VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KRIZA E ATHINËS RISKICON BASHKIMIN EVROPIAN

Nga TOMASO PADOA-SCIOPPA, Corriere della Sera


E Martë, 02.16.2010, 11:08am (GMT1)

 

 

Sovraniteti në zhvendosje

 

Kriza greke do të jetët e gjatë, dhe gjatë do ta studiojmë. Përfundimi i saj do ta transformojë Bashkimin Evropian. Shenjestrat e tij janë, më tepër se financat dhe stabiliteti, sovraniteti dhe demokracia: jo vetëm në Greqi, por në çdo vend dhe në Bashkimin Evropian si tërësi.

 

Deklarata e shpallur më 11 shkurt nga Kryetarët e Shteteve apo të qeverive është një lapidar i koncentruar antinomish: përgjegjësi e përbashkët, por detyra të Shteteve; masa tashmë të vendosura nga Athina, por edhe të tjera që Komisioni Evropian do të propozojë; veprime të "vendosura e të bashkërenduara" të vendeve të euros, por asnjë kërkesë greke për mbështetje financiare; përmendje e Fondit Monetar Ndërkombëtar, por për të dhënë të kuptohet se nuk do të jetë ai që do të ndërhyjë. Financial Times flet me pezmatim për "hibridin e mbrapshtë", por antinomitë janë koherente, ndonëse dërmuese: Greqia nuk është më sovrania e vetme në shtëpinë e saj, sovrani evropian ka hyrë brenda kufijve të saj dhe me atë do që qeverisë. Greqia do të mbështetet, por nuk do të marrë dhurata.

 

Me gjysmë zemre Bashkimi Evropian ka pranuar të jetë sovran i zoti, por është fare i vetëdijshëm se sovran i ligjshëm sipas kushtetutës është Athina. Kjo e ka pranuar pazotësinë e  saj, por duhet t'i bëjë të ligjshme masat të cilat situata ia detyron dhe të marrë mëmësinë e tyre. Demokracia ia vë detyrë Papandreut t'a bëjë të pranojë këtë fakt vetë popllin sovran të cilin para pak muajsh e kishte ngopur me premtime të pabaza.

 

Por në sfond janë një tjetër sovran e tjetër "elektorat": një treg, që ka forcën ta marrë zvarrë një vend kur ndien aromën e gjakut dhe atë ta ekzaltojë kur është dehur nga vetkënaqësia. Është një sovran pa legjitimitet dhe shpesh pa mprehtësi ekonomike; kafshë të cilën vetëm një sovran ekonomikisht më mendjemprehtë e politikisht më të fortë mund ta zbusë. Qeveria greke nuk ka qenë e zonja; tani provon Bashkimi Evropian.

 

Në vitet '80 e '90 ekonomistët e shquar nuk e këshillonin euron, sepse "pa bashkim politik nuk mund të ketë monedhë të përbashkët"; qeveritë e donin euron si hap drejt bashkimit politik. Konkluzione të kundërta dalë nga një e vërtetë e vetme.

 

Vite të shkuara e quaja "euron" një monedhë pa Shtet, për të theksuar gjendjen anomale në të cilën vepronte Banka Qendrore Evropian dhe rrezikun e kënaqjes me këtë gjendje. Historia shkon duke shqepuar nëpër kundërthënie, por në periudhë afatgjatë duhet ta ribashkojë monedhën dhe Shtetin: jo si Leviatani (monstër biblik mizor dhe shkatërrimtar, figurativisht organizim shtetëror absolutist dhe shtypës, shënim i përkthimit) i centralizuar brenda dhe i mrrolur jashtë, sipas nacionalizmit jakobin; por si një «organizim pushtetor sovran pajisur me fuqi detyruese", sipas Sartorit.

 

Për njëzet vjet hapësira midis monedhës dhe Shtetit ka mbetur e hapur, madje e zgjeruar. Por kur kriza, ndërkaq e një ndërmarrjeje apo e një banke, ka goditur në vend dhe ka kërcënuar euron është filluar të kuptohet se nuk kishte asnjë kuptim të ndërhyhet për një Landesbank (bankë krahinore në kuptim gjerman, shënimi i përkthimit) apo për një impiant të Opelit dhe të konsiderohet kështu gjë e huaj borxhi grek.

 

 

 

Për shekuj kufijtë e pushtetit sovran qenë skicuar nga luftërat dhe martesat dinastike. Tani ndërhyjnë tregu dhe politika./Skënder Buçpapaj

Përktheu Skënder Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.