VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SHKODRA PËRSIAT ARTIN NË TOTALITARIZËM
Nga ELTJANA SHKRELI

E Mërkurë, 04.22.2015, 04:31pm (GMT1)



Arti pamor i realizmit socialist është shpalosur dje pasdite përpara një publiku të zgjedhur shkodran nga studiuesi i artit, Prof. As. Dr Gëzim Qëndro. Edhe vendi i zgjedhur nga organizata GO2 për mbajtjen e bisedës  Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës - nuk ishte i rastësishëm. Gjatë bisedës së titulluar "Përditësia si qëndresë" u fol pikërisht për mungesën e kësaj përditshmërie, për survejimin sistematik që u bëhej njerëzve, për presionin psikologjik që ushtrohej deri në kompleksim. Mungesa e intimitetit, mosqënia e vetvetes dhe frika ndaj sistemit reflektohej edhe në veprat e artit pamor, - tha Qendro, - qofshin këto tabllo, skulptura apo fotografi. Madje një fakt interesant ishte ideja e hedhur se në arkivat e ish-sigurimit të shtetit mund të gjenden me mijëra negativa që ruajnë momente të gjalla nga jeta e përditshme e njerëzve; kjo e fiksuar në fshehtësi, por që do të jetë një pasuri e çmuar kur të zbardhet.

Interesant ishte rasti i ekspozitës në skulpturë i hapur në fundin e viteve '90, me punime me material jo të kushtueshëm  "˜qeramikë', e cila kishte në përmbajtjen e vet figurat e personazheve që dilnin kundra regjimit, si: bejlerin, pronarin e tokës, predikuesin, antikonformistin e kohës dhe që përpiqeshin t'i stigmatizonin. Në fakt ndodhte e kundërta, pasi plastika e tyre ishte konvertuar në një emocion shumë më dinamik e shprehës sesa ftohtësia që shprehnin veprat e zakonshme të realizimit socialist.

Biseda mbi artin pamor me studiuesin Qëndro ishte e para e një cikli bisedash rreth periudhës totalitare në Shqipëri, të cilat do të mbahen në Vendin e Dëshmisë dhe të Kujtesës, thënë ndryshe, ish-Dega e Punëve të Brendshme në qytetin "reaksionar" ndaj komunizmit, në Shkodër. Ky cikël do të zhvillohet gjatë sezonit të pranverës dhe vjeshtës. Çdo dy javë, organizata jofitmprurëse GO2 ka menduar të ftojë intelektualë shqiptarë dhe të huaj, të cilët do të trajtojnë tema që lidhen me të kaluarën totalitare gjatë gjysëm shekulli në vendin tonë, me qëllim ndërgjegjësimin ndaj asaj periudhe të jetës, e cila duhet dhe mund të konvertohet në vlerë, qoftë si vetëdije për brezat e rinj, e pse jo, edhe si turizëm i errët - një trend modern bashkëkohor.




ELTJANA SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.