VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

24 MARS 1999 - NATO FILLONTE 16 VJET MË PARË FUSHATËN 78 DITORE TË BOMBARDIMEVE

E Martë, 03.24.2015, 09:07am (GMT1)


Më 24 mars mbushen 16 vjet prej fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, në mbrojtje të Kosovës.

Përfshirja e Aleancës Veriatlantike në luftën e Kosovës ka mundësuar, pas fushatës 78-ditëshe, dëbimin e forcave serbe nga Kosova, kthimin e gati një milion refugjatëve shqiptarë dhe instalimin e një administrate ndërkombëtare, e cila ka administruar vendin deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Megjithatë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet ende aktiv, ndërsa pavarësimi nuk e ka zgjidhur plotësisht mosmarrëveshjen me Serbinë, me të cilën Kosova tani mban bisedime kryesisht për të zgjidhur çështjen e veriut të vendit, që ende mbetet jashtë kontrollit nga institucionet e shtetit të Kosovës.

Sidoqoftë, pa fushatën e NATO-s, që nisi më 24 mars 1999, Kosova do ta kishte pothuajse të pamundur arritjen e shtetësisë dhe të pavarësisë nga Serbia.

Bombardimet kanë përfunduar me miratimin rezolutës 1244 të KS. Si rezultat ka pasuar largimi i forcave serbe nga Kosova dhe hyrja e trupave të NATO-s, dhe, fill më pas kthimi i mbi 800 mijë refugjatëve shqiptarë nga Kosova, të dëbuar më parë me dhunë nga ushtria serbe.

Në kuadër të KFOR në Kosovë në vitin 1999 kishin hyrë 37 mijë e 200 ushtarë nga 37 vende.

Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake.

Ndërhyrja e NATOS-s do të kujtohet sot edhe në Gllogjan e Deçan në organizimin për Epopenë e Dukagjinit.

Për përvjetorin e kësaj ndërhyrje do të organizohet edhe një manifestim kulturor në Ferizaj.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.