VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JA PSE ISA MUSTAFA U HAKMOR NDAJ LDK-së SË PRIZRENIT

E Mërkurë, 03.25.2015, 07:14am (GMT1)


 
Kryetari i LDK-së Isa Mustafa nuk është i kënaqur me "lojën politike" të kryetarit të Degës së këtij subjekti politik në Prizren, Haxhi Avdyli. Afërsia e Avdylit me deputetët "rebel" të LDK-së, ka irrituar Mustafën. Në shenjë hakmarrje Isa Mustafa nuk kishte pranuar të jetë pjesë e manifestimit të 25-të të themelimit të Degës së LDK-së në Prizren. Ai në të njëjtën ditë kishte zgjedhur për pjesëmarrje manifestimin e LDK-së në Rahovec, por jo edhe atë të Prizrenit.

Një zyrtar i lartë i LDK-së në Prishtinë me kusht anonimiteti në një komunikim përmes "Facebook"-ut, ka treguar për "PrizrenPress", arsyen pse Mustafa injoroi Degën e LDK-së në Prizren.

"Isa nuk është i kënaqur me veprimet e kryetarit të Degës në Prizren, Haxhi Avdyli",
tregon ai. Sipas tij, Haxhi Avdyli kohët e fundit është parë duke qëndruar me deputetët e LDK-së, të cilët nuk e kanë votuar për kryeministër të Kosovës Isa Mustafën.

"Haxhi Avdyli ka krijuar raporte të mira me deputetët që nuk e votuan Qeverinë e Kosovës. Kjo po i pengon Isës",
tregon ai.

Mungesa e Isa Mustafës në përvjetorin e 25-të të LDK-së ka revoltuar shumë anëtarë dhe simpatizantë të këtij subjekti politik në Prizren. H.K.(emri i njohur për redaksinë) thotë se mungesa e Isa Mustafës në shënimin e 25-të, i ka dhënë imazh të keq Degës së LDK-së në Prizren.

"Jo vetëm unë por edhe shumë anëtarë të tjerë pas përfundimit të manifestimit jemi shprehur të zhgënjyer që nuk ishte pjesëmarrës Isa Mustafa", tregon ai. " Prizreni pritet të hyjë sivjet në zgjedhje, prandaj si mund të presim fitoren e LDK-së nëse të injoron Lideri i Partisë"./PrizrenPress.com/

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.