VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KADRI VESELI - ENDE NUK DIHET KUR DO TA MIRATOJMË GJYKATËN SPECIALE

E Martë, 05.05.2015, 10:15am (GMT1)


Kuvendi i Kosovës nuk është ende i gatshëm ta miratojë formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se amendamentet, që do ta ndryshojnë Kushtetutën e Kosovës mund të miratohen nga Kuvendi, institucioni më i lartë në vend, së paku edhe këtë javë nuk do t'i shqyrtojë dhe miratojë ato në seancë.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se amendamentet kushtetuese do të vijnë në seancë parlamentare sapo të kalojnë të gjitha procedurat e nevojshme.

"Ne si Kuvend kemi marrë përgjigje pozitive nga Gjykata Kushtetuese. Tashmë e kemi proceduar në bazë të rregullores edhe te komisioni parlamentar. Presim një shqyrtim nga ai dhe më pas do të procedojmë. Ajo që është kryesore, e theksoj, është ruajtja e konsensusit nacional rreth kësaj çështjeje dhe, në të njëjtën kohë, ruhet edhe partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare", tha Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit.

Kryeparlamentari kosovar tha se, Kuvendi nuk ka presion nga ndërkombëtarët për t'u ngutur në ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Speciale. Veseli ka njoftuar gjithashtu se, në Kryesinë e Kuvendit kanë vendosur që këtë javë të ketë seancë, e cila do të zgjasë më shumë se një ditë për shkak të numrit të madh të pikave në rendin e ditës.

"Janë 31 pika të rendit të ditës. Seanca plenare do të mbahet, pikërisht për këtë arsye, të mërkurën nga ora 10. Pastaj në bazë të nevojave do ta vazhdojmë edhe të enjten, edhe të shtunën. Janë 14 projektligje. Është lajm i mirë, për arsye se kemi filluar të përqendrohemi te ligjet. Në të njëjtën kohë, janë edhe disa raporte, afërsisht 10. Do ta bëjmë përzgjedhjen e Bordit për Minierat dhe Mineralet", tha kryeparlamentari Veseli.

Gjatë seancës parlamentare do të shqyrtohet edhe peticioni i qytetarëve kundër ngritjes së çmimit të energjisë elektrike.

 

/ Top Channel
WWW.VOAL-ONLINE.CH


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.