VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ELENI LAPERI - ROSE WILDER LANE DHE SHQIPTARËT
Nga DHURATA HAMZAI

E Premte, 05.08.2015, 11:05am (GMT1)


 
ELENI LAPERI


TIRANE - Prej shumë vitesh nuk është shkruar një biografi e plotë për vitet e Rose Wilder Lane (Roz Uajlldër Llejn) në Shqipëri, edhe pse sipas biografit W.Holtz: "Shqipëria la shenjë përgjithnjë në jetën e veprën e saj". Këtë zbrazëti e plotëson studiuesja Eleni Laperi me librin biografik "Rose Wilder Lane dhe shqiptarët" që sapo ka dalë nga shtypi. Pas kërkimeve disavjeçare plot pasion dhe përkushtim, Eleni Laperi e ka ndjerë se: "Lane meriton të njihet e të respektohet nga shqiptarët për përpjekjet që bëri me anë të artikujve e librave të saj, duke i treguar publikut amerikan dhe atij ndërkombëtar se një vend e një popull i vogël nuk sjell më pak vlera se të tjerët në historinë dhe kulturën botërore, kur mbart, nga kohë që nuk mbahen mend deri në ditët tona, një gjuhë e një kulturë ndryshe.

" Libri "Rose Wilder Lane dhe shqiptarët" është një përmbledhje artikujsh, tregimesh, letra e shënime biografike të shkrimtares, gazetares dhe politologes amerikane Rose Wilder Lane (1886-1968). Përgatitja e këtij libri është bazuar kryesisht mbi dokumente të viteve 1921-1928, kohë që ajo jetoi në Shqipëri. Artikujt, tregimet, shënimet dhe pjesa nga korrespondenca e saj me miqtë në Shqipëri e në ShBA, janë të panjohura e të pabotuara më parë në shqip.


 
Po ashtu në libër janë përfshirë shkrime, që lidhen me udhëtimet e saj në vendin tonë, si dhe dy artikuj mbi librin e saj "Majat e Shalës", të botuara në shtypin e asaj kohe prej Harrilla Bakallit e Mid'hat Frashërit. Është hera e parë që publiku shqiptar ka në dorë një material të plotë për miken e madhe të shqiptarëve, e cila me anë të artikujve, tregimeve e librave të saj, i tregoi publikut amerikan dhe atij ndërkombëtar se një vend e një popull i vogël nuk sjell më pak vlera se të tjerët në historinë dhe kulturën botërore, kur mbart, nga kohë që nuk mbahen mend deri në ditët tona, një gjuhë e një kulturë ndryshe. Në intervistën për "Shqiptarja.com", studiuesja e njohur na nxit të kthejmë kokën pas dhe të jemi kurioz për këndvështrimin dashamirës të një amerikaneje me zemër të madhe.

Zonja Eleni, kam mësuar se kishit kohë që punonit për librin "Rose Wilder Lane dhe shqiptarët". Cilat ishin peripecitë dhe kënaqësitë së bashku që ju fali kjo punë kërkimore?
Rastësia më njohu me librin "Majat e Shalës" së udhëtares amerikane Rose Wilder Lane dhe më shtyu të ribëj udhëtimin e saj nëpër Dukagjin. Më pas, duke e njohur më mirë veprën e saj dhe lidhjen e saj me Shqipërinë e shqiptarët, lidhje që la shenjë përgjithnjë në jetën e saj, më lindi ideja të përgatis këtë libër. Sot, pas gjashtë vitesh kërkime dhe udhëtime, nëpër Shqipëri dhe (falë një granti nga ambasada e ShBA-së) edhe në vendlindjen e saj në Mensfilld të Mizurit në ShBA, libri "Rose Wilder Lane dhe shqiptarët" ka dalë në qarkullim, i botuar nga UET Press.

Kërkimet për përgatitjen e këtij libri më dhanë kënaqësi, sepse takova Hamid Shehrin 90-vjeçar, i cili e mbante mend amerikanen trupvogël, që fliste me shenja me nënën e tij. Jo vetëm njoha mjaft njerëz të mirë ngado nëpër Shqipëri e në ShBA, po njoha më mirë veten, njoha një pjesë të panjohur të historisë së Shqipërisë, mësova shumë gjëra për pionierët e palodhur që ndërtuan Amerikën, e cila edhe sot është ëndërr për shqiptarët.

Kisha lexuar shumë për Llejn edhe nga autorë shqiptarë, po kur u njoha me materialet origjinale, pashë se shumë nga ato që janë shkruar për të dhe miqtë e saj shqiptarë, sidomos për djalin e saj shqiptar të adoptuar, Rexh Meta, nuk ishin të sakta. Kështu që herë pas here më duhej të rishkruaja pjesë të caktuara të librit. Vetëm kur u binda se gjithë të dhënat që kisha siguruar ishin të sakta, kur takova edhe vetë fëmijët e Rexh Metës, Bora Rozën dhe Fitimin, i thashë vetes se libri kishte përfunduar.

Ju jeni një studiuese e njohur arti. A ka një perspektivë të vështrimit estetik dhe artistik ky libër?
Profesioni im patjetër që ka ndikuar në kërkimin dhe në përgatitjen e librit, pasi në materialet e hulumtuara, gjeta edhe këndvështrimin e saj mbi trashëgiminë kulturore shqiptare, mbi veshjet, zakonet, moralin, ushqimin, këngët, sjelljen, duke i krahasuar me ato amerikane të kohës. Në artikujt e tregimet e saj unë gjeta Shqipërinë dhe Tiranën e panjohur jo vetëm për publikun amerikan të asaj kohe, po edhe për publikun e sotëm shqiptar, mësova pse ajo thotë se pa lindjen e dashurisë në malet e Dukagjinit, u njoha me legjendat për thesarin në shpellën e Bulqizës dhe për dervishët, që dëgjojnë këngën e drurëve, me banorët e Gurit të Bardhë dhe të qyteteve të tjera, kuptova rëndësinë e veshjes apo ndikimin e besimeve fetare në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, madje ato më tërhoqën edhe në një udhëtim përtej kufijve të kohës.

Me interes ishte edhe gjetja e një fotoje, e cila më nxit të mendoj se ka autor Kristo Shulin, prej të cilit kanë mbetur shumë pak fotografi. Ajo foto mendoj se ishte burimi i frymëzimit për Spiro Xegën të krijonte tablonë e tij "˜Çeta e Shahin Matrakut'. Ndërsa nga një tjetër foto mëson se si dhe pse erdhi në Shqipëri në vitn 1921 poetja e madhe amerikane Edna St. Vincent Millay.

Gjithë krijimtaria e Rose Wilder Lane përçon ndjeshmërinë, që ndoshta është karakteristikë e krijimtarisë së grave, pasi ato bëhen pjesë e mjedisit ku shkojnë, marrin pjesë në gëzimet e hidhërimet e njerëzve që takojnë, sikur të ishin gëzimet e hidhërimet e tyre. Aftësia e Rose Wilder Lane si mendimtare, shkrimtare dhe njohëse e shkëlqyer e gjuhës angleze, e vlerësuar kështu nga gjithë studiuesit, e bëjnë veprën e saj të thjeshtë, të kuptueshme e të këndshme, në të njëjtën kohë me mjaft interes, sepse përcjell vlera letrare e dokumentare që të emocionojnë edhe sot.

Çfarë ju tërhoqi në personalitetin e kësaj gruaje që vendosët ta studionit me imtësi jetën dhe veprën saj?
Ajo që më tërhoqi të përgatis këtë libër ishte jeta, vepra e personaliteti i saj, si dhe e veçanta, që sjell me vështrimin e saj mbi shqiptarët e Shqipërinë. Ajo u formua si intelektuale duke studiuar gjatë gjithë jetës. Ajo shkroi për të veten me po atë sinqeritet me të cilin shkroi për të tjerët. Marrëdhëniet e saj me punën, dijen, mendimin, seksin, kulturën, udhëtimet, familjen, miqtë, janë dhënë për të kuptuar më mirë personalitetin e saj. Në Danbëri, në muzeun e qytetit ku jetoi vitet e fundit të jetës, shkruhet për të se ishte një autore, udhëtare dhe zëdhënëse e liberalëve, një grua që bëri shumë gjëra ndryshe nga gratë e kohës së saj.

Në vitin 2009, Mark Skousen dhe komentet e Steve Forbes, kryeredaktori i revistës "Forbes", e renditën Rose Wilder Lane ndër pesë shkrimtarët dhe ekonomistët më të shquar amerikanë të vitit. Idealet e lirisë, të individualizmit, të mbështetjes së njeriut te puna e tij rrallë patën një mbrojtës më të zjarrtë se Roz Uajlldër Llejn, shkruajnë historiani amerikan David T. Beito dhe profesorja amerikane e shkencave shoqërore Linda Royster Beito. Hulumtuesit e veprës së saj mendojnë se materialet e shkruara, që ajo ka lënë, janë një burim i madh të dhënash mbi shkrimtarët amerikanë të viteve 1920-1930, mbi gjendjen shoqërore e politike të Evropës, mbi idetë konservatore e liberale në ShBA-në e viteve 1940-1960, sidomos mbi Shqipërinë e viteve 1920.

U binda edhe më shumë për të shkruar për këtë gazetare, shkrimtare e politologe, një prej gazetareve më të paguara të kohës së saj, pasi lexova se edhe Mid'hat Frashëri për të shkruante se, "në një kohë ku miqtë t'onë s'janë të shumtë, ç'do manifestë simpatije ka të drejtën për gratitudën t'ënë".

Rose Wilder Lane njihet si amerikania e parë që vizitoi Malësinë e Veriut, duke nisur nga Shkodra deri në Dukagjin e Mat.,etj. Këto zona zakonisht kanë qenë të eksploruara nga evropianët, duket e pazakontë një amerikane, apo jo. Çfarë donte të bënte ajo në Shqipëri?
Rose Wilder Lane ka udhëtuar në Malësinë e Dukagjinit 10 vjet pas Edith Durham, pra ka qenë gruaja e dytë e huaj që shkelte ato zona. Shqipëria e vogël në ato vite të para pas Pavarësisë ishte e hapur ndaj vendeve Perëndimore. Artikujt mbi atë vend me kontraste të thella, ku si thotë Lane: "vetja të dukej sikur ishe kthyer disa shekuj prapa në kohë", ku mungonin hekurudhat dhe çdo lloj industrie, po ku mikpritja kishe ende ngjyrat e lashtësisë, ku kishte qenë edhe vetë Bajroni i madh, do kishte qenë vërtet diçka në modë.

"Izolimi i fortë i Shqipërisë së vockël, me klanet e saj rivale dhe besimet e saj, ishte po aq legjendar, sa edhe bukuria e saj", shkruan edhe shkrimtarja amerikane bashkëkohore Nancy Milford. Në shtetin e ri shqiptar udhëtarët perëndimorë gjenin atë që nuk e kishin më në vendet e tyre. Pyetjes që ia bënin të tjerët, pse vendosi të jetonte në Shqipëri, Lane i përgjigjet se në atë vend të vogël të Ballkanit ajo gjeti atë, që qytetërimi i tyre e kishte humbur: kuptimin e të bukurës dhe misterin e jetës. Në Theth, apo në Tiranë, koha kishte mbetur e ngrirë.

Banorët jetonin rrethuar nga plogështia e freskisë së kafeneve, apo nga tregimet e Orëve të Malit e legjendat e Aleksandërit të Madh. Poetja Edna St. Vincent Millay i shkruante të ëmës: të shihja Shqipërinë ka qenë eksperienca më drithëruese për mua deri tani." Çfarë i bënte ato gra të guxonin të udhëtonin dimrit vetëm mes burrave në ato male të izoluara? Besimi te malësorët, respekti e dashuria për ta? Jo vetëm kaq: pas një udhëtimi të tillë bëhesh tjetër njeri, shkruan Rose Wilder Lane.

Çfarë të panjohurash dhe çfarë ka ndryshe nga biografët e tjerë në librin tuaj për jetën dhe veprën e Roze Wilder?
Mund të them se çdo gjë në këtë libër është trajtuar ndryshe, duke sjellë një Rose Wilder Lane të panjohur. Pasi periudha shqiptare e jetës së saj deri më sot ose është trajtuar shkurt nga studiuesit e saj, ose është lënë krejt mënjanë. Në këtë libër, biografinë e saj e kam përgatitur duke u mbështetur në detajet, që ajo ka dhënë për udhëtimet e saj nëpër Shqipëri, në blloqet, korrespondencën dhe ditarët e atyre viteve, që ajo jetoi në vendin tonë. Jam shtyrë deri në korrespondencën e materialet e vitit 1966 vetëm në kapitullin kushtuar marrëdhënies së saj me djaloshin Rexh Meta, i cili zë një kapitull të veçantë në libër.

Duke lexuar librin, njihesh me njerëz të thjeshtë nga e gjithë Shqipëria. Po nuk mungojnë personazhe si Ahmet Zogu e Xhemil Dino, Mehmet Konica, Kostandin Çekrezi, Kostandin Mima, Mihal Sherko, Sotir Martini, Mid'hat Frashëri, etj., të treguar ashtu si nuk i kemi parë deri më sot. Ata vijnë, nëpërmjet kujtimeve të saj, me anën e panjohur të personalitetit të tyre, me veset e virtytet e tyre. Nuk mungon edhe romanca në jetën e saj shqiptare, sepse Rose Wilder Lane tërhoqi vëmendjen e disa prej atyre burrave, të cilët i propozuan edhe martesën. Duke lexuar shkrimet e artikujt e saj, nuk mund të mos pushtohesh nga një ndjenjë e bukur dhe e trishtuar për një kulturë e traditë të lëna në harresë, ashtu si jemi të pushtuar ne sot nga nxitimi e etja për fitim.

Cili ishte vizioni i kësaj amerikaneje për etnicitetin tonë, dhe çfarë e shtyu të zbulonte pikërisht "atë" që siç e kemi dëgjuar të shprehet në librin e saj "Majat e Shalës" "kishte jetuar në malet e Shqipërisë si para 20 shekujsh para se të dinte kush për grekët, romakët apo sllavët"
Duke njohur nga afër banorët e këtij vendi, duke parë me sytë e saj mençurinë e tyre, traditat e kulturën ndryshe, (pasi ajo ishte edhe një udhëtare e kishte qenë në shumë shtete të tjerë), duke parë si vepronte diplomacia evropiane, si i zgjidhte apo si i krijonte ajo problemet e shqiptarëve, Lane u bind se populli shqiptar ishte më i vjetri në Ballkan dhe se ndaj tij ishin bërë e po bëheshin padrejtësi, jo vetëm nga fqinjët ballkanas, po edhe nga Pesë Krajlat, fuqitë e mëdha të Evropës.

Të thëna me gojën e saj, këto fakte zhvishen nga ngjyrimet nacionaliste dhe sjellin para nesh histori të trishta, që kanë jehonë ende sot në marrëdhëniet midis shteteve në Ballkan. Ana e panjohur, jozyrtare e politikës evropiane dhe shqiptare jepet në korrespondencën, artikujt e shënimet e saj. Sepse jo rrallë politikanët i marrin vendimet në sallonet e ndonjë zonje apo duke pirë çaj.

A ka një shpjegim se pse e mahniste atë kryesisht raca e shqiptareve. Cila ishte origjina e saj, edukata e saj që mund të përkonte me karakteristika të racës sonë?
Rose Wilder Lane u lind, më 5 dhjetor të vitit 1886, në De Smet të Dakotës së Jugut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një familje pionierësh aspak të pasur. I ati, Almanzo Wilder, rridhte nga një familje angleze që kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1630. Ndërsa nëna e saj Laura Ingalls ilder rridhte nga një familje e përzier skoceze dhe franceze. Prindërit e quajtën "Rose", sepse bashkë me mbiemrin "Wilder" emri i saj donte të thoshte "trëndafil i egër", si ata që rriteshin me shumicë në lëndinat e De Smet. Ajo, pra, vinte nga një familje e thjeshtë. "Ne nuk e donim disiplinën, ndaj vuajtëm derisa disiplinuam veten", shkruan Llejn.

"Shihnim shumë gjëra apo shumë mundësi që na pëlqenin aq shumë, po nuk i arrinim dot, sepse nuk kishim me se të paguanim për to. I siguruam vetëm pas përpjekjesh të jashtëzakonshme dhe vetëmohimi, që ta copëtonte zemrën, por borxhi do na rëndonte shumë më tepër se mungesa e gjërave që nuk i kishim. Ishim të ndershëm, jo se ishim kundër natyrës mëkatare njerëzore, po sepse pasojat e pandershmërisë ishin për ne shumë më të dhimbshme"... Mes shqiptarëve ajo u ndje e çmuar dhe e respektuar, pa sa e vyer ishte për ta ndjenja e ndershmërisë dhe e bujarisë.... .

Kontakti me malësorët, që kishin ruajtur të paprekur mikpritjen e painteresa të njeriut për mikun, gjuhën, kulturën dhe traditat e lashta, një ditë në mes zbrazëtirës së stepës gjeorgjiane e bënë të kuptojë se brenda saj kishte mbetur vetëm Shqipëria. Duke qenë e pajisur me kulturë e dije, që ia plotësonin edhe udhëtimet rreth botës, te shqiptarët ajo gjeti legjenda të vjetra, këngë të lashta të shoqëruara me instrumente muzikorë të vjetër "qindra e qindra vite para se të vinin romakët."

Dhe u bind se këta njerëz ishin më të vjetërit e në Evropë dhe nuk i kishin humbur ende zakonet e tyre prehistorike. Vlerësimi për të nga ata që e njohën u shpreh në vitin 1929, kur me propozimin e Rauf Ficos, ministër i Punëve të Jashtme dhe ministër i Punëve të Brendshme të mbretërisë shqiptare, Rose Wilder Lane u nderua me dekoratën "Oficere e Urdhrit të Skënderbeut". "Kam një mall të tmerrshëm për Shqipërinë..." i shkruante ajo mikut të saj Klarens Dei nga shtëpia në Mensfilld, pak kohë pasi kishte lënë Tiranën. Tani, që mbarova librin unë kam mall për njeriun e lirë me emrin Rose Wilder Lane. 





DHURATA HAMZAI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.