E Premte, 04.19.2024, 11:37pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
LUGINA E PRESHEVËS - COPËZA DHIMBJEJE NGA VENDLINDJA E XHEMAIL XHEMËS
Nga VEHBI BAJRAMI

E Premte, 04.03.2015, 09:22am (GMT+1)

Nga Vehbi Bajrami

Vehbi Bajrami

LUGINA E PRESHEVËS, shtator 2003

Një mëngjes korriku të qeshur e plot me diell, kur fresku i mëngjesit po i linte vendin vapës përcëlluese të verës, mora rrugën nga Presheva për të shkuar në Medvegjë. Për të arritur atje nuk kemi rrugë tjetër pos të kalojmë nëpër Vranjë, Leskoc e Lebanë. "A do të kemi probleme gjatë udhëtimit? Si do të sillen forcat policore serbe nëse marrin vesh se jemi shqiptarë?", pyeta Sevdail Hysenin.

Targat e veturës i kemi me regjistrimin e Vranjës, nuk na njeh kush,- më thotë ai. Vetëm të kemi kujdes e të mos thyejmë rregullat e qarkullimit.

Po pse kemi zgjedhur për vizitë pikërisht Medvegjën dhe jo ndonjë vend tjetër më afër, Bujanocin apo Preshevën?

Unë po shkoja atje me një qëllim të caktuar: do të kryeja një premtim që ia pata dhënë veprimtarit Xhemail (Jim) Xhema, qysh kur isha në New York, se do të shkoja në fshatin e tij të lindjes, në Tupallë të Medvegjës nga e cila ai është ndarë 35 vjet më parë. Me vete kisha marrë një kamerman, i cili do të regjistronte gjithçka që do t'i kapte syri: familjen e mbetur, shtëpinë, shkollën e fshatit ku ai, për një kohë, qe mësues e të tjerë...Në shiritin e videokasetës do t'i sillja në Amerikë vendlindjen e largët.

Kurrë më parë nuk e kisha ngarkuar veten me një mision të tillë. A ka gjë më të bukur se t'i sjellësh një miku në shtëpi vendlindjen që s'e ka parë atë për 35 vjet? Xhema la atdheun, emigroi në Amerikë e nuk u kthye më atje. Ai s'mund të kthehej në Tupallë se emri i tij ishte lakuar shpesh në zyrat serbe si "një njeri i rrezikshëm për Serbinë". Emrin e tij e kish përmendur edhe vetë Millosheviçi në një takim me ambasadorin Holbrooke, si "person që i ka sjellë telashe regjimit serb".

E si të mos përmendej emri i tij? Ata që e njohin Xhemën thonë se nuk ka shpenzuar kush më shumë se ai për ta bërë të njohur problemin e Kosovës në Washington. Dikush atë e ka vlerësuar si një "institucion në vete". "Vija e kuqe" apo "Kërcënimi i Krishtlindjeve" për Serbinë, nga ish presidenti Bush, më 1992, është meritë e Xhemës. Këtë e arriti në saje të lidhjeve që pati me ish senatorin Bob Dole. Ky i fundit e bindi presidentin Bush për t'i dhënë një mesazh qartë e të rreptë Beogradit: "Mos sulmo Kosovën se Amerika do të reagojë me forcë ushtarake! Kosova është në interesin tonë nacional". Xhema nuk e thotë këtë. Xhema nuk është njeri që flet. Këtë e tha Bruno Selimaj që ishte në një tavolinë me Xhemën dhe Dole-n kur bashkatdhetari ynë i kërkoi senatorit amerikan të bisedonte me Bush-in për t'i dhënë një paralajmërim Beogradit. Dole, i cili ishte udhëheqës i mazhorancës në Senat, e mbajti fjalën. Dhe fjala e tij respektohej nga ish presidenti për pozitën dhe autoritetin që gëzonte ai. George Bush s'mund të bënte gjë pa Dole-n. Senatori Dole, pra, e bindi presidentin amerikan të jepete paralajmërimin e famshëm të Krishtlindjeve, "vijën e kuqe", të cilën, nëse Serbia do ta kalonte, Amerika do të reagonte me forcë. Kur presidenti deklaron se një vend është në interesin nacional amerikan, kjo doktrinë nga shteti duhet të mbrohet me të gjitha mënyrat.

 

Tupalla, vendlindja e Xhemail (Jim) Xhemës.
Autori i shkrimit me banorët e Tupallës, në korrik 2003.
Hasan Xhema (në mes) me autorin e shkrimit (djathtas) dhe imam Nexhmedin Saqipin.

 

Ish ambasadori amerikan Richard Holbrooke, në një takim që pati me shqiptarët në New York, pas luftës së Kosovës, e tha fare qartë: po të mos ishte Bob Dole, bombat e NATO-s nuk do të binin mbi Serbi.

Nuk më hiqet nga mendja mbrëmja që u organizua në New York, kur Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan, bashkë me presidentin Bill Clinton, i dha një dekoratë edhe Jim Xhemës. Ish senatori Bob Dole në fillim foli mbi bashkëpunimin e tij me ish presidentin Clinton, "me të cilin", -siç tha ai,- "nuk pajtohet për shumë pikëpamje, por për Kosovën jemi të një mendje". Pjesën kryesore të fjalimit të tij, ish senatori ia kushtoi mikut të tij të mirë, Jim Xhemës. Xhema, sa herë që ka qenë puna për mbrojtjen e interesit kombëtar, ka bashkëpunuar me republikanë, si Bob Dole por edhe me demokratë, si presidenti Clinton. Kur ky i fundit kandidoi për president më 1992, Xhema u bashkua me Christopher Hyland-in dhe Alice Walton-in për organizimin e njërës nga fushatat më të mëdha fondmbledhëse. Mbrëmja e mbajtur në Manhattan u mbështet nga një numër i madh shqiptarësh, siç u mbështetën shumë mbrëmje për të ndihmuar edhe ish senatorin Dole, që nga fundi i viteve '80-të të shekullit të kaluar, e deri herën e fundit kur, për të dytën herë, ai kandidoi për president të Amerikës.

Për Jim Xhemën foli gjatë jo vetëm Bob Dole, ky mik i madh i shqiptarëve. Për të kanë folur e do të flasin me siguri edhe të tjerë. Por, nga goja e tij, nuk po dëgjoj asgjë për vetëveten. Kjo më detyroi të zgjedh një formë të veçantë për të dhënë portretin e tij: le të flasin të tjerët për të, në Amerikë e në vendlindje.

Thonë se kur shqiptarët shkonin në Washington, në Senat e Kongres, për të kërkuar mbështetje e për të dhënë informacione mbi gjendjen në Kosovë, pyetja e parë e zyrtarëve amerikanë ishte: "A është me ju Jim Xhema?" Një senator ua tha fare hapur: "Po të keni më shumë njerëz si Jim Xhema, do ta fitoni më lehtë lirinë e Kosovës". Xhema nuk ishte vetëm, e ndihmuan edhe veprimtarët e tjerë të komunitetit. Por ai ishte "lokomotiva" që tërhiqte pas "vagonat" e trenit.

 

* * *

Vetura çan rrugën me shpejtësi nëpër autostradën kryesore që lidh këtë rajon me botën e madhe. Vetëm ata që e njohin mirë gjeografinë e historinë e Ballkanit mund ta kuptojnë se në ç'zonë strategjike shtrihen rajonet e banuara me shqiptarë e të mbetura edhe sot nën Serbi. Lugina shtrihet në mes Maqedonisë e Kosovës. Ajo duket sikur i qëndron "kujdestare" paqes në këto dy zona. Po pati furtunë në Luginë, ajo do të përfshijë edhe dy rajonet fqinje. Ndaj mund të thuhet me bindje se gjendja në Kosovë e Maqedoni varet shumë se ç'erëra fryjnë nga Lugina. Dhe me sa duket, këtu nuk do të ketë qetësi. Marrëveshja e nënshkruar mes shqiptarëve e serbëve për ndërprerjen e luftës, nuk është realizuar. Ka zëra që vazhdojnë t'i thërrasin armëve për të përmbushur kërkesat e popullsisë së këtij rajoni, e cila ka mbetur "as me Kosovën e as me Serbinë". Shqiptarët e këtyre trevave duan të bashkohen sërish me Kosovën, pjesë e të cilës ishin deri në Luftën e Dytë Botërore.

Para nesh shfaqet Banja e Bujanocit, shumë e njohur për kurimin e sëmundjeve nga më të ndryshmet. Myftiu i Luginës, Nexhmedin Saqipi më tregon një histori interesante të kësaj banje. Dikur ajo qe një vend moçalik. Një person kishte pasur një kalë që iu sëmur e iu bë "asht e lëkurë". Por të zotit i erdhi keq ta mbyste. E solli kalin në moçal, e la aty, kurse vetë u kthye në shtëpi. Pas dy muajsh, kur kaloi andej rastësisht, pa kalin e gjallë. Ç'kishte ndodhur? Balta e ngjitur në trupin e kalit e kishte shëruar atë. Kur banorët përreth panë kalin e shëruar kuptuan se balta e këtij vendi shëroka sëmundjet dhe u futën edhe vetë në të. Dhe kështu, nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, banja ka shërbyer për të kuruar sëmundje nga më të ndryshmet. Natyrisht me kalimin e viteve, ajo është rregulluar e modernizuar duke iu përshtatur kohës.

 

Xhemail (Jim) Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro  Amerikan, në qershor 2003.
Xhemail (Jim) Xhema (djathtas) me ish senatorin Dole (në mes) dhe Mehdi Hajdarin, në një demonstratë të shqiptarëve për lirinë e Kosovës në Washington.
Ish senatori Dole (majtas) me prof. Sami Repishtin (në mes) dhe Xhemail (Jim) Xhemën.

 

* * *

Ku nuk është tkurrur harta e Shqipërisë etnike! Ajo i ngjan një pacienti të shëndoshë që e kanë shtrirë me dhunë në sallën e operacionit dhe i kanë hequr gjymtyrët kryesore të tij: duart e këmbët për ta lënë si një cung, Shqipërinë e vogël...Si pasojë e këtij operacioni të dhimbshëm ajo i ngjan sot një trupi të gjymtuar.

Edhe trojet ku po kalojmë, Vranja e Leskoci, dikur kanë qenë shqiptare, pjesë e Kosovës. Tragjedia ndodhi gjatë viteve 1877 1878 kur serbët shpërngulën me dhunë mijëra e mijëra shqiptarë nga Toplica, Jabllanica,Vranja, Leskoci, Nishi, Piroti e vise të tjera, një eksod pak a shumë i ngjashëm me atë të vitit 1999, në Kosovë. Ata zunë vend në treva të Perandorisë së atëhershme Osmane si në Kosovë, Maqedoni, Greqi etj. Këto treva të Serbisë së sotme, siç argumenton me dokumente e fakte, Sabit Uka në një libër me këtë temë, nga arkivat e gojëdhënat e atyre që e përjetuan vetë këtë ngjarje, para vitit 1878 ishin të banuara nga mijëra familje shqiptare. Shumë fshatra e vendbanime përbëheshin vetëm prej popullatës shqiptare, kurse vetëm disa të pakta, ishin të përziera me serbë.

"Shtrirja e popullatës shqiptare etnikisht e përbërë vetëm nga familjet shqiptare fillonte me Rrethin e Prokuplës në drejtim të atij të Kosaonicës, përkatësisht të Jabllanicës dhe të Pustarekës e të Vranjës deri në afërsi të Nishit. Pastaj disa rajone të Polanicës, Masuricës, Klisuricës, Vetornicës etj. ishin, po ashtu, etnikisht mjaft homogjene në favor të familjeve shqiptare", shkruan Uka dhe citon shkencëtarin austriak Carl Sax, sipas të cilit, deri në prag të shpërnguljes, në këto treva, në fund të shekullit XIX, kishte afërsisht 83 mijë e 600 banorë shqiptarë.

Shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje rapsodi popullor e ka përjetësuar në këngë: "Çka kanë bjeshkët qi po ushtojnë/t'mjert muhaxherët kah po shkojnë/nëpër shi e nëpër borë/po ju desin thmija n'dorë/ e ç'po sheh çka na u ba n'thmi/na u kanë ngri t'shkretit sabi/pa pasë plang e pa pasë shpi/thmija s'ftohti na u kanë mërdhi/dath e desh e n'borë e n'shi...

Sevdaili tregon një anekdotë që ka lidhje me këtë tragjedi. Priftërinjtë serbë e paskan lutur Zotin që t'ua plotësonte një dëshirë. "Cila është kjo dëshirë, paska pyetur Zoti, e unë do t'ua plotësoj menjëherë?". Prifërinjtë kishin kërkuar që Zoti të hidhte breshër në zonat e banuara me shqiptarë për t'ua dëmtuar bereqetin. Dhe Zoti njëmend hodhi breshërin në Vranjë e Nish. Priftërinjtë iu ankuan Zotit: "Po ne kërkuam breshër për tokat shqiptare jo për tokat tona...". "Eh, u përgjigj Zoti, unë punova me hartën e vjetër...".

Jemi në Vranjë. Më 1878 këtu kishte 25 mijë shqiptarë. Më 1981 Vranja pati 60 familje shqiptare, të cilat më vonë u shpërngulën dhe tani, siç më tregon Sevdaili, ka mbetur vetëm një familje shqiptare. Në Vranjë edhe sot një urë quhet "Ura e Shqipërisë". Fshatrat e Malësisë së Bujanocit, dikur e bënin tregtinë në Vranjë. Sot shqiptarët mund t'i takosh vetëm në spitalet e qytetit meqë në mungesë të kujdesit shëndetësor në vendlindjet e tyre, janë të detyruar të kurohen atje. Në disa raste, pacientët kanë vdekur rrugës, pa arritur në spital.

Para nesh shfaqet qyteti tjetër, Leskoci ku nuk ka mbetur as edhe një shqiptar i vetëm. Gjithkund flitet e shkruhet serbisht. Prania e madhe e shqiptarëve këtu, para vitit 1878, sipas Sabit Ukës, dokumentohet edhe me faktin se një prej pazareve (tregjeve) quhej "Arnaut pazaresi".

 

Xhema (në mes), ish kongresisti Joseph DioGuardi (majtas) dhe Bill Cassin.
Xhemail (Jim) Xhema në moshën e re.
Xhema gjatë kohës kur ishte mësues në Tupallë, më 1964.

 

Në Medvegjë arritëm në mesditë. Ishim të pangrënë dhe për drekë ndaluam në një restorant në qendër të qytetit. Me ne janë banorët e Tupallës: Sokol Halimi, imam Ajet Latifi, Bajram Mustafa, Fadil Mustafa e Hamdi Emini. Në sytë e tyre lexoj gëzimin për takimin me mysafirët e rrallë. Më thonë se kanë vendosur të qëndrojnë në tokën e tyre dhe as që kanë ndërmend që të ikin. Sokoli ka pasur shpesh edhe konflikte, si me policinë, ashtu dhe me banorët serbë.

Ata po mundohen të na frikësojnë po a frikësohet shqiptari? na thotë ai dhe tregon disa raste të kërcënimeve nga pala serbe.

Tre policë dukeshin e zhdukeshin tutje rrugës së zbrazët. Rrallë duket njeri tjetër pos tyre.

Medvegja po zbrazet me shpejtësi nga shqiptarët. Më 1981, mbi 30 për qind e banorëve ishin shqiptarë, ndërsa sot ka vetëm 800. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999, shpërthen një shpërngulje tjetër masive e shqiptarëve drejt Kosovës. Sokoli thotë se policia i rrihte e i kërcënonte shqiptarët në mes të rrugës për t'i detyruar që të linin vatrat e tyre. Medvegja sot është një oazë në shkretëtirë. Nuk ka shtyp shqiptar e as ndonjë program radioteleviziv në gjuhën shqipe. Me Kosovën e ndan kufiri, me Bujanocin e Preshevën, largësia. Po territori i saj përshin 524 kilometra katrorë, pra është më e madhe se të dyja qytetet së bashku.

Pas Luftës së Dytë Botërore, mijëra shqiptarë, ngaqë këtu nuk gjenin punë, vërshuan drejt Evropës Perëndimore e Amerikës dhe nuk u kthyen kurrë më.

Paguajmë kamarieren serbe dhe vazhdojmë rrugën për në Tupallë. I hedh vështrimin e fundit qendrës së qytetit që duket si e vdekur, pa njerëz në rrugë.

Pas 20 minutash jemi në vendlindjen e Xhemail Xhemës, në Tupallë. Vëllai i tij, Hasani, kishte ardhur me një frymë në shkollën e fshatit, bashkë me fshatarët e tjerë, sapo kishte dëgjuar se do të ndodheshim aty. Në tërë fshatin s'gjeje ndërtesë më të bukur se kjo e shkollës. Në njërën nga sallat e saj, ku Xhemaili dikur kish shërbyer si mësues, bisedojmë për hallet e tyre: diskriminimin e shqiptarëve dhe pasojën më të tmerrshme të tij, zbrazjen e fshatit. Para vitit 1999 këtu jetonin rreth 1300 vetë, ndërsa sot kanë mbetur rreth 170. Më 1999, në shkollën e fshatit qenë stacionuar forcat serbe. Mësuesi i shkollës, Fadil Mustafa, më tregon klasat, laboratoret e mjediset e tjera të shkollës të shkatërruara nga forcat serbe. Përveç shkatërrimeve, më sqaron Fadili, ata kishin lënë pas edhe mbishkrimet "Vdekje shqiptarëve!". Vetëm në Tupallë dhe Banjë të Siarinës, para luftës në Kosovë mësimet i ndiqnin reth 600 nxënës, ndërsa aktualisht në gjithë komunën e Medevgjës mësojnë 34 nxënës.

-Tupalla qenka një vend i bukur, u them unë mikpritësve si për të ngritur sadopak humorin e tyre të rënë.

Vendi do të ishte edhe më i bukur po të kishim më shumë njerëz, thotë Hasani, familja e të cilit erdhi këtu nga Vranoci i Lebanës më 1877.

Pa fishekë s'mbahet kalaja, e pa njerëz s'mbahet fshati. Toka pa njerëz, si deti pa peshq. Këto ara të bukura, as lërohen, as mbillen e as korren. Këto shtëpi nuk nxjerrin tym. Nëpër këto rrugë të mbuluara me bar s'kalon njeri. Një pamje e zymtë, që të pikon mu në shpirt.

Më ngjitën në tarracën e shkollës e s'ngopemi së pari fushat e malet përreth. I gjithë fshati flinte në një qetësi të thellë. Por, nuk kaluan as pesë minuta e filloi rrebeshi i shiut. Vetëtinte e bubullinte. Gjëmonin toka e qielli. Para se të futemi sërish brenda i hodha edhe një vështrim kodrave të cilat, siç më thotë një banor i fshatit, e presin shiun në dorë. Ato qenë bërë bashkë me retë që po zbraznin pa mëshirë shiun që nuk pushoi për më se një orë. Kamermani përpiqet ta fiksojë edhe këtë të papritur të natyrës për t'ia çuar sa më të plotë si "dhuratë" bashkatdhetarit tonë në Amerikë...

Biseda kalon tani tek vetë Xhemail Xhema, për të cilin edhe kemi ardhur.

Po atë vit që vdiq babai, thotë vëllai i tij, iku nga vendlindja pasi kishte punuar si mësues në këtë shkollë e në disa të tjera të Kosovës. Meqë s'e duronte dot diskriminimin e shqiptarëve, vendosi të emigronte në Amerikë. Në të vërtetë, për planet që kishte në kokë, s'i kishte treguar askujt. Ne menduam se ai do të shkonte diku për pushime dhe do të kthehej shpejt. Por Xhemaili nuk u kthye kurrë më. Më vonë kur ai u bë aq i njohur për veprimtaritë e tij kundër regjimit të Beogradit, organet e Sigurimit më morën disa herë në pyetje dhe u interesuan si për Xhemailin, ashtu edhe për vëllain tjetër dr. Ramadanin.

Fshatarët e Tupallës janë krenarë për birin e tyre, i cili edhe pse s'pati mundësi të bënte gjë për Tupallën, bëri aq shumë për Kosovën. Ajet Latifi që është moshatar me Xhemailin thotë se Xhema është i së njëjtës moshë me Xhemailin. Ka dëgjuar për aktivitetin e bashkëfshatarit të tij në Amerikë.

Xhema, thotë ai, mund të ndihmojë sepse i ka mundësitë.

Jo larg shkollës, përtej një kopshti, ngrihej shtëpia e familjes Xhema. Pak më tej qe kroi i fshatit. Kur kalova afër tij m'u kujtun shumë poezi e tregime që janë frymëzuar nga këto kroje ku nuk shuhej vetëm etja në ditët e nxehta të verës. Aty takoheshin, e ndoshta edhe dashuroheshin së pari të rinjtë e të rejat; gratë bisedonin për jetën dhe hallet që u duhej të përballonin, për burrat që treteshin në kurbet, për të sotmen dhe të nesërmen... Në fshatrat tona dikur takimet janë bërë jo vetëm në oda, por edhe në këto kroje si ky.

Futemi brenda në shtëpinë e famijles Xhema. Më bien në sy kësulat e bardha të Hasanit të vendosura në një skaj dhome. Ndonëse kanë të njejtën ngjyrë, secila prej tyre përdoret për raste të ndryshme: në fushë, në dasmë ose në shtëpi. Vura edhe unë në kokë njërën prej tyre dhe dolëm në fotografi me mikpritësin. Si pimë kafet e ndërruam edhe nga një cigare, morëm rrugën e kthimit.

Gjatë gjithë rrugës mendova vetëm për Tupallën, për njerëzit që i dha kombit ajo, për heronjtë e luftës, të punës e të penës, të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare, si Xhemail Xhema në Amerikë.

Harta jonë vazhdon të tkurret. Bobooo ç'e gjeti Tupallën!

 

Nga e majta: Jim Xhema, Vehbi Bajrami dhe Harry Bajraktari.
Disa nga shtëpitë luksoze që ka ndërtuar kompania e Xhemës në Greenwich, Connecticut.
Xhema me aktivistët e komunitetit gjatë një takimi me ish senatorin Alfonse D'Amato.

 

* * *

Në Amerikë, pas dy javësh takohemi me Xhemail Xhemën në zyrat e tij, në Greenwich të Connecticut. Pasi pamë fotografitë dhe videokasetën, ashtu në heshtje e si me dhimbje, më tha se përveç vëllait të tij, Hasanit, nuk njihte asnjë njeri. Shtëpia ku ai kishte lindur s'ishte më. Vetëm kroi i fshatit qe po ai që kishte qenë edhe para 35 vjetësh, i vetmi që nuk kishte ndryshuar e nuk ishte "mplakur". Gjithçka tjetër nuk njihej më. Kundër dëshirës sime shoh se bashkë me pamjet që po shihnim, i kisha sjellë edhe një copëz dhimbjeje nga vendlindja.

Bëra përpjekjen e fundit për një intervistë, por pa sukses. Më dha disa fotografi për t'i botuar në këtë libër dhe kaq. Le të shpresojmë që ndonjë ditë tjetër, kur ai ta shohë të arsyeshme, të bisedojmë përsëri e ai të më tregojë jetën e aktivitetin e tij. Sukseset e Xhemës në biznes, e vlejnë të evidentohen. Rreth 100 shtëpi, nga më të bukurat ka ndërtuar kompania e tij vetëm në Greenwich të Connecticut, aq të bukura që s'i përshkruan dot me fjalë. Disa prej tyre i vizituam së bashku. Njërën prej tyre po e botoj edhe në faqet e këtij libri. Ajo flet vetë, siç folën plot entuziazëm edhe të gjithë ata që njihnin Xhemën, si biznesmen të suksesshëm e patriot të flaktë.

Shtator, 2003

 (Marrë nga libri Shqiptarët e Amerikës)

 

 

Ndihmesa e tij ka marrë përmasat e legjendës

(Një biografi e shkurtë e Xhemail (Jim) Xhemës)

 

Xhemail (Jim) Xhema u shpërblye me Çmimin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan për Arritje gjatë Jetës (Lifetime Achievement Award) në qershor 2003. Siç thuhet në arsyetimin e kësaj organizate, ai u nderua "për devocionin e tij legjendar ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur për përmirësimin e jetës së shumë shqiptarëve në të dy anët e Atlantikut".

I lindur në Tupallë të Medvegjës, z. Xhema erdhi në Shtetet e Bashkuara më 1968 dhe vendosi të qëndrojë këtu përgjithmonë. Më 1971 krijoi kompaninë e tij të ndërtimeve "Xhema Remodeling Contractors" dhe, me zgjerimin e biznesit, bleu dhe kompaninë 90-vjeçare "Jacobsen Woodworking Company" në Greenwich. Me rritjen e biznesit dhe zgjerimin e fushës së operimeve, ai krijoi një kompani të re, "Xhema Construction" që merret me kryerjen e plotë të të gjitha punimeve të shtëpive luksoze. Për të përballuar nevojat e realizimit të projekteve të mëdha, ai ngriti një fabrikë për përpunimin e drurit në Waterbury, Connecticut. Ndërkohë, cilësia e lartë e shërbimeve të kompanive të tij ka tërhequr vëmendjen e biznesit në gjithë Amerikën. Revista "Town & Country" e ka nderuar me "Dorezën e Bardhë", një çmim që iu është dhënë për arritje të shquara në fushën e ndërtimtarisë vetëm shtatë biznesmenëve. Në veprimtarinë e tij politike për të ndihmuar çështjen shqiptare, z. Xhema bashkëpunoi aktivisht me kongresistin me origjinë shqiptare Joseph DioGuardi. Gjatë vitit 1988, Jim Xhema takoi zv/presidentin e atëhershëm George Bush dhe senatorin Bob Dole të cilët edhe i mbështeti fuqimisht në fushatat e tyre zgjedhore. Xhema dhe senatori Dole u bënë shumë shpejt miq dhe vazhdojnë ta ruajnë miqësinë edhe sot. Ai shërbeu në komitetin e financave të senatorit Dole në vitet 1988 dhe 1996. Më 1990 ai nxiti dhe ndihmoi senatorin Dole të vizitonte Kosovën, së bashku me tetë senatorë të tjerë amerikanë, që të shihnin me sytë e tyre shtypjen dhe padrejtësitë e tjera që u bëheshin shqiptarëve nga pushtuesit serbë. Ai ka krijuar lidhje e miqësi me senatorë, jo vetëm të shtetit Connecticut siç janë Joe Lieberman dhe Chris Dodd, por edhe me të tjerë, si senatorin Mitch McConnell, numri dy i republikanëve në Senatin Amerikan, me të cilin shkoi edhe në Francë për të këshilluar delegacionin e Kosovës gjatë bisedimeve në Rambuje.

Më 1989, Xhema së bashku me Joseph DioGuardin, Kieran Mahoney-n dhe profesor Sami Repishtin krijuan Komitetin e Aksionit Politik Shqiptar, i cili për nga rëndësia është krahasuar me Komitetin Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike. Ai vazhdon të mbetet aktiv në familiarizimin dhe përditësimin e çështjes shqiptare në Washington. Ndërkohë, Xhema ka krijuar një fondacion privat, përmes të cilit synon të financojë një katedër të studimeve shqiptare në një nga universitetet më me emër të Amerikës.

 

 

Të tjerët për Xhemail (Jim) Xhemën:

 

 

Shtetet e Bashkuara janë një vend më i mirë dhe Kosova është një vend më i mirë, në sajë të njerëzve si Jim Xhema

Ish senatori Bob Dole në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, qershor 2003

 

Çfarë jete kjo e Jim Xhemës! Historia e tij është dëshmia më e mirë e arritjeve të suksesshme në Amerikë. Në qoftë se ka njerëz që dyshojnë se Amerika është toka e mundësive, ata duhet të njohin Xhemën dhe të dëgjojnë historinë e tij. Ata do të shohin se çfarë mund të arrijë në këtë vend, një djalë i ri, nga një kënd i humbur i Evropës Juglindore kur është i pajisur me largpamësi, inteligjencë, vullnet për të punuar e me karakter të fortë. Sigurisht që Xhema është një rast i veçantë. Ai nuk është thjesht një histori e suksesshme. Ai është një histori e përmasave madhore. Xhema ka arritur më shumë se shumica, sepse ai solli në tavolinë më shumë vizion e mend dhe bëri një punë më të madhe se sa mjaft prej ne të tjerëve. Ata që dyshojnë se Amerika është toka e mundësive të mëdha, duhet të hedhin sytë edhe tek shumë burra e gra në këtë sallë, që kanë po ato cilësi të veçanta si Xhema dhe që ashtu si ai po realizojnë ëndrrën amerikane, duke lënë një këmbë dhe, fatmirësisht, edhe një xhep, në Kosovë. Shtetet e Bashkuara janë një vend më i mirë dhe Kosova është një vend më i mirë, në sajë të njerëzve si Jim Xhema dhe në sajë të ju të tjerëve që keni shtysën e fortë, vendosmërinë dhe sinqeritetin e tij që e bëjnë atë një person kaq të veçantë. Ne ju përshëndesim juve Xhema dhe festojmë arritjet e jetës suaj. Edhe sonte, kur ceremonia të ketë mbaruar, ne do të ndjehemi përsëri të qetë e të bindur se ju do ta vazhdoni punën e mirë. Sepse i tillë njeriu jeni. Ju jeni një patriot amerikan, po aq sa dhe një patriot i Kosovës.

 

 

Të gjithë ne duhet të nxëmë një mësim nga Jim Xhema

Harry Bajraktari gjatë prezantimit të Xhemail (Jim) Xhemës, në mbrëmjen e përvitshme të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan, ku ai u nderua me Çmimin "Arritje gjatë jetës"

 

Është një privilegj i madh për mua që t'ju prezantoj Jimmy Xhema-n. Në të vërtetë, ai është një njeri që nuk ka nevojë për prezantime. Historia e jetës së tij ngjan me legjendën klasike të suksesit në Amerikë. Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara me asgjë tjetër veç shpresës, besimit dhe përkushtimit ndaj lirisë.

I lindur në Luginën e Preshevës, ai erdhi në brigjet amerikane më 1968. Ai erdhi me një vizë treditore dhe vendosi të qëndrojë për gjithë jetën.

Jimmy, të gjithë ne të falënderojmë që vendose të qëndrosh! Ju u bëtë një amerikan për t'u marrë shembull, me kontributin tuaj ndaj familjes, miqve, komunitetit shqiptar dhe tokës që të adoptoi.

Për çdo verë, nëse nuk ishte duke u stërvitur në ndonjë shkollë private në Greenwich, Connecticut, Jimmy-n do ta gjeje duke punuar për një kompani të njohur të riparimit të shtëpive. Kjo përvojë i hapi atij dyert e suksesit në biznes. Ai u bë ndërtuesi më i respektuar e më me emër i shtëpive të lluksit. Revista "Town & Country" nderoi Jimmy-n si një nga shtatë "Dorezat e bardha" në Shtetet e Bashkuara. Ai është më i miri në gjithë Amerikën!

Kur filloi biznesin e tij, ai kishte vetëm një kamion dhe asnjë klient.

Ai e bëri atë kamion që të punonte shumë fort. Ai e lau e leu...siguroi që emri i tij dhe numëri i telefonit të lexoheshin fare qartë në të dy krahët e automjetit ... dhe brodhi me të në mbarë Greenwich-in gjithë kohën, ditë për ditë. Ai madje vinte edhe kapela të ndryshme, nganjëherë edhe syze. Ai ia doli mbanë me sukses që të krijonte përshtypjen se kishte një numër të madh kamionësh dhe një mal me klientë. Puna i eci e biznesi u rrit.

Mirëpo, jeta e tij nuk matet thjesht me suksesin e biznesit. Kur mbi Ballkan u mblodhën retë e stuhisë në fillim të viteve '90, Jimmy kuptoi që Amerika kishte nevojë të dinte se çfarë po ndodhte nën regjimin e Millosheviçit. Si një Paul Revere i kohës moderne, ai punoi fort që të jepte alarmin për shtypjen me dhunë të shqiptarëve dhe popujve të tjerë liridashës në ish-Jugosllavi.

Duke bashkëpunuar me senatorin Dole dhe me miqtë e tjerë të angazhuar në politikë si kongresisti Eliot Engel, Xhema luajti një rol të rëndësishëm për të nxitur Administratën e Clinton-it që të ndërmerrte masa vendimtare. Dhe presidenti Clinton e dëgjoi mesazhin. Me mbështetjen e fuqishme të senatorit Dole, presidenti Clinton veproi me guximin e trimëri. Fushata ajrore e NATO-s më 1999, ia ktheu Kosovën popullit të saj.

Jo më larg se javën e kaluar, ish-sekretari i Shtetit, Henry Kissinger, tha në Vjenë se Kosova po shkon drejt pavarësisë dhe se ky proces nuk mund të pengohet. Kosova do ta fitojë pavarësinë...dhe kur të ndodhë kjo, mos të harrojmë se për këtë ndikoi pa dyshim edhe fushata e palodhur e Jimmy Xhemës.

Të gjithë ne duhet të nxëmë një mësim nga Jimmy. Duke punuar së bashku, mund të arrijmë të pamundurën. Po, edhe një njeri i vetëm mund të sjellë ndryshimin. Është një nder për mua që t'ia dorëzoj çmimin "NAAC Lifetime Leadership Award", një njeriu që ka ndikuar për mirë tek familja e vet, tek miqtë e tij, tek vendi i tij dhe tek populli i Kosovës, siç ishte miku im Jimmy Xhema.

 

 

Prof. Sami Repishti: Xhemail (Jim) Xhema është nje nga "zbulimet" e mia në SHBA

 

Xhemail (Jim) Xhemën e kam njohur rastësisht në shtator l987, gjatë një dreke në Rye Hilton, New York, për nder të kongresistit Joseph DioGuardi. Folësi kryesor ka qenë nënpresidenti George Bush. Me këtë rast kemi paraqitur një memorandum ku kërkonim hapjen e një zyre amerikane në Prishtinë. Gjatë kësaj dreke kam pasur bisedimet e para me Xhemën në lidhje me Kosovën dhe menjëherë kemi filluar një miqësi të mbështetur në aspirarat tona për kauzën e shqiptarëve në ish Jugosllavi. Një muaj më vonë, në një takim ku morën pjesë Joseph DioGuardi, kongresist, Kieran Mahoney, shef i shtabit, Jim Xhema dhe unë, në një restorant në Greenwich, Connecticut, u fol konkretisht për krijimin e një organizate për veprime të koordinuara. Kjo mbledhje ka qenë de fakto krijimi i Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane.

Mbas këtij takimi, kontakti im me Xhemën ka qenë pothuajse i përditshëm, duke shkëmbyer informata, opinione e këshillime në formën më të hapur dhe më shoqërore. Aktiviteti i Xhemës përshkohej nga një dinamizëm i rrallë, një fuqi analitike e admirueshme, e nga një bujari që më impresionoi sa herë që hapej çështja e shqiptarëve në "Shqipërinë Lindore".

Takimet e vazhdueshme, disa herë javore, me përfaqësuesit e dy Dhomave të Kongresit amerikan kanë qenë me vlerë të jashtëzakonshme, sepse kjo ka qenë periudha që ne kemi edukuar Washington-in zyrtar mbi problemin e "shqiptarëve në ish Jugosllavi" me memorandume, dëshmi, peticione, e kontakte personale.

Një veprimtari e këtillë ka qenë e vështirë për shumë arsye: qëndrimi miqësor i Titos me SHBA-të, armiqësia e tërbuar e komunistëve shqiptarë kundrejt SHBA-ve, kuadri i kufizuar shqiptaro-amerikan i përgatitur për një veprimtari të edukuar lobiste në Washingotn, DC dhe bashkësia shqiptaro-amerikane e painformuar si duhet për shtypjen e shqiptarëve nga komunistët jugosllavë, kryesisht serbë.

Ishte aktiviteti i Xhemës, në bashkëpunim me z. DioGuardi, që ka hapur për ne të gjitha dyert e Kongresit. Por ajo që është më e rëndësishmja kanë qenë marrëdhëniet e veçanta e të sinqerta të Xhemës me senatorin e madh Robert Dole, një flamurtar i çështjes kosovare.

Xhema ka qenë frymëzuesi i shumë demonstratave anti-jugosllave në New York, Detroit e Washington DC. dhe financuesi më i madh i tyre. Ai ka qenë de fakto ndërlidhësi i bashkësisë sonë me shumë autoritete amerikane të kryeqyetit. Çdo rezolutë e Kongresit Amerikan, deri në vitin l992, është përgatitur me nxitjen e Xhemës në koordinim me z. DioGuardi dhe me mua. Në mjaft raste, figura të shquara të jetës politike amerikane kanë kërkuar opinionin e Xhemës për "problemin e Kosovës". Ai ka qenë dhe mbetet një figurë e shquar e veprimtarëve shqiptaro-amerikanë. Dimensionet e personalitetit të Xhemës dolën në shesh sidomos gjatë Konferencës së Dayton-it (l995) ku ai luftoi që të mos cënoheshin interesat e Kosovës.

Unë jam i lumtur që erdhi koha të njihen publikisht meritat e Jim Xhemës, e të çmohet puna e madhe që ai ka bërë për afër njëzetë vjet me radhë në shërbim të çështjes kosovare.
VEHBI BAJRAMI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Para 16 viteshDJEGIA PËR SË GJALLI E NANËS, VËLLAIT, DY DJEMVE TË MIXHËS, SI DHE KUNATËS SIMENga XHEVAT REXHAJ (04.03.2015)
10 VJET MË PARË - PAPA WOJTYLA KTHEHEJ NË SHTËPINË E ATIT (04.03.2015)
PAPA SHËN GJON PALI II DHE FJALËT QË IU KA DREJTUAR SHQIPTARËVE (04.03.2015)
“RRNOFTË KRISHTI MBRET, RRNOFTË SHQIPNIA!”“E PREMTJA E ZEZË NË SHQIPNI KA FILLUE ME 29 NANDOR 1944, DHE KA ME VAZHDUE DERISA TË MAROJË KOMUNIZMI.” Don Dedë MALAJ (1959)Nga FRITZ RADOVANI (04.03.2015)
2 PRILL - DITA NDËRKOMBËTARE E AUTIZMIT (04.02.2015)
NJË PRITJE PËR 'KRUSHQIT' E PAJTIMIT TË GJAQEVE NGA KOSOVA NË SHTËPINË TIME NË ARMONK, SHBA(Me rastin e 25 vjetorit)Nga HARRY BAJRAKTARI (04.02.2015)
BESOHET ENDE NË RELIKE HIPOKRITE TË DIKTATURËSMeditime dhe përjetime nga ATJON V. ZHITI (04.02.2015)
MARCUSS TANNER - FANTAZMA E NJË SHQIPËRIE TË MADHE NUK IKËN, SEPSE KUFIJTË E VITIT 1913 JANË TË GABUAR (04.02.2015)
BIRN - BOSËT E KRIMIT NË SHQIPËRI I SHPËTOJNË EKSTRADIMIT (04.02.2015)
ALBUMI I PIKTORIT - 7 PUNIME TË FUNDMARSIT NGA HELIDON HALITI (04.01.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]