Në fillim të prillit 1999, ndërsa sulmi i NATO-s mbi
ish-Jugosllavi i pati mbushur dy javët e para, u përhapën fjalë se
Ibrahim Rugova ishte vrarë në selinë e tij në Prishtinë.
Në një rast u tha se vetëm ishte plagosur.
Gjithkund vëzhguesit e huaj politikë shfaqnin merakun se në rrethanat
e bombardimeve masive dhe të hyrjes në Kosovë jo vetëm të ushtrisë
jugosllave apo të policisë speciale, por sidomos depërtimi deri aty i
grupeve paraushtarake serbe, veprimet e të cilave gjithkush në Beograd
bënte be se nuk kishte fuqi t'i vinte nën kontroll, e kishte shtuar
mjaft rrezikun për jetën e tij.
Këtë ndjesi pasigurie e pati shumuar edhe vetë Rugova, duke i
deklaruar në Prishtinë një medie të huaj se ai po rrinte në shtëpinë e
vet si miu me macen.
Ndërkaq, ishte përhapur nëpër kontinent një deklaratë e shkurtër e
nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naim Jerliu, sipas të
cilit, "Ibrahim Rugova nuk është në gjendje tani për tani të kryejë
detyrën e kryetarit". Për ta bërë më të qartë idenë e vet, ai pati
shtuar se "Rugova nuk është i lirë".
Në ambasadën shqiptare në Romë, këtë kohë me një personel diplomatik
dhe konsullor që nuk i kalonte të tetë vetët, ndjekja e këtyre
zhvillimeve kishte përparësi absolute. Lufta e Kosovës kishte përfshirë
në një devocion e patos të madh, në një gëzim dhe frymë solidariteti
tërë shqiptarët ku ndodheshin.
Me një ritëm që nuk e kishte provuar kurrë më parë punonte edhe
shteti i Shqipërisë, pjesë modeste e të cilit ishte edhe përfaqësia
diplomatike e tij në Romë, e drejtuar prej Leontiev Çuçit.
Në ambasadë dihej fare hollësisht se komuniteti i Sant Egidios,
bashkësi pranë Vatikanit, ndërmjetëse e njohur kohë më parë mes
Presidentit kosovar dhe Sllobodan Millosheviçit për një marrëveshje
shkollimi të lirë të shqiptarëve, pati ndërhyrë sërish mes të dyve.
Përfaqësues të saj kishin shkuar posaçërisht në Beograd dhe i patën
propozuar Presidentit të Jugosllavisë së mbetur që ta ndihmonte Ibrahim
Rugovën të dilte nga vendi.
Sipas tyre, ai duhej të strehohej në një kryeqytet të Perëndimit.
Millosheviçi pati pranuar.
Një jetëhumbje e Rugovës, e provokuar marrëzisht prej ultraradikalëve
paraushtarakë dhe qëllimisht nga ndonjë agjenturë e huaj jodashamirëse,
atij do t'i kushtonte shumë. Do t'i jepte shkas Aleancës Atlantike dhe
Shteteve të Bashkuara të Amerikës të justifikonin para opinionit publik
botëror një intensifikim edhe më të madh të bombardimeve, në mos edhe
fillimin e një ndërhyrjeje ushtarake nga toka.
Ndërkaq ai ishte i bindur se Ibrahim Rugova, i nxjerrë jashtë
Jugosllavisë, ishte shumë më i vyer për të: mund të përdorej për
diversion. Të paktën në dy drejtime kryesore.
I pari ishte për të përçarë Perëndimin.
Ky në çështjen e zgjedhjes së rrugës së luftës kundër Millosheviçit
nuk kishte qenë aq fort unik dhe shtetet, partitë politike,
institucionet apo grupet dhe individët e ndryshëm që kërkonin me forcë
ndërprerjen e sulmit të NATO-s, përditë e më shumë shtoheshin. Një
Rugovë i njohur për pacifizmin e tij do të shkaktonte rritjen e kësaj
fryme.
I dyti diversion kishte të bënte me UÇK-në. Alternativa e saj e
luftës, të paktën jashtë vendit, do të vihej në vështirësi. Imazhi i saj
po ashtu, do të ngarkohej me fajin se ishte në mos një bandë terroriste
apo ekstremiste marksiste-leniniste, patjetër një grup islamik.
Ndërkohë Sllobodani shihte mirë edhe një të çarë tjetër, ku mund të
mësynte me Ibrahim Rugovën të lënë të lirë të vepronte në Perëndim sipas
doktrinës së tij pacifiste.
Dinaku i Beogradit shenjë të goditjes diversioniste kishte edhe Italinë.
Këtu, Kryeministri Masimo D'Alema i ish-komunistëve, këmbëngulës për
rrugën e luftës me armë ndaj Millosheviçit, gjithsesi në këtë
përzgjedhje mezi e mbante në fill të perit qeverinë e vet. Në parti
kishte mjaft kundërshtarë, përditshëm në presion ndaj tij për
ndërprerjen e menjëhershme të bombardimeve.
Ja pse një Rugova në Romë mund të nxiste tërthorazi provokimin e një
krize qeveritare. Pastaj "tullat" do të binin njëra pas tjetrës. Italia
ishte baza kryesore, më e madhe dhe më e afërta e NATO-s, prej ku
niseshin më e shumta avionët luftarakë drejt Jugosllavisë së mbetur.
Loja me një pacifist në rastin e Presidentit kosovar, që kur kishin
nisur bombardimet, do të ishte hera e dytë e manovrimit të tij për të
përçarë aleancën perëndimore euroamerikane. Eksperimentin e parë me
rolin shkurajues të tejpaqësorëve Sllobodan Millosheviçi sapo e pati
përfunduar në mbyllje të ditës së 1 majit.
Në Beograd ai ishte takuar me referendin amerikan, ultrapacifistin e
shumënjohur në botë, Xhesi Xheksën. Si shpërblim për imazhin pozitiv që
me praninë e tij po i jepte, Presidenti jugoserb e pati njoftuar për
vendimin e lirimit të tre ushtarëve amerikanë të zënë rob nga serbët
plot një muaj më parë.
Xheksëni pati deklaruar para medias, se "ky veprim i Presidentit
jugosllav ishte një hap pozitiv që duhej vlerësuar nga NATO". Ai uronte
që ajo t'i kthente reciprokisht, në shenjë hapjeje, edhe dy ushtarët
serbë të kapur rob.
Millosheviçi i pati dhënë referendit Xhesi Xheksën edhe një letër
personale të tij për Presidentin Bill Klinton. Këtë letër Xheksën e mori
me vete.
Referendi amerikan ishte pa mbërritur ende në Shtetet e Bashkuara,
kur u njoftua se Departamenti Amerikan i Shtetit i bënte të ditur
opinionit publik se lirimi i tre ushtarëve amerikanë ishte një gëzim për
familjet e tyre. Ndërkohë, shtonte se autoriteteve jugosllave të mos u
shkonte ndërmend se ata do të përdoreshin si plaçkë tregu.
Bombardimet do të vazhdonin intensivisht, 24 orë për 24 orë.
Vepron VOS (Vojna Oobavestajna Slluzhba)
Sulmet e pandërprera ajrore të NATO-s në 2 maj patën shkaktuar
ndërprerjen e energjisë elektrike pothuajse në të gjithë Serbinë. Dritat
në qendër të Beogradit u rindezën vetëm në mëngjesin e të nesërmes.
Pastaj, pak nga pak, korrenti furnizoi disa prej qyteteve të tjera të
Jugosllavisë.
Ndërkaq përtej, në gadishullin Apenin, opinioni publik italian ishte i ndarë në dy pjesë: pro dhe kundër luftës.
Në këto çaste, kur shumë njerëz të lëkundur dhe të gatshëm të
mendonin shumë keq për UÇK-në, u përhap lajmi se dy shqiptarë nga
Kosova, rezidentët në Itali, Agim G. dhe Ismet D., të arrestuar nga
policia vendase, kishin pranuar në hetuesi fajin e tyre.
Fjalët e tyre pohuese qenë fare të qarta: "Po, kemi shpërndarë heroinë, por për çështjen e lirisë së Kosovës".
Kjo shkaktoi zhgënjim të madh edhe tek ata italianë që ishin për
rrëzimin e regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Madje përshtypja e keqe e
pohimit se liria e një populli shkëmbehej me drogë shkoi dëshpërues
deri te një militant i njohur i Partisë Radikale (Luço Berté), i cili
kishte tri javë në një grevë urie, me kërkesë që Millosheviçi jo vetëm
të hiqej nga pushteti, por edhe të çohej para Gjykatës së Hagës me
akuzën për gjenocid ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Sikur të mos mjaftonte kjo, pas dy avionëve amerikanë të goditur dhe
të rrëzuar nga mbrojtja kundërajrore serbe, në mesditën e 2 majit pati
rënë në Adriatik një bombardues tjetër, por në këtë rast për shkak të
një defekti teknik.
Ishte e nesërmja, 3 maji, e hënë, kur ajo çfarë domosdoshmëria e
aksionit të NATO-s kundër Sllobodan Millosheviçit humbi njëzet e katër
orë më parë, e rifitoi këtë ditë.
Përballë publikut italian ishte shfaqur Ismail Kadare.
Ai i pati dhënë një intervistë gazetës "La Repubblica". Ajo menjëherë
e kishte vënë në faqen e parë. Titulli ishte "Sindroma e vjetër që
trondit Ballkanin".
Në të Kadareja thoshte se krimet e mëdha duan shumë kohë për t'u
përgatitur. Shtypja e popullit shqiptar, ngulte këmbë ai, ishte një
ëndërr e vjetër e Serbisë.
"Me të janë marrë, shkruante, klasa të tëra politike, akademikë,
shkrimtarë, gazetarë e peshkopë. Deri sa ka edhe një akademik me emrin
Vaso Çubrilloviç që në 1937 shkroi traktatin e tij kriminal". Më pas
Ismail Kadare përmendte nobelistin Ivo Andriç, i cili pati firmosur
"Draft of Albania", në të cilin shkruhej se "ndarja (zhdukja) e
Shqipërisë nga harta e Ballkanit është një e keqe e nevojshme".
Gjithë italianëve që këmbëngulnin për tërheqjen e menjëhershme të
qeverisë dhe të vendit të tyre nga zgjidhja e krizës së Kosovës
nëpërmjet ndërhyrjes së armatosur, Kadare u kujtonte se dhuna ndaj
shqiptarëve qe përgatitur me një heshtje kriminale, se me këtë heshtje
serbët ishin përpjekur që çështjen e Kosovës ta bënin të pandjeshme për
ndërgjegjen europiane, madje ta vinin në gjumë që të mos zgjohej kurrë.
"Tani në Kosovë triumfojnë kriminelët", shkruante Ismail Kadare.
"Bota njeh vetëm majën e ajsbergut, vazhdonte ai, shumë shpejt do të
mësohet e vërteta. Që nuk do të vonojë të arrijë dhe atëherë do të kenë
shumë njerëz që nuk mund të flenë qetësisht".
Në rreshtat e fundit të intervistës ai denonconte deportimin masiv të
fëmijëve nga Kosova, "gjë që, theksonte, duket hapur në ekranet
televizive". Ishin 250 mijë që dhunoheshin, ngulmonte ai, "dhe akoma në
disa qoshe të botës diskutojnë se fjala gjenocid është ende e
shpejtuar".
Por dita e 3 majit do të kishte edhe një lajm-bombë. Pacifistët e
shumtë italianë, ata që manifestonin nëpër rrugë për ndalimin e
bombardimeve të NATO-s, do të kishin një rrethanë shkurajuese. "Corriere
della Sera", më e madhja e vendit, do të publikonte një artikull të
titulluar dukshëm me fjalët "Kundërzbuluesit italianë në gjurmim të
terroristëve serbë në Veri".
Me të gazeta njoftonte opinionin publik se agjentët italianë qenë
mobilizuar në zbulimin e një grupi sabotatorësh serbë, të cilët kishin
marrë urdhër të vepronin në veri të vendit. Sipas së përditshmes
sabotuesit qenë dërguar nga Vos (Vojnaobavesajna Slluzhba) që në
Jugosllavi merrej me operacionet jashtë vendit.
Shkrimi ngulte këmbë se diversionistët serbë kishin marrë detyrë ta
dënonin me aksione destabilizuese një vend si Italia për mbështetjen që
po i jepte UÇK-së. "Corriere della Sera", nëpërmjet burimeve informative
që zotëronte, ishte e bindur se kundërzbuluesit italianë, të vënë në
alarm prej veprimtarisë së VOS në vendin e tyre, patën nisur që në ditët
e para të bombardimeve të kontrollonin imtësisht refugjatët që hynin.
Sipas gazetës, spiunazhi serb ishte përqendruar sidomos në
kontrollimin e aktivitetit të një diplomati europianoverior në Romë,
identiteti i të cilit nuk zbulohej. Ky ishte personi kyç që organizonte
pa rënë shumë në sy të gjithë furnizimin me armatim për UÇK-në, sasi e
cila qe përherë në rritje.
"Corriere della Sera" qe e mendimit se agjentët italianë mobilizimin e
tyre të posaçëm ndaj VOS e kishin edhe prej një rrethane tjetër: disa
ditë më parë në Athinë ishte kryer një atentat, i cili ishte firmosur me
autorësinë "Celula revolucionare", çfarë vlerësohej prej tyre si
terminologji e frymëzuar sipas propagandës serbe.
Dita e 3 majit 1999, e cila ishte e hënë, në Itali qe me të vërtetë
mjaft e ndërlikuar. Në Portin e Ankonës, policia vendase kishte
arrestuar një prift të Caritas, organizatë e njohur katolike e krishterë
e profilizuar për ndihmë humanitare. Motivi i prangimit të tij ishte
befasues. Ai mbahej përgjegjës se nuk merrej me misionin e vërtetë të
shoqatës ku bënte pjesë, por krejt të kundërtën: furnizonte me armë
Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Si të organizuara prej tij, nën shënimin "Ndihmë për refugjatët", qe
një sasi e madhe armatimi e diktuar në portin e Ankonës mbi tre kamionë
TIR, pikërisht në çastin ku këta po bëheshin gati të hynin në traget.
Bëhej fjalë për 30 tonelata bomba dhe raketa.
Saktësisht qenë 2.662 bomba për granatëhedhës, të gjitha prodhim
ish-sovjetik dhe dikur jugosllav. Si edhe 352 granata të tjera. Këto të
fundit ishin prodhim i standardeve të NATO-s. Në ngarkesën e kapur nuk
mungonin edhe 18 antitanke, 8 raketa antiajrore, 30 raketahedhës si dhe
municion tjetër më pak i rëndësishëm.
Sipas policisë italiane të tre kamionët qenë nisur nga Gjermania, më
pas ishin ngarkuar në Sarajevë. Pasi patën bërë rrugëtim toke dhe hyrë
në Italinë e Veriut. Prej Portit të Ankonës do të zbarkonin në Shqipëri.
Armatimin po e prisnin persona të caktuar në një kamp refugjatësh në
Shkodër.
Ndërkohë pikërisht në Ankona, Partia Radikale organizoi në mbrëmje
një demonstratë. Bashkë me italianët qenë edhe shqiptarë kosovarë me
banim në Itali, por edhe të tjerë të ardhur nga Europa Perëndimore. Ata
hodhën pa pushim parulla për UÇK-në dhe kërkuan dënimin për krime të
Sllobodan Millosheviçit.
Në mbrëmjen e 3 majit, kanali i parë i televizionit publik italian,
Raiuno, në edicionin kryesor të lajmeve, në orën 20.00, bëri edhe një
surprizë: Ai transmetoi për herë të parë nga Tirana një telereportazh
ekskluziv të TV Klan-it. Në të tregohej se si një grup xhirimi shqiptar
kishte depërtuar brenda Kosovës dhe qe takuar me një grup luftëtarësh të
UÇK-së. Këta deklaronin se patën vrarë tre ushtarë serbë.
Raiuno tha se UÇK, pasi kohë më parë pati kapur rob një ushtar serb,
atë ditë kishte zënë edhe një tjetër. Që të dy u qenë dorëzuar
amerikanëve. Sipas këtij televizioni robërit i kapte ose UÇK ose më
shumë gjasë trupa speciale britanike që hynin brenda territorit të
Kosovës.
Një e martë plot ankth
Ishte 4 maji 1999, ditë e martë, ajo që mbante ngjarjen më të
papritur dhe më të bujshme: mbartjen sekrete të Ibrahim Rugovës nga
Prishtina në Beograd dhe pastaj në Romë
Sllobodan Millosheviçi, pas dështimit me referendin Xhesi Xheksën i
nisi Perëndimit "dhuratën" tjetër. Me shpresë që këtë herë t'i ecte dhe
flota e madhe ajrore e Aleancës Atlantike t'i ndalte reaktorët e
avionëve.
Në Itali, superngjarja u ndje fillimisht vetëm tek një person: ministri i Jashtëm italian, Lamberto Dini.
Personi i dytë që u vu menjëherë në korrent qe kryeministri Masimo D'Alema.
Gjithçka e dukshme e kësaj befasie kishte nisur në pasditen e 4
majit, kur Millosheviçi telefonoi Dinin dhe u ofroi qeverisë italiane që
në Romë të vinte Rugova. Presidenti jugosllav kishte shqiptuar
saktësisht fjalët "Zoti Rugova është një njeri i lirë, ka kërkuar të
vijë në Romë dhe ju prej kohësh keni kërkuar t'i garantoni lirinë. Në
rast se e pranoni në Itali ejani ta merrni".
Lamberto Dini i kërkoi Sllobodan Millosheviçit një kohë të
mjaftueshme për t'i dhënë përgjigje. Pastaj njoftoi kryeministrin
D'Alema. Por edhe ky, nga ana e vet, kërkonte kohë. Nuk e kishte në besë
njeriun e Beogradit, çfarë qe edhe opinioni i ministrit të tij të
Jashtëm Dini.
Kështu të dy u mblodhën, bashkë me disa këshilltarë të ngushtë, në
një mbledhje urgjente. Në fund të saj vendosën ta "shohin" lojën e
Millosheviçit.
Pra, Rugovën do ta pranonin.
Koordinimin e të gjitha veprimeve për këtë operacion që nuk ishte
thjesht një lëvizje fizike personi shumë të njohur publik, por edhe
gjeopolitikë delikate (prej vetëm një gabimi të vogël komprometohej një
bashkësi e madhe shtetesh të Perëndimit) do ta bënte Masimo D'Alema.
Ky vuri kusht që ardhja e Ibrahim Rugovës të kryhej me shpejtësi: brenda 24 orëve.
Pastaj për çfarë do të ndodhte Kryeministri italian njoftoi
sekretaren amerikane të Shtetit, Mejdlin Ollbrajt, Sekretarin e
Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, dhe kancelarin gjerman Gerhard
Shrëder.
Për realizimin teknik të udhëtimit të fshehtë të Ibrahim Rugovës nga
Beogradi në Romë u ngarkua nënsekretari kryeministror Marko Miniti si
dhe Xhanfranko Batelli, shefi i SISM-it, Shërbimit Sekret Ushtarak
Italian.
Pas kësaj iu kthye përgjigje Sllobodan Millosheviçit: Ok, e presim.
Zbuluesi amerikan telefonon në mesnatë
Rugova bashkë me familjen e tij dhe i shoqëruar nga policia serbe, në
një operacion që e udhëhiqte një nënkryeministër jugosllav, mbërriti në
Beograd në pasditen e vonë të 4 majit 1999.
U dërgua menjëherë në një rezidencë sekrete.
Këtë çast për të gjithë ata që kishin pasur për detyrë speciale të
ndiqnin fatin e Presidentit të Kosovës, fillon një mbajtje fryme.
Millosheviçi po kujdesej posaçërisht që fshehtësia e veprimeve rreth
çfarë po ndodhte me Rugovën, të shkaktonte kaos dhe tension tek
informatorët dhe zbuluesit e Perëndimit. Kjo psikozë do të përcillej
edhe te politikanët, patjetër. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të
cilin vend qe tashmë në armiqësim të plotë, po ashtu.
Ishte një lloj hakmarrje e tij dëshpëruese, në pamundësi ta fitonte betejën në frontet e tjera.
Qe pjesë, ndoshta, e kësaj manovre, përhapja e vetëtimtë në Romë, në
qytetin ku politikani shqiptar VIP, pra i një rëndësie dhe vlere tepër
të veçantë, do të zbarkonte të nesërmen, e një lajmi konfuz, me as këmbë
dhe as kokë, pa asnjë burim të sigurt, që nuk kishte me vete asnjë
provë.
Në Ambasadën Shqiptare, pasi kishte qarkulluar furtunshëm nëpër zyra
shtetërore italiane dhe përfaqësi të huaja diplomatike (por çuditërisht
jo aq shumë nëpër redaksitë e gazetave) hyri në mbrëmjen e vonë të 4
majit fjalënaja se Ibrahim Rugova ishte parë të largohej nga Prishtina
për në drejtim të Beogradit dhe se këtu kishte humbur krejtësisht
gjurmët.
Mund edhe të qe vrarë.
Në orën njëmbëdhjetë të natës në celularin e konsullit Drini Bello, i
cili realisht ishte punonjës i shërbimit të fshehtë civil shqiptar, ra
një zile ngulmuese. Qe partneri i tij në Ambasadën e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës në Romë, me të cilin kishte kohë që bashkëpunonte,
madje prej kolegëve në përfaqësinë shqiptare jo vetëm ai.
Amerikani pyetjen e parë në atë orë të vonë ia bëri të
drejtpërdrejtë: "Ku je?" Bello iu përgjigj: "Në shtëpi". "Të lutem, foli
shkurt tjetri, a vjen dot deri tek ambasada jonë?" "Po vij".
Nga Viale Eritrea, ku diplomatët shqiptarë në Romë kanë apartamentet e
tyre, deri në Via Veneto, në qendër të qytetit, atë natë kur po mbyllej
4 maji 1999, Drini Bello e bëri me makinën e tij personale në më pak se
një gjysmë ore. Gjithë rrugën mendoi se për çfarë informacioni zbuluesi
amerikan interesohej me aq ngut. Kishte merak se mos ajo çfarë i duhej
atij nuk qe në dijeni të tij. Nuk pati ndodhur vetëm një herë kur
gjendej pa asnjë informacion korrent. Ngjarjet rreth zhvillimeve në
Kosovë dhe në Shqipëri ecnin marramendshëm. Me shpejtësinë e tyre të
nxirrnin jashtë loje.
Pastaj vagëllimthi çoi nëpër mend një mbresë të bukur që e kishte
pasur atë ditë që në mëngjes. Ismail Kadare njëherësh në të përditshmen
franceze "Le Monde" dhe italianen "La Stampa" pati botuar një shkrim
shumë të fortë në favor të qëndrimit të ashpër ndaj regjimit të
Millosheviçit. Në të ai tërhiqte vëmendjen e Europës se e keqja e
krijuar në Serbi nuk është vetëm për shqiptarët, por për të gjithë
Perëndimin. Kadare në shkrimin e tij për tërë francezët dhe italianët,
sillte në kujtesë të tyre një hollësi kuptimplotë: me masakrimet që
serbët u bënin trupave njerëzorë të shqiptarëve provonin jo vetëm për
egërsinë dhe primitivizmin e tyre, por edhe për faktin se kështu ata
provonin që në gadishull qenë ardhës. Në traditë popujt e Ballkanit,
theksonte ai, e kanë të ndaluar sakatimin e trupit.
Ismail Kadare me batarenë e artikujve dhe intervistave të tij ato
ditë qe bërë po kaq mbrojtës i Kosovës sa edhe vetë flota ajrore e
NATO-s.
Vetëm kur iu afrua kompleksit të shumë godinave të Ambasadës së SHBA
në Via Veneto, Drini Bello, në përpjekjen e tij për të gjetur arsyen
përse zbuluesi amerikan e kërkonte në mesnatë, shkoi ndër mend vizitën
ato çaste të Bill Klintonit në Gjermani. Duke mos ua dhënë gjermanëve
Ibrahim Rugovën, çfarë thuhej se qe një nga alternativat e dëshiruara të
udhëheqësit kosovar, Sllobodan Millosheviçi, me ofertën për Italinë, i
kishte bërë një sfidë Presidentit të SHBA.
Sapo u takuan, amerikani i tha shkoqur: "Shërbimi ynë është shumë i
shqetësuar dhe duam patjetër informacion mbi gjendjen e Ibrahim Rugovës,
pra është gjallë apo i ka ndodhur gjë jetës së tij".
Bello u gjend i befasuar. Me një rrjet të gjerë dhe të përsosur për
grumbullim informacioni, përfshi edhe ambasadën e tyre në Tiranë, përse
ia kërkonin atij në Romë një të dhënë që mund ta merrnin prej kolegëve
të tyre në kryeqytetin shqiptar? Ndoshta shefat e lartë të shërbimit të
fshehtë amerikan të njëjtën kërkesë paralelisht ua kishin bërë të gjithë
vartësve të tyre.
Kolegu rrinte në këmbë para tij dhe, duke e parë ngulshëm, priste
përgjigje. Besonte se kolegu shqiptar duhej ta dinte të vërtetën. Kishin
tërë Kosovën që e informonte shtetin e tyre.
Atëherë Drini Bello, i cili nuk dinte asgjë, por kishte besim se e
vërteta duhej të qe ashtu siç mendonte ai, i tha amerikanit prerë:
"Rrini të qetë se Rugova është gjallë".
Tjetri e falënderoi dhe hyri në ambasadë.
Tashmë kishte kaluar mesnata. Bello e ngau me shpejtësi makinën drejt
ambasadës së tij, në Via Asmara. E zgjoi shifrantin, i cili jetonte në
ndërtesë bashkë me familjen dhe ky fillimisht i përgjumshëm, nuk po e
pikaste çfarë i kërkohej me kaq shumë nxitim në atë orë tepër të vonë.
Megjithatë pas një çerek ore, pasi u kodua, radiogrami u nis drejt
shërbimit të fshehtë civil në Tiranë.
Në thelb në të thuhej çfarë kërkonin amerikanët e misionit partner.
Përgjigjja nuk vonoi më shumë orë. Mbërriti dhe thoshte pak a shumë "Ke
vepruar drejt. Ibrahim Rugova është vërtet gjallë. Mund ta konsumosh
këtë fakt me kë të duash. Megjithatë ne nuk e dimë se për ku është
drejtuar. Kjo e dhënë do të na interesonte".
Fluturimi i avionit special "Falcon"
Në Beograd, Ibrahim Rugovën bashkë me familjen dhe këshilltarin
personal e nxorëm nga rezidenca sekrete në mëngjesin vonë të 5 majit.
Prej atje, nën masa të mëdha sigurie, ai shkoi në selinë e përfaqësisë
diplomatike italiane. Aty e priti ambasadori Rikardo Sesa. Ky e qerasi
dhe të dy biseduan për një kohë të gjatë.
Për në aeroport, ku e priste një avion special "Falcon" i Shërbimit
të Fshehtë Ushtarak Italian, i ardhur që para se të vinte mesdita,
Rugova dhe njerëzit e tij u gjendën në orën 15.00. Qe i pranishëm edhe
Rikardo Sesa.
Në "Falcon", grupi i shqiptarëve hipi menjëherë dhe avioni u nis
drejt Italisë në 15.30. Fluturimi i tij u ndoq nga radarët e NATO-s. Në
komandë të kësaj mbrojtjeje ishte gjenerali Dino Trikario, shefi i
vëzhgimit ajror në Viçensa.
Ibrahim Rugova mbërriti në aeroportin e Çampinos, në Romë, rreth orës 17.00. U prit nga nënsekretari kryeministror Marko Miniti.
Pikërisht që prej këtij çasti, pra mbërritjes së sigurt të
presidentit kosovar në tokën italiane, u ndërpre edhe regjimi i mbajtjes
top-sekret të lajmit. Tashmë ai do të bëhej publik. Për këtë qëllim
ishin marrë masa që në aeroport të pranishëm të qenë disa kanale
televizive vendase.
Kështu mbërritja në Romë e liderit kosovar u bë në orën 20.00, lajmi
kryesor i më të fuqishmëve stacione mediatike italiane: Raiuno dhe TG5.
Në 20.30 e kumtoi me përparësi edhe Raidue. Më pas gjithçka qe vetëm hov
i pandalur informimi rreth së papriturës që sapo kishte ndodhur.
Gazetarët me këtë rast nuk harronin të thoshin se emri i bashkëshortes
së Ibrahim Rugovës qe Fana dhe se të dy kishin ardhur në Romë bashkë me
tre fëmijët e tyre. Shtonin se këshilltari personal i presidentit të
Kosovës quhej Adnan Merovci.
Nga supernjoftimi i ri gjatë mbrëmjes dhe natës së 5 majit u fshinë
nga kronikat dy lajme që në rrethana të tjera mund të jetonin shumë më
gjatë. E përditshmja afër Partisë Komuniste, "Il Manifesto", pati botuar
një shkrim denoncues për 32 kamionë ushtarakë zviceranë të blerë nga
qytetarë kosovarë, të cilët ishin bllokuar në portin e Barit. Autori
pyeste me maraz se për ku qenë nisur ata kamionë. Dhe po vetë përgjigjej
jo pa inat: për UÇK-në.
Lajmi tjetër kishte të bënte me një vendim të qeverisë italiane për
të sjellë nëpërmjet ajrit, nga Maqedonia në Itali, 10 mijë refugjatë
kosovarë. Pesë mijë prej tyre do të vendoseshin në ish-bazën ushtarake
të Komizos, në Sicili.
Ndërkaq, Rugova dhe njerëzit e tij, nën masa shumë të forta sigurie,
gjatë rrugëkalimit përfshirë edhe snajperë dhe madje autoblinda, prej
aeroportit "Çampino" shkoi në rezidencën ku do të qëndronte për të
gjithë kohën e mëpasshme: Villa Doria Pamphili.
Por kjo ato çaste nuk u bë e ditur për median. Masa e fshehtësisë së
atij udhëtimi ende nuk ishte hequr krejtësisht. Ibrahim Rugova do të
kishte edhe një takim sekret, atë me Kryeministrin D'Alema dhe ministrin
Dini.
Kjo ndodhi pak minuta më parë se ora 19.00.
Biseda u zhvillua nën hijen e pemëve në vilën Algardi të Villa Doria
Pamphili. Zgjati një orë. Në 20.12, Kryeministri italian qe parë duke
lënë rrugën "Banfila". Më pas qe filmuar nga disa televizione duke hyrë
në selinë e Kryeministrisë.
Për çfarë të dyja palët patën biseduar u mbajt e fshehtë. As Masimo
D'Alema, as Lamberto Dini dhe as Ibrahim Rugova nuk folën rreth
tematikës që shkëmbyen. Pas takimit nuk u bë as edhe ndonjë komunikatë
për shtyp.
Gjithsesi, për ta mbushur këtë boshllëk dhe shkurajuar ndonjë sulm
gazete përse gjithçka e biseduar me Ibrahim Rugovën u kyç, qe Lamberto
Dini që lëshoi disa mendime personale. Ai pohoi se "kishte konstatuar që
Rugova ishte i lodhur, por jo konfuz", se "Rugova është një njeri i
lirë, i lirë të shkojë ku beson, për të rifilluar aktivitetin e tij
politik në favor të Kosovës".
Ministri i Jashtëm italian në të njëjtën kohë pati deklaruar se "Ai
nuk erdhi te ne me asnjë plan ose ndërmjetësim me ndokënd që mund të
mendohet: ai ka idetë e tij, të moderuara, të ekuilibruara, të afërta me
ato të qeverisë italiane, për një zgjidhje politike të krizës. Që ka
nevojë për hapa nga ana e Millosheviçit".
Sidoqoftë, qenë gazetarët që zbuluan disa hollësi. E para kishte të
bënte gjuhën e përdorur në bisedë. Sipas tyre kishte qenë frëngjishtja. E
dyta, çfarë zgjonte kërshëri të madhe për lexuesit, ishte një hollësi
rreth shallit që Rugova mbante të mbështjellë vazhdimisht rreth qafës. U
konstatua se Presidenti i Kosovës në takimin me Kryeministrin italian
dhe ministrin e Jashtëm e kishte ndërruar atë. Nga i kuq që e kishte,
kur zbriti, pati vënë një të errët me topa të bardhë.
Nga biseda paraprake, ajo para takimit kokë më kokë të të treve, gazetarët nxirrnin në pah këto copëza fjalish dhe frazash:
Rugova: "Jam i shqetësuar për gjendjen e kosovarëve".
Masimo D'Alema: "Mendoj se mund të luani një rol të rëndësishëm".
Rugova: "Në udhëtimin tim nga Prishtina në Beograd pashë shtëpi të
boshatisura e të djegura, një vend të shndërruar në hi: populli im nuk
është më në Kosovë dhe për ta risjellë atë në Kosovë më mirë është të
punoj në Romë, ku kam mijëra miq".
Po ashtu: "Shpëtoni popullin tim, bëni që në Kosovë të ndërhyjë një
forcë ushtarake ndërkombëtare, realizoni me Millosheviçin një
marrëveshje politike, por mos pranoni një armëpushim sa kohë që nga
Beogradi nuk vijnë shenja të qarta".
Kështu ishte vetë Rugova që e kishte "zhgënjyer" Sllobodan
Millosheviçin, duke bërë shenjën e sigurt se nuk do t'i shërbente lojës
së tij të lejes dhe ndihmës për të ikur.
Duket që këtë pasojë në Beograd e prisnin. Televizioni dhe radioja
shtetërore jugosllave në edicionet informative të orës 20.00 dhe 20.30
nuk dhanë asnjë lajm për lirimin e Rugovës. Korrespodentët veçuan vetëm
një flesh të radios shtetërore të transmetuar në valët e një kanali
privat, sipas të cilit qe shpërndarë për opinion një lajm i shkurtër me
fjalët "autoritetet jugosllave në respekt të dëshirës së Ibrahim Rugovës
për të shkuar në Itali, e lejuan atë...".
Nga Tirana qorton Sabri Godo
Ndërsa shtypi italian në mëngjesin e 6 majit solli informacion masiv
për udhëtimin e fshehtë të Ibrahim Rugovës nga Beogradi në Romë, si edhe
për gjithçka tjetër të ndodhur më pas në Villa Doria Pamphili, nuk
munguan edhe lajmet rreth reagimit të qeverive të tjera të Perëndimit.
Ato nxorën në pah një deklaratë të Presidentit amerikan, Bill Klinton.
Që nga Gjermania ku ndodhej për vizitë, ai komunikonte për opinionin
publik ndërkombëtar se "sulmet ajrore do të vazhdojnë".
Kjo donte të thoshte se NATO dhe Shtëpia e Bardhë bashkë me aleatët e
saj europianë nuk do ta lejonte që ardhja e Ibrahim Rugovës nga
Prishtina në Romë, nëpërmjet Beogradit dhe Sllobodan Millosheviçit, të
realizonte diversionin e këtij të fundit për t'i përçarë.
Ndërkohë, Departamenti i SHBA-së deklaroi se lirimi i tij "ishte një
zhvillim pozitiv" dhe se "priste me ankth të takonte Ibrahim Rugovën".
Të njëjtën gjë deklaroi edhe NATO.
Më pas, me një shpejtësi qartësisht të dukshme, sikur të donte të
kthjellonte çdokënd të errët të gjithë kësaj historie, Departamenti
Amerikan bëri të ditur se "dëshirojmë të bisedojmë me Rugovën". Duke u
shprehur po ashtu edhe "nëse Rugova ka lirinë për t'u shprehur".
Ndërkaq, surpriza erdhi nga Tirana. Mbërriti në Romë nëpër natën e
vonë të 5 majit. Të nesërmen veçanërisht e spikatën disa media. TG5 e
titulloi lajmin gjurmëlënës "Dush i ftohtë vjen prej Shqipërisë".
Lajmi sfidues ishte ky: Sabri Godo, kryetar i Komisionit të Politikës
së Jashtme të Parlamentit shqiptar pati deklaruar se Ibrahim Rugova nuk
kishte mandatin e forcave të tjera politike kosovare për të kryer
bisedime në kryeqytetin italian.
Kjo shkaktoi konfuzion tek opinionistët vendas dhe po ashtu pasion
për debat. Pyetej nëse Rugova e kishte me vete tërë popullin e tij apo
lufta e armatosur e UÇK-së dhe e NATO-s e kishin nxjerrë jashtë ndikimit
atë bashkë me doktrinën e tij pacifiste.
Ky debat u mbyll me opinionin më të pranuar: Ibrahim Rugova zotëronte 60 për qind të popullit kosovar.
Nga e gjithë kjo me Sabri Godon mbeti i inatosur vetëm Enriko
Mentana, drejtori i TG5, i cili nguli këmbë: "Rugova vjen të bisedojë
për paqen dhe kur bëhet fjalë për paqen nuk kemi nge të dëgjojmë daullet
që bien nga të tjerët". Ai shtoi se e vlerësonte Ibrahim Rugovën si
"përfaqësues të demokracisë në Kosovë, ndryshe nga të tjerët, ata të
UÇK-së, që kryejnë luftën e armatosur".
Operacioni përfundoi mirë, dhuratë shishja e madhe me uiski
Në pasditen e 6 majit në adresë të Drini Bellos, në Ambasadën
Shqiptare në Romë, prej qendrës së tij të shërbimit të fshehtë civil në
Tiranë, erdhi një radiogram i ri. Ai thoshte përafërsisht se "Kemi
informacion që Rugova është drejtuar për në Romë. Ta gjesh ku është
akomoduar dhe mundësisht dhe këtë, po e bëre, do të na sjellësh shumë
shërbim: na duhen foto të vendit ku po rri".
Atëherë Bello mori dy djem të rinj sportivë nga Burreli, shkuan te
Villa Doria Pamphili, u dha aparatin fotografik dhe ata njëri pas
tjetrit hipën në një nga qiparisat përreth saj. Për një gjysmë ore
fotografuan gjithçka prej ndërtesave dhe oborrit, përfshi edhe vetë
Ibrahim Rugovën në një çast kur doli te shkallët.
Filmi me pamjet e porsamarra u la te një laborator privat, fotot u
mbyllën në zarf dhe Drini Bello rendi për në aeroportin civil,
Fiumiçino. Aty e gjeti një udhëtar shqiptar, që iu duk i besueshëm dhe
ky, sapo zbriti në Rinas, u gjet përballë me të dërguarit nga shërbimi
për ta marrë zarfin.
Ndërkohë, në Romë në apartamentin dhomë-kuzhinë, sa çfarë diplomatët
shqiptarë në Viale Eritrea dje dhe sot kanë si hapësirë banimi, nga
kolegu amerikan, Drini Bellos, i mbërriti një dhuratë. Ishte një shishe e
madhe uiski i shtrenjtë si edhe një shall.
Ngjarjet vazhdonin për mbarë. Ibrahim Rugova kishte folur gjatë me
telefon me sekretaren amerikane të Shtetit, Ollbrajt. Kjo pohoi se "tani
Rugova pranon aksionin e NATO-s" dhe "e kupton çfarë është e nevojshme
për të bërë që të kthehet në Kosovë populli i vet".
Në 7 maj në mbrëmje, Rugova pati takuar në Romë edhe ministrin e
Jashtëm shqiptar, Paskal Milo. Biseda kishte përfunduar me një "no
comment". Pas një bisede që ministri kishte bërë me Tiranën, ishte
vendosur që "deri nesër të mos ketë asnjë deklaratë shtypi".