VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ARDHJA NË AMERIKË ISHTE PËR MUA KËRKIM I NJË IDENTITETI TË RI TË PËRMASAVE MË TË MËDHA TË LIRISË

 


E Hënë, 06.28.2010, 09:33am (GMT1)

Mimoza Dajçi me aktoren amerikane Ilein Kristen

Në foto: Mimoza Dajçi duke marrë një çmim në një olimpiadë sportive në Nju Jork

 

Intervistë me Zonjën MIMOZA DAJÇI gazetare dhe veprimtare e njohur në SHBA

Intervistoi ELIDA BUÇPAPAJ

-Përderisa edhe shumë shqiptarë punojnë nëpër administratën e instuticioneve amerikane, kompanitë apo bisneset e tyre, dashur pa dashur ata janë integruar edhe në shoqërinë amerikane. Shumë miq kanë shqiptarët në radhët e politikës amerikane, të cilët kanë ngritur historikisht zërin për çështjen shqiptare, e në veçanti atë të Kosovë, e ata janë të shumtë.

-Unë vërtetë kam pësuar persekutim politik në familjen time, por kjo nuk do të thotë se jam ekzemplar i asaj dhimbje të madhe që për afro gjysëm shekulli shkaktoi drama e tragjedi në popull, por jam thjesht vetëm një pikë e vogël e asaj vuajtje të madhe.

- Fakti që në institucionet e larta të shtetit e të drejtësisë vazhdojnë të drejtojnë njerëz të inkriminuar tregon se Shqipëria ka akoma punë për të bërë për pastrimin e figurës publike dhe demokratizimin e vendit me standartet që kërkon koha.

Zonja Dajçi ju si një veprimtare e njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë pranë komunitetit shqiptar të SHBA, si do ta vlerësonit gjendjen e komunitetit shqiptar këtu?

Mimoza Dajçi Në radhë të parë ju falenderoj edhe Juve për interesimin që treguat për zhvillimin e kësaj bisede, si dhe dua t'ju uroj 15 vjetorin e themelimit të gazetës "Bota Sot", ku Ju me punën tuaj të palodhur e të përkushtuar, si njerëz të penës e gazetarisë shqiptare i dhatë një frymë të re e bashkëkohore lajmit shqip, gjë që do të thotë se jehona e punës tuaj sensibilizoi botën mbarë për çështjen shqiptare e në veçanti atë të Kosovës, e cila më në fund fitoi Pavarësinë. E me këtë rast edhe Ju keni meritën tuaj të veçantë.

Komuniteti shqiptar në SHBA është teper aktiv e i ndjeshëm ndaj situatës social - politike, e ekonomike në vend duke përfshirë edhe trojet etnike të tij. Edhe pse si preokupim parësor është punësimi i tyre për të mbajtur ekonominë e familjes në një atdhe të dytë, përsëri për asnjë çast nuk e shkëpusin dot vëmendjen nga rrënjët e atdheut ku u lindën e kaluan moshën e tyre më të bukur - rininë.

Veprimtaritë social - kulturore këtu janë të shumta e të larmishme duke filluar me festivale, koncerte të ndryshme artistike, promovime librash, ndihma humanitare për atdheun në rast fatkeqësie siç ishte edhe rasti më i fundit kur Federata Panshqiptare "Vatra" dhe Kisha Katolike "Zoja e Shkodrës" në New York sensibilizuan diasporën për mbledhje fondesh, e një shumë e konsiderueshme në të holla u dërgua në atdhe për familjet e përmbytura me ujë në veri të vendit.

Ndërsa përsa i përket veprimtarisë sime këtu, do të thoja se nuk erdhi në mënyrë spontane, por si vazhdë e përkushtimit e angazhimeve të mia në Shqipëri për demokracinë e mbrojtjen e vlerave të saj, duke bashkëpunuar ngushtë me Shtresën e ish të Përndjekurve Politikë dhe Partinë Demokratike.

Me syrin e një veprimtareje, si është i organizuar komuniteti shqiptaro-amerikan këtu dhe e është ky organizim në një nivel të kënaqshëm?

Mimoza Dajçi - Në këndvështrimin tim do të thoja se është një komunitet që ka një drejtim të mirë organizimi, ku nuk mungon edhe pjesëmarja e rinisë në veprimtari të ndryshme si ato me karakter social e kulturor, por edhe përsa i përket aspektit shëndetësor ku shumë mjekë të rinj të cilët kanë kryer studimet në SHBA e punojnë nëpër spitale të ndryshme herë pas here zhvillojnë takime me diasporën në mbrojtje të shëndetit të tyre. Takime këto që kanë dhënë efektet e tyre pozitive, e këtu vlen për t'u përmendur emrat e mjekëve Sulejman Çela e Evia Nano.

Kohët e fundit është menduar e po punohet për t'u hapur një qendër e përbashkët e komunitetit tonë siç e kanë edhe komunitet e tjera, që do të shërbejë për situatën reale të shqiptarëve, duke i orientuar ata në marjen e dokumentave, punësimin, shkollimin e strehimin. Por ky projekt i përket akoma perspektivës. Një nga Organizatat që ka një kontribut të madh e të pamohueshëm në çështjen kombëtare është edhe Federata Panshqiptare "Vatra" drejtuar për disa vite me përkushtim nga i nderuari Z. Agim Karagjozi, i cili gëzon respekt të veçantë në komunitet edhe pas largimit të tij nga kjo detyrë shoqërore. Do të thoja se qëndrimi dhe puna e tij e palodhur si Kryetar i "Vatrës" është për t'u admiruar e vlerësuar shumë, pasi ka mbajtur gjallë frymën e patriotizmit, atdhetarizmit e traditave të mirënjohura shqiptare. Edhe sot kur në drejtim të "Vatrës" është caktuar Dr. Gjon Buçaj ndihet përsëri ajo frymë e mirë bashkëpunimi mes shoqatave të ndryshme në diasporë si dhe strukturave të gruas e rinisë, ku herë pas here mbahen veprimtari të ndryshme humanitare, kulturore e patriotike. Disa prej tyre janë promovimi i librit "Nënës" dhe përkujtimi që iu kushtua figurës heroike e disidentes së kombit tonë Musine Kokalari, si edhe promovimi i librit të Leka Tasit "Grabiani rrezë kodrave", libër i cili flet mbi genocidin e egër komunist jo vetëm mbi familjen Tasi ku dënim politk me burgosje e internim pësoi edhe motra e tij Tefta Tasi, por edhe mbi genocidin çnjerëzor që është ushtruar mbi popullin tonë për afro gjysëm shekulli. Libri i Lekë Tasit për sa i përket vlerave të tij të larta historike e letrare po vlerësohet pas librit të At Zef Pllumbit "Rrno për me tregue". Pra në qendër të vëmendjes e në frymë demokratike "Vatra" ka denoncimin e krimeve të hidhura të diktaturës komuniste në Shqipëri nga regjimi totalitar dhe evidentimin e këtyre figurave që dhanë jetën për demokraci e drejtësi kombëtare. Janë zhvilluar edhe veprimtari kushtuar genocidit në Kosovë nga makineria serbe. Trevat e tjera të vendit nuk janë anashkaluar nga Vatra, por është ndalur në mënyrë të kujdesshme në çdo moment e në çdo situatë.

Duke u kthyer përsëri tek çështja e Kosovës si protagoniste kryesore në këto takime do të citoja figurat e njohura të komunitetit humanisten e trimëreshën Rita Saliu e cila në kohë lufte ka hyre tre herë në Kosovë, veprimtaren e palodhur e patrioten Shqipe Biba, ndërsa si emra veprimtaresh me kontribut në diasporë do të përmendja Zonjat Merita Shkupi, Merita Halili, Vera Gjata, Tringa Gojçaj, Dardanesha Gashi, Kozeta Zylo, Angjelina Nika, Elmira Gjoni, Rozi Theohari, Ilriana Sulkuqi, Merita Bajraktari McCormack, Aida Dismondy, Elza Zagreda, Makbule Bollati, Beti Bollati, Elmira Muja, Blerta Aliko, Dita Dauti Heilman, Teuta Shabani Towler, Arbërie Hetemi etj.

Edhe Kisha Katolike "Zoja e Shkodrës" në New York nëpërmjet festivaleve që organizon çdo vit me të rinjtë artistë të komunitetit tregon përpjekjet që ndërmer për identifkimin dhe prezantimin e artistëve tanë të folklorit në diasporë si dhe të mbajë të bashkuar komunitetin pa dallim feje apo krahine. Këto festivale ruajnë traditat muzikore e folklorike autoktone shqiptare si dhe siguron që ato do të vazhdojnë edhe në brezat e ardhshëm. Meritë të veçantë për këtë kanë i Përndershmi Dom Pjeter Popaj, Mark Shkreli, Tonin Mirakaj, Gjon Çotaj, Fran Çotaj, Ludvik Çotaj, Astrit Tota, gazetari, Klajd Kapinova, orkestrantët Edi Xhani e Ilir Dangllia, artistët Gëzim Nika, Kreshnik Zhabjaku, Luan Bexheti, Elza Zagreda, Aurela Gace, Hajro Cekaj etj, etj.

 

SHUMË BIJ TË DIASPORËS SHQIPTARE NË AMERIKANË RANË DËSHMORË PËR LIRINË E KOSOVËS

 

Cilat janë arritjet më të mëdha, kapitujut më të lavdishëm të komunitetit shqiptar në SHBA?

Mimoza Dajçi - Ndër arritjet e suksesshme të komunitetit shqiptar në SHBA kanë qenë përpjekjet e hershme e të vazhdueshme të diasporës në përmbysjen e regjimit diktatorial në Shqipëri.

Këtu do të ndalem me respekt në rolin që kanë luajtur pranë Radios "Zëri i Amerikës" gazetarët e nderuar e Shefat e Misionit Shqip, Zotërinjtë Elez Biberaj dhe Frank Shkreli, të cilët punuan me përkushtim në rrëzimin e atij muri të hekurt që izoloi per 50 vjet vendin tonë nga bota e zhvilluar dhe e qytetëruar. Nëpërmjet valëve të këtij Misioni të Rëndësishëm Informativ, e me zërin e tyre të palodhur Ata shpërndanin kudo në Shqipëri besimin e shpresës për Liri e Demokraci.

Por nuk mund të anashkaloj as faktorin patriotik e luftarak të shqiptarëve të Amerikës. Dhe e veçanta do të thoja është përmendja e Batalionit "Atlantiku", ku djem e të rritur e mes tyre edhe 16 vjeçarja Elinda Muriqi, e cila ishte shigjetare shumë e zonja, u rreshtuan në radhët e luftës për liri e pavarësi kundër makinerisë serbe që po shkatërronte çdo gjë, po ushtronte genocid të jashtëzakonshëm e spastrim etnik mbi popullsinë e pambrojtur në Kosovë. Disa prej tyre ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe nderohen me respekt nga komuniteti ynë në diasporë, siç janë tre vëllezërit Bytyçi, Ylli, Agroni e Mehmet Bytyçi. Ndërsa disa të tjerë që u shkëputën nga jeta amerikane e shkuan në luftë për të sfiduar vdekjen ishin Haxhë Balidemaj, Burim Kurti, Uk Lushi, Nexhat Imeraj nga Tropoja, 71 vjeçari Avdyl Gashi, Elinda Muriqi, Ilmi Berisha i cili la familjen me pesë fëmijë të mitur, komandanti i batalionit Atlantiku Gani Shehu i cili edhe pse u plagos në luftë dhe e dërguan për kurim në Texas, ai pas shërimit të tij u kthye përsëri në frontin e lirisë në Kosovë, Bajram Shala, Milot Buçaj -Vito, Uran Rexhepi, Fatmir Mjeku profesor i gjuhës shqipe në Shkup, Florin Lajçi la studimet universitare e i përfundoi ato pas lufte, Fadil Idrizi, Hysni Sula, Besim Muriqi, Isa Kodra, etj, të cilët u kthyen fitimtarë e vlerësohen si çlirimtarë të vërtetë. Gjithashtu një kontribut të jashtëzakonshëm për luftën në Kosovë kanë dhënë edhe Zotërinjtë Florin Krasniqi e Bruno Selimaj, por një dëshmi e gjallë e kësaj lufte për liri është edhe libri "Shqiptaro - Amerikanët e UÇK-së", me autor Z. Uk Lushi, ku ai paraqet me vërtetësi kronikën e veprimtarisë luftarake e heroike të Batalionit "Atlantiku" në Kosovë. Gani Demolli do ta quante këtë "Një luftë më ndryshe", ndërsa Ambasadori William Walker do të nënvizonte një të vërtetë mbi këta të rinj e të reja që i u bashkëngjitën Batalionit Atlantiku e UÇK-së duke thënë se: "Ata janë luftëtarë që po luftojnë për një kauzë, në të cilën i besojnë thellesisht". Ai si dëshmitar i masakrës së Reçakut fajësoi botërisht serbët për vrasjet e Reçakut, duke e quajtur një masakër kundër civilëve të paarmatosur dhe krim kundër njerëzimit. Z. Walker fajësoi forcat serbe të sigurimit dhe kërkoi që personat përgjegjës të jepnin llogari, paçka se Beogradi këtë krim masiv e quajti si incident, duke e paraqitur si një komplot të CIA-s amerikane "për të shkatërruar Serbinë", ndërsa vetë Walkerin e shpallën persona non grata. Mes të tjerave në kujtimet e tij po në këtë libër amabasadori Walker shkruan se, këta të rinj, bij nënash të diasporës shqiptare kishin ndërprerë karrierat, martesat dhe jetën e mirë në Amerikë për t'iu bashkuar vëllezërve, motrave, kushërinjve e shokëve atëbotë në përpjekjen e pashpresë kundër armatës jugosllave që ishte shumë më e madhe e shumë më e armatosur dhe e komanduar nga oficerë profesionistë, por që faleminderit Zotit, shumica e tyre u kthyen me plagë, një apo dy me gjymtyrë të humbura, por të gjithë krenarë për kontributin që dhanë. "E ky libër përfundon ai - ku autor mikun tim më të mirë që kam njohur në Batalionin "Atlantiku", Uk Lushi, - është historia e vetë atyre".

Gjithashut si arritje të fundit do të përmëndja pjesëmarrjen e Federates Vatra dhe KKSHA në Shtëpinë e Bardhë në Washington, D.C. me rastin e nënshkrimit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ridaljen në shtyp të gazetës Dielli, si dhe emërtimin e një rruge në Bronx me emrin e Shenjtores tonë Nënë Tereza, përpjekje kjo e vazhdueshme pranë Institucioneve Amerikane e patriotit e veprimtarit të njohur Esat Rizaj në New York.

Lobimi në Washington D.C. duhet të jetë prioritet për Komunitetin shqiptar në SHBA, a është i unifikuar komuniteti shqiptar, kur është puna për çështje madhore të interesit kombëtar, siç është edhe rasti tash kur ish-kongresmeni Xhoe Dioguardi garon për Senator, ndërsa Emin Egriu për Kongresin Amerikan?

Mimoza Dajçi - Një zë me të cilin përfaqësohet diaspora shqiptare në Zyrat e Administratës Amerikane mund të themi se është Këshilli Shqiptaro Amerikan me Drejtor Z. Avni Spahiu, por përderisa ne jemi akoma një komb i ndarë e i copëtuar padrejtësisht nga fuqitë e mëdha Lobimi në Washington D. C. do të sillte sigurisht sukses në unifikimin e çëshjes sonë kombëtare.

Ndërsa përsa i përket ndërgjegjësimit të komunitetit tonë për mbështetje të kandidaturave të Z. Dioguardi dhe Z. Egriu, mund të them se janë angazhuar edhe mediat e shkruara dhe elektronike si TV- Kultura Shqiptare, me drejtor e producent Adem Belliun, TV-21, drejtuar nga gazetari i njohur Halil Mula, TV-Alba, me drejtues Qemal e Kozeta Zylo, gazeta "Diellli" organ i Federatës "Vatra" me editor Dalip Grecën, gazeta "Ilirira" me botues Vehbi Bajramin e "Bota Sot" përfaqësuar nga gazetari i palodhur Beqir Sina të cilët i kanë mbështetur kandidaturat e tyre, sepse ata me punën e tyre të suksesshme në zgjidhjen e çështjes shqiptare kanë fituar besimin që edhe përkrahja për ata të jetë maksimale. Me këtë rast i uroj fitore e suksese në të ardhmen si z. Dioguardi ashtu edhe Z. Egriu.

 

ËSHTË DOMETHËNËS DËSHTIMI NË SHBA I NJË GREVE TË PARALAJMËRUAR URIE NË PËRKRAHJE TË EDI RAMËS

 

Në Shqipëri shpesh shohim polarizim dhe përçarje të politikës, a e shohim një reflektim të kësaj përçarje dhe polarizimi edhe në komunitetin shqiptar në SHBA?

Mimoza Dajçi - Këtu ky polarizim është shumë më i zbehtë, forcat e majta për mendimn tim ose punojnë nën rrogoz, ose janë të fshehura, sepse të paktën në New York, dominon politika e djathtë dhe e pavarur, ku shumë njerëz jetojnë jashtë politikës, pasi shikojnë se si t'i zgjidhin më mirë e më shpejt problemet e hallet e famljes së tyre, sepse emigracioni është i rëndë për këdo e shumë pak kohë të le në dispozicion për t'u marrë me angazhime të tjera.

Fakti që një grevë e paralajmëruar urie e cila u tha se do të mbahej pranë godinës së Kombeve të Bashkuara në New York në mbështetje të grevës së urisë organizuar në Tiranë nga Edi Rama nuk arriti të realizohej, tregon më së miri dështimin e së majtës shqiptare jo vetëm në vendin tonë por edhe në vendin më demokratik të botës siç janë SHBA.

Pas përmbysjes të diktaturës, në SHBA pati prurje të mëdhaja të shqiptarëve, sidomos nga Shqipëria, a janë integruar si duhet shqiptarët në shoqërinë Amerikane?

Mimoza Dajçi - Eshtë e vërtetë se pas viteve 90 këtu pati një prurje të madhe të shqiptarëve, por që të flasësh për integrimin e tyre në shoqërinë amerikane është një temë shumë e gjerë pasi përderisa edhe shumë shqiptarë punojnë nëpër administratën e instuticioneve amerikane, kompanitë apo bisneset e tyre, dashur pa dashur ata janë integruar edhe në shoqërinë amerikane. Shumë miq kanë shqiptarët në radhët e politikës amerikane, të cilët kanë ngritur historikisht zërin për çështjen shqiptare, e në veçanti atë të Kosovë, e ata janë të shumtë.

Por edhe miqtë artistë amerikanë nuk i mungojnë shoqërisë tonë. Personalisht e me modesti po ju tregoj se edhe unë kam mike disa artiste amerikane, e një më e afërta e cila është edhe protagoniste në një nga serialet më të shikuara në Amerikë "One to Live", është Ilien Kristen, e cila ka qenë e pranishme edhe në faqet e shtypit shqiptar. Ilien nuk haron kurrë të marë pjesë edhe në gëzimet tona familjare e anasjelltas.

Si është niveli i arsimimit të të rinjve shqiptarë, ardhur në SHBA me prindërit e tyre?

Mimoza Dajçi - Të rinjtë shqiptarë jo vetëm që po ndjekin e po studjojnë nëpër Kolegjet e Universitet më prestigjioze të Amerikës, por janë duke i kryer ato me rezultate të shkëlqyera në mësime. Edhe pse disa prej tyre përkrah shkollës i duhet që të punojnë për të përballuar jetesën, përsëri kanë patur rezultate mjaft të larta në përfundimin e tyre.

 

"JAM THJESHT VETËM NJË PIKË E VOGËL E ASAJ VUAJTJE TË MADHE"

 

Zonja Mimoza, ju vini nga një familje e persekutuar gjatë periudhës së diktaturës, a mund të na tregoni pak për xhaxhain tuaj, Rasim Dajçi pushkatuar nga regjmi komunist?

Mimoza Dajçi - Unë vërtetë kam pësuar persekutim politik në familjen time, por kjo nuk do të thotë se jam ekzemplar i asaj dhimbje të madhe që për afro gjysëm shekulli shkaktoi drama e tragjedi në popull, por jam thjesht vetëm një pikë e vogël e asaj vuajtje të madhe. Xhaxhai im Rasim Dajçi u pushkatua në Prizren në fund të vitit 1944 si antikomunist nga forcat sllavo - komuniste me në krye Shefqet Peçin, por me urdhër direkt të Enver Hoxhës e Milladin Popoviçit. Edhe im atë Enver Dajçi, si kosovar që nuk shihej me sy të mirë nga Hoxha e veglat e tij, e si idealist, e njeri me vlera të larta nuk u përkul kurrë përballë hipokrizisë fallco të komunizmit, e për pasojë pas burgosjes së tij vuajtëm edhe ne fëmijët e tij tmerrin e pasigurisë së jetës gjatë atij regjimi makabër.

Por im atë duke qenë edhe vëllai i një të pushkatuari politik e një intelektual me pikëpamje demokratike e përparimtare nuk mund të kalonte "paq" nga Sigurimi i Shtetit dhe organet e ndjekjes. Pas arrestimit të babait tonë, ku unë isha në moshë të mitur filluan pasojat akoma edhe më të mëdha. Edhe pse një pjesë të jetës tonë nuk e kemi kaluar në Kryeqytet si pasojë e përndjekjes që sigurimi i shtetit e Koçi Xoxe i bënin tim eti, por si shumë e shumë familje të tjera ish të perskutuara politike që jetuan në Tiranë, diktatura i mbante si shembuj të "deleve të zeza mes të bardhave" e çdo familje e prekur në biografi ishte e privuar nga çdo e drejtë shoqërore e politike, e drejtë studimi si ato për studime në shkollat e mesme ashtu edhe të larta, artistike apo profesionale, etj.

Vetëm puna në bujqësi, fabrika e uzina të rënda me tre turne ishin "privilegj" i madh për ne. Pra shtresa e persekutuar politike në Kryeqytet me gjithë persekucionin e saj jepte qartë ekspozenë e regjimit të asaj kohe, i cili duke treguar dhëmbët e hekurt në popull, ngrinte kamxhikun e kërcënonte duke thënë se kështu do ta pësojë cilido që do të guxojë të ngrejë krye kundër pushtetit "popullor".

Ju Mimoza edhe përpara se të vendoseshit në SHBA jeni angazhuar me shtypin shqiptar kryesisht pranë shoqatës së ish të përndjekurve politikë të Shqipërisë por edhe në atdheun e dytë ju përsëri keni treguar interes jo vetëm në median e shkruar por edhe atë vizive.

Mimoza Dajçi - Po është e vertetë që unë kam bashkëpunuar nga afër me shtypin pranë shtresës së ish të përndjekurve politikë për një kohë të gjatë, ku shumë pak vajza e gra të persekutuara u angazhuan në atë periudhë me shkrimet e tyre kundër diktaturës komuniste, por disa prej tyre janë Marie Dvorani, Vilhelme Haxhiraj, Shane Mudaj, juve Elida e ndonjë tjetër. Ishin kohëra të vështira, regjimi sapo kishte rënë, fakti që edhe sot ata kërkojnë të marrin me çdo kusht pushtetin tregon se sa situatë e rrezikshme dhe e pasigurt ishte ajo periudhë. Kohëve të fundit kam lexuar publicistikë e disa libra nga gra e vajza të persekutuara politike, e ky është një tregues i mirë për vetë zhvillimin e shoqërisë e të brezave që do të vinë për të mos harruar kurrë atë faqe të hidhur e të dhimbshme të historisë që u la me gjak të pafajshëm nga regjimi diktatorial në Shqipëri. Duke mos përjashtuar këtu krijimtarinë dokumentare letrare dhe artistike të shumë autorëve të tjerë ish të burgosur, të internuar e të persekutuar politikë, por unë në këtë rast u ndala vetëm tek gruaja shqiptare në veçanti.

Për mua ajo periudhë, edhe pse me rreziqe të mëdha - ku shpesh herë jam kërcënuar me jetën si unë ashtu edhe im bijë, do të mbetet një eksperiencë e veçantë dhe paharuar. Sepse, në një farë mënyre, pata mundësi që me penën e veprimtarine time shoqërore e politike, si pranë Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë, ashtu edhe pranë Partisë Demokratike t'i vija sadopak në ndihmë shtresës së persekutuar politike nga edhe vetë rridhja. Ndërsa këtu në SHBA përveç punës së përditshme që kryej në një spital në departamentin e shërbimeve të brëndshme, kur gjej kohë të lirë i përkushtohem si medias së shkruar ashtu edhe asaj elektronike, eksperiencë e re për mua kjo, por që ka brenda një specifikë të veçantë e që më sjell kënaqësi.

"RRËZIMI I LIGJIT TË LUSTRACIONIT ËSHTË NJË TURP I DREJTËSISË SHQIPTARE"

Zonja Mimoza, në Shqipëri nuk është bërë ende një distancim zyrtar ndaj krimeve të diktaturës, a ka kjo një çmim për demokratizimin e klasës politike? Një tjetër problem në Shqipëri që vazhdon të mbetet i pazgjidhur është hapja e Dosjeve dhe Ligji i Lustracionit që ka mbetur në mes të rrugës, çfarë mendimi keni ju?

Mimoza Dajçi - Përsa i përket kësaj pyetje sikur vetëm tek persekucioni politik e denigrimi që ai regjim i bëri femrës shqiptare kemi shumë e shumë për të folur, ku u burgosën, internuan e u pushkatuan gra e vajza në moshë shumë të re, vetëm e vetëm se aspironin një jetë ndryshe nga çfarë diktonte Hoxha në popull e mbi popull. Mos të harrojmë se edhe shtetase të huaja nuk u kursyen për të marrë dënime kapitale. Ndërsa rrëzimi i ligjit të lustracionit është një turp i drejtësisë shqiptare, është një rikthim mbrapa në kohë do të thoja i ish krimineleve të cilët duan me çdo kusht të mbrojnë atë genocid që për nga shifrat që vetë përmban dhe shkallën e persekucionit që është ushtruar në popull përbën genocidin me të egër në Europë. Pra duke u ndalur vetëm tek genocidi që është ushtruar mbi femrën shqiptare të ekzekutuara kemi - 450 gra, të dënuara -7.367, të vdekura në burgje - 7, kanë humbur aftësinë mendore gjatë torturave -29, janë internuar 10.792, kanë vdekur nëpër internime 5.118, përfshirë këtu internimet apo vdekjet e parkohëshme edhe të fëmijëve. Gjithsesi këto shifra çdo ditë shikohen e shqyrtohen me kujdes nga organet përkatëse, e mbase kjo shifër është e përafërt me të sotmet, por fakti që në institucionet e larta të shtetit e të drejtësisë vazhdojnë të drejtojnë njerëz të inkriminuar tregon se vendi ka akoma punë për të bërë për pastrimin e figurës publike dhe demokratizimin e vendit me standartet që kërkon koha.

Para pak kohë në Shqipëri, pas daljes në pension të Fehmi Abdiut dhe dy gjykatësve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese u hap një debat rreth mosvotimit nga maxhoranca në Parlamentin e Shqipërisë të Vangjel Kostës, një kandidati për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që kishte marrë pjesë në gjykimet e diktaturës, si e gjykoni ju hapjen e këtij debati?

Mimoza Dajçi - Personalisht nuk kam punuar ndonjë herë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, SHIK, apo në Arshivën e Shtetit, e nuk jam marë kurrë me hapjen e dosjeve, megjithëse në shumë shkrime e kam theksuar se hapja e dosjeve është një kusht i domosdoshëm për bashkëjetesën demokratike e paqes në vend. Edhe në një rast kur m'u paraqitën dy oferta pune, refuzova të punësohesha në SHIK, por fillova punë pranë Ministrisë së Arsimit e Shkencës, flas këtu për vitet 96 97.

E nëse maxhoranca nuk aprovoi kandidaturën e Vangjel Kostës si kandidat i mundshëm për në Gjykatën e Lartë, kjo nuk do të thotë se i është bërë ndonjë padrejtësi e madhe, pasi mos hapja e dosjeve le vend për aludim edhe në rrëzimin e tij. Përderisa ky proces që edhe Këshilli i Europës ia ka vënë "detyrë shtëpie" Shqipërisë nuk ka marrë akoma zgjidhje, përsëri do të ketë përplasje mes forcave të ndryshme politike e presidenciale në vend.

Mimoza, jeni vendosur prej disa vitesh në NY me vajzën tuaj, çfarë do të thonit diçka të veçantë, që e shihni si një arritje e për të cilën ia vlen të krenoheni?

Mimoza Dajçi Kam përshtypjen se për çdo shqiptar akoma edhe sot Amerika është një ëndërr. Ardhja ime këtu tregon për një veprim të guximshëm timin, pasi dihet se emigracioni veçanërisht për femrat është shumë i vështirë, në rastin konkret në mënyrë të figurshme do ta krahasoja me një dallgë të furishme oqeanike që ose të merr me vete në vorbullen e saj ose të nxjerr në breg. E unë pata fatin e mirë dhe kurajon e fortë që ta ndjek me sukses dinamikën e kësaj rrjedhe e të eci me hapa normalë në ritmin e saj. E këtë guxim do ta lidh me kërkimin e një identiteti të ri të përmasave më të mëdha të lirisë. Eshtë e vërtetë se emigracioni në vetvete përbën një "aventurë"edhe për vetë amerikanët, aq më tepër për Nju Jorkun që tërheq çdo vizitor të porsa ardhur. Kështu që edhe mua ky destinacion më tërhoqi për të kërkuar më shumë në jetë. New York-u është një qytet klasi, i cili të magjeps me stilin e tij të bukur dhe elegant. E pas këtij përballimi me realitetin e ri çdokush duhet të bëjë një bilanc të tij, duke parë aftesitë e tij si fizike ashtu edhe ato intelektuale, e me mençuri zgjedh atë rrugë që mund të realizohet duke arritur një dimension më të plotë lirie.

Gjithashu mendoj se me punën e sakrificat e mëdha që kam bërë së bashku me vajzën time Merlinin kemi arritur që këtë ëndërr ta kthejmë në realitet. Ku çdo ditë me përkushtim i bashkohemi gjigantit të madh e të fuqishëm New Yorkut duke u adaptuar në jetën amerikane me të gjitha standardet që ajo kërkon. Vajza krahas punës së saj në spital si koordinatore pranë një departamenti tepër serioz e kërkues siç është ai i zemrës, ku është vlerësuar me disa medalje e Çmimin e madh, "Portreti i Respektit", interpreton në violinë me orkestrën simfonike e prestigjoze të këtij spitali, vegël kjo që e ka shoqëruar që në fëmijërinë e saj. Edhe kur ajo ishte studente në Universitetin "La Sapienca" në Romë për shkenca politike, gjatë kohës së lirë do të ushtronte profesionin e saj të dashur të muzikës.

Eshtë për të ardhur keq që në vendin tonë edhe pse vinte nga shtresa ish e persekutuar politike e ishte nxënëse me rezultate të larta në mësime, sime bije nuk i u dha e drejta e studimit për në shkollën e lartë. Por pas shumë dyerve të mbyllura e shanseve të humbura, për shkak "biografie", është pikërisht periudha post - komuniste kur Shqipëria u hap me botën që i dha vajzës sime mundësinë të studionte e të punonte në perëndim. Pra shkollimi i saj në Itali e më pas në SHBA përbën një arritje të madhe për vajzën time, gjë për të cilën krenohem vërtetë.

--

 

 

 

Mimoza Dajçi me babain e saj Enver Dajçi

 

 

Mimoza Dajçi duke intervistuar ambasadorin amerikan Frank Wisner

 

 

E bija e Mimozës, Merilin, me Dr. Gjon Buçaj, kryetar i Federatës Pan Shqiptare Vatra dhe të shoqen Nikoleta

 

 

 

Mimoza Dajçi në një mbledhje të Partisë Lëvizja e Legalitetit

 

 

Dita Dauti, Merita Bajraktari McCormack, Mimoza Dajçi, Dr. Ana Cohen, Valdete Idrizi nga Mitrovica e sapo dekoruar nga Qeveria Amriakane me

Ç
mimin Gruaja e Guximshme, shkrimtari Naum Prifti dhe veprimtari Shaqir Gashi

 

Mimoza Dajçi me aktoren amerikane Ilein Kristen

 

Vajza e Mimoza Dajçit, Merilin (djathtas), dhe mbesa Dhimitra me artisten amerikane Ilien Kristen ne New York

Intervistoi Elida Buçpapaj


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.