VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

T'I KTHEJMË PAK RESPEKT TOKËS QË I DETYROHEMI NË EKZISTENCËN TONË
Nga Dr. ELTJANA SHKRELI, planifikuese urbane

E Shtunë, 04.25.2015, 10:35am (GMT1)


Dita e Tokës nuk është vetëm një simbolikë dhe spektakël para kamerave, por një ditë që duhet të ndërgjegjësojë njerëzit për kujdesin që duhet të kenë ndaj shtëpisë tonë të përbashkët "˜planetit TOKË'. Ky mesazh u përcoll nga qindra nxënës të zonës së Shkodrës, të cilët u mblodhën në Velipojë për të kurorëzuar punën e tyre dyjavore. Të nxitur nga organizata për lëvizje urbane të qëndrueshme GO2 si një bashkëpunim edhe me dy organizata mjedisore lokale "˜Wellpoint' dhe "˜Ylberi', nën mbështetjen e REC Shqipëri në kuadër të projektit Senior A u përzgjodhën  shkollat 9-vjeçare "˜Gjergj Vatë Martini' e shkolla aneks e Baks-Rrjollit në Velipojë dhe "˜Hysen Reshiti' në Zogaj; si pjesë e zonave natyrore të mbrojtura - lumi Buna me ligatinat (Zonë e Mbrojtur) me derdhje në detin Adriatik dhe Liqeni i Shkodrës (Zonë e Mbrojtur, RAMSAR).

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe komunitetit për natyrën dhe mbrojtja e elementëve të saj përbërës, sipas problematikave të ndryshme: uji, biodiversiteti, energjia e rinovueshme, riciklimi i mbetjeve, ndryshimi i klimës, përdorimet e tokës etj.

Metodologjia e organizimit ka qenë mjaft interaktive, pasi nxënësit, mësuesit dhe prindërit kanë qenë të përfshirë gjatë gjithë proçesit e kjo ka qenë një kënaqësi më vete. Në fillim na shikonin me ndrojë dhe mosbesim, ndoshta se ishte hera e parë që do krijohej një laborator kaq intensiv pune bazuar mbi parimin e KREATIVITETIT dhe me të atillë tematikë, ndoshta se a do ia dilnin mbanë kësaj sfide dhe cili do ishte më krijues dhe shpërthyes në fantazi?! Të gjitha këto mëdyshje me ngadalë u shuan, derisa ditën e mërkure, më 22 prill 2015 ekspozita me punime fliste vetë... Megjithëse punojmë çdo ditë me artistë e krijues u magjepsëm përballë atij shpërthimi ngjyrash, idesh e energjish. Pema e jetës e punuar me materiale të riciklueshme nga klasa IIA nën kujdesin e mësuese Benisës na përcillte mesazhin e personalizuar e patetik "˜Do të mbroj çdo ditë toka ime'. Peisazhit brenda oborreve të shkollës iu shtua edhe street art-i i bunkerëve, lyerja e mureve anësore dhe e trungjeve të pemëve me gëlqere, mbjellja e fidanëve të mbjellë nga nxënësit e shkollës së Zogaj nën kujdesin e mësuese Aurorës, maketet me materiale të riciklueshme, pikturat konceptuale aq të gjetura me mesazh e dizain, pikturimet e banerave me mesazhe të  gjetura nga vetë fëmijët etj. Lojërat e ndryshme me top, tullumbace, balonat, "˜gjarpëri dhe shkallët', vallet dhe  aktrimi i nxënësve të klasës VIII-të i ofroi një atmosferë ritmike tërë aktivitetit.

Nxënësit e dy shkollave të Baks-Rrjollit dhe Zogaj vinin miq në Velipojë dhe këtë ditë simbolike ata kishin kohë që e prisnin me padurim,- na rrëfenin mësuesit e tyre. Pjesë e gëzimit dhe emocionit të tyre ishin bërë edhe prindërit, të cilit u kishin ofruar edhe ndihmë. Velipoja, si zonë e mbrojtur e pasur në biodiversitet na ofroi mundësinë të organizonim një vizitë pranë rezervatit, ku Deniku, mësuese Naimja dhe Ariola i shoqëronin për të parë shpendët dhe zogjtë e zonës rreth 30 nxënësve të klasave të VII-ta. Kjo qasje mund mund të bëhet nesër pjesë e turizmit ekologjik në zonë, si një trend turizmi shumë i përfolur kohët e fundit në vend. Nga ana tjetër tek bashkëbisedonim me ta, si vizitorë vendas, rreth 90% e tyre nuk kishin qenë asnjëherë në rezervat dhe ky fakt është mjaft dëshpërues, pasi është e pafalshme që të mos njohësh territorin ku jeton. Natyra mbrohet duke e njohur atë, duke qenë sa më pranë saj, në një bashkëjetesë të ndërsjellë.  

Brenda tyre zbuluam një botë të fshehur plot nota gëzimi. Pranverë gjetëm në natyrë, por pranverën e prekëm nga duart e tyre të vogla -rreth 80 punime arti me materiale të riciklueshme të cilat do mbeten pjesë e materialeve didaktike vetë shkollave. Kjo gjë e bëri edhe aktivitetin të qëndrueshëm, edukativ dhe gjithëpërfshirës. Ia kishim dalë sepse në fund të vegjlit e kishin marrë mesazhin, tashmë jo duke ua cituar ne, por duke na e diktuar ata sipas stilit të tyre plot naivitet e fantazi.

ELTJANA SHKRELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.