VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MATURANTI FRANÇESKO SHEHU NGA GJIMNAZI 'ISMAIL QEMALI' I TIRANËS TRIUMFON NË OLIMPIADËN BOTËRORE PËR PAQE

E Hënë, 04.06.2015, 07:46am (GMT1)


 
Të rinjtë janë ata që e shohin botën më me ngjyra, janë më kreativë dhe më paqësorë. Ata do të jenë liderët e së ardhmes, prandaj që të brumosësh paqen tek ta është shumë e rëndësishme. Njëri prej këtyre të rinjve, është edhe gjimnazisti, Françesko Shehu, i cili është vlerësuar me çmim të parë në olimpiadën "Media show" në Itali. Në këtë garë morën pjesë kolegje dhe shkolla të mesme nga e gjithë bota, përfshi edhe Shqipërinë. Nga 187 nxënës, 22 prej të cilëve ishin nxënës të shkollës së mesme "Ismail Qemali" në Tiranë. Këtë vit ishte edicioni i 17-të i kësaj olimpiade, ndërsa nxënësit shqiptarë marrin pjesë për herë të katërt. Tema për të gjithë pjesëmarrësit ka qenë e njëjtë. Një temë e shkëputur nga libri i autorit libanez, Khail Gibran: "Në qoftë se do të jem mbi re të bardha, do ta shihja botën pa kufij, por ja që nuk jam aty".

Djali 17-vjeçar, Françesko Shehu, i cili u shpall fitues është me orgjinë nga Përmeti. Ai është rritur në Tiranë. Pasioni i tij, janë elektronika dhe gjuhët e huaja. Fiziku i tij i imët, edhe syzet që mban, të krijojnë përshtypjen se, ai është një djalë i prerë në teknologji, prandaj edhe të ardhmen e shikon gjithmonë të lidhur me të. I ati i punon tek Ambasada Italiane, ndërsa e ëma në një biznes privat. Ata i kanë mundësuar Françesksos mundësinë për të ndjekur ëndrrat e tij. Ai tregon se janë prindërit ata që e ndihmojnë për të shuar kuriozitetin mbi teknologjinë, duke i blerë të gjitha pajisjet që kërkon.

"Unë jam maturant në gjimnazin "˜Ismail Qemali' dhe më pëlqejnë shumë lëndët shkencore, si fizika dhe matematika, por më pëlqejnë edhe gjuhët e huaja, për këtë arsye kam zgjedhur edhe profilin italisht. Teknologjia është vendi ku unë e gjej veten dhe mund të rri me orë të tëra në internet, duke u njohur me aplikacione dhe programe të reja. Edhe kur kemi detyra në shkollë në lidhje me teknologjinë, unë përpiqem të përdor programe më të ndërlikuara se, ato që kërkohen nga mësuesit. Koha ime e lirë nuk mund të kuptohet pa internetin, megjithëse një pjesë të saj e kaloj edhe me miqtë e mi",
tregon ai.

Këto të dhëna e kanë ndihmuar shumë që të triumfojë në olimpiadën "Media Show". Konkurrentët për tetë orë duhet të krijonin një video të gjatë 3 minuta, edhe nëpërmjet saj duhet të përcillnin një mesazh paqeje me temën e marrë nga citimi i autorit libanez. "Ishte një punë shumë intensive, sepse brenda tetë orësh unë duhet të krijoja idenë, të zgjidhja efektet zanore dhe pamjet e videos. Ishte diçka vërtet emocionuese. Mirëpo, unë edhe më parë isha marrë me montazh dhe kjo pjesë më ndihmoi shumë. Duhet që të zgjidhnim sa më shumë elemente, që të bënin kontrast social dhe ekonomik mes vendeve fqinje, në të gjithë botën.

Kjo duhej të bëhej nën kontekstin e luftërave, të cilat ishin një e keqe e madhe për shoqërinë. Për të realizuar këtë unë zgjodha fjalimin e Hitlerit, pamje nga filmi "Diktatori", të interpretuara nga Charlie Chaplin, si edhe muzikën e filmit "Gladiatori". Në video unë futa fotografi të qyteteve të ndryshme për të treguar se bota është një, dhe nuk ka kufij të përcaktuar. Pavarësisht se, në pamje të parë qytetet mund të duken të ndryshme, unë kontrastet i kam treguar edhe nëpërmjet besimtarëve të feve të ndryshme. Ata shfaqen mbrapa një skaneri ku duken njësoj dhe më pas, kur dalin përballë kanë veshjen karakteristike të fesë së tyre. Të gjitha këto i prezantova me titullin "Il grande dittatore" (Diktatori i madh) ", tregon ai. Videot e krijuara nga nxënësit u gjykuan nga një panel jurie, që ishte i përbërë nga drejtues të drejtorisë Arsimore në Itali, 5 ekspertë IT, dhe drejtuesit e shkollës pritëse në Melfi "Frederiko II di Svevia". Fitorja e Françeskos u pasqyrua edhe në disa medie italiane. Për të, ky është vetëm fillimi i një rruge, që premton të jetë e gjatë për të riun shqiptar.

Ideja e videos

Në hulumtimet e zakonshme në internet, Françesko ishte përballur me fjalimin e Hitlerit. "Më ka mahnitur ai fjalim, duke ditur edhe se çfarë ka bërë ky njeri më pas. Me një interpretim shumë emocionues ai thoshte se, bota është shumë e mirë dhe se njerëzit i kanë të gjitha mundësitë për të jetuar në paqe më njëri-tjetrin. Njerëzit nëse zhvillojnë shkencën mund të jenë edhe më të lumtur. Më pëlqen shumë dhe e kam dëgjuar disa herë. Është e çuditshme të mendosh se si një njeri, me fjalë thotë tjetër gjë, dhe me vepra bën krejt të kundërtën", shprehet ai. Ideja e Françeskos mbi krijimin e kontrasteve u pëlqye shumë dhe mori çmimin e parë me vota unanime. Çmimin e dytë dhe të tretë e mori Italia me nxënësit Andrea Broglia dhe Mariangela Finelli. Në garë ishin shtatë konkurrentë nga shkollat e Jugut të Italisë. Në olimpiadën multimediale në edicionin e shtatëmbëdhjetë të "Media show" për vitin 2015-të, u vlerësuan dhe vende të tjera si: Kina, Hungaria, Suedia, Franca. Triumfi i shqiptarëve u pasqyrua edhe në shtypin italian si: "La Gazzeta del Mezzogiorno" dhe "Basilicata"./shekulli

Bio:

Ditëlindja : 18 maj 1997
Vendlindja: Përmet
Vendbanimi: Tiranë
Statusi: Maturant
Hobi: Teknologjia

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.