VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shërli DioGuardi: Beogradi të respektojë të drejtat në Preshevë
E Shtunë, 03.14.2009, 06:58pm (GMT1)

Zëri i Amerikës:  Zonja DioGuardi, në një artikull mbi Luginën e Preshevës ju vini në dukje përkeqësimin e situatës politike dhe të sigurisë në atë zonë. Ku bazohet konstatimi juaj?

Shirly Cloyes-DioGuardi: Mendoj se shembulli më i njohur është ajo që ndodhi më 26 dhjetor kur 10 persona u arrestuan në orët e para të mëngjesit dhe u torturuan.  Një prej tyre u rrah keq dhe u lirua, ndërsa 9 të tjerët u dërguan në Beograd ku thuhet se do të dalin në gjyq. Të gjithë këta persona u akuzuan dhe mund të themi, u dënuan nga shtypi i Beogradit si kriminelë lufte. E gjithë kjo duket si çështje me motive politike dhe ne duhet të shtrojmë pyetjen pse po ndodh kjo tani. Ka zëra, që ndonëse jo zyrtarisht thonë se raste të tilla janë simbolikë e spastrimit të heshtur etnik që po ndodh në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc. Gjysma e shqiptarëve janë larguar dhe kushtet janë të tmerrshme. Punësimi është thuajse zero dhe nuk ka mundësi arsimimi. Dhe e dyta është që serbët po përpiqen t'u tërheqin vëmendjen ndërkombëtarëve nga ajo që po përpiqen të bëjnë në Kosovë, që është copëtimi i saj. 

 

Zëri i Amerikës: A ka pasur reagime qoftë nga shqiptarët apo ndërkombëtarët mbi akuzat për shkeljet e të drejtave të personave të arrestuar?

Shirly Cloyes-DioGuardi: Mendoj se është domethënës fakti që unë nuk mund të bëj të njohur publikisht emrat e njerëzve me të cilët kam punuar prej vitesh dhe që i kanë kërkuar ndihmë Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Shumë njerëz kurajozë në Luginën e Preshevës po përpiqen të bëjnë diçka për këtë çështje. Por jam e zhgënjyer me heshtjen e shumicës së politikanëve shqiptarë në Evropën juglindore. Dhe jam edhe më e zhgënjyer me përgjigjen e komunitetit ndërkombëtar.  A nuk është domethënës fakti që zonja Natasha Kandiç dhe komiteti serb i Helsinkit janë përpjekur t'i vizitojnë të ndaluarit dhe ta hetojnë çështjen dhe nuk janë lejuar. A nuk është e çuditshme që organizatat Human Rights Watch dhe Amnesty International nuk janë marrë me këtë çështje? Mendoj se arsyeja është që Beogradi i ka portretizuar këta njerëz si kriminelë lufte duke i izoluar ata nga komuniteti ndërkombëtar.  Mendoj se BE-ja dhe SHBA mendojnë se nëse nuk reagojnë, atëherë Beogradi mund të dorëzojnë kriminelët e vet të luftës. Por nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Ata mendojnë se ky është incident i izoluar. Përkundrazi ky është shembull që përfaqëson shkeljet e të drejtave të njeriut. Dhe dua t'i them komunitetit ndërkombëtar se nuk do të ketë zgjidhje të konfliktit në Ballkan nëse nuk do të ketë respektim të barabartë të të drejtave të njeriut dhe atyre  civile. 

 

Zëri i Amerikës: Po reformat e premtuara në Marrëveshjen e Konçulit në vitin 2001? Sa janë zbatuar ato?

Shirly Cloyes-DioGuardi: Unë dhe bashkëshorti im Xho DioGuardi kemi qenë të përfshirë në Marrëveshjen e Konçulit në anën e UÇPMB-së. Ne, sikurse edhe shqiptarët në Preshevë jemi thellësisht të zhgënjyer se sa pak nga premtimet ka vënë në jetë Beogradi. Dhe kjo është pjesë e problemit që shohim tani, që çështjet kryesore nuk janë trajtuar fare. Papunësia është mbi 75 për qind. Shqiptarët nuk janë integruar fare, dhe madje, pas pavarësisë së Kosovës, ata janë persekutuar edhe më shumë. Beogradi po ndërton një bazë të madhe ushtarake pranë Bujanovcit dhe prania e policisë është rritur sidomos pas arrestimit të 10 shqiptarëve atje.

 

Zëri i Amerikës: Ish ndihmës sekretari amerikan i shtetit Robert Gelbard tha në një intervistë kohët e fundit se Serbia duhet t'i zgjasë dorën e bashkëpunimit popullsisë shqiptare qoftë sibolikisht apo përmes politikës dhe zhvillimit ekonomik. E para, a pajtoheni me mendimin e zotit Gelbard, dhe e dyta nëse situata vazhdon të keqësohet, a ekziston rreziku i një konflikti?

Shirly Cloyes-DioGuardi: Jam shumë dakort me ambasadorin Gelbard dhe më vjen mirë që ai e ka bërë këtë deklaratë. Kjo është pikërisht ajo që duhet të bëjë Beogradi. Dhe për sa i përket mundësisë së një konflikti, mendoj se Beogradi po e përdor këtë çështje me shpresën se do të ketë një përgjigje të dhunshme nga shqiptarët, në mënyrë që t'i portretizojë ata si klasë apo gurp kriminal. Por nuk janë shqiptarët që po veprojnë, është Serbia ajo që po përpiqet ta destabilizojë rajonin dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë këtë. Marrëveshja e Konçulit nuk ka sjellë rezultate dhe është koha të rikthehemi në tryezën e bisedimeve. Madje është hedhur ideja për ndërmjetës ndërkombëtarë. Por gjithsesi është e qartë që Beogradi nuk mund të kërkojë të drejta për serbët e Kosovës, të cilët i gëzojnë ato, dhe t'u mohojë të njëjtat të drejta shqiptarëve në Serbi. Vetëm përmes respektimit të të drejtave të njeriut mund të arrihet stabilitieti që dëshiron perëndimi si dhe të gjithë ata që jetojnë në rajon. Voal-online.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.