VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UNIVERSUL - ZBULOHET NJË INTERVISTË QË SYRJA VLORA DHA TRI DITË PARA NGRITJES SË FLAMURIT NË VLORË

E Mërkurë, 04.15.2015, 02:30pm (GMT1)



Në foton që shihni, djathtas është Syrja bej Vlora (1860-1940), në Vjenë, me një diplomat tjetër. Syrja beu, i ati i Eqrem bej Vlorës, i vëllai i ish-Kryeministrit Osman Ferit pashës, ka qenë një figurë me ndikim tek qarqet politike evropiane. Ai e përdori këtë ndikim në të mirë të Shqipërisë. Më 1912, kur Perandoria Osmane po shpërbëhej, Syrja bej Vlora ishte ndër të parët që u përpoq për shpalljen e pavarësisë me ndihmën e Austrisë. Intervista e mëposhtme e Syrja beut është botuar në gazetën e Bukureshtit, Universul, të datës 25 nëntor 1912, vetëm tri ditë para se Ismail Qemal Vlora të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.

 

Ja deklaratat që bëri mbrëmë lideri shqiptar, i cili pranoi të më presë në pallatin e tij në Pera (të Stambollit) dhe të bisedojë me mua:

SYRJA VLORA: Dje më priti në audiencë ministri i Brendshëm dhe pastaj veziri i madh. I pari më deklaroi se qeveria është e gatshme të japë gjithçka për një Shqipëri autonome. I dyti, me të cilin pata edhe bisedën më të gjatë, më deklaroi se është absolutisht me mendimin e shqiptarëve, që Shqipëria duhet të jetë autonome, por do ta bëjë këtë pasi të jetë këshilluar me kolegët dhe do t'ia paraqesë çështjen për miratim Padishahut, i cili do të udhëzojë sesi duhet vepruar. Siç e shikon, ngurrimi tradicional i burrave të shtetit turk nuk mungon as në çastet më kritike, kur ngjarjet ndodhin me shpejtësi marramendëse, sepse derisa të vijë miratimi nga Padishahu, Shqipëria do të jetë gllabëruar plotësisht nga pushtuesit ballkanikë. Që këtej del edhe vërtetësia e thënies se diplomati më i mirë është bajoneta.

GAZETA UNIVERSUL: Çfarë kuptoni me Shqipëri autonome?

SYRJA VLORA: Unë, si gjithë udhëheqësit shqiptarë, që interesohen për fatin e Shqipërisë, kam qenë dhe jam kundër autonomisë. Ne kërkojmë shpalljen e Shqipërisë shtet të pavarur nga çasti kur nuk është më e mundur të ruhet statukuoja e paraluftës në Turqinë evropiane.

GAZETA UNIVERSUL: Më duket se jo të gjithë shqiptarët e duan pavarësinë e Shqipërisë...

SYRJA VLORA: Po, keni të drejtë. Janë disa që duan të jenë shtojcë e Greqisë dhe shumica e tyre janë të krishterë ortodoksë. Të tjerët, janë ata që nuk gjejnë shpëtim përveçse te Kalifati dhe Sheriati, por nuk duhet harruar se të gjithë shqiptarët e vërtetë, pa dallim feje, e sidomos katolikët dhe gjithë intelektualët e larguar dhe tek ata qëndron e gjithë forca e Shqipërisë besojnë se nuk ekziston tjetër shpëtim përveçse shpallja e një shteti të pavarur. Kjo është edhe bindja ime. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi mbështetjen e Aleancës Treshe dhe në veçanti të Austrisë katolike dhe apostolike, e cila edhe me rrezikun e një lufte nuk do të lejojë që Shqipëria të ndahet mes pushtuesve. Në qoftë se Madhëria e Tij, veziri i madh Qamil Pasha do të më kishte dëgjuar që në fillim dhe do ta kishte shpallur Shqipërinë autonome, të gjithë malësorët shqiptarë, që sot luftojnë krahas malazezëve për qytetin e rrethuar të Shkodrës, do të ishin kthyer tani në shtëpitë e tyre për të treguar se me ç'guxim të madh rezistoi armiku.

GAZETA UNIVERSUL: A mund të na thoni se cilët janë udhëheqësit e shtetit të ardhshëm shqiptar?

SYRJA VLORA: Sipas meje, udhëheqësit e një Shqipërie etnografike janë të shumtë dhe do t'i shndërronin në hiç sukseset e serbëve në veri e lindje dhe të grekëve në jug dhe perëndim, por Shqipëria, ashtu siç është delimituar në kabinetet e Vjenës dhe të Romës, është një territor i kufizuar në veri nga Mali i Zi, në perëndim nga Deti Adriatik dhe me një vijë vertikale që fillon nga Prizreni. Italia dhe Austria garantojnë se i gjithë bregdeti Adriatik, deri përtej portit të Sarandës, do t'i mbetet Shqipërisë. Austria garanton gjithashtu edhe Pazarin e Ri dhe që serbëve nuk do t'u lejohet dalja ne det e as pushtimi i një pëllëmbe të vetme territori. Me pak fjalë, shqiptarët i kanë varur shpresat në mbështetjen e vyer dhe të dobishme të Austrisë dhe të gjithë botës katolike, e cila nuk e sheh me sy të mirë pushtimin greko-sllav të një toke të zotëruar prej mijëra vjetësh nga raca shqiptare.

GAZETA UNIVERSUL: Ç'mendoni për jetëgjatësinë e Lidhjes Ballkanike?

SYRJA VLORA: Lidhja Ballkanike është krijuar që prej një viti dhe do të zgjasë derisa koalicioni të bëhet zot i të gjithë Turqisë evropiane. Sukseset e tyre besoj se i detyrohen edhe rënies së pritshme të Janinës dhe të Shkodrës... Që ta mbyll, ne shqiptarët e kishim parashikuar këtë katastrofë dhe me kohë i kishim paralajmëruar dhe këshilluar qeveritarët të ishin më të sinqertë dhe më të shpejtë në zbatimin e reformave të vërteta, jo vetëm në letër. Por, fatkeqësisht kemi folur kot. Mëkat që edhe sot, kur gjenden përballë një fakti të kryer, pra kur Turqia evropiane është pushtuar nga aleatët, qeveritarët ngurrojnë të marrin masa për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohet. Ndoshta ka qenë e shkruar që Perandoria Osmane, ashtu si ajo Bizantine, të bjerë nën barrën e mëkateve të bijve të saj.

Me këto fjalë plot hidhërim e mbylli intervistën lideri shqiptar. /Ilir Ikonomi/

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.