VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

REPORTAZH - BABAJ I BOKËS, FSHATI QË JETON NGA BUJQËSIA

E Premte, 03.20.2015, 10:28am (GMT1)


 
Janë të rralla ato familje që nuk punojnë me zell dhe përkushtim në sipërfaqe të tëra të tokave, edhe pse pjesa më e madhe e tyre është kodrinore. E më e dalluara është familja Rrustemi, e cila nuk lë djerrinë asnjë pëllëmbë të tokës së punueshme prej 10 hektarësh.

Fshati Babaj i Bokës, që ndodhet në kilometrin e 10-të në perëndim të qendrës komunale të Gjakovës, tash e disa vjet është bërë i njohur për kultivimin dhe prodhimin e kulturave të imta bujqësore, veçmas të pemëve dhe perimeve. Janë të rralla ato familje që nuk punojnë me zell dhe përkushtim në sipërfaqe të tëra të tokave, edhe pse pjesa më e madhe e tyre është kodrinore-. Gjithë fshati, por edhe afaristët tregtarë që furnizohen me prodhime bujqësore e veçojnë Babajn, si fshatin ku jetohet nga bujqësia.
E në mesin e shumë familjeve të këtij fshati, pa ndonjë ndonjë hezitim veçohet familja Rrustemi, angazhimi i së cilës është shembulli më i mirë se nëse dikush ka vullnet dhe dëshirë për t'u marrë me bujqësi, mund ta bëjë këtë dhe madje me shumë sukses. Asnjë pëllëmbë të tokës me sipërfaqe prej 10 hektarësh, e pothuajse e tëra me reliev të pjerrët kodrinor, kjo familje nuk e ka lënë djerrinë. Përkundrazi, kudo shihen parcela të punuara me kujdes e të mbjella me 1 gjithfarë pemësh.

Edhe pse të gjithë në familjen Rrustemi janë të angazhuar në punët e përditshme bujqësore, më e angazhuara është e zonja e shtëpisë, Shkurte Rrustemi, e cila tashmë është bërë një emër i njohur në tërë Kosovën për këtë fushëveprimtari, prodhimin dhe përpunimin e pemëve të imëta.

"Kam arritur suksese, prandaj nuk do ta ndërroja punën që tash po e bëj", thotë ajo. Shkurta për çdo ditë zgjohet në orën 5:00 të mëngjesit dhe deri në orët e vona të natës është duke u marrë me të mbjellat, por edhe me përpunimin e prodhimeve të dredhëzave, manaferrave, boronicës dhe prodhimeve e tjera.

"Shumë pak pushoj. Tërë kohën merrem me punët e bujqësisë. E kemi gjetur veten dhe fitimin për të mbajtur familjen dhe për t'i shkolluar fëmijët",
rrëfen ajo, duke treguar se nga të ardhurat prej bujqësisë, po i financon studimet e gjashtë fëmijëve të saj.

"Prodhimet që i kultivoj në këto sipërfaqe të mbjella i shes në tregun vendor, kryesisht në rajonin e Dukagjinit, ndërsa ato që nuk shiten në treg dhe klasën e tretë të këtyre produkteve i përpunojmë dhe i bëjmë reçel. Kemi plane për të ardhmen që të bëjmë edhe rritjen e sipërfaqeve sidomos të manaferrave dhe rrushit pasi që në treg ka shitje të madhe të tyre", thotë ajo.

Krahas kësaj, ajo thekson se organizimi i panaireve të ndryshme bujqësore po tregohet mjaft i suksesshëm edhe për të, pasi përveç që po arrin t'i promovojë produktet e saj, ajo po realizon edhe shitje mjaft të mirë.

Shkurta e cila e pranon se ia ka parë hairin kësaj veprimtarie, apelon edhe te fshatarët e tjerë të cilët kanë mundësi, që sa më shumë t'i kultivojnë dhe t'i përpunojnë pemët e imëta, sepse fitimi është i madh, ndërsa mundi jo edhe aq. "Kultivimi i pemëve të imta është një nga veprimtaritë më fitimprurëse në sektorin e bujqësisë. Por, populli ynë ende nuk është vetëdijesuar se prodhimi i këtyre frutave përveç se është një punë e lehtë, është edhe e leverdishme, pasi që në tregun tonë këto fruta janë mjaft të kërkuara," thotë ajo.

Ndryshe, përveç 7 anëtarëve të familjes Rrustemi dhe dy punëtorëve të rregullt, në sezone pune në këtë projekt angazhohen edhe punëtorë sezonalë, për të dëshmuar kështu se përveç përfitime për të zotët, bujqësia mund të krijojë edhe vende të reja të punës për nevojtarët./ Marrë nga Ferma Ime

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.