VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SULEJMAN REXHEPI DËNON INCIDENTET NË BASHKËSINË ISLAME TË MAQEDONISË
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dënoi incidentet e së hënës në këtë
bashkësi

E Martë, 05.05.2015, 06:10pm (GMT1)



Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, dënoi incidentet e së hënës në këtë bashkësi. Pas një mbledhjeje urgjente me Këshillin e Myftive dhe zyrtarëve më të lartë të Bashkësisë Fetare Islame që njihet si Rijaset, zoti Rexhepi tha se shpreson që "puçistët të përgjigjen para drejtësisë".

Ai tha se janë katër persona të korruptuar në mesin e "uzurpuesve të Bashkësisë Islame", pa i bërë përmendur emrat e të gjithëve, ndërsa hodhi dyshimet se ata janë të nxitur nga struktura shtetërore maqedonase me qëllim të përçarjes së komunitetit mysliman.

Zoti Rexhepi reagoi edhe ndaj mosndërhyrjes së policisë maqedonase kundër personave që hynë me dhunë në ndërtesën e Bashkësisë Islame, ndërsa u bëri thirrje besimtarëve që të mos bien pre e provokimeve.

Të hënën, ish-myftiu i Shkupit Ibrahim Shabani, ish-sekretari i Bashkësisë Fetare Islame, Afrim Tahiri, të shoqëruar nga dhjetëra persona, ishin futur me dhunë brenda institucionit dhe kishin marrë vulën, ndërkohë që shpallën kontrollin mbi këtë bashkësi.

Incidenti është rezultat i një përplasjeje të pak ditëve më parë midis kryetarit të Bashkësisë Islame Sulejman Rexhepi dhe myftiut të Shkupit Ibrahim Shabani, pas shkarkimit nga detyra të këtij të fundit. za
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.