VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 'AI' DHE 'AJO'Refleksion, kushtuar grave të dhunuara, që duan të gjejnë veten... !Nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 11:18pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
'AI' DHE 'AJO'
Refleksion, kushtuar grave të dhunuara, që duan të gjejnë veten... !
Nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ

E Enjte, 11.27.2014, 11:42am (GMT+1)

                     



"Është bukur të lindësh femër.
Por është mëkat dhe krim dhuna
ndaj qelizës së shoqërisë njerëzore
prej së cilës lind e bukura, jeta!"  

Vivra  

...Në dukje"Ajo" ishte e qetë. Veçse brenda qenies së saj zjente si vullkan. Si rrallë ndonjëherë, atë çast ndihej jashtëzakonisht e turbulluar. Ndoshta, ndoshta i dukej vetja e pavlerë... Ndaj kërkonte nga ndërgjegjja të dinte se ku qëndronte paaftësia e saj. Këtë e vinte re vetëm ndjesia e hollë e Nevetes, syri i padukshëm i Mbiqenies, ose më mirë e ndjente si askush deri në thellësi të çdo qelize dhe atomi, vetëm Vetëdija e saj. Nga një fjalë e pamatur, e pamenduar, apo nga një epitet që nuk e meritonte, edhe ajo vetë dukej se ishte shkërrmoqur dhe pluhurizimi i çdo tingulli apo shkronje që gërmëzonte atë fjalë, kishte hyrë e ishte shpërndarë në gjithë trupin në miliona e miliarda grimca mikroskopike të padukshme, që i shkaktonin një bezdi që nuk e linte asnjë grimë të qetë. Madje e ndjente se si ajo masë e huaj i lëvrinte bashkë me gjakun në të gjithë trupin, në gjymtyrët, në çdo indqelizë e deri në çdo bërthamatom, duke i shkaktuar një nxehtësi përvëluese, që rrudhos, përzhit dhe karbonizon çdo mendim. Edhe pse mundohej të përmbahej, ta qetësonte e ta kontrollonte veten, përsëri  i dukej e pamundur. Ishte në një gjendje shpirtërore të nderë.  Këtë ndjesi shqetësuese më tepër e ndjente në muskujt e parakrahëve, në ata të kërcinjve, përfshi këtu edhe shputat apo falangjet e duarve dhe të këmbëve, që i digjnin si prush. Lëvizte çdo tipar në mënyrë të pavetëdijshme, duke ndryshuar shpesh gjendjen emocionale, aq sa s' e mbante vendi.
 
  Papritur e pa kujtuar brofi në këmbë. Pas pak, me bindje, plotësisht e vetëdijshme, hyri në dhomën e gjumit, ku këmbët e çuan para pasqyrës. Rrëmbimthi, i hodhi një vështrim të përgjithshëm trupit që nga koka e deri te këmbët. Ju drejtua shembëlltyrës së saj e nisi të bisedojë me të:

   "-Çfarë ka që nuk shkon tek unë? Përse  "Ai"më trajton si një...?
   -Asgjë... Mos harro se në një shoqëri me nivel të ulët apo të larmishëm të gjithë njerëzit,  pa përjashtim paragjykohen, gjykohen, jo rrallë herë marrin edhe dënime ekstreme. Madje ndodh që këto gjykime bëhen në mungesë të tij...   
   -Po më çudit...Natyrisht, nuk jam më e dikurshmja dhe...
   -Por as nuk mund të renditesh mes plakave gërmuqe, pavarësisht viteve që je martuar
   -Nuk e kam për moshën, jo..., por mos vallë pamja ime flet për ndonjë anomali mendore?
   -Përkundrazi... Je më normale se çdo tjetër njeri normal. Me thjeshtësinë që të karakterizon, virtytet, vlerat që mbart dhe arritjet, të duken si diçka mëse e zakonshme, pasi janë rezultat i kohës që s'njeh kufi, fryt i palodhshmërisë e fal aftësisë tënde profesionale. Mos harro se ti je këmbëngulëse në arritjen e qëllimeve apo synimeve që i ke vënë vetes. Pikërisht për këto cilësi ke fituar mjaft admirim, jo vetëm të pacientëve të tu, por më gjerë... E nëse këto dhunti i quajnë anomali, aq më keq për ata që i mendojnë...
  -Atëherë përse, përse më fyen"Ai"? Përse m'i ul ato pak vlera që kam? Ndoshta nuk jap shumë, por ama janë vlera reale. Kurse ai jo vetëm i mohon, por ma tjetërson karakterin, duke më veshur një petkë të lerosur, një mantel të ndotur, i cili më vë në pah disa cilësi të cilat janë të huaja për mua dhe moralin tim. Përse vallë e errëson dhe e përkeqëson padrejtësisht gjendjen time shpirtërore dhe atë mendore? Nuk di se çfarë kënaqësie ndjen duke më dhunuar mendërisht e moralisht, madje edhe fizikisht. Ndoshta është më i zoti se unë, por nuk duhet të harrojmë se ne jemi të ndryshëm. Kemi prejardhje të ndryshme, ndaj nuk kemi të njëjtat gene. Nuk kemi as të njëjtën kulturë dhe aq më pak ne jemi me shkallë të ndryshme intelekti. Jetojmë nën një çati, thithim të njëjtin oksigjen, hamë nga e njëjta tenxhere, përjetojmë dhe përballojmë të njëjtat probleme, por asnjëherë mes nesh nuk mund të vendoset shenja e barazimit. Ndaj kurrë nuk mund të jemi të të njëjtit nivel dhe karakter. Natyrisht nga cilido kaq gjë kuptohet...
  S'di ç'të them. Ndoshta "Ai"nuk do t'ia dijë fare... Apo mos vallë luan me nervat dhe ndjenjat e mija deri sa të më shkatërrojë?! Vrasja morale dhe dhuna psikologjike janë si helmi që i jepet dikujt për ditë, me doza të pakta derisa vreri shkon në çdo qelizë dhe atrofizon trurin dhe zemrën.
   Oh, jo,jo...kjo nuk durohet, është e pafalshme.
  -Keni një jetë bashkë...A nuk ishte kjo kohë e mjaftueshme për ...?!
  -Jeta është një eksperiment pa fund, e cila shndërrohet në një përvojë të vyer, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Veçse  mjerisht jetës...,nuk i mungojnë edhe përvojat e hidhura.
  -Pikërisht nga që jeta ka këtë rol, është koha, ajo që bën punën e saj...
  -Kur u njohëm dhe më pas u deshëm, unë ia parashtrova synimet e mia... Janë disa gjëra që me kohë, vit pas viti shndërrohen në traditë të bukur, që vlen të merret si shembull. Por zakonet e shndërruara në vese, të cilat lënë vragë, nuk i kapërdis dot. Kam dashur që të mos më gënjente, mos të më mashtronte, të mos vidhte dhe të mos më mëshironte. Nëse do të gënjente s'kam dashur kurrë të më gënjente mua. Nëse do të vidhte, le të vidhte zemrën dhe ndjenjat e mia. Nëse i pëlqente të mashtronte, le ta bënte me këdo, por... Kurrë s'kam dashur të mashtronte jetën tonë bashkëshortore. Nëse i pëlqen të më mëshirojë, do të ishte një ngërç frymëmarrës dhe për gjithë jetën do të ngelej një kockë e zvargur në fyt. Ngaqë e urrej mëshirën, më mirë pranoj vdekjen se sa të jetoj për mëshirë. E në raste të tilla marrëdhënieje, kur këto vese bëhen udhë, ti arrin të harrosh veten. Tashmë nuk di më se cila jam.
  Por për fat të keq gjatë gjithë jetës unë i jam larguar vetes. Në një farë mënyre, jam ndjer fajtore, e pavlerë lidhur me dëfrimet...apo dhe udhëtimet e tij me shkak dhe pa shkak, gjëra që sjellin mosmarrëveshje në çift. Kjo ka ndodhur se kam dashur që të gjithë treguesit e jetës familjare të ecnin pararlel, si kushtet jetike, ushqimi, veshja e mbi të gjitha edukimi dhe shkollimi i fëmijëve, gjë që e ka pasur edhe "Ai" si synim kryesor. Kurse tani e shoh se nuk mundem më. Jam shndërruar në tjetër njeri. Kam ngelur një zgavër bosh, prej së cilës buron vetëm frikë dhe tmerr për atë që tashmënuk ekziston më.
  -E ke gabim...Për sa kohë, apo sa herë do t'i largohesh vetes?! Kërko brenda qenies dhe do të gjesh veten, të vërtetën dhe realitetin ...
  -Nuk di a do të mundem vallë?
  -Ti ke shumë forca brenda qenies tënde. Je e zonja dhe do t'ia dalësh. Pastaj mos harro se ke fëmijët dhe për ta ia vlen të jetosh dhe të sakrifikosh...
  -O Zot! Sa herë nuk e kam dashur më jetën dhe...! Kanë qenë fëmijët ata që më kanë rikthyer dëshirën për të jetuar dhe luftuar.
   -Të duash është bukur.
   -E di. Kjo është e vërtetë, por ndërkohë të duash është, edhe dhembje. Ata, fëmijët, janë gjëja më e vërtetë, më reale, më e çmuar dhe më e bukur që më ka dhuruar jeta. Por ajo që të vret pa plumb, ngadalë dhe pa u ndier, është mungesa e sinqeritetit në çift. Kur ke mësuar se je e tradhtuar, jo vetëm fizikisht, por edhe në mendime apo të kanë shpërdoruar , të kanë përdhosur si njeri, si individualitet përmes një fjalori vulgar, atëherë ke kuptuar të vërtetën, se ditët apo vitet nuk janë të ngjashme si në fillimet e njohjes...Vetëm kush e ka provuar e ndjen thellësisht në shpirt se sa e rëndë është ajo ndjenjë braktisjeje dhe mosbesimi, që të çon në zhgënjim. Por i duruari, i fituari...Së paku fëmijët dhe ata që më njohin, më vlerësojnë...Kur mendoj se dikush që pranon sfidën dhe në qenien e tij fiton vlera, duhet të jetosh..."
   Ishte një bisedë e vetëdijes me nënvetëdijen, të cilën "Ajo" ma rrëfeu ngadalë dhe dhimbshëm. Ende pa pritur përgjigjen..., e ndërgjegjes,"Ajo" u përqëndrua një hop dhe si heshti pak...
  -Eh...! Sa e largët më duket ajo kohë kur...O Zot, si qenka jeta!" -ofshami "Ajo"gjithë maraz.
  "Gjithsesi "Ai" ka të drejtë të më përçmojë sepse ka para, kurrë nuk ngelet duarbosh. Madje i ka me të tepërt. Ndaj i duket se të gjithë botën e ka nën këmbë. Njerëzit në syt dhe mendjen e tij shvlerësohen, sepse i mat me sasinë e parasë që ata kanë. Për "Atë" të gjithë janë aq të vegjël e të papërfillshëm, aq inekzistent, sa vetëm veç "mendjes së tij të ndritur," asgjë s' ekziston nën këtë qiell...Por ka harruar se me para nuk blihet as lumturia, as dashuria, as qetësia shpirtërore, as intelekti dhe aq më pak personaliteti. Madje ata, parallinjtë, janë më të pagjumtit, sepse edhe kohën dhe hapësirën i matin me sasinë e parasë. Kanë harruar që bota është si portokalli dhe ecën pa i përfillur të tillët. Në fund pyesin veten:
'Ku ishim dhe ku jemi?
-Asgjëkundi...
-Çfarë fitova nga kjo jetë?
-Asgjë...
Si ka qenë jeta ime?
-Akoma nuk e di? Një jetë e gënjeshtërt...",- i gëlonin mendimet atë çast."Sa keq që njeriu nuk i jep jetës një kuptim, atë kuptim që ajo të jetë e plotë dhe me ngjyra reale. Duke analizuar sjelljen e tij, tashmë e kuptoj se kam kujtuar se e kam jetuar jetën. Porse tani e di mirë se jeta ime ka qenë një gënjeshtër...!"-pas këtij përfundimi "Asaj" iu duk sikur u gjend para një honi të errët e pa shpresë. Nuk e deshi më veten. Iu pështiros gjithçka kishte përjetuar, gjë që i solli neveri ndaj çdo veprimi negativ ndikues në qenien e saj.     
  "Në jetë nuk të lodh shumë puna fizike, aq sa të drobit harxhimi i energjive morale dhe shpirtërore. Lufta që zhvillohet mes qelizave pozitive, negative dhe asnjanëse të trurit brenda kufijëve të njohjes së botës, është e ashpër tejet e gjatë, e cila duket sikur nuk merr fund kurrë. Kjo zvarritje e tejzgjatur ndodh sepse brenda ndërgjegjes ndeshen mjaft ide dhe dukuri, si: e mira me të keqen, e dobëta me të fuqishmen, e drejta me padrejtësinë, e vërteta me gënjeshtrën apo, inteligjenca me padijen, vlera me antivlerën etje, të cilat ngërdheshen mes tyre në një luftë të ashpër, se kush do të fitojë. Kjo luftë mendimesh e ndijimesh mes të kundërtave, që bëhet brenda të së njëjtës qenie apo një individi, duket se është një prirje në vazhdimësi, e pandalur dhe tejet e gjatë e veprimtarisë së trurit, ku kërkon të mbijetojë më i fuqishmi.
  Veçse duhet të kemi të qartë se fuqia nuk matet me forcën fizike, por me atë që prodhon mendja, ose të menduarit e avancuar që zhvillohet paralel me kushtet e arritjeve tërësore më të reja të universit dhe shoqërisë. Por e vërteta është se kur sheh se të kanë shterur fuqitë dhe aq më tepër kur vëren se nuk i ke zgjidhur problemet si duhet dhe në të përftuarit e qetësisë të jetës tënde, nuk ka pasur asnjë ndryshim cilësor, vritesh shpirtërisht e mendërisht, sepse e nesërmja të duket pa një rreze drite, pa një rrugëdalje, madje ngjan sikur nuk ke asnjë shpresë. Nganjëherë arrin në përfundim se koha dhe fati të kanë vërvitur në një udhëkryq të madh dhe ti ke ngelur i ngurosur nga pavendosmëria, pasi nuk di se ç'drejtim duhet të marrësh..., "- me mendime të tilla u zgjua atë mëngjes.
  Mëngjes... Diçka e mjegullt, pa forma të qarta, në dukje si napa e dritëhijeve tinëzare në brendësi të pyllit, aty ku nuk arrin të hyjë plotësisht dielli, qëndronte pezull në atmosferë. Një mori ngjyrash të paqarta, të ngërthyera në hapin e kohës, e bënin atë të ngadaltë, shurdh-memece dhe pa jetë si një masë amorfe...
  Ishte pikërisht"Ajo", njeriu që përjetonte një periudhë të vështirë e të trazuar, në një dilemë të tillë të pashmangshme. Ndodhej në një gjendje apatie, gjë që reflektohej në gjithë qenien e saj të drobitur.  
 Ndërsa qëndronte me krahët e kalavarur nga pafuqia ose paaftësia për të vendosur dhe vepruar se ç'duhej të bënte, papritmas..., si për çudi, "Ajo" vazhdoi bisedën me veten...
  "Do të doja që çiftet kurrë të mos harrojnë atë që shkoi, por përherë ta kthejnë kokën pas. Me sytë e ndërgjegjes do të shohin rrugën e gjatë dhe të vështirë që kanë kaluar bashkë. Atëherë secii duhet të pyesë ndërgjegjen:''Të kujtohet vallë? Ishim ne të dy që hymë symbyllur në një rrugë të panjohur. Kemi duruar sa e sa dhembje... Jemi përballur me vështirësi e kemi kapërcyer fyerje, përbuzje, shpërfillje, vuajtje, skamje, varfëri dhe bashkë arritëm të mbijetojmë... Kurse tani përse qenkemi tjetërsuar dhe u bëmë të pavlerë për njëri- tjetrin?"- donte t'ia shprehte gjithë mendimet e atij mëngjesi, por kur dëgjoi fyerjet e tij... "Ajo" u breshtua e shtangur dhe u ngurtësua si një shkëmb vullkanor, sepse nuk tingëllon bukur kur në familje përherë dëgjon të njëjtin zë që thotë: "Unë dhe vetëm unë e bëra atë, unë e bëra këtë, ose jam unë ai që ju nxora nga errësira...,prandaj ju keni ecur përpara se më kishit mua si udhërrëfyes. E njeh veten ti moj budallaqe,moj e lajthitur, moj e krisur nga mendtë e kokës? Jo, jo, sepse një grua cipëplasur që i ka plasur delli i ballit, pa litar dhe ...pa fre, nuk është në gjendje të analizojë veprimet e të njohë veten..."   -asaj një bojë i ikte dhe një tjetër i vinte. E shqetësuar, por arsyetimi nuk i mungonte . "O Zot, sa turp! Më duket vetja sikur më kanë kallur në kanalet e ujërave të zeza, sepse në largësinë prej mëse njëqind metrash, vetëm një të përdale mund t'i bërtasësh e ta fyesh me fjalor vulgar. Megjithëse një sjellje e tillë edhe ndaj saj është dhunë që dënohet nga opinioni , zakoni dhe ligji. Veçse ai që nuk e përmban dot veten, nuk e  ka të qartë se, me forcë nuk bëhet asgjë. Madje në ato çaste të përdorimit të çdo lloj dhune, njeriu është më kokëfortë se vetë përdoruesi i saj. Që të të zbatojë urdhrin edhe fëmijën, duhet ta bindësh më parë. Kurse gruan me ç' të drejte e fyen, e dhunon moralisht dhe fizikisht? Ti do t'i tregosh se çfarë duhet të bëjë ose të mos e bëjë, apo se kujt duhet t'i flasë e me kë duhet të shoqërohet? Nuk ka turp më të madh një sjellje jashtë kohe, kundër çdo norme, me mënyra kërcënuese mesjetare. Mos vallë femra është mall tregu, apo prona e mashkullit? Jo..."Ai" është pa tru. Nuk ka më mend, ndaj s'i punon as logjika dhe as arsyeja. Atë ditë që Zoti i futi në tru serinë e logjikës, pa dyshim që "Ai"ka munguar. Mendoj se raste të tilla dhune dhe arrogance duhen kërkuar në shkencën e Logjikës Universale, ku e vërteta e munguar, e varrosur apo e gabuar, kërkon kohë për ta vërtetuar...Shembuj të tillë duhen marrë për studim që njerëzimi të mësojë elementet e sjelljes, që më pas brezat të jetojnë në paqe dhe harmoni. O Zot, jepu pak mend njerëzve trushkulur! Po pse nga frika i qëndron gruaja besnike burrit?! Kësaj i thonë :'të ka gënjyer mendja'. Ose 'të rrosh vetë se mendja të ka lenë!'Mjerë kush e ka në thua apo në gene, se kurrë nuk i gjendet ilaçi imoralitetit... Të gjithë e dimë që vesi është si mikrobi që përhap epideminë dhe kurrë nuk shndërrohet në virtyt,"- mendonte "Ajo" e drithëruar dhe lotët si shprehja e vetme e dhembjes rrokulliseshin të hidhur, dhe duke i kapërditur , zvargeshin nga fyti drejt shpirtit të saj të lodhur.
    

VILHELME VRANARI HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË TAKSI PËR MACEN TIMETregim nga ALEKO LIKAJ (11.27.2014)
SI THONI JUPërçmuesve të këngës sonëNga FASLLI HALITI (11.26.2014)
POEMË PËR ISA BOLETININ(KUSHTUAR GJENERALIT ME PLIS TË BARDHË)Nga XHEMAIL PECI (11.26.2014)
KUKULLAPortreti i nënësNga ISMAIL KADARE (11.25.2014)
GJITHË KU PREK NDJENJACikël poetik nga VASIL TABAKU (11.24.2014)
YJETPoezi nga QAZIM D.SHEHU (11.24.2014)
AI LUM KURRË S'MA PRISHI GJUMINCikël poetik nga PATRIK SADIKAJ (11.23.2014)
TRI POEZI NGA MICHAEL AJZENBERGPërktheu: FASLLI HALITI (11.22.2014)
KUR SHEH TË RRËZOHEN GJETHET E ËNDRRAVECikël i ri poetik nga REXHEP SHAHU (11.22.2014)
APOKALIPTIKEProzë nga QERIM SKËNDERAJ (11.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]