VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PROFESOR UKSHIN HOTI DO TË KËRKOHET NË BURGUN E DUBRAVËS

E Mërkurë, 04.15.2015, 06:37pm (GMT1)

   
Veprimtari i çështjes kombëtare, profesor Ukshin Hoti mund të gjendet në ndonjërin prej baseneve të Burgut të Dubravës. Kontrollimi i këtyre baseneve do të fillojë të bëhet në pjesën e dytë të majit kur edhe koha fillon të jetë e favorshme për të kontrolluar atë lokacion.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Peticione dhe Persona të Pagjetur, ku u miratuan rekomandimet lidhur me Peticionin për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.

Gërxhaliu tha se qysh në vitin 2004 kanë bërë një kërkesë tek pala serbe për çështjen e profesor Ukshin Hotit, por zyrtarisht asnjëherë nuk kanë marrë asnjë përgjigje zyrtare lidhur me këtë çështje, derisa informacionet se ai mund të gjendet në basenet e Dubravës janë nga familjarët.

"Në anën tjetër këto janë informacione nga ana e familjes së tij të cilat na janë prezantuar, për këto që ekzistojnë në basenet e Dubravës të cilët me përmirësimin e kohës do të planifikojmë dhe besojmë nga pjesa e dytë e majit të kontrollojmë këto basene, sepse ne duhet të kontrollojmë çdo informatë që e posedojmë", tha Gërxhaliu.

Drejtori i DML-së, tha se nga viti 2002 kur është themeluar zyra për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, e deri tani janë duke punuar me një rregullore të nënshkruar në kohën e UNMIK-ut. Ai tha se për këtë kohë kanë filluar me 6 mijë persona të pagjetur, derisa kanë ardhur në 1655 persona të pagjetur.

Gërxheliu bëri të ditur se nga 1655 persona sa janë të zhdukur, afër 500 janë të komuniteteve pakicë, dhe vetëm serbë janë 400. Ai po ashtu tha se për t'u pajisur me një laborator të ADN-së, kanë hasur në pengesë nga faktori ndërkombëtar me arsyetimin se një i tillë është në Policinë e Kosovës.

Gërxhaliu ka akuzuar edhe politikën sepse çdo parti që ka ardhur në pushtet ka ndërruar komisionin për të pagjetur, ku i vetmi nga vitit 1999 është ai që ka mbetur derisa të tjerët janë larguar.

"Gjatë kësaj kohe nuk kemi pasur ndonjë tretman në këtë aspekt, në stafin profesional nuk është bërë asnjëherë ndonjë investim apo trajnim, por Ministria e Drejtësisë është dashur t'i mbuloj këto vrima me shumë mundime... Sa i përket Komisionit qeveritar, asnjë herë asnjë ekspert mjeko ligjor asnjë njeri nuk është dërguar për ndonjë trajnim apo pjesëmarrje diku. Bile edhe kur është bërë bartja e ICMP-ja në Hagë ku është dashur të merret kodi sepse duhet ta dini që ajo posedon mostrat e ADN-së të familjeve që kanë marr gjakun sepse ne nuk mundemi pa e marr mostrën krahasuesu me ditë kush është", tha Gërxhaliu.

Megjithatë, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë refuzim pa marr parasysh partive që kanë qenë në pushtet, pasi të gjithë kanë qenë pro nga aspekti shpirtëror, sepse secili e ka ndje, por ende janë duke punuar me një memorandum të kohës së UNMIK-ut.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.