VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

18 VJETORI I RËNIES HEROIKE TË LUAN HARADINAJT

E Mërkurë, 05.06.2015, 09:05am (GMT1)



Sot bëhen 18 vjet nga rënia e heroit të kombit Luan Haradinaj, i cili kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro - shqiptar.

Beteja disa orëshe me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramushin dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.

Kishin arritur sipër fshatit Larë, fshat ky që ndodhej afër Kushninit të Hasit, në vendin e quajtur "Qafa e Mullarit", kur grupi bien në një pritë që kishte zënë ushtria jugosllave, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

Në këtë pritë vritet Luan Haradinaj, plagoset Rafet Rama, e po ashtu edhe Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.

Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në Varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan, ku prehet i qetë, së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes.

Luan Haradinaj lindi më 17 nëntor 1973 në fshatin Gllogjan të Deçanit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin "Vëllezërit Frashëri" në Deçan.

Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryejë duke ju bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.