çështje kyçe të kombit. Jo rrallë nëpër kohë kullat kanë shërbyer si shkolla edhe pas luftës së dytë botërore, por edhe pas viteve 90-ta, kur Serbia mbylli me dhunë universitetin  dhe të gjitha shkollat në gjuhën shqipe në Kosovë.

 
Çfarë po bëhet sot për  rindërtimin e kullave tona?!


 Në hapësirën shqiptare, treva më e ngjeshur me ndërtim  kullash ishte Dukagjini me Malësinë e Gjakovës. Reka e Keqe, është ndër trevat më të njohura ku ishte e mbushur me shtëpi kulla të cilat deri në luftën e fundit i bënë ballë kohës. Vlen të ceket kulla e Bajraktarit të Morinës, e cila gjatë historisë, ka pësuar tri djegie nga serbo-malazezët, e pikërisht nga gjenerali Veshoviq i Malit te Zi. Si motra të kësaj kulle, ishin edhe ato në Smolicë, kulla të njohura në Dukagjin e Malësi të Gjakovës, si kulla e Idriz Jahës, bashkëmendimtarit e pleqnarit Shaban Binaki të Krasniqes, bile edhe bashkëlufëtar i Haxhi Zekë Byberit. Pastaj, me lavd e rëndësi kohe ishin edhe kulla e Bezhanëve dhe ajo e Nuzëve, Arif Islamëve, Zenun Alisë së Rrahmanëve, të cilat patën rëndësinë e tyre të kohës e që edhe sot thuren fjalë të mëdha për bëmat e burrave të Malësisë së Gjakovës, për këto kulla. Nga kullat në fjalë, pos ajo e Sylë Bezhanit, e cila u djeg nga forcat serbe me 1998, të tjerat, nga vjetërsia nuk i bënë ballë kohës, ishin rrënuar. Duke pasur parasysh rëndësinë e kullave, kulturën e çdo gjë tjetër rreth tyre, do ishte e domosdoshme që të kihet parasysh rindërtimi i tyre, gjegjësisht i së paku nga 3-4 kulla për fshat, me qëllim të rikthimit të asaj kulture nëpër të cilën kanë udhëtuar brezat para nesh; e pse jo, të mbetën në pamje e kujtesë të brezave të ardhshëm. Tani, është në duart tona rimëkëmbja e vendit, mosëharrimi i trashëgimisë është obligim dhe imperativ kohe, për të qëndruar vertikalisht e ballëhapur para historisë sonë të lavdishme,por të stërmundimshme. Tek e fundit, kullat kanë pasur një mbrojtje monumentale edhe në ish autonominë e Kosovës, e pse jo tani, kur dhamë çdo gjë të mundshme për të qenë në krye të përgjegjësive për  të mirat e këtij vendi.



Lidhur me dëmet e shkaktuara nga lufta, është përgjegjësi e shtetarëve tanë që të kërkojnë dëmshpërblimet nga shkaktari, nga Serbia, përmes Gjykatës ndërkombëtare për dëme lufte, kur dihet se vetëm kulla, janë djegur mbi 830 sosh në Kosovë.

TAHIR BEZHANI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.