VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
KOHË E PAMFJAFTUESHME DO TË ISHIN NJËQIND VJET... Nga RAMIZ LUSHAJ E Djelë, 05.03.2015, 06:45am (GMT1) Selim Aliaj i
Tropojës iu përket me gene dy fiseve: fisit të madh të poetëve të botës dhe
fisit me epose e epope të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës. E gdhend bukur
fjalën poeti e shkrimtari ynë euro-kontinental Besnik Mustafaj tek parathania e
vëllimit poetik "Muzat e dhimbjes" teksa medalion për autorin: "Selim Aliaj
pati pa dyshim një përceptim prej poeti të botës. Dhe jo vetëm në anët e mira
të veprës së vet, por edhe në të metat mbetet diku thellë poet. Ai është i
vetëdijshëm se jeton diku në periferi dhe nuk kërkon të ikë prej saj.
Përkundrazi, vendos ta kthejë periferinë në qendër, një ndërmarrje kjo, që mund
t'i shkojë vetëm një poeti" ("Muzat e dhimbjes", fq. 4-5).
Selim Aliaj
është rrënjas nga fshati Kasaj i Shipshanit, fshat të cilin, sëbashku me
kusherinin e tij, me poetin kombëtar Hamit Aliaj, qyshse në vitet '70 e banë të
njohur në hartat e kohënave dhe si " fshat i poetëve".
Poeti ynë
Selim, "shtegtar i veprave të dritës" (fq. 4) si e quan ai veten në kohë dhe
rrugëton dhjetra kilometra e vjen këtu në metropolin Tiranë me librin e parë
poetik "Për njerëzit e dritës" (viti 1977) e u banë miradije të gjithëve në
zyra e bulevarde të kryeqytetit: Kam ardhur andej nga Alpet / t'ju sjell një
grusht fjalësh veriore /(Po aty. fq. 5).
E fshatit
Kasaj i lisnojnë prapë njerëzit e letrave shqipe si poeti e studiuesi me libra të
botuar Hasan Selimi njeri i veçantë e që po del në pension si gjyqtar i
Shkodrës, apo studiuesit me libra dorëshkrimorë si pedagogu e avokati Ali Aliaj
(vëllai i Selimit) dhe i nderuari e i ndjeri Ramadan Çelaku.
Selim Aliaj
është nga bajraku i Shipshanit, bajrak me prijëtarë historik Din Bajram
Bajraktarin, Bek Din Bajraktarin, Tahir Bek Bajraktarin e të tjerë, po edhe vet
është një bajrak, një ndër bajrakët e poezisë shqipe në Kasaj e Malësinë e
Gjakovës, ndër treva etnike shqiptare në Ballkan. E poeti i thotë vendlindjes së
tij: Biografia jote do të na duhet përherë..."("Për njerëzit e dritës". fq. 27).
Selim Aliaj
është poet i vërtetë me dy libra poetik të pjekur, që nuk i ka djegë kurrnji
furrë e kohënave që i përjetuem bashkarisht me fate e fatalitete.
Ai ka në
arkivin e kullës së tij në Kasaj dhe në faqe të gazetave e revistave të Tiranës
poezi të tij të palueme e të botueme, që sigurisht janë disa vëllime poetike,
krejt si "kulla poetike" të reja të tij e të kohës sonë, që presim prej
truallit të tij të na vijnë në duar e bibliotekat tona dhe brumi e toka e vet
ka me i mbajtë gjatë në udhë e istikame.
E, për ata që nuk e dijnë, Selim Aliaj është
dhe poet i kangëve të Malësisë së Mirë, Tropojës, e për ma tepër, me njanën
prej tyne "Çou moj çikë e del te ara" doli në skenë për herë të parë kangtarja
Fatmira Breçani, Mjeshter e Madhe, çika e dajës tem, Cen Selim Breçanit të
Markajve, një nga vendet ma të mira të botës. Këtë kangë e ka kompozue i
ndritshmi e i ndjeri Bashkim Gjyriqi.
Selim Aliaj ishte dhe dramaturg, pasi ka
shkrue disa drama, qyshse herët e tevona.
Për Selim
Aliajn kisha me folë bukur gjatë, po diçka nga jeta e pena e tij ka me mbetë tana
herët në memorien e kohës: Ishte poet i brezit të viteve '70 të Tropojës
poetike, sëbashku me Ndoc Paplekën, Mehmet Elezin, Hamit Aliaj, Skënder
Buçpapaj, Avni R. Mulaj, Besnik Mustafaj, Halil Buçpapaj e të tjerë. Selim
Aliaj ishte mik i mirë dhe me brezat e rinj të poetëve e krijuesve të tjerë të
Tropojës: kompozitorët Kolë Susaj e Bashkim Gjyriqin, poetët Jaho Margjeka,
Mujë Buçpapaj, Marash Mëhilli e të tjerë.
Rreth këtij
fakti deshta me thanë diçka:
Tropoja i
ka rritë poetët e vet.
Po mbi të
gjitha, si rrallkund e rrallherë: poetët e Tropojës e kanë rritë njani-tjetrin
në breznitë e veta poetike.
Tropojës ia
kanë marrë deri në tepri pasuritë e saj nën e mbitokësore po kurrnjiherë nuk
kanë mujt' me ia marrë poetët e saj.
Triania e
Selim Aliajt është kjo: simbolika Drita. Ndërtues i veprave të dritës në Vaun e
Dejës e në Fierzë. Mësues i dritës në disa vise të Tropojës. Autor i vëllimit
poetik "Për njerëzit e dritës". Pra, në jetën e tij prej poeti, prej malësori,
prej misionari, i pati të tria me Dritë: Shpirtin, Udhën, Fjalën Poetike.
E, në përmbyllje:
Selim Aliaj kishte dy dashuri të tij të mëdha, binjake siameze, që lartësojnë njana-tjetrën,
dy dashuri të përjetshme dhe pas vdekjes: Poezia e Vendlindja.
E, sot,
sikurse dhe herë të tjera, ne, shokë e miq të tij të jetës e letrave po flasim
në këtë sallë për dashurinë e tij të madhe: Poezinë.
E, sot, si astenjëherë tjetër, kanë ardhë dhe
përfaqësuesit e pushtetit lokal të Tropojës, nga vendlindja e Selim Aliajt dhe e imja; kanë ardhë nga dashuria e madhe e
trollit të Selim Aliajt; kanë ardhë me e nderue sot Selim Aliajn e tyre, Selim
Aliajn tonë, poet i kohës e i botës.
Përndryshe,
në ditë të sodit: dhania e titullit "Qytetar Nderi" nga komuna e vendlindjes së
tij, Tropojës, poetit Selim Aliaj më ngjan si një dasëm legjendë në Tiranë, ku
krushk të parë jo vetëm simbolik, kena poetin e njohur Besnik Mustafaj, shokun
e rinisë të Selim Aliajt dhe redaktorin e librit të dytë poetik të tij "Muzat e
dhimbjes" (Botime Ora. Tiranë, 2001), moderatorin e kësaj veprimtarie. Krushk'
të parë kena dhe drejtuesit e ardhun nga komuna e Tropojës: Ram Kortoçi, Xhavit
Çela...
A e ndiet' dhe sot kangën: "Çou moj çikë e del
te ara". Për atë Zot nuk e di se kur e ka pasë kohën me ardhë ajo çika e kangës
së tij, për me e marrë nusen e tij, po veç po due me thanë: Selim Aliaj në koft
se i iku kësaj dasme të tij, ai kurrë nuk iku nga vendlindja e vet fshati
Kasaj e komuna Tropojë, e rrethi Tropojë. Kurrë nuk i iku Poezisë. As me
lindjen e tij, as me vdekjen e tij. E, prandaj kjo ditë po më përnget brenda
legjendës, mbi realitetin, përtej vizioneve si "Dasma e Selim Alisë".
E tashti
boll fola me fjalët e mia e tuajat për Selim Aliajn: shokun tim, poetin tonë,
Qytetarin e Nderit të Tropojës. Prandaj po e mbylli me vargjet e poezisë të
Selim Aliajt, shkrue 40 vite ma herët, botue tek "Për njerëzit e dritës" (fq.
10), me titull: "Shokëve të mi":
Ju më mbollët
poezinë në shpirt
që gjithnjë
të më rrjedhë si krua,
i shoh të
zgjaten vargjet e mia
sikur ditët
në duart tuaja...
Çdo ditë ju
shtoni një heroizëm të ri...
pranverës
sonë i shtoni jetë.
Që të
shkruaj për ju
Kohë e
pamjaftueshme do të ishin njëqind vjet.
E, tashti,
po shtoj dhe diçka, që desha të ishte kryefjalë nderimi për Këshillin e Komunës
të Tropojës, për kryetarin e tij Adem Beli e sekretarin Idriz Bugushi dhe
veçmas për nismëtarin bajemirë e faktkryem Xhavit Çela, që i dhanë me
unanimitet babës tim, Ali Mus Lushaj, veteran i luftës e i punës, autor i
monografisë "Shipshani i Malësisë së Gjakovës", etj. titullin "Qytetar Nderi" i
komunës Tropojë. Mirë u takofshim bashkarisht në një eveniment nderimi për babën
tem, në një veprimtari të tillë, si kjo e sodit. që do ta organizojmë me
vllazninë e madhe Lushaj e fisin e Shipshanit, me komunen Tropojë, me Malësinë
e Gjakovës.
Tiranë, 2 maj 2015 RAMIZ LUSHAJ
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |