VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

10 VJET MË PARË - PAPA WOJTYLA KTHEHEJ NË SHTËPINË E ATIT

E Premte, 04.03.2015, 08:37am (GMT1)



Më 2 prill 2005, 70 mijë vetë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, e bota mbarë, e lidhur drejtpëdrejtë me ngjarjen, përmes televizionit, e shoqëronin Papën Gjon Pali II në çastet e fundme të jetës së tij të stuhishme. Njoftimi i hidhur për vdekjen e tij mbyllte një faqe të ndritur e të jashtëzakonshme të historisë, jo vetëm kishtare, sunduar nga figura shtatlartë e Papës polak, i cili pak vjet më pas, do të shpallej Shenjt.

Në shtëpinë e Atit

Në orën 21.37 të datës 2 prill 2005, nga Sheshi i Shën Pjetrit, dhjetra mijëra sy ndiqnin plot ankth një dritare të ndriçuar nga një dritë e mekur, në Pallatin Apostolik. E ndiqnin dritën me ndjesinë që ngjall në shpirtin njerëzor, soditja e një eklipsi. Me sy të mbrojtur vetëm nga lotët. Që gurruan pa kursim, kur Sheshi i madh, i tundur qindra herë nga zëri kumbues i Gjon Palit II, dëgjoi edhe mandatën:
"Të dashur vëllezër e motra, në orën 21.37. i shumëdashuri Ati ynë i Shenjtë Gjon Pali II u kthye në Shtëpinë e Atit".

Papa i "ardhur nga larg" u nis për shtegtim të largët, për t'u ridukur jo më nga dritarja e bibliotekës së tij në Vatikan, por nga dritarja e Shëpisë së Atit. Duke lënë pas, mbi tokë, kujtimin e 27 viteve të zjarrta. E një zjarr të tillë nuk mund ta shuajë kurrë as vdekja!

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.