E Enjte, 03.28.2024, 10:53am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
JO REQUIEM - PËR SKËNDER DRININ, I FUNDMI I DISIDENTËVE
Nga ZIJA VUKAJ

E Premte, 12.19.2014, 10:45am (GMT+1)



Duket pak paradoksale ekzistenca e disidentëve në ditët e sotme, gati dy dekada e gjysmë pas shembjes së murit të Berlinit, por këtu nuk ka asgjë figurative. Jemi në vazhdën e çudirave dhe paradokseve që realiteti ynë vazhdon të prodhojë dhe këmbëngul t'i kalçifikojë deri në pafundësi me kokëfortësinë e vet absurde, a thua se do t'i përdorë si mjete konkretizimi për brezat që nuk kanë pasur rastin ta njohin fenomenin e disidencës. Dhe viktima e kësaj praktike është pjesë e realitetit tonë të përditshëm. Jeton me ne, ecën përditë rrugëve të qytetit të Shkodrës, i zhytur në indiferencën dhe në mospërfilljen e vet "olimpike", me një dinjitet që i kalon caqet e së zakonshmes, si për të na theksuar me qëndrimin e tij keqardhjen për padijeninë tonë të qëllimshme e njëkohësisht djallëzore dhe mëkatare. Ky individ gati i vetmuar, është shkrimtari Skënder Drini, për të cilin lexuesit seriozë të letërsisë shqiptare dinë shumëçka.

Ai është një nga prozatorët më të veçantë dhe një nga zërat më origjinalë të letërsisë sonë. Autor që e ka të shtrirë veprimtarinë e tij krijuese në dy epoka. Në periudhën e socrealizmit krijimtaria e tij ka kulminacionet e veta, siç janë romanet "Vraje tradhtinë", "Shqipja e kreshtave tona", "Shembja e idhujve", "Midis dy kohëve", "Bajram Curri", "Rruga e njeriut", "Kirurgët", "Njerëzit dhe deti" etj., vëllimet me tregime: "Tregimet e së shtunës", "Tregimet e veriut", "Kompania e katërt" (tregime për fëmijë, disa prej të cilave janë përdorur si librete filmash) etj. Pas viteve '90 autori ka botuar romanet: "Eklipsi i hënës", "Ishulli i qetë", "Nata është grua", "Korbi", Parajsa e gjenive", "Planeti i lodhur" etj., disa vëllime me tregime ndër të cilët spikat "Klas", libri mjaft interesant me aforizma "Përballje" dhe dy vëllime me shkrime publicistike. (Këto që u përmendën janë vetëm një e treat e krijimtarisë së tij dhe shpresoj që ai vetë të mos i lexojë këta rreshta). Vepra e tij ngërthen në vetvete një gamë të gjerë tematikash e motivesh, që kanë lidhje me njeriun e kohës, por edhe me individë dhe ngjarje historike, që përbëjnë elemente kombëtare nga më emblematiket. Siç ka ndodhur edhe me bashkëkohësit e tij, Agolli, Kadare, Xoxe, Arapi etj., etj., në krijimtarinë e tij natyrshëm gjejmë gjurmë të metodës së realizmit socialist. Por në veprat që cituam më lart ka pak të tilla, ose aspak, sidomos në romanet historike, të shkruara me një mjeshtëri të rrallë, që kanë ardhur si produkt i hulumtimeve të gjata në anale historike, i shfletimit të dyzinave libra në gjuhë të ndryshme (Drini lexon në gjashtë gjuhë, përveç shqipes) dhe falë vëzhgimeve të thella në karakteret e personave historikë të kthyera në personazhe, falë përshkrimeve plot jetë e kolorit të ngjarjeve dhe skenave masive, falë aftësisë për të depërtuar në shpirtrat dhe karakteret njerëzore dhe fantazisë, por edhe informacionit për të sjellë para lexuesit frymën dhe atmosferën e kohërave të largëta duke mbajtur në ekuilibra të mahnitshëm faktin me trillimin. Nga gjithë këto, ka krijuar modele fondamentale të këtij zhanri në letërsinë shqipe, që rrinë me dinjitet përkrah veprave të Godos, Kadaresë etj. Romanet e shkruara pas viteve '90, jo vetëm kanë konfirmuar përmasat ekzistuese të një romancieri të elitës sonë, por kanë ridimensionuar vlerat e opusit tonë letrar kombëtar.

Këto vepra, me motivet, filozofinë që i përshkon, teknikat letrare dhe procedimet artistike janë arritje të një letërsie moderne, që ka në fokus individë dhe fenomene universale. Drini është nga autorët me një erudicion të rrallë, një mjeshtër nga më të shquarit e dialogut, përshkrimit, meditimit dhe digresioneve. Vëzhgues dhe zbulues i underground-eve të jetës njerëzore dhe të shpirtit të personazheve, të dramave ekzistenciale të individit dhe të shoqërisë, veprat e tij provokojnë thellë intelektin dhe shpirtin e ndjeshëm të çdo lexuesi.

Vepra që atij i solli mallkimin, mallkim që po e ndjek nga pas edhe sot e kësaj dite, është romani "Shembja e idhujve". Kaq i terrorizuar është autori nga kjo "krijesë e mallkuar", sa pothuajse nuk e përmend fare, edhe pse ai dhe të gjithë e dinë që është një nga katër- pesë romanet më të mira të letërsisë shqiptare. Lukunia e komshinjve të letërsisë iu vërsul atij në anatemime të egra ekstraletrare, më zi se autorit të "Vargjeve satanike". Ndëshkimi që iu bë, është "harresa". Sepse morali i komshinjve të letërsisë është i kulluar dhe mjaft i kujdesshëm. Dhe kujdestarët e këtij lloj morali janë kujdesur me devocion e përkushtim jashtëletrar që t'i tregojnë vendin këtij heretiku dhe deri tani ia kanë dalë. Kanë realizuar braktisjen dhe humbjen e vëmendjes së njeriut, që u ngjan heronjve të vet dhe që nuk është si ekzekutorët e tij. Pragmatistëve nuk u pëlqejnë modelet njerëzore. Ata nuk kanë kohë të jenë të ndjeshëm dhe intelektualin e vërtetë nuk e honepsin dot. Sepse, duke mos e gjetur tek vetja, nuk e kanë takuar kurrë. "Le të rrijë ai aty ku e kemi hedhur." Dhe nëse ndokush e përmend, mallkuar qoftë bashkë me të. Dikush guxoi ta nominonte për një titullin "modest" "Qytetar Nderi". Them modest në thonjëza, sepsa e kanë kthyer në modest, duke ua dhënë jo vetëm individëve të zakonshëm shqiptarë, por edhe çdo sharlatani të huaj dhe pjesa më e madhe e korit të votuesve në komisionin e titujve e refuzoi. Fali, o Zot për këtë bindjen e tyre en bloc, që buron nga një devocion popullor i keqorientuar. Dhe kur kujtojmë se çfarë vendimesh antinjerëzore, antiqytetare, antihistorike, antilogjike dhe antihumane kanë pasur guximin të marrin komisionet e qeverisjes vendore. Po sa të kujdesshëm dhe "koprracë" në votimin e një titulli për një njeri të merituar, kur këtë titull ua kanë dhënë edhe samarxhinjve (edhe ata të respektuar). Më vjen në mendje një dialog me mikun tim, të ndjerin Paulin Selimi, kur po më pyste:
-Sa vetë e kanë marrë titullin "Krenaria e qytetit?"
-Më duket se shumë.
-Sa shumë?- këmbënguli ai.
-Po, them se dhjetëra, mbase edhe qindra.
- Gabim.
-Pse?
-Duhet t'ua japim të gjithëve. Të hapet një zyrë që të ketë një sportel dhe t'i thërrasë të gjithë qytetarët me radhë dhe t'ia dorëzojë secilit titullin "Krenaria e qytetit".
-Po me ç'motiv?
-Me motivin "I qetë dhe korrekt"

Pas këtij dialogu, shikoja çdo minutë rrugët e qytetit të mbushura me "Qytetarë nderi"
Duke kaluar nga sekuenca e humorit që më ngjalli kujtimi i mikut tim të vjetër, mendoj se margjinalizimi i një artisti me përmasa të padiskutueshme kombëtare, si Skënder Drini mund të bëhet vetëm për dy arsye: e para, nga mosnjohja e veprës së tij; dhe padijenia nuk është argument dhe, e dyta, nga presioni i komshinjve të letërsisë, që janë gati të promovojnë para tij çdo figurë minore, qoftë edhe duke e kërkuar nëpër sepetet e mykura të periferisë së letërsisë sonë të traditës apo edhe moderne. Por, cilat janë kriteret që janë përdorur për autorët e futur në antologjitë shkollore, që ky shkrimtar nuk i plotëson? Ai mund të futet si mjeshtër i tregimit, i romanit historik, i romanit modern shqiptar, i publicistikës etj. Së fundi, me sa duket, jo çdo e keqe vjen për keq. Ai po "gëzon", pa dashjen e tij atributin e disidentit modern. Dhe për këtë duhet t'u jetë mirënjohës komshinjve të letërsisë.

Shënim: sintagmën komshinjtë e letërsisë e kam huazuar nga poeti Astrit Cani.

28 tetor 2014
ZIJA VUKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
'NË KUJTIM TË ROZIT - ANTONI'Nga ANTON ÇEFA (12.19.2014)
TUPIPërrallë nga MIMOZA DAJÇI (12.19.2014)
KUR ARSHI PIPA JOSHEJ NGA SHKRIMET E DE RADËS (12.18.2014)
GRIHIJET E AGIMEVE SHQIPTARENga QERIM SKËNDERAJ (12.18.2014)
NË BUKË LAJTHISH KUJTIMIN PJEKPoezi të reja nga QAZIM D.SHEHU (12.17.2014)
SKËNDER DRINI - KREDENCIALET E KULTURËS DHE TË KOMBITNga MOIKOM ZEQO (12.17.2014)
POEMA 'DIELLI DHE RRËKERAT' E FASLLI HALITIT - DHE NJË KRITIKË APOKRIFE PËR POEMËNNë 42 vjetorin e botimit të saj për herë të parë në 'Zëri i Rinisë' (12.16.2014)
SI U PUSHKATUAN 77 MIRDITORË NGA BRIGADA E 6-të PARTIZANE (mbresa çasti që trondisin nga libri më i ri i Novruz Xh. Shehut, Jeta në Skanër)Nga REXHEP SHAHU (12.15.2014)
LUTEJ VETËM LATINISHTPoezi nga ADEM ZAPLLUZHA (12.13.2014)
SHTËPIA E BRAKTISUR!Tregim me motiv nga lufta e Kosovës në Gollak në fshati DabishecNga ASLLAN DIBRANI (12.12.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 

 
VOAL
[Shko lart�]