Të shtunën e kaluar, në Koblenz u mbajt Takimi Poetik Tradicional " PAVARËSIA"
për nder të 5 - vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës si dhe 100 -
vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë . Ky manifestim u organizua nga LSHAKSH në
Gjermani dhe kishte karakterin garues dhe prezantues, ku ishin edhe shumë
mysafirë, miqë dhe adhurues të fjalës së bukur artistike. Në mesin e tyre ishte
Ministri i Diasporës z.Ibrahim Makolli, sekretarja e Ambasades së Repulikës së
Kosovës në Berlin, znj.Fatmire Musliu, konsuli i Republikës së Kosovës z.
Astrit Zemaj, në Frankfurt, këshilltari i konsulit në Vjenë dhe poeti Anton
Marku, znj. Donika Gërvalla, z. Hafiz Gagica, Shoqata kulurore "Aleksandër
Moisiu" nga Vjena, Shoqata e Shkrimtarëve nga Zvicra, Shoqata e Shkrimtarëve
"Naim Frashëri" nga Fushë Kosova, Shoqata e Gruas shqiptare " Nënë Tereza" nga
Heidelbergu, poetja e piktorja znj. Miradije Ramiqi, poeti e gazetari Demir
Reshiti nga Kosova, mediat televizive të RTK-së dhe të Radio Kosovës (emisionit
"MË AFËR"), e të tjerë.
Mysafirët i përshëndeti kryetari i LSHAKSH z. Hasan Qyqalla ku mes tjerash tha:
" Ruane gjakun tim që të shkruhet gjuha shqipe" Petro Nini Luarasi.
Arti është çiltërsi shpirtërore, ndjenjë emocionale, strukturë univerzale,
pararendëse e imagjinatës, epokë e së kaluarës, vizuel i shumanshëm dhe
kompleks. Shikuar nga kjo premisë e arsyeshme, logjike dhe e qëndrueshme, i
vëmë vetes këtë detyrë, të organizohemi rreth një bërthame fisnike siç është
ARTI (muzikor,letrar, pamor, i shkruar ) që identifikohet ndryshe si "magji"
krijuese shpirtërore. Andaj jemi së bashku këtu, poet, shkrimtar, artist,
këngëtarë e dashamirë të kulturës shqiptare për të madhështuar Manifestimin
tonë poetik tradicional , për t`i dhënë gjak e gjallëri fjalës së bukur poetike
shqipe, me poezitë tuaja, me vlerat tuaja që i keni sjellë këtu për t`u dhuruar
e për t`u fal ngrohtësi shpirtërore bashkatdhetarëve.
Veç shpalosjes së vlerave poetike dhe konsumimit, forcohet fuqishëm koncepti i
intensifikimit mendor, shpirtëror e kombëtar, i migëruar nga të gjitha trojet
tona etnike. Ne synojmë drejt integrimeve e strukturimeve, përmes artit në
mjediset e shteteve ku jetojmë e veprojmë. Mbase, ma thotë mendja, se nuk ka si
të jetë ndryshe, kur kemi një alfabet, një abetare, një gjak, një gjuhë.
Nocioni i kulturës artistiko poetike, e karakterizon jeten kulturore nga
pikëpamja cilësore duke shprehur shkallën më të lartë të zhvillimit artistik
dhe tiparet themelore të shoqërisë njerëzore. Këtu s'do harruar fatin nopran të
popullit tonë, etapat e vështira, historit e dhembjes e gjakut, të palcës e
ashtit, të tretjes e varrit, të kullës e flamurit. Të gjitha këto për një
Liri...! Pikërisht nga këto trysni politike, detyrimisht morëm rrugën e
mërgimit, që sot jemi bërë komunitet. Mërgata ishte, është dhe do të mbetet
gjenerator, jo vetëm i jetës instiucionale e sociale, por edhe bazë e fuqishme
për zhvillimin ekonomik, politik, intelektual e diplomatik të shtetit. Mbase,
qëndrojmë brenda kuotës së shenjtë "Atdheu është Atdhe bile edhe atëherë kur të
vret"- Mitrush KUTELI!
Takimin e udhëhoqën dy nënkryetarët e Lidhjes, poetët Mentor Thaqi dhe Fran
Tanushi, si dhe zëdhënësja e kësaj Lidhjeje poetja Sevëme Fetiqi.
Me këtë rast, mysafirët i përshendetën Ministri i diasporës, z.Makolli, sekretarja
e Ambasadës së Kosovës në Berlin znj. Musliu, konsuli i Repubikës së Kosovës në
Frankfurt, z. Zemaj si dhe përfaqsuesit e Shoqatave të Shkrimtarëve, Besim
Xhelili, Brahim Avdyli, dhe Asllan Qyqalla. Nënkryetari i Lidhjes, poeti Neki
Lulaj pasqyroi aktivitetet njëvjeqare, që pati LSHAKSH në Gjermani.
Në orën letrare, u lexuan njëzet e pesë poezi nga poetët e pranishëm: Martin
Çuni, Agim Gashi, Mentor Thaqi, Neki Lulaj, Besim Xhelili, Dan Kosumi, Asllan
Qyqalla, Lulzim Bunjaku, Shaip Ademaj, Ragip Dragusha, Miradije Ramiqi, Anton
Marku, Nexhat Sadullahu, Gonxhe Letmi Begisholli, Ali Berisha, Pal Sokoli,
Fran Tanushi, e shumë të tjerë. Juria e përbërë nga poeti Shaban Cakolli,
sekretar i Lidhjes sonë, Pal Sokoli, anëtar i Kryesisë si dhe Miradije Ramiqi,
mysafire nderi e këtij Takimi kishin një detyrë të rëndë, sepse të gjitha
poezitë ishin të nje niveli të lartë artistiko - letrar. Çmimi i parë i takoi
poetit Brahim Avdyli nga Zvicra. Çmimin i dytë i takoi poetit Dan Kosumit nga
Vjena dhe çmimi i tretë, poetit Nexhat Sadullahu nga Fushë Kosova. Çmimi i
publikut, për performansën e mrekullueshme të recitimit, i takoi poetit
shkodran nga Vjena, Ragip Dragusha.
Natyrisht që në këtë Takim poetiko-letrar u ndanë edhe mirënjohje dhe
falënderime për kontributin e dhënë mërgatës dhe Lidhjes sonë. LSHAKSH në
Gjermani, ndau shpërblimin vjetor tradicional z.Martin Çunit, kryetarit të
nderit të kësaj Lidhjeje dhe poetit e piktorit Dan Gashit. Që nga ky vit
LSHAKSH në bashkpunim me familjen e dëshmorit Adrian Krasniqi ndan shpërblimin
" HEROI I LIRISË ADRIAN KRASNIQI (PORTRETI I DESHMORIT )", personaliteteve.
Kete vit ky shpërblim iu nda Ministrit të diaspores z.Makolli, për kontributin
e tij dhënë mërgatës shqiptare, e në veçanti për përkrahjen e Lidhjes sonë.
Në pjesën e dytë u bënë tri përurime librash. U përurua Antologjia " NJË
SHEKULL DRITË" e cila u botua vitin e kaluar, për nder të 100 - vjetorit të
Pavarësisë së Shqipërisë, poezitë e së cilës antologji i përmbledhi dhe i
redaktoi poeti Hasan Qyqalla, reçensionin e lexoi Mentor Thaqi. Pastaj, u
përuruan edhe vëllimi me poezi " BALADA E HESHTJES " e poetit Neki Lulaj,
reçensionin e të cilit e lexoi publicisti dhe gazetari z. Magjun Smajli si dhe
vëlllimi me poezi " LABIRINTI " i poetit Selajdin Gashi, reçensionin e të cilit
libër e lexoi poetja znj.Gonxhe Letmi-Begisholli.
Para se të mbarojë ky manifestim, me mirënjohje të shumta u nderuan edhe
z.Hafiz Gagica, z.Xhafer Leci, znj. Miradije Ramiqi, përfaqsuesit e Shoqatave
kulturore- letrare, etj. Edhe LSHAKSH, për kontributin e saj në ruajtjen e
vlerave të mirëfillta artistike dhe kombëtare si dhe në lëminë e bashkëpunimit
me Shoqata të tjera morri mirënjohje prej Shoqatës së Gruas shqiptare "Nëna
Terezë" në Heidelberg të Gjermanisë si dhe Shoqatat mysafire.
Në fund të programit, nën përcjellje të AVI "MINATORI" nga Kosova, në skenë u
paraqit këngëtarja veterane znj. Selvete Tërstena. Ajo me zërin e saj të ëmbël
dhe melodik këndoi këngë shkodrane. LSHAKSH falënderon të gjithë mysafirët,
pjesëmarrësit dhe adhuruesit e fjalës së bukur artistike që me praninë e tyre e
madhështuan këtë Takim Poetik, falënderon Ministrinë e Diasporës, edhe
sponzorin z. Ramiz Muharremin e sponzorët tjerë si dhe z.Sami Hysenin, pronarin
e Hotel CONTINENTAL që me mikpritjen e bujarinë e tij shqiptare sponzoroi
mediat dhe darkën e pasur për mysafirët e ftuar.
Edhe njëherë poetët dhe artistët mërgimtar dëshmuan se dojnë dhe munden të
bashkohen të gjithë së bashku rreth fjalës së bukur artistike, per t´i dërguar
atdheut mesazhe malli dhe dashurie.