VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ODISEU IM - KUSHTUAR BEKIM FEHMIUT

Poezi nga ABDULLAH ZENELI


E Premte, 06.18.2010, 10:17am (GMT1)

 

Më ike kaq papritur i dashur mik

Benedikti im plotni zgjuarsie

Aventurier i puplave të shpupurishura

Që zhdavarisin qiejt e pafundësisë

 

Fama s'është gjë para flijimit n'altarin e pleqërisë

Për kremator kemi kohë sa të duash

Mik i dashur qoftë ai edhe në Beograd

Rrugë e gjatë të ndoqi deri në frymën e fundit

 

Më flisje për Prizrenin Sarajevën Shkodrën

Prishtinën në kapërcim se qenë kohë të tjera

Nga Sartri në Kanë Romë e Nju-Jork

Metropole pa fund deri tek Saharaja përcëlluese

 

Po Itakën do ta ruaje për Fund Odiseu im

Ne si Penelopa po thurim e shthurim rezoluta shpallje dekrete

Sikur më thoje shpesh se në këtë botë s'mbetet asgjë sekrete

Ndaj i hyre shkrimit testament për rrugët e famës

 

"E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme" po është aventura

E artit të skenës e artit të celuloidit

Mik më ike mes kuqëlimit të qershive e aromës së blirit

Pak ditë pasi të nisa eletrën e mbramë

 

Nuk e dija se do të qe urimi i fundit miku im i shtrenjtë

Tani Lumbardhi pret urnën në paqe aty ku nise Lojën e Madhe

Nga hiri tek hiri miku im plot hire me atë deklamimin tënd mitik

"Kurrë më", "O flamur shkabë" dhe "Po, pasha bacën! Po!"

ABDULLAH ZENELI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.