VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Ollbrajt: Lufta në emër të Lirisë
E Martë, 03.24.2009, 11:31am (GMT1)

Radio Evropa e Lirë - "E çuam NATO-n në një luftë të gjatë 78 ditëshe. Ishte shumë thelbësore, sepse bëhej në emër të lirisë për njerëzit që përndiqeshin nga shtëpitë e tyre apo që vriteshin", ka thënë ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, për Radion Evropa e Lirë, duke folur për luftën e vitit 1999 në Kosovë.

"Ishte edhe çështja e Kosovës dhe pyetja në këtë rast ishte - si të ndalej spastrimi etnik. Atëbotë, isha sekretare e shtetit dhe kisha qenë dëshmitare se na është dashur shumë gjatë për të hyrë në Bosnjë".
"Kësisoj, e çuam NATO-n në një luftë të gjatë 78 ditëshe. Ishte shumë thelbësore, sepse bëhej në emër të lirisë për njerëzit që përndiqeshin nga shtëpitë e tyre apo që vriteshin. Me këtë u dëshmua edhe vlefshmëria e misionit të ri për NATO-n".
"Njëkohësisht, nuk ishte e lehtë në kuptimin e marrjes së vendimeve, të punës së komitetit ushtarak, të përzgjedhjes së caqeve, por mendoj se për NATO-n ishin çaste suksesi në përmbushjen e misionit të tij".
"Shpresoj se shumë mësime janë nxjerrë nga fushata në Kosovë, që mund të jenë të dobishme në rajonet tjera, siç është Afganistani. Është pjesë e rrëfimit të njejtë të periudhës së pas Luftës së Ftohtë".
"Megjithatë, një aleancë që është themeluar për të qenë anti-sovjetike, ishte në fakt relevante në fund të shekullit të 20-të dhe fillim të shekullit 21-të për t'u marrë me problemet e asaj kohe, që kishin të bënin me luftime ndëretnike dhe vrasje e spastrime etnike të njerëzve që jetonin në një vend".
"Ishte evidente nga puna që kishim bërë se rusët do të shfrytëzonin veton për një rezolutë me të cilën do të kërkohej shfrytëzimi i forcës në Kosovë".
"Së këndejmi, ne na duhej jo vetëm që ta çonim NATO-n në një luftë, por ta bëjmë atë në mënyrën që disa vende mendonin se nuk duhej ta bënim".
"Për ne ishte shumë e rëndësishme se ishte një veprim i NATO-s, sepse e bënte një veprim multilateral, me mbështetjen e 16 vendeve anëtare atëbotë, për të ndërmarrë në fakt një operacion ku do të shfrytëzohej forca".
"Prandaj, ky veprim jo vetëm që bëri punën e saj në kuptimin ushtarak, por une besoj se e legjitimoi edhe fushatën në Kosovë. Por asgjë prej kësaj nuk ishte lehtë". Voal-online


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.