E Mërkurë, 04.24.2024, 08:33pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
JU RRËFEJ TIME BIJË NEDËN

Një vit pas vrasjes së Nedës, në Teheran, në kulmin e protestave antiqeveritare, flet nëna e vajzës që u bë simbol i rezistencës iraniane

E Hënë, 06.21.2010, 11:51am (GMT+1)



Një vit më parë, më 20 qershor 2009, në një protestë në shesh për të kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të fituara nga Mahmud Ahmadinexhad dhe për të mbështetur liderin e opozitës, Mir Hossein Mousavi, në rrugën Kargar të Teheranit, vdiq një vajzë me emrin Neda Agha, 27 vjeçe, ish-studente e filozofisë dhe teologjisë. Në fakt, dëshira e saj e madhe kishte qenë që të bëhej këngëtare. Thanë se Barak Obama derdhi lot në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë, kur dëgjoi për vrasjen e vajzës së re në protestë, sidomos kur pa pamjet e momenteve të saj të fundit, që u përhapën në të gjithë botën në "YouTube". Ishin pamje të dhimbshme që përfundonin me Nedën të shtrirë përtokë pa jetë dhe me sytë e mbetur hapur. Revista "Time" e quajti këtë pjesë filmike "momentin më të transmetuar në botë të një vdekjeje të drejtpërdrejtë". Ato pamje filmike u bënë simbol i rezistencës iraniane. Një vit pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme, mamaja e Nedës, Hajar Rostami Motlaq, 50 vjeçe, ka pranuar që të flasë për të bijën dhe ndarjen e dhimbshme e tragjike me të.

PYETJE: A është e vërtetë që për muaj me radhë keni refuzuar që të shihni filmin e vdekjes së vajzës suaj?
NËNA E NEDËS: Kisha folur për atë filmim disa herë me profesorin e muzikës me të cilin Neda ndodhej në momentin e fundit dhe që e kishte shoqëruar time bijë në atë protestë. Ai më kishte treguar që gjithçka kishte ndodhur në fraksionet e sekondës, kur së bashku me Nedën kishin vendosur që të largoheshin nga protesta. Ai i kishte kthyer shpinën dhe kishte bërë për nga makina që i priste pranë trotuarit, kur befas kishte dëgjuar të shtënat. U kthye pas dhe pa Nedën të shtrirë në tokë, që me zërin në shuarje e sipër mundohej që t'i thoshte diçka të fundit. Nuk dihet se çfarë ka dashur t'i thoshte, por këto kanë qenë fjalët e fundit që ajo tha në këtë jetë. Guximin për ta parë vetë atë filmim e pata vetëm tetë muaj pas tragjedisë. Që nga ajo kohë, sa herë që e rishoh, duket sikur bota më shembet dhe dhimbja është aq e madhe, sa më duket se do të çmendem. Ata sytë e saj të hapur, gjaku që i ka rrjedhur dhe i është bërë pellg në rrugë, fjalët e fundit që askush nuk mundi t'ia deshifronte janë të gjitha gjëra që kanë shkatërruar përfundimisht jetën time.

PYETJE:  Ju vazhdoni që të përsërisni se sytë e Nedës do të vazhdojnë që të qëndrojnë të çelur derisa gjithçka për të cilën ajo luftoi të mos jetë bërë realitet. Çfarë donte, çfarë ëndërronte Neda?
NËNA E NEDËS: Neda kërkonte lirinë. Si grua luftonte për të drejtat sociale, për dinjitetin njerëzor. Ajo këmbëngulte që gratë dhe burrat të ishin të barabartë dhe nuk mund të duronte realitetin e Iranit ku burrat dhe gratë nuk ndanin të njëjtat të drejta dhe liri mes tyre, si në vende të tjetra. Ajo nuk e kishte pranuar kurrë dhunën që ushtrohet ndaj grave për të vënë me çdo kusht shaminë e kokës. Ajo ishte regjistruar në Fakultetin e Filozofisë dhe Teologjisë dhe pas tre semestrave që kishte bërë atje, e kishte braktisur, sepse në fakultetin e saj ishte e detyrueshme për femrat që të shkonin me shami në kokë. Ime bijë thoshte gjithmonë: "Çfarë jete është ajo kur sa herë që të duhet të dalësh, të duhet që të shqetësohesh se si duhet të vishesh, për të mos pasur jashtë probleme me policinë? Përse sa herë që të rinjtë organizojnë një festë, duhet të kenë frikë se mos vjen policia dhe i fut në burg? Neda besonte në barazinë mes gjinive dhe në lirinë e zgjedhjeve që duhet të ketë një qenie njerëzore dhe për këtë dhe të tjera bindje, kishte vendosur që të mbështeste protestat antiqeveritare të organizuara pas zgjedhjeve të dhunuara presidenciale në Iran.

PYETJE:  Thuhet se vajza juaj nuk kishte votuar në zgjedhjet e 12 qershorit?
NËNA E NEDËS: Është e vërtetë, sepse ajo nuk besonte në zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ditën e votimeve kishte shkuar në tri qendra votimi, por në asnjërën prej tyre nuk kishte parë në komision përfaqësues të liderit të opozitës, i cili ishte edhe kandidati kryesor kundër Ahmadinexhadit. Kishte protestuar ndaj një fakti të tillë kundër kësaj mungese korrektese dhe drejtësie dhe më në fund kishte vendosur që të mos votonte.

PYETJE: Menjëherë pas vrasjes së vajzës suaj, ju keni e keni denoncuar vrasjen dhe keni kërkuar gjetjen e autorëve të saj...
NËNA E NEDËS: Po e bëra një gjë të tillë, sepse dua që të shoh në fytyrë njeriun që i mori jetën time bije dhe dua t'i them: "Përse e qëllove? Çfarë ke përfituar nga vdekja e time bije?".

Është e drejta ime si qytetare e Iranit që të mësoj se kush ma vrau vajzën dhe për çfarë arsyeje dhe mbi të gjitha, nga erdhi ai urdhër makabër. Një vit pas këtij krimi, e vetmja letër që kam në dorë është certifikata e vdekjes së Nedës dhe asgjë tjetër. Në këtë certifikatë, mjeku ka shkruar se vdekja e saj është shkaktuar nga një armë zjarri.

PYETJE:  A është e vërtetë që keni pasur presione për të tërhequr denoncimin?
NËNA E NEDËS: Nuk kanë guxuar kurrë që të ma kërkojnë një gjë të tillë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kam thënë vazhdimisht që nuk dua kompensime në para për humbjen që pata dhe nuk kam nevojë as për një ligj të caktuar të Kushtetutës sonë, sipas të cilit pala e dëmtuar ka të drejtën që të kërkojë dënim me vdekje për vrasësin. Një gjykatës i Teheranit më këshilloi që të bëja një kërkesë për kompensim financiar, por iu përgjigjja se në shtëpinë time nuk do të hyjë asnjë qindarkë nga vdekja e Nedës për sa të jem unë gjallë. Kam ndërmend që të vazhdoj me procesin gjyqësor, në të cilin kërkoj të drejtën time për të gjetur dhe dënuar njerëzit që ia morën jetën time bije. Nëse nuk do të vendoset drejtësia në Teheran do t'i drejtohem Kombeve të Bashkuara. Dikush duhet të më thotë se kush e vrau Nedën. Ajo nuk kishte kryer asnjë krim dhe protestonte vetëm për ato të drejta që njihen edhe nga ligji, si e drejta e votës së lirë.

PYETJE:  Është e vërtetë që nuk jua kanë dhënë as veshjet që mbante Neda ditën që u vra?
NËNA E NEDËS: Kam shkuar disa herë për të takuar shefat e spitalit në të cilin e çuan Nedën menjëherë pas vrasjes për të marrë veshjet e saj, por nuk kam mundur që t'i marr dhe më pas më thanë se i kishin djegur. Nga gjithë gjërat që ajo kishte me vete, i mbeti vetëm një shall i përgjakur, të cilin e kishte marrë një djalë i ri që u ndodh aty pranë dhe shpresoj që një ditë ai djalosh të ma kthejë shallin, që është edhe kujtimi i vetëm që më ka mbetur nga ime bijë.

PYETJE:  Mund të na flisni për takimin e fundit që patët me bijën tuaj?
NËNA E NEDËS: Një natë para se të ndodhte tragjedia, Neda pa një ëndërr të keqe dhe u çua në mes të natës duke më thënë se kishte parë në ëndërr sikur ishte në mesin e një sheshi beteje. Pasditen e asaj të shtune të mallkuar, ndërsa përgatitej për të ikur në protestë, i kërkova që të qëndronte në shtëpi. Një ditë më parë kishin hapur zjarr ndaj manifestuesve dhe kisha shumë frikë për jetën e saj. M'u përgjigj që të gjithë ata që shkonin në protestë e kishin një nënë dhe një baba. Edhe vëllai dhe motra e saj u përpoqën që të mos ta linin që të shkonte atë ditë, por ajo ishte shumë kokëfortë dhe vendosi që të dilte dhe kështu të shënonte fatin e saj. Para se ta vrisnin, më mori dy herë në telefon. Herën e parë e pyeta se çfarë ishte duke ndodhur dhe ajo m'u përgjigj se sigurisht që nuk ishte një manifestim, ku jepeshin puthje dhe përqafime. Në telefonatën e fundit më tha që ishin fshehur në një laborator analizash, sepse jashtë ishte një ajër shumë i rëndë, i shkaktuar nga gazi lotsjellës që kishin hedhur policët.

PYETJE:  Kur e mësuat që Neda ishte vrarë?
NËNA E NEDËS: Një çerek ore pas telefonatës së fundit më telefonoi profesori që ishte me time bijë dhe më tha se Neda ishte plagosur në një këmbë dhe se ishte transferuar në spital. Ndërsa hyra në spital, pashë një djalë të ri që doli me shallin e përgjakur të time bije në dorë. Më pas, pashë fytyrën e ngurtësuar të tim biri dhe lumenjtë e lotit të vajzës.

PYETJE:  Kur jua dorëzuan trupin e vajzës a kishte shenja autopsie?
NËNA E NEDËS: Jo, asnjë lloj autopsie nuk i ishte bërë. Vetëm sa kishin nxjerrë plumbin nga trupi për të mos lënë asnjë provë.

PYETJE:  Më pas nuk gjetët dot asnjë xhami për funeralin?
NËNA E NEDËS: Kur e varrosëm trupin e Nedës, varreza ishte e mbushur plot me trupat speciale. Shkuam në dy xhami, por na thanë se nuk mund të bënin shërbimin e zakonshëm, pasi kishin marrë urdhër nga Ministria e Brendshme që të mos ta ofronin këtë shërbim për të vrarët në protesta. Një javë më pas, gjetëm një xhami që mund të kryente shërbimin e funeralit, por u shtrënguam që ta anulonim për të shmangur përplasjet mes pjesëmarrësve dhe forcave të sigurisë.

PYETJE:  A është e vërtetë që varri i Nedës është prishur disa herë?
NËNA E NEDËS: Tre muaj pas vdekjes mora telefonatën e një miku, në të cilën më thoshte që të mos shkoja në varrezë siç bëja zakonisht, sepse varri i Nedës ishte shkatërruar. Por kjo ka ndodhur edhe tri herë të tjera. Herën e fundit vendosa që të mos ta riparoja gurin, sepse jam e bindur që tashmë emri i Nedës është gdhendur në zemrat e njerëzve dhe nuk ka nevojë për një gur vari.

PYETJE:  Si është jeta juaj dhe e familjes suaj pas vrasjes së Nedës?
NËNA E NEDËS: Unë, si dhe babai i Nedës, i vëllai dhe e motra nuk kemi arritur që ta pranojmë vdekjen e saj. Më ka marrë malli për Nedën, më ka marrë malli për zërin e saj, për fytyrën e saj. Kishte një buzëqeshje të mrekullueshme. Çdo mesditë kthej kokën nga dera e shtëpisë për të parë nëse zilja do të bjerë e vajza ime më në fund do të kthehet në shtëpi dhe do të më pyesë: mama çfarë kemi sot për drekë?

PYETJE:  Çfarë ndjeni një vit pas kësaj ngjarjeje tragjike për ju?
NËNA E NEDËS: Ndjej që duhet të falënderoj të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkatdhetarët e mi, të cilët shkojnë çdo ditë në varrin e Nedës edhe pse e dinë mirë se fotografohen dhe skedohen. Do të doja që të falënderoja të gjithë iranianët jashtë vendit, që e shndërruan time bijë në një simbol ndërkombëtar. Janë bërë disa këngë për Nedën, por mua më kanë mbetur në zemër dy rreshta: "Liria kërkon gjak dhe Neda e ofroi gjakun e saj, që pema e lirisë të lulëzojë. Neda është këtu".



WWW.VOAL-ONLINE.CH


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MILAZIM SALIHU: "BEKIMI U TËRHOQ PËR SHKAK TË KOSOVËS" (06.20.2010)
SHQIPTARI BEKIM FEHMIU - ARTIST - DHE SHQIPTARËT SI KOMB A ISHIN BASHKË?Nga XHEVAT REXHAJ (06.20.2010)
KOLOSI I KINEMAOGRAFISË (06.19.2010)
ODISEU IM - KUSHTUAR BEKIM FEHMIUTPoezi nga ABDULLAH ZENELI (06.18.2010)
ULIKSI DHE HEDONI PËR BEKIMIN - HESHTJA SI PROTESTË (06.17.2010)
BEKIM FEHMIU, NJËRI PREJT SHPIRTËRAVE MË TË MIRË TË ARTIT, DO TË VARROSET NË PRIZRENNga FLORI BRUQI (06.16.2010)
SCARLETT JOHANNSON ËSHTË VLERËSUAR PËR DEBUTIN NË TEATRIN BROADWAY (06.15.2010)
QINDRA SHQIPTARË TË ANËS SË MALIT NË PARKUN ROOSEVELT NË NEW YORKFotoreportazh nga KËZE KOZETA ZYLO (06.13.2010)
JETA VAZHDON...Nga PATRICK MOORE (06.08.2010)
KUR VRITET GAZETARI VRITET DHE LIRIA(Pesë vjet pa Bardhyl Ajetin)Nga AGIM GASHI (06.06.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]