VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PO VETON SURROI PSE MERR TITULL NË KUKËS
Nga REXHEP SHAHU

E Djelë, 03.29.2015, 10:51am (GMT1)


Në 27 mars 2015 Këshilli i Qarkut Kukës e "gradon" veprimtarin e intektualin e njohur, Veton Surroin, me titullin Nderi i Qarkut Kukës, "Për kontribut të veçantë në fushën mediatike dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës".

Këshilli i Qarkut Kukës ndan meritat kombëtare, të cilat duhet t'i ndajë dikush tjetër me të tillë motivacion. Duke dashtë me e puthë nga dashuria, e kafshuan Veton Surroin.
Si një aktor e kronikan i dorës së parë i terrenit i asaj kohe, që pikërisht këto ditë hodha në kompjutër 84 orë regjistrime të atyre kohëve, pa llogaritë qindra faqe të botuara për ato kohë, dy libra për atë kohë, më vjen shumë mirë që ende ka institucion shtetëror që e kujton dhe e nderon atë kohë dhe përsonazhet e gjallë e të vdekur të atyre moteve heroike të shqiptarëve.

Tek lexoj lajmin e gradimit të Veton Surroit ndez kompjuterin dhe dëgjoj qindra zëra, vaje, të qara fëmijësh e grash të dëbuara me dhunë prej rajoneve të Deçanit dhe që edhe duke u rrokullisë shpateve të Padeshit mbërrijnë gjallë e gjysmë gjallë në Tropojë.
Dëgjoj humanistin e madh gjerman Rupert Nojdeck tek i telefonon nga Qafa e Prushit ministrit të jashtëm gjerman Klaus Kinkel dhe i klith në telefon tek sheh me sytë e tij se si digjeshin "shtëpiat e shqiptarëve e markat gjermane" prej dorës serbe.

Shoh me sytë e mi australianin Andrea Harper në Tropojë bashkë me Xhemil Shahun se si i prisnin me pagure uji në dorë të dëbuarit që hynin në kufi në Padesh dhe edhe i merrnin në makinën e tyre të UNHCR-së.

Shoh një nënë të vjetër që ecte krrusur me një fëmijë në palë të qafës dhe se si fëmija i ra në teposhte shpatit dhe i vdiq para syve lokës së gjorë...

Shoh Daniel Endersin shefin e madh të UNHCR-së që drejtonte, sillej dhe përjetonte si shqiptar atë që u ndodhte shqiptarëve.

Shoh Qemal Elezin, prefekt, Shefqet Brukën kryetar rrethi, Safet Sulën kryetar bashkie të Kukësit, Xhevdet Hoxhën e Tropojës se si u bënë bashkë dhe menaxhuan atë që s'do të përsëritet kurrë më për asnjë lloj pushtetari të vogël a të madh.

Shoh qindra e qindra gazetarë të huaj që mëkoheshin tek gazetarët vendas të Kukësit të cilët u bënë "pronarë" të informacioneve në kohën kur Kukësi u bë kryeqytet i botës.
Shoh veprimtarë të Kosovës që punonin me mish e me shpirt. Shoh ushtarë të Kosovës që hynin në luftë, të tjerë që e kishin ndërmend me hy në luftë ndonjëherë dhe rrinin me mua në Kukës, Has e Tropojë.

Shoh ushtarët e Shqipërisë, kapterrat e oficerat që "u shkepën" në luftë në Kukës e deri te Galeria nr. 5 në Gjegjan, ose 12 km larg kufirit me Kosovën, që mediat e Tiranës e quanin kufiri shqiptaro jugosllav, ose kufiri shqiptaro serb, sic e thonin mediat ruse e ato të Beogradit.

Shoh e dëgjoj shumë meritorë, heroj të vërtetë, por edhe shumë të tjerë që meritë të vetmen kanë se kanë mbetë gjallë, kanë mundë të shpëtojnë gjallë pa u vrarë, pa u dhunuar e pa u përdhunuar. E kjo është në fakt meritë që duhet nderuar e dekoruar.
Shoh mbi 460 mijë njerëz që erdhën në Kukës. Shpëtuan kokën. Mirë bënë. Por nuk është krenari, mburrje e lavdi gjithë kjo ikje për shkak të dëbimit. Ata që erdhën nga Morini udhëtuan në mënyrë pak më luksoze dhe një pjesë të motorrizuar në krahasim me ato 25 mijë që erdhën në Has e Tropojë.

Por ndërkohë shoh edhe mijëra shqiptarë që nuk e lëshuan Kosovën, edhe pse televizioni shqiptar e radio Dojçevele dhanë lajmin se në Prishtinë kanë mbetë vetëm serbë e qenë kur poeti Rifat Kukaj dilte në mëngjes në kafe në Prishtinë dhe shokut përballë i thoshte ham ham dhe kështu me ham ham i thoshte mirëmëngjes....
Ata që nuk e lëshuan Kosovën nga bilbili i maxhupit të katundit janë natyrisht më heroj se ata që e lëshuan Kosovën.

Unë jam një admirues i Veton Surroit, bashkëmendimtar i imi sepse e kam përfshirë si bashkëmendimtar në librin tim Apologji për Udhën e Kombit.

Merita kryesore e Veton Surroi është se ai nuk e lëshoi Kosovën, qëndroi në Kosovë, u strehua, u fsheh e nuk iku prej Kososve si disa baballarë me dimia grash.

U nderua në Kukës me titullin Nderi i Qarkut Kukës. Shumë mirë. Edhe pse e gradon me lloj lloj motivacionesh që nuk i takon ti japë institucioni që e dha, edhe pse ai e mori dhe e pranoi atë titull, kur duhej ta pranonte pas nja katër-pesë mijë njerzve të tjerë, unë e kuptoj se e meriton sepse më në fund filloi të nderohen edhe ata që nuk ikën prej Kosove në ato kohë kur shumëkush i iku atdheut.

Veton Surroi është ndër ata intelektualë të paktë që meriton shumë nderime e mirënjohje në Kosovë. Është meritor e shumë meritor për shumëçka në jetën e aktivitetin e tij mediatik e politik, duke e bërë shkollë të madhe për gjithë shqiptarët gazetën e tij Koha Ditore, pa folur për aktivitetin e tij më të gjërë politik.

Por me Qarkun e Kukësit, çfarë lidhje ka.

Me krizën e 1998-1999 në qarkun e Kukësit çfarë lidhje ka.

REXHEP SHAHU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.