E Enjte, 03.28.2024, 11:51pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
TEK SHTËPIA E IMZOT NOLIT
Nga VEHBI BAJRAMI

E Premte, 03.20.2015, 10:44am (GMT+1)

Nga Vehbi Bajrami

Vehbi Bajrami

FORT LAUDERDALE, Florida

Kjo është shtëpia e imzot Nolit në Fort Lauderdale të Florida-s, që Federata Pan Shqiptare "Vatra" i bleu peshkopit tonë më 1954.

Ja, këtu, pikërisht këtu, në këtë shtëpizë, që tani dremit në harresë, me kopshtin e shkretuar, me dyer e dritare të rrënuara, imzot Noli ndërroi jetë...

Duam të hyjmë brenda e të shohim se ku shkruante, ku flinte, ku hante e pinte imzot Noli. Por, dera është e kyçur. Pronarin e sotëm të shtëpisë nuk po e gjejmë dot.

Përpiqem të shoh nga dritarja se ç'ka mbetur brenda në atë shtëpi historike. Si do jenë dhomat? Përfytyroj për një çast imzot Nolin duke punuar e duke pushuar në këtë shtëpi. Por, edhe dritareve u është zënë "fryma": janë bllokuar me dërrasa e s'mund të shohësh gjë.... Shtëpia e Nolit e katandisur si mos më keq. Një dhimbje më sëmbon thellë në shpirt. A do të lejojnë shqiptarët që historia e tyre të mbulohet kështu nga pluhuri i harresës? Shpresoj e besoj që jo!

Po ç'histori mban brenda kjo shtëpi? Sa vjet u deshën për ta blerë? Le të shfletojmë gazetën "Dielli".

Më 25 mars të vitit 1951, Federata Pan Shqiptare "Vatra" shpalli fushatë për t'i blerë një shtëpi imzot Nolit, në 70 vjetorin e lindjes së tij. Gazeta "Dielli", në thirrjen që i drejtonte komunitetit për të mbështetur këtë fushatë, shkruante: "Ftojmë tërë shqiptarët patriotë, tërë kishët, tërë organizatat lokale që të marrin pjesë në këtë fushatë, për të nderuar një njeri të çquar që na ka shërbyer me forcë dhe me zotësi për 45 vjet me radhë. Gjatë kësaj kohe, Peshkopi ynë ka qenë udhëheqësi ynë në fushën kombëtare, në fushën fetare dhe në fushën letrare. O burrani shokë, të dalim faqebardhë".

Në letrën që imzot Noli i dërgon Qerim Panaritit, redaktor i gazetës "Dielli" dhe sekretar i "Vatra"-s, ndër të tjera lexojmë: "Nuk muntni të merrni me ment sa jam mallëngjyer kur mësova që Federata Vatra ka hapur një fushatë për të mbledhur ndihma, të cilat do të përdoren për blerjen e një shtëpie për mua. Në versën time asnjë dhuratë tjatër nukë do të ishte aqë e pëlqyer sa një shtrofkë ku ta ngrys jetën në qetësi edhe në paqe. Fjalët më mungojnë që ta çfaq shokëve të Vatrës mirënjohjen e përzemërtë për besnikërinë dhe shpirtmadhësinë e tyre. Ju paça sa malet. Mbetem uronjësi juaj me Zotin". (Qerim Panariti, i cili ishte në ballë të aksionit, që në fillim dha 50 dollarë).

Në këtë shtëpi në Fort Lauderdale imzot Noli për disa vjet kaloi pushimet e verës dhe po këtu ndërroi jetë.

Në këtë shtëpi në Fort Lauderdale imzot Noli për disa vjet kaloi pushimet e verës dhe po këtu ndërroi jetë.

Fushata për t'i blerë shtëpi imzot Nolit përkoi me kohën kur i dërguari i Patriarkanës Greke, Mark Lipa, kishte ardhur në Amerikë që të realizonte vetë organizimin kishtar të shqiptarëve e për t'i shërbyer padronëve të tij. Për këtë ai u përpoq që të fuste përçarje midis tyre. Gazeta "Dielli", me shkrimet e saj u bë krahu i djathtë i imzot Nolit duke denoncuar Mark Lipën. "Vatra" kundërshton rreptë ardhjen e Mark Lipës në Amerikë. Në thirrjen dërguar vatranëve ajo theksonte se "duhet ta mohojmë me urrejtje peshkopin renegat, i cili erdhi këtu me kryqin e Krishtit në një dorë dhe me flamurin e përçarjeve në dorën tjatër". "Andartët dhe epirotët u mblothnë kokë për kokë të dielën, më 15 prill 1951 për të tradhëtuar Shqipërinë. Folësi kryesor natyrisht ishte Prima Donna e Patriarkanës, Mark Lipa, i cili ka ardhur këtu me kryq në dorë dhe me helm në zemër për të shpëtuar Amerikën nga komunizma! Kjo është hera e parë që një axhent i Patriarkanës flet në një miting të përbërë prej njerëzve që mbajnë emrin shqiptar", shkruante kjo gazetë, e cila zhvillonte dy fushata: njërën për të mbledhur para për shtëpinë e Nolit dhe tjetrën për të demaskuar qëllimet e Mark Lipës. Ajo, në vazhdimësi, botonte listat e të gjithë atyre që dhuronin para për t'i blerë shtëpinë Nolit, të krisherë e muslimanë, por edhe shkrime për aktivitetin e Mark Lipës, duke u kushtuar të dyjave edhe editoriale që kishin për qëllim nga njëra anë përmbylljen me sukses të fushatës, që nuk ecte siç ishte parashikuar dhe nga ana tjetër, pengimin e aktivitetit të Mark Lipës. Nën hijen e tyre mbetej aksioni për blerjen e gurit të varrit të Faik Konicës dhe fushata e filluar nga imam Vehbi Ismaili për të ndërtuar faltoren e parë muslimane për shqiptarët në Amerikë. Po në këtë kohë, siç shkruan "Dielli", "defteri i bisedimeve të Kongresit në Washington ka botuar disa akuza kundër Hirësisë së tij Peshkop Nolit, sikurse gjoja Peshkopi ka mbrojtur Qeverinë e Enver Hoxhës. Lufta kundër Peshkop Nolit s'është një luftë e sotme: është një luftë politike, tradicionale e Patriarkanës dhe e Qeverisë Greke. Vetëm na vjen keq se në çdo rast Patrikana ka mundur të gjejë spiunë shqiptarë që të bëjnë punën e saj. Disa nga ata që kanë bërë punën e Patriarkanës, dyke luftuar Peshkop Nolin, për inat personal, sot janë të vdekur. Një nga të vdekurit është i ndyeri Kristo Dako, i cili gjatë Luftës Botnore nr. 1 kallëzoj Peshkop Nolin pranë Qeverisë Amerikane si pro Gjerman. Këto kallëzime ky shkronjës i ka parë me sy". Një kritikë në "Congressional Report" i drejtohej edhe gazetës "Dielli" e cila "ka kritikuar në pjesën editoriale politikën e jashtme të Amerikës". Redaktori i kësaj gazete Qerim Panariti u vu në thumb edhe nga "Zëri i Amerikës", duke e quajtur "njeri që fabrikon fakte". (Të dy gazetat, "Dielli" dhe "Liria", kanë ndjekur vijën e Partisë Komuniste, sipas fjalës së zonjës Stella Andrassy, që mbajti në Komisionin e Senatit për gazetat që botohen në gjuhë të huaja në Amerikë në fillim të viteve 50-të).

"Mbahu peshkop, mos ki frikë, se ke djemtë n'Amerikë", titullohej një editorial i gazetës "Dielli", duke ftuar të gjithë bashkatdhetarët për të ndihmuar në blerjen e shtëpisë së imzot Nolit.

"Është turp për ne shqiptarët që të shikojmë një njeri të çquar si Peshkopin t'onë të rrojë në një banesë si atë që rron sot, kurse m'i varfëri nga neve rron në banesë më të madhe dhe më të mirë. Një tjatër arsye që na shtrëngon t'a bëjmë këtë punë, domethënë t'i blemë shtëpinë sa më çpejt, është fakti që sot Kryekisha e Shën Gjergjit ësht miaft lark nga banesa e Peshkopit, kështu pra është nevojë që çdo të dielë në mëngjes, dhe pothua çdo ditë tjatër, Peshkopi duhet të shkojë me taksi nga banesa e tij gjer tek Kryekisha një udhëtim mjaft i gjatë. Qëllimi i Vatrës është që t'i lehtësojë këtë mundim Peshkopit dyke i blerë një shtëpi pranë Kathedralit të ri të Peshkopatës, në South Boston". Mirëpo, kur u mbyll fushata, e cila nxori në pah nivelin e organizimit të shqiptarëve dhe respektin që kishin ata për njeriun që u kishte shërbyer për shumë vjet, Noli, shumë vjet pasi u mblodhën paratë, bleu shtëpi në Fort Lauderdale të Florida-s (816, rruga NW 3), sot një zonë jo e përshtatshme për banim. Shkaqet do t'i thotë vetë Noli në një letër që do të lexoni më vonë.

"Bijat e Kryekishës" që në fillim dhanë 1000 dollarë. Më vonë, Kiriako Bojaxhi dha po ashtu 1000 dollarë, ndërsa Vangjel Postoli, i cili kish qenë shok i ngushtë me imzot Nolin në kohën e djalërisë, vëllau i shkrimtarit Foqion Postoli, dha 200 dollarë. Disa ditë më vonë, Peshkopata dhe Kryekisha e "Shën Gjergjit" dhuruan 1500 dollarë. Aksioni u zgjerua edhe në shtete të tjera të Amerikës, kudo ku kishte degë të Federatës "Vatra". Tre muaj pasi u nis fushata, gazeta "Dielli" shkruan se "dëshira e komisionit të Vatrës ishte që kjo fushatë të kishte marrë funt brenda tre muajsh. Kjo mësheftësi nukë vjen nga shkaku se Shqiptarët s'duan të ndihmojnë, passi të gjithë duan dhe më në funt do të ndihmojnë vjen nga një zakon dhe nga një traditë e rrënjosur mirë në shpirtin e Shqiptarit, e cila munt të përshkruhet me këto fjalë: "Do të japim, po më tutje, dale të shikojmë se sa do të japin të tjerët!". Në këtë kohë shuma e mbledhur e parave ishte 6947 dollarë.

Një javë më vonë "Dielli" sërish ka për temë shtëpinë e Nolit. Kësaj radhe kritika u drejtohet atyre që thonin se fushata nuk u nis mirë dhe këtë punë, në vend të "Vatrës" duhej ta kishte bërë Peshkopata. "Dielli" nuk kursehet dhe shfryn tërë mllefin kundër tyre: "Po kur iu thua se kush e ndaloj Peshkopatën të bënte këtë punë, nisin të përtypen dhe të nxierrin nga goja vetëm fjalë pa kuptim dhe pa llogjikë". Më 1948, vazhdon gazeta, "Kisha Orthodokse Shqiptare në Amerikë dha një banketë testimoniale për nder të dyzet vjetëve të Peshkopit si klerik. Ky ishte një rast i florinjtë për Peshkopatën që t'a propononte dhe t'a mbaronte. Në këtë banketë u mbajtnë shumë fjalime prej klerikëve dhe laikëve të cilët e ngritnë Peshkopin në qiell. Po fjalët shkuan dhe i mori era, passi me të shumat duallnë nga buzët jo nga zemra. Asnjë klerik, asnjë laik nuk e hapi gojën për të përsëritur projektin që proponoj i ndyeri Louis Bregu një vit më parë në banketën testimoniale të Vatrës për dyzetvjeçarin e Peshkopit n'Amerikë". "Dielli" vazhdon të thumbojë edhe më tej Peshkopatën: "Qëkur dha Vatra banketën testimoniale për Peshkop Nolin, më 1947, kanë shkuar katër vjet e gjysmë. Pse pra, nuk i ra nër mënt Peshkopatës në këto të katër vjet e gjysmë që të hapte një fushatë për këtë punë? Kush ja zuri dorën? Kush e ndaloj? Në qoftë se Peshkopata dëshiron t'a marrë këtë punë përsipër, yrysh pra, fusha është e hapur për cilindo grup që dëshëron të marrë topnë në dorë".

(Kuvendi i Peshkopatës falënderoi pas ca kohe "Vatrën" botërisht për nisjen e fushatës që e quan "vepër të çmuar").

At Chriss Ellis, në gazetën "Dielli" më 1 gusht 1951, si kundërpërgjigje boton një shkrim ku, pasi ngre lart figurën e Nolit, thërret bashkatdhetarët tanë të ndihmojnë për t'i blerë shtëpinë peshkopit dhe në këtë aksion, thekson ai, duhet të gjithë të mobilizohen pa ndonjë përjashtim.

Katër muaj më vonë pasi kishte nisur fushata, gazeta më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, sërish u bën thirrje bashkatdhetarëve që të mos kursejnë për të përmbushur këtë aksion që nuk po ecën si duhet. Në shkrimin "Pse fushata për shtëpinë e Peshkopit shkon me hapa të ngadalshme?", ndër të tjera lexojmë: "Fushata, pothuaj pas katër muajsh, akoma po hiqet zvarrë, në vend që të kishte marrë funt. Është për të vënë re se kur kërkojmë nonjë ndihmë për Peshkop Nolin shumë nga miqt' e tij mbyllin sytë dhe bëjnë sikur nukë dëgjojnë, po kur ka nonjë rezik Shqipëria, i vemi dhe e shtrëngojmë që të na shpëtojë nga krizat. Ata që kanë vizituar Peshkop Nolin nga koha në kohë e dinë mirë se ku jeton njeriu ynë i çquar. Të gjithë neve që mbajmë emrin shqiptar duhet t'a kemi për turp të shikojmë që t'a lëmë Peshkopnë të vuajë në një apartment miserabil sot në ngrysjen e jetës së tij. Kio fushatë duhet përkrahur dhe duhet përkrahur me çpejtësi".

Nga e majta: Elias Mitchell (Xha Lili), Fan S. Noli, Anthony Athanasi dhe Peter R. Prifti gjatë një mbledhje për festimin e 50 vjetorit të botimit të gazetës

Nga e majta: Elias Mitchell (Xha Lili), Fan S. Noli, Anthony Athanasi dhe Peter R. Prifti gjatë një mbledhje për festimin e 50 vjetorit të botimit të gazetës "Dielli" më 1959.

Vito Nako nga Chicago, pasi shpreh pakënaqësinë për fushatën që nuk ecën mirë, në një letër të botuar në gazetën "Dielli", i shtron pyetjen redaktorit të saj: "Pse ngecë kjo fushatë?"

"Një grusht patriotë të kthielltë dhe me vazhdan formuan këtu në vendin e lirë të George Washington-it lëvizjen kombëtare dhe bënë të mundur çlirimin e Shqipërisë nga 500 vjet robëri. Shumica e këtyre patriotëve s'janë më me neve, vetëm një figurë e çkëlqyer na ka mbetur Peshkop F. S. Noli. Për të nderuar këtë figurë Vatra hapi një fushatë për t'i blerë një copë shtëpi ku të futë kokën, afro gjashtë muaj të shkuara. Mjerisht gjer sot vetëm një pakicë kanë marrë pjesë në këtë fushatë. Pse, pra, ngjet kio msheftësi? Gazeta na thotë herë pas here se këtu në Amerikë jemi të paktën 50 mijë Shqiptarë. Ne megjithatë mezi mbajmë një gazetë të vogël si "Dielli"-n një herë në javë. Pse pra ngjet kio e keqe?", shkruan autori.

Qerim Panariti jep këtë përgjigje: "Mos përparimi i fushatës për shtëpin' e Peshkopit ka disa pengime që s'munt t'i çfaqim dot botërisht, ndonëse këtu-këtje i kemi çfaqur me një mënyrë të mbytur. Mbi fushatën e Peshkop Nolit ka edhe një arsye tjatër, e cila është kjo: Epirotët s'kanë lënë gjë pa folur kundrë fushatës. Nga ana tjetër, patriotët "e mirë" që betohen për kokën e Peshkop Nolit, s'kanë bërë detyrën e tyre ashtu si duhet, passi simpathinë dhe dashurinë që kanë për Baban e Kombit janë fjalë të pa sinqerta".

Frika e "Vatrës" dhe "Diellit" se veprimtaria e filluar tetë muaj më parë, me shpresë se do të kryhej shpejt por që po ecte me hapin e breshkës, shfaqej gjithnjë e më dendur në shkrimet që botonte kjo gazetë. Tetë muaj pasi kishte filluar aksioni, ajo apelonte sërish te lexuesit e vet që "për nder të Krishtlindjeve, shqiptarët të ndihmonin blerjen e një cope shtëpie për imzot Nolin".

"Fushata për shtëpin' e Peshkopit po vazhdon, po me hapa të vogëla. Me rastin e Kërshëndellave, le të nisim t'i çpejtojmë hapet. Le ta mbarojmë këtë punë këtë mot", shkruante gazeta. Federata "Vatra" e pranon në një shkrim se ajo "psykollogjikërisht u lajthit për mos ardhur në kontakt me organizata të tjera më parë se të hapësh fushata".

Duke qenë se Qerim Panariti me shkrimet e tij po bënte gjithë ç'ishte e mundur për të dalë fitimtar në këtë veprimtari, midis shqiptarësh, siç e thotë një letër e botuar në "Dielli", filluan të pëshpëriten fjalë se për kë organizohet kjo fushatë: për Nolin apo Panaritin?

"Dielli" jep këtë përgjigje: "E kemi thënë disa herë dhe e përsërisim që fushata për shtëpin' e Peshkopit u hap me pëlqimin edhe aprovimin e Peshkopit. Kështu pra, ata që kundërshtojnë këtë fushatë e kanë njërën këmbë te Peshkop Noli dhe tjatrën te Mark Lipa. Midis tyre munt të ketë dhe disa pak të gabuar. Për këta shokë na vjen shumë keq".

Fundi i vitit 1951 vatranët i gjeti me një projekt të papërfunduar. Fushata për blerjen e shtëpisë së imzot Nolit nuk ishte përmbushur. "Dielli" vazhdon thirrjet: "Shqiptarë, futni dorën në xhep. Të nderojmë njeriun e madh të racës sonë". Në janar të vitit 1952, redaktori i kësaj gazete, Qerim Panariti, u bë operacion dhe qëndroi në spital gjashtë ditë. Edhe pse në gjendje të vështirë shëndetësore, ai duhej të redaktonte gazetën. Për këtë, siç shkruan ai, "u detyrova të zë një dhomë të veçantë dhe shumë më të shtrenjtë në spital". Gjatë këtyre ditëve në spital, shkruan Panariti, pata shumë vizitorë, po vetëm tre prej tyre ishin shqiptarë: Elias Mitchell, Thoma Sotir Vithkuqi dhe Lambi Misho. Shumë nga miqtë amerikanë më vizituan, më dërguan "postallka" dhe më telefonuan. Pak nga shqiptarët bënë këtë punë.

Në shkurt të vitit 1952, kur fushata kishte arritur në 12351 dollarë, imzot Noli u jep përgjigje inkurajuese miqve që interesoheshin për shtëpinë që do të blihej për të. "Jam tepër i gëzuar të lajmëroj që fushata po del faqebardhë, se dhuratat, që u-mblothnë gjer tani dhe që po mblidhen dita me ditën, do të mjaftojnë për të blerë një shtëpi modeste, siç e kemi patur nër mënt posht e lart. Shtëpia do të blihet posa të di shumën totale, që kam në dorë eksaktërisht, edhe që munt t'ja dorëzonj shitësit për të marrë tapinë e ndërtesës. Blerja e shtëpisë do të shpejtohet a do të vonohet sipas kohës që do tu duhet disa kollonive kryesore për të mbyllur fushatën dhe për të dërguar refenë e tyre. Posa të merren raporte nga të gjitha kollonitë, do të botohet një listë e plotë e dhuronjësve dhe dhuratave në formë broshure. Kam shpresë që këto shënime u përgjigjen pyetjeve që më janë bërë...".

Fushata vazhdon. Degët e "Vatrës" në Ohio, në Detroit, Gary (Indiana), (kjo e fundit në bashkëpunim me shoqërinë "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" të këtij qyteti) etj. vazhdojnë të mbledhin ndihma materiale. "Dielli" nuk pushon kritikat ndaj kundërshtarëve dhe vazhdon të derdhë vrer ndaj tyre: "Ata që lëftojnë këtë fushatë, tërthorazi ose drejt për drejt, janë miq të fshehtë të Mark Lipës. Kështu pra, ata që lëftojnë Fushatën e Vatrës për Shtëpinë e Peshkopit paçin faqen e zezë dhe uratën e Mark Lipës! Harram u qoftë qumështi i nënës Shqipëri".

Në mars të vitit 1952, fillojnë dy fushata të tjera. Shoqëria "Gruaja Shqiptare e Amerikës" në Worcester, donte të ngrinte monumentin e të ndjerit arkimandrit at Thimi Theodos, ndërsa Shoqata "Tomorri" në Rochester, New York filloi të mblidhte ndihma për blerjen e një kishe.

Në fund të prillit "Dielli" njofton se për shtëpinë e imzot Nolit ishin mbledhur mbi 15 mijë dollarë. Po në këtë numër botohet ky njoftim: "Me lejen dhe me porosinë e Peshkop Nolit, ju lutemi tërë atyre që janë zotuar të ndihmojnë në Fushatën për Shtëpinë e Peshkopit, të dërgojnë ndihmat e tyre sa më çpejt. Zotimi është një obligim që duhet nderuar. Gjithashtu ju lutemi dhe atyre që, për nonjë arsye ose nga mukajeti, s'kanë ndihmuar, të dërgojnë ndihmat e tyre një me një.".

Federata "Vatra" më 4 maj kishte në plan të kremtonte ditëlindjen e 40-të dhe për këtë u lutej bashkatdhetarëve që të mbyllej fushata para këtij përvjetori si dhe u përkujton vatranëve fjalët që kishte thënë Venizellua i Greqisë: "Po të mos ishte "Vatra", Toskërinë do ta kishim marrë me këngë". Në Kuvendin e Federatës nuk u la pa u përmendur fushata për blerjen e shtëpisë së imzot Nolit. Kryetari i saj, Angel Soter, tha se "dolëm me sukses në këtë punë, me gjithë ngatërrimet për shkak se këtë mot u sëmur rëndë Qerim Panariti dhe disa punë mbetën pa u përfunduar, ndonëse "Dielli" nuk u botua vetëm një herë. Në maj humbi jetën në aksident vatrani Mehmet Korça, ndërsa plagë mori nënkryetari i "Vatrës" Thoma Sotir Vithkuqi. Në këtë aksident pësoi edhe zonja Anastasia Mitchell, shoqja e z. Elias Mitchell. Po këtë vit "Vatra" solli në Boston librat e Faik Konicës që kushtuan 534, 42 dollarë".

"Peshkopi është tepër i kënaqur nga përfundimet e Fushatës. Kështu jemi edhe neve, ndonëse kemi patur kritika, jo nga vatranët, po nga ata që dinë vetëm të kritikojnë po jo të ndihmojnë", tha z. Soter, i cili njoftonte se aksioni për blerjen e gurit të varrit të Konicës nuk u mbarua dot "sepse u sëmur sekretari i Qendrës" dhe se shuma që kemi mbledhur 714 dollarë për këtë qëllim "nuk është miaft".

Pllaka përkujtimore e Konicës, guri apo "monumenti", siç e quan "Dielli", u vendos mbi varrin e tij në korrik të vitit 1953. Ndihmat për ngritjen e tij u mblodhën kryesisht nga bashkatdhetarët tanë në Detroit. Nga miqtë e ngushtë që pati Konica, vetëm Christo Thanas mori pjesë me ndihmë më të madhe.

Në korrik të vitit 1952, për shtëpinë e Nolit ishin mbledhur 16, 851, 25 dollarë. Më 26 shtator 1952, Fan S. Noli falënderon "Vatrën" me këto fjalë: "Me anën e kësaj falënderoj Federatën "Vatra" zyrtarët dhe anëtarët e saj për fushatën e shtëpisë. Fushata dolli me një sukses të plotë dhe kapërceu sumën që prisnja prej saj. Me këtë sumë blerja e një shtëpie modeste do të realizohet në të pritmen e afërme. Jam tepër i mallëngjyer për dhuratat e bukura që më bënë miqtë dhe organizatat e ndryshme. I lutem Zotit t'ua çpërblenjë me të gjitha të mirat".

Në shkrimin e tij "Dy fjalë mi blerjen e shtëpisë" ("Dielli", 12 maj, 1954), Fan Noli arsyeton pse u zvarrit aq shumë blerja e shtëpisë dhe pse në vend që të blente shtëpi në Boston, bleu në Florida.

"Harxhova dy vite e ca dyke kërkuar me të djathtë e me të mëngjër përpara se të kuturis të ble një shtëpi në Florida. Preferenca ime e parë ishte një shtëpi të ngjitur me Kryekishën e Shën Gjergjit. Kjo blerje ishte krejt e pamundur, se e vetmja shtëpi për të shitur ishte ajo me të djathtën e Mitropolisë dhe çmimi i saj ishte 35 mijë dollarë plot, domethënë dy herë më tepër se shuma totale e ndihmave të mbledhura nga Fushata e Vatrës. Preferenca ime e dytë ishte një shtëpi në Boston a në qarkun e këti qyteti. Këtu kishte tri ndalime të pakapërcyera: çmimet, taksat edhe harxhet e përmbajtjes. Ishte krejt e pamundur të gjenja në një mëhallë të mirë të Boston-it a të qarkeve një shtëpi për të qenë, të cilën ta blinja me të hollat që u mblothnë edhe ta përmbanja me rrogën që marr. Passi u eliminuan këto të dy possibilitete, mbetej vetëm një zgjidhje, të blinja një shtëpi në Cape Cod a në Florida, se në këto krahina ka të paktën një avantë: Taksat janë më të unjura. Doktori më këshilloj të zgjedh Floridën. Shtëpia që bleva ndodhet në një mëhallë të re të qytetit Fort Lauderdale, Florida, nja 27 mila në veri të Miami-t, afër detit. Është një ndërtesë krejt e re dhe moderne CBS, domethënë concrete block stucco, me një çati prej tullash. Ka një odë të pritjes, një odë për zyrë, një odë të fjetjes, një odë të banjës, një kuzinë të gjerë me vent për sofër, një dhomë për storage, edhe një garage, shkurt një banesë e tipit të ranch-it, me ndryshimin që në Veri, këto banesa bëhen prej drasash, kurse në Florida duhen bërë me çimente që të mprohen nga milingonjat termitë që e hanë qerestenë nga njëra anë, edhe nga tjatra anë përballin furtunat, tufanet, faremirat, edhe shirat tropike. Rreth e rrotul shtëpisë ka një tokë prej nja 6, 000.00 këmbësh për të mbjellur pallma, portokaje...". Duke vazhduar arsyen pse imzot Noli vendosi të kalonte pushimet në këtë shtëpi ai shkruan se këshilla e doktorit ishte që "në versën time prej 72 vjetësh e ca vetëm një vakancë dimërore prej dy a tre muajsh në Florida munt të më japë forcën e nevojshime për të vazhduar shërbimin kishëtar gjer sa të gjejmë edhe të stërvitim një zëvendës të përkatmë për të marrë përsipër barrën e kryetarit fetar të Peshkopatës sonë me pëlqimin e Kuvendit". Imzot Noli vazhdon më tej t'ua mbushë mendjen atyre që mendonin se ai "do të shtronj gunën në Florida për gjithënjë".

"Të vetmit muaj të mirë për të jetuar në Florida janë tre muajt e dimrit", shkruan Noli dhe shton se "atje në behar, siç thotë një fjalë popullore, piqet veza në diell edhe pëlcet derri nga e nxehta".

Autori i këtij shkrimi nuk ka shënime se sa kushtoi kjo shtëpi. Ka faktin se ajo më 1971 u shit 13 mijë dollarë. Në një letër që at Arthur Liolini i dërgon Sotir Panit, e njofton se imzot Noli la testamentin që pas vdekjes së tij, shtëpia të lihej në pronësi të Peshkopatës. Këshilli i Peshkopatës në fund të vitit 1970 dërgoi një delegacion për të vlerësuar kushtet e shtëpisë. Mendimi i tij ishte se lagja kishte ndërruar dhe nuk ishte e përshtatshme për të mbajtur shtëpinë. Mendimi i delegacionit, sipas letrës së at Liolinit, qe se imzot Noli u gëzua me shtëpinë dhe me portokallët që lulëzonin, por tani shitja e shtëpisë ishte më e përshtatshme sepse nuk banonin shqiptarë pranë që ta mbanin nën përkujdesje. Arkivi u vendos gjysmë në Boston pranë Peshkopatës dhe gjysma në Arkivin e Shtetit në Tiranë. Shuma materiale e shitjes së shtëpisë u vendos në Fondin e Fan Nolit që sot ndihmon mbajtjen e bibliotekës së Peshkopit në Boston dhe projektet e ndryshme kulturore, arsimore e kishtare, nën kujdesjen e Këshillit të Peshkopatës.

Pjesa më e madhe e veprave të imzot Nolit pas vitit 1955, janë shkruar në shtëpinë e tij në Fort Lauderdale, shkruan at Liolini.

Deri para ca muajsh, për fat të keq, nuk pati ndonjë interesim për këtë shtëpi as nga "Vatra" e as nga shqiptarët që jetojnë në Florida, të cilët as që e dinin se ku ndodhej shtëpia, po të mos ishte dr. Fatjon Gjidede që, pasi u vendos në Fort Lauderdale, gjeti adresën e saj dhe propozoi që ky objekt të blihej nga shqiptarët për t'u bërë një shtëpi muze e imzot Nolit. Për të gjetur adresën, e ndihmuan Sotir Pani e at Arthur Liolini. Që nga ajo ditë kur dr. Gjidede e gjeti shtëpinë, "Lidhja Shqiptare e Prizrenit" në New York e më pas edhe aktivistë të Florida-s, janë tubuar në Fort Lauderdale e qytete përreth disa herë për të gjetur rrugën se si të mblidhen ndihma materiale për të blerë këtë shtëpi që është në shitje. Qëllimi është i lartë. Kjo shtëpi meriton të vihet nën kujdesin e shqiptarëve. Por, si të organizohen ata për të realizuar këtë qëllim të mirë?

"Vatra" ka qëndruar e heshtur në këtë aktivitet. "Lidhja Shqiptare e Prizrenit" ka mbajtur mbledhje të posaçme për këtë qëllim, por puna ka mbetur deri këtu. E njejta gjë mund të thuhet edhe për grupet e aktivistëve në Florida. Duket se kështu do të ndodhë edhe tani, ashtu siç ndodhi herën e parë, kur shqiptarët hoqën të zitë e ullirit për të blerë këtë shtëpi, ndonëse çmimi që kërkon pronari i sotëm sillet nga 30 deri në 40 mijë dollarë, një shumë e vogël duke patur parasysh komunitetin tonë të madh.

Nata na zë në oborrin e shtëpisë së imzot Nolit. Marrim fotografi. Ecim nëpër kopshtin e madh, mbushur me mbeturina e xhama të thyer. Kalojmë përmes drunjve. Ndonjë kalimtar i rrallë ecën rrugës dhe vështron shqiptarët që kanë "pushtuar" këtë pjesë të qytetit dhe sikur nuk po "ngopen" nga ajo që shohin.

- Këtu ka jetuar Noli ynë i madh, pëshpërit njëri prej tyre.

- A nuk është turp për shqiptarët që kjo shtëpi me vlerë historike të mbetet nën mëshirën e kohës? ia kthen tjetri dhe puth drurin skaj shtëpisë ku thonin se imzot Nolit ia kish ënda të pushonte nën hijen e tij.

Biseda vazhdon nën muzgun që ka lëshuar pushtetin mbi këtë vend, i cili ngjan si me një shkretëtirë të braktisur.

Lamtumirë shtëpi e Nolit! Shpresoj se shqiptarët nuk do të të braktisin...

Verë, 2000

(Nga libri "Shqiptarët e Amerikës", botuar në New York, në vitin 2003. Marrë nga Illyria)
VEHBI BAJRAMI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FOTO E DITËS - FILLOI EKLIPSI I DIELLIT (Reuters) (03.20.2015)
REPORTAZH - BABAJ I BOKËS, FSHATI QË JETON NGA BUJQËSIA (03.20.2015)
16 VJET MË PARË RAMBUJEA - FILLIMI I LIRISË SË KOSOVËS (03.20.2015)
Facebook, RIFAT JASHARI - ÇKA THANË SHABAN E HAMËZ JASHARI PAS SULMIT TË JANARIT 1998 (03.20.2015)
FOTO DOKUMENT - SHTATOR 1939, MANIFESTIM PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE (03.20.2015)
KËRCËNIMET DHE SHANTAZHET NDAJ GAZETARËVE JANË TË PATOLERUESHME NË SHOQËRINË DEMOKRATIKEVështrim nga SKËNDER MULLIQI (03.19.2015)
NESËR NË 23 e 45 FILLON PRANVERA - EKLIPSI I DIELLIT NË 9 e 37 (03.19.2015)
Top Channel - GREQIA SHTRIN GJERËSISHT KËRKIMET E NAFTËS NË TERRITORET DETARE TË SHQIPËRISË (03.19.2015)
Cikli HAPNI DOSJET (Pjesa VI)“RESPEKTI PËR TË VDEKUNIT TREGON QYTETNIMIN E NJË POPULLI!”Nga FRITZ RADOVANI (03.19.2015)
KULLAT E KRENARISË SONË NËN MËSHIRËN E TË PA MËSHIRËVE….Nga TAHIR BEZHANI (03.19.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]