E Enjte, 03.28.2024, 05:29pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
JARGËT E 'QËNIT' TË LEKOS
Nga PËRPARIM HYSI

E Enjte, 09.18.2014, 11:16am (GMT+1)


As që do tentoja që të shkruaja për ta: për "Qënin" dhe për Lekon. I kisha bërë dalje nga kujtesa me kohë. Për t'i harruar siç harroj jashtëqitjen. Sado që të dy, qoft Lekoja dhe qoft "qëni" i tij besnik, më kanë bërë keq. Nuk jam i predispozuar që ta harroj të keqen dhe e kam thënë në një nga shkrimet e mia. E kam thënë dhe e kam si një kredo: në harrofsha të ligën, le të më nxjerrin njërin sy dhe, po harrova të mirën, të m'i nxjerrin që të dy. Por pa ju lodhur larg e larg, po ju them: Lekoja ka qenë një nga shefat e mi ( gjatë dyzet e ca vjet punë mund të kem ndërruar mbi dhjetë shefa), i cili, ma nxiu jetën atëherë kur jeta ime ishte në lulëzim, kurse "qëni" qe vetëm inspektor që "lehte" dhe jargoste punën time me porosi të Lekos. Lekoja na ka lënë shëndenë nga kjo botë dhe, për fat të mirë, nuk ka lënë dhe rracë. Tokë- shterpë që nuk i duhej kujt. Ky,"qëni" ka lënë, por as që më duhet me ta. Në fund të fundit, mund të kesh një baba të lig që "leh" dhe kafshon me urdhër të eprorit dhe nuk ke faj. Prindin as e zgjedh dot dhe as ta ndërron njeri.
* * *
Kam mbi dhjetë vjet që kam dalë në pension. As që dua t'i kthehem kohës së shkuar, por ndodh siç më ndodhi sot. Papritur dhe pakujtuar kur ballas u shfaq ai: "Qëni". Qëni i Lekos. Këtë nofkë nuk e ka nga unë. Ia vuri një kolegu im që ia njihte huqet prej qeni. Por jo të një qëni të fisëm e besnik, por të një qeni që të kafshon, dhe, pastaj, leh. I tillë ka qenë dhe këtë lloj "kafshimi" e kam paguar për një thelë, një pelë.
Shetis rrugëve të Tiranës dhe , befas, pashë një të moshuar konvulsiv që mënd i shkonin jargët nga goja. As që më shkon mëndja që të nëpërkëmbë cilindo të moshuar (unë jam vet një, i tillë, tashmë), por tek e vështrova më me ngulm, e njoha. Qe ai: "Qëni" i Lekos! Tek e shihja në atë gjendje mjerane, as që e mëshirova: ka bërë shumë të liga dhe vetëm jargët nuk mjaftojnë. Nuk ka lehur, por ka kafshuar.
Por si ka ndodhur me të vërtetë?
Është një histori që, edhe po të dua, nuk e harroj dot. Kisha mbi gashtë vjet që kisha dalë mësues. Fillimisht qeshë emëruar mbi 25 km larg shtëpisë dhe vetëm dy vjet kisha që, tanimë, isha transferuar në një shkollë ku bëja gjysmën e asaj distancës së parë. Kur isha transefruar, kisha krijuar familje dhe kisha një djalë. Por nuk qe e thënë që të zija rehat. Në gusht, gjithmonë bëheshin emërimet e reja dhe ja tek më "fluturuan" në firifistun: 60 km larg shtëpisë! Shef sa qe bërë ai, Lekoja! Ky "lloj transefrimi" qe si një rrufe mbi qiell të kthiellët. Transferimet dhe emërimet bëheshin në emër të komitetit ekzekutiv dhe duhet të kishe krahë të fortë që mund t'i ndryshoje. 60 km larg dhe ishte më mirë të ishe mësues në Peqin të Elbasanit se sa në atë fshatin e largët . Xha Taqoja, një miku im i vjetër, që qe interesuar për shkaqet e këtij "transferimi" rrufe, erdhi dhe më tha me atë humorin e tij karakteristik: të ka gjetur si në kohën e sulltanit: pasha në Izmir se Stambollin e kam vet. Pastaj, për të treguar, se të keqen e kisha nga Lekoja, më tha: seç ke bërë andej ku ke qenë. Seç ke "bërë" dhe ke shkelur në kallo Lekon. Në Myzeqe kësaj i thonë: je shkelur me patok. Mirëpo, po u "shkele" me patok, pa dhe vezën do ta bësh të madhe. Kështu, mor evlat, mbathja atje në "Izmirin" tat. Xha Taqoja qe natyrë e tillë që çdo gjë ta thoshte me të qeshur, por, nga ana tjetër,qe një njeri babaxhan. Epo... kush kish ngenë dhe të qante hallin tim. Sa filloi viti i ri shkollor, u paraqita në "Izmirin" e xha Taqos. Lekoja qe "kujdesur" që mua të më krijoheshin "kondita lehtësuese". Nuk mjaftonte që kisha një drejtor fare të paaft, po, kur nuk e prisja, mbrriti "qëni". Ky "qëni i Lekos" që ishte asi kohe inspektor. Qe me arsim të mesëm,copra-copra, dhe, veç paaftësisë, kish një portret që ta shpallte. Sa më tepër që ta shihje, aq më shumë bindeshe se kishe përpara një "monstër" të Niadertalit. NJë fytyrë, më tepër se sa e deformuar, me ca flokë si gjembairiqi dhe ajo që e shëmtonte më shumë si njeri, qe "demonstrimi i forcës". Demonstrimi i forcës është një nga tiparet e të paaftëve. Sa më i paaft të jesh, aq më shumë tenton që t'u imponohesh vartësve.
* * *
Kisha një javë që kisha filluar nga puna dhe, mu ditën e shtunë, kur mezi prisja të mbaroja mësimin, dha ballë ky "Qëni" i Lekos. Ata, të tjerët, e kishin nga ana e tyre dhe, sa e panë, nuk ia kursyen as buzëqeshjet dhe as "temenatë", në mund të shprehem pak turqisht. Drejtori që ishte sa një plesht, mënd vuri këpucë me taka që të "rritej" edhe pak për t'iu afruar pak nga gjatësia, këtij, njeriut të Niadertalit. I tërë ky teatër luhej para syve të mi dhe unë, ca se qe fundjave, dhe ca se i njihja mirë lehjet e tij prej qëni ( në të vërtetë, qenë kafshime të liga), bëra sikur nuk e vija re gjithë këtë maskaradë neveritëse. Po , sado që përshtpyja ime për të ardhurit qe neveritëse, për mos t'i hyrë në hak, duhet të them se aq i trashë nuk qe, sa mos vinte re mospërfilljen time. Se ai kish ardhur enkas për mua, me porosi të shefit dhe unë, në vënd të mblidhesha e të bëhesha si gogël, rrija mospërfillës kur ç'luhej aty as që të kish të bënte me mua. "Qëni" e këputi zinxhirin dhe erdhi drejt meje.
- Këta,- tha,- i njoh, por kam ardhur që të shoh orë mësimi tek ti.
As që i fola, se nuk varej nga unë: ta pranoja a të mos e pranoja? Hyra në klasë dhe ai, së bashku me drejtorin, zunë vënd në fund të klasës. Tërë jetës si mësues, kur jepja mësim në prezencë të "mysafirëve", veproja sikur në klasë të isha i vetëm. I patunduar nga "mysafirët" dhe gjithmonë përfundimet e atyre që më kontrollonin, qenë të mira. Nxënësit më ndiqnin dhe kurrë nga askush, qoft dhe kur jam kontrolluar dhe nga ekip ministrie, kurrë nuk më është nxirë faqja. Dhe këtë radhë, pas mësimit, vrejtjet qenë të mira dhe thashë: tani, me që mbaroi dhe ora e pestë, ditën e mirë e frymën në xhade për t'u kthyer në shtëpi se kisha një javë pa vajtur. Por "qëni" do lehte me porosi: - Jo,- lehu ai,- ti nuk do ikësh. Do ikësh kur të duam ne. Kur të dua unë dhe ky. Kur tha ky, bëri me shënjë nga drejtori. Mua po më hipnin kacabujtë, megjithatë u mundova të ruaja gjaktohtësinë.
I thashë:- Shoku inspektor, unë jam familjar. Kam një javë pa vajtur në shtëpi dhe, mbi të gjitha, kam nevojë edhe të ndërrohem.
E pashë që u ckërrmit dhe ma preu me sëpatën e dardharit: - Ore, e di ti se me kë po flet? Dhe duhet ta dish se nuk të kanë prurë këtu që të bësh me kokën tënde. Se atë kokë ta thyejmë. Qëni, duhet sa la "lehjen", filloi dhe të kafshojë. Kolegët mënd mbanin barkun me dorë. Qeshë i vetëm jambanxhi dhe kisha rënë në zot. Kur pa që unë nuk po i ktheja përgjigje, mendoi se më vuri poshtë dhe e shtoi dozën: ham- ham me britma të tilla që mënd po i binin jargë nga goja. Në "orgazmën" e vetkënaqësisë ( i shihej një tis triumfi në fytyrën prej gorille), jo vetëm po i imponohej auditorit, por mendonte: sa do të kënaqej, Lekoja, shefi?! Po unë, asi kohe, kisha më tepër nevojë për fre se sa për shtyrje. Ca se nuk e shihja dot me sy dhe ca se po më hiqej si padron, shpërtheva me gjithë pontecialin e urrjetjes: - Ty,- i thashë, duhet të të marrë dorën sikur je padroni im dhe unë të jem veç një lolo i bindur. Po a e di ti që jo vetëm nuk të shoh dot me sy, por këto jargët që nxjerrë nga kënaqësia përverëse, t'i mbledh me një sapllak dhe të vë që t'i pish deri sa të vjellësh. Tani fliste inati dhe zbraza tërë artilerinë time të urrejtjes. Mbaj mënd që, të fundit fare, i thashë: " Fytyrë gorillë që trëmb këdo nga shkon rrugës dhe, duke parë "auditorin" që tash ishte mpirë nga ky shpërthim i beftë, hodha xhaketën mbi krah, dhe u thashë kolegëve:- U pafshim për të mira!
* * *
Ika dhe e kisha marrë vendimin: në atë shkollë nuk kthehesha më. Më thirrën në komitet dhe shefi, Lekoja, që kish hedhur gurin dhe kish fshehur dorën, në ballafaqimin tim mundohej që të më mbushte mëndjen që të rikthehesha atje, se "gjasme" ishte nxituar disi ai, inspektori. Domethënë kish lehur me zë më të trashë se sa qe porositur. Po unë qeshë i vendosur që mos kthehesha dhe, kur thonë në futboll, përdora një "finte". Shkova në degën ushtarake dhe takova shefin e mobilizimit. I dhashë karar: më mirë të heqë ushtrinë nga supet se të mbaj mbi supe një mal të tillë me grackat e shefit dhe "qënit" që lehte me porosi. Pa mbrritur mirë në shtëpi, kish ardhur fletë- thirrja për të shkuar ushtar. Midis dy të këqijave, zgjodha atë më lehtën. Shefit , kur u paraqita me fletëthirrjen e ushtrisë, as që i erdhi mirë. Po nuk kish aq këllqe që ta zmbrapste një urdhër të tillë dhe, tek firmosi një urdhër financiar për likujdimin e pagës sime, e pashë që qe errur në fytyrë sikur diçka e sëmboi. Po vallë ç'plane iu prishën? Ç'do kish sajuar me atë mvartësin e vet? As që e mora vesh veç hamendësoja.
* * *
Ushtrinë e bëra dhe jo pak: tre vjet. E lashë djalin 1 vjeç dhe e gjeta katër. U lirova në dhjetor 1967 dhe, pas pushimeve semestrale që bëheshin prag vitit të ri, u paraqita në kuadër. Shef ende qe Lekoja. Por ç'punë kish me mua? Shefin as e zgjidhja dhe as e hiqja dot. Kur u paraqita në kuadër, inspektori përkatës më dha shkresën që të filloja punën në shkollën e Petovës. U gëzova, padyshim. Petova është vëndlindja ime dhe nuk kish se si bëhej më mirë. Nga fshati ku banoja, Petova qe dy km larg. Pra, zëre se qeshë emëruar në shtëpi. U paraqita në drejtori të shkollës, mora programin e lëndëve (gjithmonë kam dhënë gjuhë- letërsi) dhe, tek prisja ditën e parë të mësimit, befas më thërresin në seksion. Shkova me një frymë dhe, ndërkaq, më priti shefi: Lekoja! Ky i bëshëm sa një katana ( në gjuhën e popullit: si një lopë barsë!), as që luajti nga karrikja kur hyra unë dhe impozant e tërë kënaqësi, më komunikoi: - Dora- dorës ti nuk do fillosh në arsim! Ke ca "gjynahe" të vjetra se ti,- shtoi,- ke ofenduar dhe shokun Faruk! Sado që qeshë në një pozitë shumë diskrete (as që prisja një masë të tillë), por s'kisha si mos kthiellohesha dhe të mos kujtohesha që "qëni" që lehte, tashmë ishte bërë i madh: s'mund të thoshe më: Faruk Çili, por shoku Faruk! Më dha vendimin qe qeshë i pushuar dhe, mënd po i pëllcisnin faqet nga gëzimi, si një triumf i një beteje që zhvillohej në heshtje. Tek shkruaj, më vjen ndërmend një batutë nga një film me angjentë: - I çali të kujton dhe s'të harron!
Sado që kishin kaluar tri vjet, Lekoja nuk kish harruar. Ua kish mbushur mëndjen atyre të komitetit dhe i kish mëshuar faktit: ka fyer shokun Faruk!!! Pra, kisha fyer "qënin" që lehte kundër meje. Epo,- thoshte xha Taqoja,- kur hahesh me kadinë, nuk ka kush ta bën davanë. U pushova dhe ku nuk shkova të ankohesha. Rruga e ankesave nuk qe fare e lehtë. Duhet të filloje nga kryesia e komitetit ekzekutiv, në komitet të partisë së rrethit e, mandej, në ministri të arsimit. Filloi "maratona" ime e ankesave. Përgjigja ishte në unison: është vendimi komitetit ekzekutiv. Është i pakthyeshëm. Shefi bëhej prezent në telefon kur e atakoja në komitet të partisë. Por ç'mund t'i bëja unë atij? Mbarova ankesat në rreth dhe u sula nga Tirana: është vendim... Përgjigjen më "brohoritëse" ma dha përgjegjësi i ankesave në Kryeminstri. I mbaj mënd dhe emrin: Gani Malushi! Ky, sado që ia parashtrova me "politesë" hallin tim, më dëgjonte me një indiferencë, sikur po më dëgjonte nga zori, dhe, kur mbarova, më tha:- Nuk e urdhërojmë dot Fierin, na !!!! Tani unë nuk kisha seç humbja dhe ia zbraza:- Po,- i thashë tërë mllef,- unë kam ardhur në Libofshë dhe Libofsha nuk e urdhëron dot Fierin. Pse e prishi terezinë ai? Më dha të kuptoj që vëri majat nga ke putrat dhe unë ika si qeni i rrahur.
* * *
Maratona e ankesave të mia vazhdonte dhe u mbushën dy muaj pa punë. Kur u kujtova se "qëni" qe bërë shoku Faruk! Mendova: tash që puplat i janë bërë krahë dhe, veç kësaj, nuk leh më për shefin, do jetë zbutur disi dhe do ma qajë hallin. Se kot nuk thonë që halli të bënë që të trokasësh dhe në derë të hasmit. Shkova dhe kur më priti, sado që kisha malin-hall mbi supe, desh ia dhashë të qeshurit. M'u ravijëzua ajo skena e tre vjetëve më parë. Ky, shoku Faruk, bëri sikur e kapërdiu atë inatin e hershëm dhe, tek dëgjoi (po ai e dinte më mirë se sa unë ) hallin, u ngrit nga karrikja dhe në prezencë të instruktores, më tha: - Ti , mor djalë, jo vetëm ke marrë mëndjen nëpër këmbë dhe sorollatesh zyrave ( paske vajtur deri në kryeministri), por ke nevojë për edukim. Duhet të fillosh punën atje në fermë dhe, kur të lodhesh në kazëm, ktheu në shatë!!!! Këtë të kazmës dhe shatës ma kish thënë dhe sekretarja e komitetit ekzekutiv. Paska qenë "sentencë" për t'u mësuar përmëndësh. Shoku Faruk ende lehte. Por "lehja" qe me zë të trashë: si ngjirrje se qënit të stanit i merrte të keqen. Tek "ngjirrej", kisha qejf që ta zija prej gurmazi dhe t'ia dërmoja ato nofullat prej Niedertali. Kisha atë inatin proverbial të atij punëtorit të papunë të Migjenit. Ham- ham,- doja ta përshëndesja shokun Faruk! As kazmëm dhe as shatën nuke bëja dot. I dhashë karar: do punoj në Azotik. U paraqita atje dhe, pasi paraqita dokumentet, ai i kuadrit më tha që të dukesha herë pas here. Herë pas here, por ja avash-avash po mbushej muaj. Mos loz me mua ky i kuadrit? Atëherë i fut një mik dhe atij iu rrëfye:- E mbaj me shpresë, me sot me nesër, po nuk e marr në punë. E kam porosi nga Lekoja. Nga shefi. Sa"kujdesej" për mua! Sa më tha miku të vërtetën, drejt e në komitet të partisë. Tek një nga sekretarët. Shumë i ndershëm. Ia thashë hallin dhe theksova "kujdesin" e Lekos. Ai, pa e zjgjatur, mori telefonin dhe foli:- Leko, kam këtu filanin! Seç thoshte në telefon Lekoja, nuk e di, por kur ky, Lamçe Sheme, i tha me zë të lartë:- Leko, siç ke ndërhyrë për të mos e marr në azotik, jepi letër rekomandimi që të fillojë menjëherë! E dëgjova sekretarin dhe u çlirova nga një gërç. Kur shkova tek ish-shefi, Lekoja, ky si vrarë në fytyrë, më tha:- Çfarë i the ashtu shokut Lamçe?
- Të vërtetën i thashë dhe, sado që auditori i zyrës së tij qe plot, i thashë: - Ti më urren, po dhe unë nuk e ha thatë. Ka vetëm një ndryshim: ti ke pushtet dhe po më bluan në "gurët e mullirit të pushtetit", kurse unë kam vetëm të drejtën.
As që u ndje dhe, siç kërcen prifti nga belaja, shkroi letrën për atë mikun e kuadrit të azotikut. Më së fundi, odiseja e vuajtjeve të mia mbaroi. Ai, miku i ish-shefit, më kërkoi librezën time të punës që të bënte regjistrimin. E nxora dhe ia dhashë, kur turfulloi:- Jo, nuk të marrim dot në punë. Klinikisht, je me aftësi të kufizuar dhe nuk punon dot tek uzina jonë. Vërvita fishekë në det. Tollumbacja ime e shpresës u shpua dhe plasi. S'kishte ku vinte më keq.
* * *
Kishte hyrë marsi dhe, dalëngadalë, po mbusheshin tre muaj pa punë. Por a nuk kapet i mbyturi prej fijes së kashtës? Thashë: po i shkruaj një letër Enver Hoxhës dhe, pas kësaj, kiameti le të bëhet. Qe ajo koha kur "fillonte punën" me letrat nga populli. E shkrova sa më shkurt dhe gjithmonë duke lakuar hakmarrjen e verbër të shefit dhe, patjetër, lehjet e "qënit" që qe bërë shoku Faruk Çili. Për t'i dhënë t'i kuptoja Enver Hoxhës se po shkruaj vetëm të vëretetën, tregova se xhahxanë ma kish pushkatuar partia qysh në vitin 1948. Me emër e mbiemër xhaxhanë se mund t'ia servirnin këtej sikur e fshihja. Theksoja që vija nga ushtria dhe, kur në gjithë fasadat e mureve, shkruhet të ecim me temp ushtarak, me displinë ushtarake, mua nuk më japin të drejtë të punoj në arsim. Veç kësaj, shkruaja se në se"partia do më jepte të drejtë, mundësisht të më emëronin në Petovë, për të qenë afër familjes. E shkrova fare spontaenisht dhe e postova me një pullë dylekë egjysëm. Kot. Si hudh një gur në lumë. Kur, pa mbushur javën, kish ardhur përgjigja. Në favorin tim. Kish ardhur, po e mbanin fshehur. Unë,- sipas tyre,- duhet të vija në kazëm, patjetër. S'kam se si e mohoj: në zyrat e pushtetit dhe të partisë ka patur dhe njerëz të ndershëm dhe idealistë. Nuk flas me apriori: njeriu që më tregoi, në mirëbesim, qe i ndjeri Hysen Mema, atëkohë instruktor në komitetin e partisë së rrethit. Dëgjo,- më informoi ai,- ka ardhur letër nga i madhi dhe me porosi të tij do fillosh punë në shkollën e Petovës. Këta (ish fjala për shpurën e eunukëve) do të bëjnë presion që të punosh qoft dhe një ditë në kazëm, po mos u dorëzo. U bëra me krahë dhe isha gati që atë burrë aq të ndershëm ta ngrija në krahë. Tre muaj nuk qenë pak. Aq më tepër me familje e fëmijë.
* * *
Dhe ndodhi ashtu siç më tha, i bukuri Hysen! Unë, si i papuni i Migjenit, sillesha aty para zyrave dhe bëja sikur lexoja fletërrufetë made in dacibao model kinez. Vështroj që më afrohet një nga ata: të shpurës së eunukëve. Bëra sikur mbarova së lexuari dhe, tentova të shkoja nga lulishtja, ai prapa meje. Dhe në një tentativë të tretë, ai po prapa. Nuk ishte kuadër do si do: por shefi i kabinetit të partisë në rreth. Siç duket atij ia kishin ngarkuar samarin. Unë tani kisha shaluar kalin e triumfit, sipas informacionit të ndershmit Hysen ( paqë dhe dritë mbi varrin e tij), tak u ktheva ballas nga ai dhe i them:- Ore, mos ke ndërruar punë që më ndjek nga prapa?! Njiheshim prej kohës dhe duke ma ditur tipin si pak rebel, më tha:- Dëgjo, ka një porosi për ty. Do fillosh në arsim, por duhet të vesh të punosh qoft dhe një a dy orë në fermë dhe pastaj do vish në zyrën e shefit (ish fjala për Lekon) që të marrsëh shkresën.
Faik,- i fola në emër (është gjallë dhe mund ta pyesni),- unë nuk do punoj asnjë sekondë në fermë, por do shkoj në PTT (postë-telegraf) dhe do t'i bëjë telegram sh.Enver me këtë tekst:- Fjala juaj nuk pi ujë në Fier!!! Natyrisht, që luaja, por "koburen" ma kish mbushur i ndejri Hysen Mema. Kur thashë kështu, Faikun sikur ezuri cërma nga kërcënimi im dhe frymën e mbajti në komitet. Unë, atje: tek fletë rrufetë. I ngeshëm dhe me punët në "terezi". Kur dha ballë Lekoja dhe më thotë:- Do vish pak në zyrën time! Do vij,- i them,- po kam pak punë tani. Pas tij dhe ajo"kur të lodhesh në kazëm, të kthehesh në shatë". Siç i kisha lakuar, i kish ngarkuar një për një. Paskësh thënë,- më thosh i ndjeri Hysen,- që i riu ( ishte fjala për mua) ka treguar sinqeritet dhe shokët e pushtetit e partisë janë nxituar në masën ndaj tij. Të fillojë mësues në Petovë. Kur firmosën shkresën si sekretarja dhe shefi kishin ikur nga çehreja. Ma zgjati ajo dhe, tani që qeshë kaluar, thashë ( nuk jam hipokrti dhe nuk dua ta mohoj) : - Të rrojë partia dhe sh.Enver se për ju, en grup. "kur të lodhesha në kazëm, do çlodhesha me shatë!". As që u ndjenë. Atë, shokun Faruk, nuk e pashë. Doja që të ishte dhe ai që t'i lehja:ham- ham...
* * *
Ja të gjitha këto m'u kujtuan kur pashë jargët e këtij që dikur lehte për shefin. E pashë ashtu dhe nuk më erdhi fare keq. Sa njerëz si puna ime ka marrë në qafë që kur filloi "lehjen" dhe, ca më shumë, kur u bë shoku...

Tiranë, 18 shtator 2014

PËRPARIM HYSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHTËRNGATANga QAZIM SHEHU (09.17.2014)
DY POETË, DY POEZIPërktheu: FASLLI HALITI (09.16.2014)
PSE I URRENTE KRITIKËT BABAI I 'LOLITËS'?Nga HERBERT GOLD (09.16.2014)
DOLI LIBRI MË I RI POETIK "NDJENJA PERËNDIE" I AUTORES SË NJOHUR RITA SALIU (09.16.2014)
TREGIMI QË NUK KA PËRFUNDUARNga ALI M. LAJÇI  (09.16.2014)
TË NDESHESH ME SFIDËNNga QERIM SKËNDERAJ (09.15.2014)
NJË PASDITE NË ZYRIH Nga ISMAIL KADARE (09.14.2014)
MBI FLOKËT E ULLUKËVEVëllim i ri poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (09.14.2014)
DITËT E DREJTËSISËTregim nga QAZIM SHEHU (09.13.2014)
KTHIMI I BABAIT NË SHTËPITregim nga ALEKO LIKAJ (09.13.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]