VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MASAKRA E 5 PRILLIT - FLET I MBIJETUARI DHE BANORËT E RREZALLËS

E Hënë, 04.06.2015, 08:35am (GMT1)


 
Zefa Rukollit i është lehtësuar shpirti paksa. Ajo sot varrosi eshtrat e djalit të saj të vrarë, e të zhdukur, në vitin "˜99.

Djali i saj, Avdullah Rukolli, asokohe rreth 25 vjeçar, u vra ditën e 5 prillit në Rezallë të Skenderajt.

Pastaj, paramilitarët serb e zhdukën trupin e tij, bashkë me shumë të tjerë.

Eshtrat e tij u gjendën vitin e kaluar në Rudnicë të Rashkës. E sot, bashkë me 27 trupa të tjerë ai u rivarrosë në fshatin Rezallë.

Nëna e tij, me lot në sy po e kujton rininë e djalit që nuk e gëzoi siç duhet.

Rukolli: Jam lehtësuar pak
"Mu ka lehtësuar qysh jo, pasi që është gjetë veç janë mbytë boll valla, dy vllazni, djalin e vllaut, djali jem....sot e kanë gjet djalin tem", thotë ajo.
Ai u vra në moshë të re. Pas vetës nuk la asnjë fëmijë.

Rukolli: Ka shkuar i ri
"Djali jem, i ri ka shku, nuk ka lënë fëjijë as asgjë", thotë ajo.
E Nazif Deliu sot po e varrosë babën dhe axhën. Ai thotë se po ndihet më mirë tash që të paktën po ia din varrin.

Deliu: Sot po e ndi veten më mirë

"Deri sot kemi qenë shumë por sot po e ndi vetëm pak ma mirë, pasi që po i vorrosi se deri me sot jemi kanë shumë në ngarkesë....deri më sot kemi qenë trë ngarkuar psiqikisht, sot po e ndi vetën pak më të lirë pak ma mirë", thotë ai.

Ditën e 5 prillit të vitit "˜99 forcat paramilitare serbe mblodhën burra, gra, pleqë e fëmijë nëpër fshatin Rezallë për t'i vendosur pastaj në shtëpinë e Hashim Dërgutit.

Që nga orët e para të mëngjesit aty, në oborrin e asaj shtëpie, i maltretuan me fjalë e me pyetje rreth identitetit të tyre e të ushtarëve të UÇK-së.

Aty i paralajmëruan se do t'i pushkatonin të gjithë.

E në fund të ditës, me urdhër të një komandanti serb, aty u kërkua që gratë e fëmijët të lëshojnë obrrin. U ndalën vetëm burrat.

Vetëm disa metra sa arritën të ecin gratë dhe fëmijët, u dëgjuan të shtënat. Aty i vranë të gjithë, përveç tre personave që shpëtuan të gjallë.

Në atë ditë të tmerrshme të 5 prillit, ndër ta shpëtoi edhe plaku Misin Deliu.

Edhe pse u plagosë tre herë, ai i mbijetoi atij pushkatimi masiv që bëri ushtria parmilitare serbe.

Edhe pse i shtyrë në moshë, ai përpiqet të kujtoi e të rrëfejë për ditën e 5 prillit të 99-ës.

Deliu: Na kanë mbajtë deri në orën 5 pasdite

"Prej shtëpisë na kanë rrethekua, në tana anët ishin kanë përreth, në 10 ora të sabahut. Pas orës 10 na kanë pru kolonë, ku ka gjet familje, rob, fëmijë, pleqë, 100 vjet. Jonuz Rukolli, Rexhep Rukolli, na kanë mbajtë gjithë ditën në shtëpi të Hashimit, deri në ora 5 në akshom", thotë ai.

Ai rrëfen momenin kur gratë e fëmijët i kanë lënë të lirë e më pas kanë shtënë në burrat që i kishin mbledhur aty.

Deliu: Gratë i kanë lëshuar

"Gratë asnjë këtu, dilni, prej dyerve të Hashimit. SI kanë kapërcye, janë kryer ata, neve burrave na kanë qyshue qishtu të tanve. Me këta tanë jam kanë, dy vllazni, 10 kusheri të mijë, jena kanë failje e një shtëpie. Si jena dalë atje tek gardhi, na kanë gjuajt, unë në tre vena jam plagosë por kam shpëtue", thotë ai.

E gratë dhe fëmijët u maltretuan duke u detyruar të ecin në këmbë nëpër shumë fshatra të kësaj ane gjatë gjithë natës.

Atë ditë, në oborrin e Hashim Dërgutit arritën të shpëtojnë vetëm tre persona. Sadri Gashi, i cili dy javë më vonë ekzekutohet, plaku Misin Deliu dhe Halili që asokohe ishte vetëm 16 vjeçar.

5 prilli njihet si masakra e Rezallës. 16 vite më parë, ushtria serbe, pa mëshirshëm, ekzekutoi 38 persona.Trupat e tyre i zhdukën më pas. Dy janë gjetur më herët, 28 u kthyen sot dhe për tetë prej tyre ende nuk dihet asgjë.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.