VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 'NË KUJTIM TË ROZIT - ANTONI'Nga ANTON ÇEFA

                                                                                      

E Premte, 04.19.2024, 12:13am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
'NË KUJTIM TË ROZIT - ANTONI'
Nga ANTON ÇEFA

E Premte, 12.19.2014, 10:00am (GMT+1)


Duke përshkruar ngjarjet e jetës së saj, shkrimtarja dhe veprimtarja e njohur e bashkësisë shqiptaro-amerikane, Rozi Theohari, synon të nxjerrë në pah vlerat e çmuara humane, shoqërore dhe atdhetare të dardharëve, bashkëfshatarëve të saj, "ato vlera që përbëjnë magjinë e papërsëritshme të atij këndi të bekuar në prehër të Moravës".

Varganin e pafund të ngjarjeve që i diktojnë kujtimet, ajo e quan në mënyrë figurative "potpuri", titull që dikton një ngarkesë të gjerë kuptimore dhe figurative. Kujtimet e ngjarjeve të së kaluares, dhe sidomos të fëmijërisë e të rinisë, edhe kur janë të dhimbshme, më së shumti mbështillen me një tis të kaltër nostalgjie, me tonalitete melodish të përmallshme, duke përbërë në larushmërinë e tyre vërtet një potpuri.
Lindjen e saj, në mënyrë mjeshtërore, Rozi e ka dhënë nëpërmjet kujtimeve të pasura të 3"më 9 prill 1939, u lind motra jonë e vogël Rozi", shkruan Kiçoja. Një atmosferë e ngrohtë dashurie e priti krahëhapur vajzukën e bukur me sytë e zez.

Autorja përshkruan me imtësi periudhat e jetës së saj që nga foshnjëria e deri në moshën madhore, rritjen e formimin e sajë fizik, psikologjik, moral, arsimor, letrar, politik, etj., nën ndikimin e ngjarjeve dhe rrethanave historike të kohës. Jepen të dhëna me interes të madh shkencor etnografik, folklorik, gjeografik, gjuhësor, kulturor,
Që nga mosha e njomë atë e karakterizon një dashuri e madhe për dijen, për librin, për shkollën. "Do të ulesha në bankën e klasës me shoqet e mia. . . .Dhe kjo më bënte të lumtur", shkruan ajo kur mësuesi pranon ta marrë në shkollë në moshën 6-vjeçare. Dhe kur shkon ditën e parë: "Rrija në cep të oborrit dhe nuk ia ndaja sytë ndërtesës së shkollës, që, për mua, ishte një tempull."Lexon vazhdimisht dhe shkruan, mban shënime për çdo gjë. "U ula në pezulin e dritares dhe shkrova në murin anësor të saj: Gusht 1947. Sot doli nga burgu xhaxho Nikoja i Laços dhe jemi të gjithë të gëzuar. Rozi Çeku."

Shkruan për ngjarjet familjare, për ndodhitë e ndryshme në fshat, për dardharët, për jetën e tyre. Në mënyrë të veçantë për ngjarjet historike. "Ne ishim fëmijë të luftës" titullohet një kapitull.

Me ngjyrimet e foshnjërisë, të pasura me penelata naiviteti, janë dhënë kujtimet e ushtarëve italianë, që në fillim përpiqeshin të silleshin mirë me popullin, por që u egërsuan dhe filluan raprezaljet mbas humbjes së luftës për pushtimin e Greqisë dhe, sidomos, kur të rinjtë e fshatit filluan të organizoheshin dhe të ndihmonin në mënyrat më të ndryshme luftën antifashiste të popullit tonë. Në fillim, duke mbledhur armë e municione të hedhura e të mbetura nga fronti i luftës italo-greke dhe duke ua dërguar forcave partizane dhe më pas duke u bashkuar me njësitet partizane. Dardha u shkel dy herësh nga grekët dhe nga gjermanët, por ajo qe gjithnjë një bazë e rëndësishme prtizane. "Pothuajse të gjithë të rinjtë e fshatit tonë mbi moshën 15 vjeç dolën partizanë", shkruan Rozi.

Që në fillim të luftës për çlirim u duk mleksja e saj me ideologjinë komuniste, e cila errdhi duke u shtuar nga viti në vit. "Nuk ishte thjesht një kohë lufte", por edhe një "periudhë revolucionare me aktivitete që drejtoheshin nga komunistët dhe që herë-herë kishin nuanca të një terrori të papërligjur e të një lufte civile. Tituj si ai i këngës "˜Hakmarrje, Rini!, ishin njëkohësisht edhe parrulla të ditës.", kujton ajo dhe i konkretizon me shembuj, kur përshkruan arrestimin, torturat e rrahjen deri në vdekje të mësuesit të nderuar e patriot, të dashur e të respektuar prej gjithë fshatit, Taqo Kere; arrestimin e aktorit të teatrit partizan Vaso Peci dhe nënës së tij, anëtar të familjes së Sotir Pecit, me akuzën se gjoja kishin vjedhur ushqimet e partizanëve, dhe i torturuan për vdekje. Nënës ia zbulonin barkun dhe e godisnin me purteka deri sa lëkura i bëhej mavi dhe asaj i binte të fikët. Vason e nxorën natën ta pushkatonin. Vetëm me protestat e grave të fshatit dhe me urdhërin e Maço Çomos, dhëndër Dardhe, u detyruan t'i lironin si të pafajshëm. Edhe një mësuese tjetër, Sotiria Zengon, me pretekstin se ishte regjistruar në zyrën e fashos, gjë që ishte detyrim pë të gjithë mësuesit, e torturuan mizorisht dhe deshën ta pushkatonin. Krimet e partizanëve nuk kishin kufi. Drejtuesit e batalionit "Fuat Babani" hapën gjyqe dhe dënuan me pushkatim kryeplakun e fshatit dhe anëtarët e pleqësisë, ndër ta edhe Xhaxho Kostën, si anëtar i pleqësisë, dhe mbasi i rrahën për vdekje deshën t'i pushkatonin.

Rrahja, tortura, dhunimi nuk kanë qenë karakteristikë e shpirtit shqiptar, ato ua dhanë hua miqtë jugosllavë që derjtonin luftën partizane.

Një ngjarje e rëndë tragjike për familjen Çeku dhe për gjithë fshatin qe vrasja në pabesi e Koli Çekut, xhaxhait të Rozit, dëshmori i parë dardhar. Koli mbante lidhje të fshehta me çetën e Devollit. Që në fillim, ai ishte inkuadruar në organizatën e rinisë dhe bënte propagandë ndër ushtarët italianë të lëkundur e të mërzitur nga lufta që të bashkoheshin me forcat partizane, dhe i dërgonte ata në mal, tek forcat partizane; ai ishte anëtar i njësitit gueril, dhe merrte pjesë aktivisht nnë aksionet e njësitit të Devollit.
Përshkruhet me nota të theksuara realiste gjendja e keqe ekonomike dhe zija e bukës në vitet e para pas Çlirimit, krahas demagogjisë së kuqe pro propagandës jugosllave, më vonë, asaj ruse.
* * *
Hapësira e të dhënave të potpurive nuk kufizohet vetëm në hullitë historike, ajo shtrihet e gjerë, e pasur dhe e larmishmme në zagnat etnografikke e folklorike. Jepen njohuri të hollësishme për veshjet, sidomos ato të grave dhe vajzave. Disa pjesë të tyre si p. sh. dylbenka e bardhë dhe e zezë, shamitë prej basme të vajzave, xibuni, etj., trajtohen në mënyrrë intime.

Një pasuri e lakmueshme zakonesh, ceremonish, ritesh, festash tradicionale përshkruhen me hollësi, gjithnjë të shoqëruara me tekstet e këngëve përkatëse. Po përmend: zakonet e fejesës, të dasmës, të vdekjes; ceremonitë e piknikëve, karnavaleve, veroreve, nata e kashçareve, llazoret, rusicat, nëna e diellit, mallkimi i gjeraqit, etj.

Po aq të pasura janë këngët e veçanta për rastet e ngjarjet e ndryshme të jetës si ninullat, këngët që nënat e reja ua këndonin fëmijëve gjashtëmuajshe e deri në një vit. Një mori e pafunnd këngësh e lojërash të fëmijëve e sidomos të vajzukeve, këngët e dashurisë, këngët e mumurizës, të kurbetit, këngët atdhetare si ato kundër pushtuesve të huaj italiannë, etj.

Në fund të librit është dhënë nje fjalorth që përfshin disa fjalë e shprehje origjinale të përdoruara në Dardhë, dhe që pasqyrojnë pak a shumë tiparet gjuhësore të së folmes karakteristike të këtij fshati, të mbledhura nga autorja, që përbëjnë një ndihmesë më vlerë në fushën e gjuhësisë dhe të dialektologjisë.

Dardha, në krahasim me fshatrat e tjerë të Devollit, paraqitet më e civilizuar. Arsimimi aty pati rrënjë relativisht të hershme. Shkolla u hap në vitin 1768. Autorja e dëshmon edhe me faktin që në lidhjet martesore respektohet dëshira dhe dashuria e të rinjve, çka ishte pasqyruar edhe në këngën popullore: "Do të loz, do të kërcej, / një djalkë do të gënjej, / babait nuk do t'i rrëfej . . ."

Dardha njihet jo vetëm për bujq e punëtorë të zellshëm, po edhe për mjaft intelektualë që me veprimtarinë e tyre ndihmuan në zhvillimin e fshatit dhe patën ndikim edhe në fshatrat për rreth. Vëllezërit Balli, Sotiri, Ligori dhe Fani, u shquan për poliprofesionalizmin e tyre, ata ndërtuan në fshat një fabrikë me kapacitet të madh dhe me dy funksione. Duke shfrytëzuar energjinë e rënies së ujit nga lartësia e komanduar, me të njëjtën elikë dhe burim energjie, ditën punonte si fabrikë për punimin e drurit, kurse natën si hidrocentral për t'i dhënë dritë fshatit. Vangjel Marku drejtoi ndërtimin e 30 hidrocentraleve nëpër fshatrat e Shqipërisë. Përmendim si shkëncëtar të njohur Spiro Kondën, mbrojtësin e origjinës pellazge të popullit dhe të gjuhës sonë. Edhe në fushën e arteve, sidomos të letërsisë, nuk munguan dardharët. Njihen shkrimtarët e talentuar Sotir Andoni dhe Teodor Laço, të cilët fatkeqësisht ia falën talentin e tyre realizmit socialist.
* * *
Që në moshën 10-vjeçare, moshë e hershme për një gjë të tillë, Rozi është në gjendje të kuptojë veten dhe të mendojë e të marrë vendime për të ardhmen e saj, duke krijuar kështu idealin e vet të jetës: "Në këtë moshë krijova një koncept për veten, se si dëshiroja të dukesha para të tjerëve. Kujt t'i ngjaja? Kjo quhet "vetja ideale" ose "ego ideale", si një qëllim i largët, që u krijua nga personi që admiroja e kjo ishte Ditka" motra më e madhe se ajo. Kjo qe "modeli" i dytë që imitonte, pas shëmbëlltyrës së mamasë. Ditka ishte punëtore, e gatshme për çdo sakrificë, nxënëse e shkëlqyer, këngëtare dhe aktore teatri, e dashur dhe e shoqërueshme; me një fjalë: një ideal për t'u imituar. "Ditka ishte ideali im që kishte më shumë cilësi pozitive dhë më pak ose aspak cilësi negative."
Një personalitet tjetër që ndikoi mbi formimin e Rozit qe Xhaxho Kosta. Ky kishte qëndruar për një kohë të gjatë në Rumani, ku ishte marrë me veprimtari patriotike. Edhe kur u kthye në Dardhë, ai vazhdoi veprimtarinë atdhetare. Dardharët e zgjodhën njëzëri kryeplak. Grekomanët e kishin qëlluar me armë. Edhe gjatë lufës partizanët deshën ta vrisnin. Xhaxhi Kosta ishte armik i komunizmit. "Komunistët gënjenin kur luftën kundër fashizmit e quajtën luftë për demokraci", thontte ai. "Ai përmendte emra njerëzish të nderuar, disa miq të tij, që pas luftës ishin pushkatuar ose dënuar me burgim të përjetshëm; thonte se teatrot e kinematë ishin shndërruar në salla gjyqesh. . . Xhaxhait i kishin shtetëzuar dyqanin, ashtu siç ishte shtetëzuar gjithë prona private anëkend Shqipërisë. Ai lexonte përditë gazetat "Zëri i popullit" dhe "Bashkimi" e nuk besonte asnjë fjalë që thuhej aty. Xhaxho Kosta e kishte zakon të thoshte: "˜Pas Luftës së Dytë Botërore kishim një çlirim pa liri', tregon Rozi.

"Xhaxho Kosta, ky personazh i jetës sime, edhe kur kishte ikur nga kjo botë, në përfytyrimin tim më ka marrë për dore e më ka shetitur në çdo rrethanë, në çdo rrugicë të errët apo me dritë të jetës. E kështu vazhdon edhe sot."

Nga moria e madhe e shoqeve dhe e shokëve të shkollës, në kujtimet e saj, Rozi ka veçuar Vaçe Zelen, të cilën e ka pasur shoqe klase në gjimnazin "Raqi Qirinxhi" në Korçë, dhe në gjimnazin "Qemal Stafa" në Tiranë. Në "Potpuritë", Vaçja është e vetmja shoqe që gëzon një kapitull të veçantë.

Na vijëzohet në "Potpuritë" një personalitet i shquar me një inteligjencë të jashtëzakonshme, me një vullnet të papërkulur, me një botë shpirtërore tejet të pasur, ku shkëlqen një dashuri e respekt i veçantë për njerëzit, me bindje dhe një sentiment fetar të devotshëm, me talentin e penës letrare dhe të zërit të bukur të këngëtares. Mjerisht, diktatura me çmenduritë e veprimeve të saj, kur nuk ka mundur t'i thyej personalitetet, është përpjekur t'i dyzojë. Kështu, Rozi, gjatë pushimeve verore detyrohet të demaskojë besimet fetare; jashtë bindjeve të saj politike, detyrohet të bëjë propagandë për kolektivizimin e bujqësisë.

Me inteligjencën, aftësitë dhe vullnetin e saj, ajo i është imponuar rrethanave të disfavorshme, dhe i ka detyruar ato t'i shërbenin asaj. Atë nuk e theu fakti që nuk iu dha mundësia të vazhdojë studimet e larta jashtë shtetit, dhe as fakti që nuk iu plotësua dëshira për t'u regjistruar në Fakultetin e Gjuhës dhe të Letërsisë, ajo e filloi me shumë qejf Institutin e Lartë Ekonomik. Në shkollën e mesme në Korçë, nuk e pranuan në organizatën e rinisë, për arsye të babait "kapitalist", ndërsa në Institutin Ekonomik, ajo jo vetëm qe pranuar në këtë organizatë, por falë rezultateve të shkëlqyeshme dhe një sjelljeje për t'u admiruar, qe zgjedhur edhe në organet drejtuese të Institutit dhe më vonë të Universitetit.

Më vjen mbarë t'i përfundoj këto shënime me theksimin e një predispozicioni shpirtëror nostalgjie e përkushtimi thuajse hyjnor të Rozit për fëmijërinë e sajë. "Jam një vajzë e thjeshtë dardhare tetëmbëdhjetë-vjeçare . . . A ka halle rinia? Kur trupi, fytyra, shqisat, ndjenjat janë një baraspeshë? . . . Po, por kjo baraspeshë prishet nganjëherë, sepse brenda meje është ajo vajza e vogël që mblidhte lule, flutura, zhuzhakë e xixëllonja e të gjitha këto veprime i bëntë duke kënduar e bërtitur: "O shkëndi, o Shën Mëri . . ." E kjo vogëlushe nuk më lë rehat, më lë pa ngrënë, më tërheq vëmendjen nga leximi e ndonjëherë më zgjon natën nga gjumi . . ."

"Potpuritë" përfundojnë me një "Epilog", dhe ky epilog mbaron kështu: "Mbasdite e vakët tetori. E vetme . . . vendos pllakën e nokturneve të Shopenit në radio-gramafon. Pjesa e fundit: "˜Lento con gran espressione' . . . Tinguj delikatë pianoje, që të marrin për dore e të çojnë larg . . . larg . . . ndoshta diku . . . në univers . . . Tinguj që "˜flasin' për dhëmbje, pasione sublime, nuanca të hoveve shpirtërore . . .. , nga kemi ardhur e ku shkojmë! . . . Tingujt tani përshpejtojnë ritmin e ndiej se si qenia ime shkrihet e gjymtyrët e shpërndara lundrojnë mes resh të bardha aty lart në qiell, ku të rrëmben spiralja e kohës . . . Përfshirë në vorbullën e një potpurie ngjarjesh . . . Sakaq kujtohem se kam harruar aty poshtë një vajzë të vogël. Zbres, e kërkoj dhe e gjej duke bredhur mes lulesh . . . , duke qeshur e duke thithur ajrin e kristaltë të Dardhës sime . . . E marr për dore, ajo më bindet e më sheh nga poshtë ballukeve të zeza me dy sy që xixëllojnë si shpuzë.

Ne ecim drejt një botë të panjohur . . . Dikur . . . diku do të trokasim në një portë. . ."
Parandjenjë e realitet: shpirti i Rozit vërtet trokiti në derën e Parajsës !

Gjithë këtë vëllim vepre prej 500 faqesh, Rozi ia kushton nipit të saj 12-vjeçar Jan Sommer "me gjysmën e gjakut shqiptar, i lindur e i rritur mes kulturës gjermane, me dëshirën që ta mësojë e ta dijë shqipen dhe origjinën e gjyshës shqiptare".
ANTON ÇEFA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TUPIPërrallë nga MIMOZA DAJÇI (12.19.2014)
KUR ARSHI PIPA JOSHEJ NGA SHKRIMET E DE RADËS (12.18.2014)
GRIHIJET E AGIMEVE SHQIPTARENga QERIM SKËNDERAJ (12.18.2014)
NË BUKË LAJTHISH KUJTIMIN PJEKPoezi të reja nga QAZIM D.SHEHU (12.17.2014)
SKËNDER DRINI - KREDENCIALET E KULTURËS DHE TË KOMBITNga MOIKOM ZEQO (12.17.2014)
POEMA 'DIELLI DHE RRËKERAT' E FASLLI HALITIT - DHE NJË KRITIKË APOKRIFE PËR POEMËNNë 42 vjetorin e botimit të saj për herë të parë në 'Zëri i Rinisë' (12.16.2014)
SI U PUSHKATUAN 77 MIRDITORË NGA BRIGADA E 6-të PARTIZANE (mbresa çasti që trondisin nga libri më i ri i Novruz Xh. Shehut, Jeta në Skanër)Nga REXHEP SHAHU (12.15.2014)
LUTEJ VETËM LATINISHTPoezi nga ADEM ZAPLLUZHA (12.13.2014)
SHTËPIA E BRAKTISUR!Tregim me motiv nga lufta e Kosovës në Gollak në fshati DabishecNga ASLLAN DIBRANI (12.12.2014)
DOSJET PESËQINDVJEÇAREProzë nga REZART PALLUQI (12.12.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]