VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PARALAJMËRIMI NORDIK PËR RREZIKUN E MADH RUS
Nga PETRIT HALITI

E Hënë, 04.13.2015, 03:22pm (GMT1)



Alarmi që lëshoi në 9 prill deklarata e përbashkët e pesë shteteve nordike për rrezikun e madh rus si kërcënimi më i rëndë për sigurinë e Europës, është një zhvillim i rëndësishëm, që meriton përqendrim shtetëror, jo vetëm të Europës Veriore, por të të gjitha rajoneve dhe shteteve të Europës. Suedia, Finlanda, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda, gjykuan të dalin së bashku me një zë të vetëm, për ta përforcuar seriozitetin e alarmit dhe shkallën e lartë të rrezikut që po vjen nga Rusia.

Shqetësimi nordik meriton vëmendje maksimale, sepse vjen nga një grup shtetesh, të cilat janë ndër më paqësorët dhe ndër më paqedashësit në planet. Vjen nga shtete, që kanë shkallën më të lartë të demokracisë, si për institucionet, ashtu edhe për njerëzit. Vjen nga shtete, të cilat kanë standardet më të larta të jetesës në botë. Vjen nga shtete, që respektojnë ligjet, normat dhe detyrimet ndërkombëtare në mënyrën më shembullore të mundshme dhe janë etalon i mirëkuptimit dhe i bashkëpunimit ndërkombëtar. Vjen nga shtete, popujt e të cilëve nuk e njohin gjuhën e urrejtjes dhe të armiqësisë ndaj të tjerëve, por kanë kultin e vlerës së drejtësisë, të barazisë dhe të vërtetës. Janë shtete, që gëzojnë një respekt të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për kontributin e tyre në forcimin e institucioneve ndërkombëtare dhe të paqes botërore dhe diplomacia e të cilëve identifikohet me forcën e bindjes dhe të argumentit, ndaj duhet vlerësuar e dëgjuar mirë paralajmërimi i tyre. Ja cilat janë elementet kryesore të mesazhit nordik për shtetet dhe popujt europianë:

1- Agresioni rus kundër Ukrainës dhe aneksimi i paligjshëm i Krimesë janë një dhunim i ligjit ndërkombëtar dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare.
2- Veprimet e Rusisë përbëjnë sfidën më të rëndë për sigurinë europiane.
3- Rusia është e përgatitur të vërë në përdorim praktik dhe efektiv mjetet ushtarake për të arritur qëllimet politike, qoftë edhe me dhunimin e parimeve të ligjit ndërkombëtar.
4- Ne duhet të përgatitemi të përballojmë krizat e mundshme ose incidentet.
5-Ne duhet të analizojmë çfarë po bën Rusia, dhe jo retorikën që vjen nga Kremlini.
6- Propaganda dhe manovrat politike të Rusisë po kontribuojnë për të mbjellë mosmarrëveshje midis vendeve dhe brenda organizatave si NATO dhe BE.

Kjo analizë e situatës aktuale europiane dhe mesazhet alarmante të shteteve nordike pasqyrojnë shqetësimin për provokacionet e vazhdueshme dhe në rritje të forcave ushtarake ruse në kufijtë e këtyre shteteve, me gjuajtësit dhe nëndetëset ruse, që shkelin pareshtur hapësirat territoriale të këtyre shteteve, si dhe për intensifikimin e veprimtarisë së spiunazhit rus në gjithë shtetet nordike. Rrezikun për një kërcënim serioz rus ndaj sigurisë dhe pavarësisë së tyre, shtetet nordike e shohin jo si një rastësi dhe as si shfaqje të izoluar, që lidhet vetëm me rajonin gjeografik verior. Shtetet nordike e shohin rrezikun rus si përmbajtje themelore e politikës së jashtme dhe e ambicieve ekspansioniste të Rusisë, me shtrirje kontinentale. Në këtë optikë, rreziku rus përbën një kërcënim për të gjitha rajonet dhe shtetet europiane. Shtetet nordike janë të qarta dhe të hapura, duke shpallur zyrtarisht se veprimet e Rusisë përbëjnë sfidën më të rëndë për sigurinë e Europës. Kjo do të thotë që shtetet e Europës, të mëdha e të vogla, në veri ose në jug të kontinentit, në kufi ose jo me Rusinë, dhe në të njëjtën kohë edhe organizatat euroatlantike, duhet të bëhen të ndërgjegjshme për nivelin e rrezikut aktual rus që u kërcënohet.

Në rrethanat e tanishme europiane, të krijuara nga ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë, ky aktualizim që bëjnë shtetet nordike merr rëndësi të veçantë, sepse makina kolosale propagandistike e Rusisë dhe diplomacia ruse janë angazhuar në një veprimtari të ethshme globale për të larguar vëmendjen e popujve dhe të shteteve europiane nga rreziku rus. Moska dhe aparati i saj diplomatik dhe propagandistik i stilit sovjetik po fryjnë me të madhe rreziqe nga kontinente të tjera, duke synuar të krijojnë një imazh disproporcional të grafikut të rreziqeve për kontinentin europian. Rusisë i intereson që shtetet dhe popujt europianë të humbasin vigjilencën dhe t'i drejtojnë dylbitë në atë që po ndodh në Jemen dhe në Nigeri, dhe në katrahurat e shkretëtirave të largëta të qëmtojnë burimet e kërcënimeve për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Rusia po përdor në këtë fushatë edhe idiotët e saj të dobishëm në vendet europiane, si dhe disa qeveri, grupe politike dhe mediatike, të financuara nga institucionet dhe shërbimet ruse në spektrin politik europian, nga e majta ekstreme e deri tek e djathta ekstreme.
Shtetet nordike përpiqen të shkundin kujtesën dhe vigjilencën e shteteve europiane për rrezikun e madh rus, që e kanë te porta. Kjo është sa e rëndësishme, aq edhe aktuale. Në mesazhet nordike deduktohet lehtë se ajo që Rusia ndërmori kundër Ukrainës, një shtet europian fqinj me të, dhe kundër një populli, i cili ka të njëjtën racë, fe dhe gjuhë me Rusinë, mund të ndërmerret fare lehtë ndaj shteteve të tjera, që nga shtetet e Balltikut e deri te shtetet e Ballkanit. Rusia i është kthyer diplomacisë së forcës ushtarake ndaj të gjitha shteteve, dhe kjo ka hapur rrugën për t'u ndodhur edhe të tjerëve e njëjta gjë që i ndodhi popullit ukrainas.

Mesazhi mësimdhënës, që vjen nga shtetet nordike, është se në situatat e rrezikut duhet forcuar kohezioni europian përballë krizave dhe sfidave për sigurinë europiane, që po vijnë nga Rusia. Jo rastësisht shtetet nordike vënë theksin në veprimet përçarëse të Kremlinit për t'i hedhur shtetet europiane njëri kundër tjetrit, për të përçarë organizatat perëndimore si BE dhe NATO. Çarja e kohezionit euroatlantik përballë kërcënimit rus i shërben inkurajimit të aventurave ushtarake ruse në Europë. Shkëputja e disa shteteve si Greqia, Hungaria, Serbia, Maqedonia etj. nga vija e sanksioneve europiane kundër Rusisë, është një tregues tepër i qartë.

Sinjifikative janë përpjekjet e Rusisë për të krijuar përçarje dhe tensione në Ballkan. Flirtet e hapura dhe të nëndheshme të Greqisë dhe të Serbisë me Rusinë dhe me presidentin Vladimir Putin, nuk janë vetëm shprehje e prirjeve për krijimin e një aleance të shenjtë ortodokse kundër BE dhe NATO-s, çka sipas disa diplomatëve, e shtyu kryeministrin "ateist" grek, Cipras, gjatë vizitës zyrtare në Moskë në 9 prill, të zhvillonte bisedime edhe me patriarkun Kirill të Kishës Ortodokse Ruse. Ato janë prirje të rrezikshme, të cilat mund të avancojnë politikën dhe ambiciet ruse edhe në rajonin e Ballkanit. Është një bindje e bazuar se Rusia duket se qëndron prapa acarimeve të tanishme të qëllimshme të marrëdhënieve të Serbisë me dy shtete të NATO-s, me Shqipërinë dhe me Kroacinë. Fryrja skandaloze qeveritare serbe e përrallave për "Shqipërinë e Madhe" synon të mbulojë rolin negativ, që po luan Serbia, në emër të Rusisë, për turbullimin e ujërave në Ballkan. Nuk duhet harruar se trupat ruse janë të stacionuara në Moldavi, një shtet që në mënyrë absurde është futur anëtar i së vetmes organizate rajonale në Ballkan, SEECP. Moldavia është shtet ish-sovjetik, në të cilin, e ashtuquajtura republikë e Transnistrias ka kërkuar të bashkohet me Rusinë, njësoj si forcat separatiste proruse në Krime dhe në Ukrainën Lindore. Kësaj jave forcat ushtarake ruse zhvilluan manovra ushtarake në Transnistria. Disa manovra ushtarake do të zhvillojë Rusia edhe në territorin e Serbisë gjatë këtij viti, ashtu siç zhvilloi manovra të forcave të saj desante nëntorin e vitit të kaluar në Serbi. Trupat ruse nuk po stërviten në Serbi për të shijuar natyrën e bukur rajonale, por për t'u përgatitur të vënë në përdorim mjetet ushtarake në shërbim të qëllimeve politike. Rreziku rus në Ballkan po merr formë.

Mesazhi nordik vjen pas paralajmërimeve të kancelares gjermane Angela Merkel për rrezikun rus në Ballkan, vjen pas paralajmërimit të sekretarit amerikan të shtetit se disa shtete të Ballkanit janë në vijën e zjarrit të përplasjes së Rusinë me Perëndimin. Tani po paralajmërojnë shtetet nordike, të cilat kufirin e durimit dhe të maturisë e kanë rekord botëror, që do të thotë se, dëshmitë dhe provat e rrezikut rus janë aq të shumta dhe aq të vërteta, saqë përmbajtja diplomatike jo vetëm nuk i mban më të mbyllura, por nxit që të transmetohen në shkallë europiane dhe ndërkombëtare.

Mesazhi nordik vjen si një porosi e drejtpërdrejtë për Ballkanin për të forcuar politikën e integrimit euroatlantik, për të bashkuar radhët me NATO-n dhe me BE-në dhe jo për t'u shqetësuar për shitjen e domateve në Rusi. Shqetësimi i shteteve nordike për kërcënimin rus si rreziku më i madh për sigurinë e Europës kërkon orientimin dhe kalibrimin e qëndrimeve shtetërore, diplomatike dhe publike, në këtë kuadrim serioz gjeopolitik. Se sa i drejtë dhe aktual është qëndrimi i përbashkët i pesë shteteve nordike për rrezikun rus e vërtetoi qëndrimi agresiv, arrogant dhe luftënxitës, që u mbajt në Rusi ndaj deklaratës së përbashkët të pesë shteteve nordike. Nën titullin "Skandinavët luajnë me zjarrin", portali rus "riafan.ru", në datën 10 prill, shkruante se shtetet nordike "e dinë mirë se në rast të një lufte botërore, vetëm statusi neutral i mbron ata nga goditjet shkatërruese të armëve ruse. Në rast të një lufte të madhe, Kremlini do të jetë i detyruar të përdorë potencialin e vet bërthamor jo vetëm kundër shteteve armike bërthamore, por edhe në Europën Veriore "˜paqedashëse'. Në liqenet skandinave do të reflektohen veçanërisht bukur kërpudhat bërthamore". Sado të përpiqesh ta neglizhosh këtë histeri luftënxitësish, duke e barazuar me çmendurinë, e vërteta është se kërcënimi bërthamor është bërë pjesë e shantazhit ushtarak, politik dhe diplomatik rus ndaj vendeve europiane. Jo shumë larg, por në datën 23 mars, ambasadori rus në Danimarkë kërcënoi popullin danez se objektiv i raketave bërthamore ruse do të jenë anijet daneze, nëse Danimarka merr pjesë në mburojën raketore të NATO-s. Para disa ditësh, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin habiti botën me kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore ruse me rastin e konfliktit në Ukrainë. Sado alogjike që të duket, e vërteta është se Rusia po kërkon luftën. Një mentalitet i tillë dëshmohet nga qëndrimet e shprehura në organin tjetër rus "Regnum", i cili shkruante në 10 prill, duke sulmuar pesë shtetet shtete nordike, se "njerëzimi, siç tregon historia, nuk mund të ekzistojë gjatë pa luftëra, dhe në Europë nuk ka pasur luftëra të mëdha që nga viti 1945"³.

Në shtetet autokratike çmenduria e propagandës shpreh gjendjen shpirtërore dhe mendore të politikës, të qeverisë dhe të udhëheqjes. Kjo e bën më urgjente për gjithë shtetet europiane absorbimin e mesazheve nordike dhe planifikimin e masave të situatave të krizave të rënda.
PETRIT HALITI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.