VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - ARA E VIDHISHTËSTregim biptik nga FASLLI HALITI

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 06:54am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
ARA E VIDHISHTËS
Tregim biptik nga FASLLI HALITI

E Shtunë, 01.31.2015, 07:33pm (GMT+1)

    


ARA E VIDHISHTËS    
           
               

        Ditën e parë, kur Qaniu, djali i vogël, i Ram Zhurit çoi delet në tokat e Man Murrizit, shkurti ishte acaruar shumë. Gjithë natën kishte fryrë një erë e keqe dhe toka e ujërat ngrinë... Ngriu, bari, ferrat, shkurret, gjembat. Ashtu të ngrirë gjembat u bënë më të mprehtë. Shponin më shumë, si të donin të ngroheshin në gjakun e njerëzve. Edhe shkrehësit, leqet e ngrehur, kishin ngrirë atë natë. Kur i kontrolluan gjahtarët në mëngjes, panë se ata kishin mbetur njëlloj si në darkë. Shkrehësit, leqet kishin mbetur ashtu të hapur si rrathët e një zinxhiri. Atë mëngjes shkurti, gjahtarët nuk panë asnjë rosë, asnjë çajkë apo shapkë në shkrehësit apo leqet e ngritur. Siç dukej ngrica kishte qenë e fortë, e menjëhershme. Kjo kuptohej. Ndryshe nuk mund të ngecnin rosat, çajkat dhe shapkat me këmbët në akull. Atë mëngjes, nëpër ujërat e ngrira, nëpër pellgjet, moçalet, njerëzit zunë shumë rosa dhe çajka të mbetura me këmbë në akull. Edhe xhaxhai solli shumë rosa, çajka, këmbëqirithë, borovila sqepgjatë. Të gjithë shpendët ishin me këmbë të prera.Ua kishte prerë xhaxhai me brisk. Këmbët u mbetën në akull, kurse vetë shpendët përpëliteshin në mes të shtëpisë. Aty nga dreka, kur shkriu akulli, mbi sipërfaqen e ujit, filluan te notonin këmbë rosash si gjethe të verdha rrapesh.
                                        
                                       ***
Sivjet dimri është i egër, tha xhaxhai, do ta kemi keq me bimët dhe me gjënë e gjallë. Po vazhdoi kështu do të na mbeten vetëm lëkurët e bagëtive." Shkurti shkurton urët / marsi rrjep lëkurët'', tha xhaxhai dhe hodhi një tufë shpendësh të egra mu në mes të shtëpisë, kjo ishte tufa e dytë që sillte xhaxhai atë mëngjes të zi dimëror. Sa të bukura ishin çajkat. Të bukura, të bukura, por me këmbë të prera lemerishëm . Xhaxhai ua kishte prerë këmbët në nxitim e sipër, si katil. Fjalën katil e përdorte shumë gjyshja. Më pëlqente edhe mua ta përdorja, sidomos kundër xhaxhait që ishte i egër me ne fëmijët. Ja edhe sot ai ishte treguar katil me këta shpendë engjëllorë.  I shihja çajkat me barkun e bardhë e me shpinën e zezë dhe nuk ngopesha duke i parë. I kisha parë lart në qiell e nëpër ujëra, i kisha parë duke fluturuar e notuar dhe ja tani ato ishin fare pranë meje. I shikoja i prekja e i përkëdhelja...

                                       * * *
Qaniu i vogël kur pa se delet u shtruan mirë në kullotë atë mëngjes shkurti me një fraq të ftohtë brisk, mblodhi ca dru të thata, i bëri kapul buzë gardhit, theu ca ferra të thata dhe i vuri midis drurëve, mblodhi një tufë bari të thatë, e bëri shuk, ndezi eshkën, e futi mes barit, e tundi disa herë në erë dhe bari u ndez. Barin e ndezur e futi në mes të druve, e mbuloi me ferra të thata i fryu lehtë  dhe filloi të mërmëriste: " Merre këmbëkuq se ta mori këmbëziu,/"merre këmbëkuq se ta mori këmbëziu". Këto fjalë Qaniu i vogël i përsëriti disa herë gjersa zjarri u ndez mirë, drutë i mbuloi një flakë e bukur që dukej si flokët e një vajze të lyer me këna. Këmbëkuqi kishte fituar mbi këmbëziun. Kjo do të thoshte se flaka që Qaniu e përfytyronte me këmbë të kuqe kishte ecur më shpejt dhe ia kishte kaluar tymit që Qaniu gjithashtu e përfytyronte me këmbë të zeza që kishte ecur më ngadalë, gjë që do të thoshte se zjarri më në fund ishte ndezur plotësisht, që flaka e kuqe e kishte fituar garën me tymin e zi.

                                           * * *
Qani Zhuri ngrohej. Dhentë  kullosnin. Kishte ditë që ato kullosnin në arën e Man Murrizit.Kur i pa Man Murrizi delet që po kullosnin në arën e tij,i pikoi mu në shpirt, iu bë sikur dikush i shkulte mjekrën fije-fije. Çdo fije bari që këpusnin delet, Manit i dukej sikur shkulnin fijet e mjekrës së tij. Qëkur Reforma Agrare i mori Man Murrizit arën e Vidhishtës dhe ia dha Ramë Zhurit, Man Murrizi la mjekër në shenjë në shenjë proteste kundër Pushtetit të ri komunist. Man Murrizit iu thinj menjëherë mjekra kur pa delet e Ramë Zhurit në arën e tij. I afrohet i xhindosur djalit të Ramës dhe i thotë që të mos i shihte më delet në arë. Qaniu i vogël iu përgjigj thjesht se ara nuk ishte më e tija, por e tyrja, e Ramë Zhurit, sepse ia kishte dhënë Agrarja, Demokratikja. Man Murrizit i dolën gjembat nga tërbimi dhe i tha prerë këlyshit të Ramë Zhurit: "Nesër të mos i shoh më dhentë këtu. More vesh? Ndryshe të piu e zeza, do të të kall në dhè e do të të bëj urith", e kërcënoi ai bariun e vogël dhe u largua gjithë gjemba murrizi, me tërbimi .
Duke u larguar nga ara e Vidhishtës, Man Murrizit iu kujtuan vitet e luftës. Partizanët nuk i kishte dashur kurrë, por i nderonte për disiplinën që kishin..., por kur Reforma Agrare i mori tokat, sidomos arën e Vidhishtës, Man Murrizi i tha të deleguarit të Qeverisë: "Dëgjo këtu ti, i Qeverisë...Gjatë Luftës ju komunistët, partizanët me demek, më keni habitur fare. Erdhët një ditë dhe u ulët në hijen e fikut tim të zi. Binte kokrra e fikut si mëllenjë e zezë dhe ju as me sy s'e shikonit, pa le të zgjasnit dorën e të merrnit qoftë edhe një kokërr të vetme. Por ju paskeni qenë të zgjuar, po ju paski qenë dinakë, ju nuk paski dashur kokrrën e fikut, ju paski dashur fikun me gjithë rrënjë. E deshët dhe e morët. Ju lumtë. Të rafinuar paski qenë për besë..."! Këtë, Man Murrizi e tha edhe para gjyqit por u pendua, sepse prokurori ia përplasi në turinj, i tha se fikun me gjithë rrënjë e kishte marrë populli dhe jo komunistët. Dhe kishte shtuar: "Dhe bëri mirë populli. I bëftë mirë fiku juaj popullit tonë të varfëruar nga ju kulakët!"
Të nesërmen Man Murrizi erdhi që herët në mëngjes. Pa që larg djalin e Ramë Zhurit që ngrohej pranë zjarrit, rrëzë ferrës. Pas gjithë atij kërcënimi nuk besonte që ai t'i sillte përsëri delet për t'i kullotur në arën e tij të Vidhishtës. Edhe ky tamam si i ati. Bëmë baba të të ngjaj. I ati e kish bërë kulak dhe i mori arën e Vidhishtës, bukëvalen e shtëpisë...,  zagar i ati, zagar i biri. Rama t'i merrte atij arën e Vidhishtës? Jo, jo!, kjo nuk durohej, kjo nuk hahej as me bukë e as me ujë. Kësaj i thonë "Ngrihu prift të ulet hoxha. A nuk i thashë unë këtij cërri që të mos dukej më këtu. Ç'kujton ky... Pse është i biri i kryetarit të Këshillit dhe... Pyes unë për Kryetar e stërkryetar Këshilli. U ulën malet dhe u ngritën haletë. Po yt atë hale ka qenë, hale është e hale do të mbetet.. Mali kam qenë unë në këto anë e unë do të jem..., unë, or, unë do të jem, unë që ju sot më quani kulak. E di ti apo s'e di. Po nuk e dite ti, e di yt atë. Ç'pandeh Rama se u bë kryetar këshilli dhe u bë mal. Jo, or, jo, ai hale ka qenë e hale do të mbetet... Më quan edhe kulak. Mua më quajnë Man Murrizi dhe s'ka burrë nëne që të ma ndryshojë emrin... Ku ma gjetën këtë nofkë xhanëm! Kjo i shkon ndonjë rusi, por jo mua, birit të murrizëve. Mua më shkon vetëm emri Man Murrizi dhe gjembat e mi do t'i provojë Rama, do t'i njohë mirë kur t'i ngulen mu në zemër, mu në dritën e syrit.

                                                  ***
Man Murrizi e urrente Ramën e zhurëve, njeriun e kuq të qeverisë, siç e quante ai Ramën dhe ia e gjeti rastin... Ai do ta therte sot atë njeriun e kuq të qeverisë dhe do ta therte, do ta digjte mu në zemër. Man Murrizi hapi pak gunën, kërkoi e preku diçka në brez...Sëpata ishte aty, e ftohtë e mprehur posaçërisht te kovaçi. Kovaçi e kishte bërë grerëz tehun sëpatës. Afrohet pranë Qaniut të vogël që po ngrohej pranë zjarrit dhe i thotë me të mirë:
     -O çun i Ramës..
-Ç'a ke xha Mani?
-Ç'të pëlcasin!
-Ç'a ke me mua, xha Mani?
-A nuk të thashë që të mos më dukesh më këtu në arën time?
-Më the!
-Pse i solle delet atëherë?
-Po ara është jona, xha Mani, e  Zhurëve.
-Kush ta la arën ty, jot' ëmë apo yt' atë?
-Qeveria, xha Mani, Demokratikja!
-Cila qeveri, mor qen bir qeni. Cila Demokratike! Demokratikja e
sat ëme,  Agrarja e tyt'eti?
       Man Murrizi e lëshoi veten, i dolën gjembat e murrizit mbi lëkurë. Ç'ishte ky inat që e kapi kështu papritur... Ç'ishte kjo gjaknxehtësi e pafalshme. Ai duhej të fliste i qetë, butë-butë si një prift. Kur u nis nga shtëpia mori vendim që të mos nxehej. Por ja që papritur ishte nxehur. Vrerin duhej ta ruante përbrenda dhe ta derdhte kur duhej. E detyroi veten të zbutej, të merrte butësinë e pambukut. I mblodhi gjembat, i fshehu nën lëkurë si iriqi. Filloi t'i fliste me të butë djalit të njeriut të qeverisë. Nga Murriz u bë pambuk, pambuk i butë i butë, i shkrifët, i shkrifët fare. I tha Qaniut se ara e Vidhishtës, ishte ara më e dashur për të dhe se atij i dhimbsej shumë, shumë, po do të kalonte koha dhe atij do t'i ikte dhimbja, do t'i binte inati, s'do t'i vinte më keq, siç i vinte sot. Prandaj do të bënte mirë që ai t'i nxirrte delet nga ara. T'i nxirrte sa për t'i bërë qefin, sa për t'i dëgjuar fjalën, sepse ai, Man Murrizi, ishte më i madh dhe Qaniu i vogël duhej t'i bindej. Por kur Qaniu nuk pranoi t'i nxirrte delet nga ara se ashtu e kishte porositur i ati, Man Murrizit i hipi gjaku në kokë. Megjithatë, nuk e lëshoi veten. I frenoi gjembat e murrizit që s'po i përmbante dot. Vështroi njëherë rreth e qark. S'kishte njeri. Acari i shkurtit të therte. Pa delet që kullosnin në arën e tij dhe u nxi...

                                                       ***
Delet dukeshin si gurë të bardhë përhapur nëpër gjithë arën. Ai ndjeu se këta gurë që lëviznin, po i rëndonin në shpirt. Pastaj delet iu dukën si gurë varresh, si një mori qivuresh mes arës dhe vetë ara, iu duk si një varrezë e madhe. Pa thundrat e deleve që nguleshin në sipërfaqen e arës që kishte filluar të shkrinte. I dukej sikur thundrat e dhenve po i nguleshin në gjoks, po ia zhubravisnin lëkurën, po ia bënin gjithë gropa trupin. Ai e barazoi veten me arën. Gjurmët e deleve dukeshin si plagë të hapura nëpër arë, nëpër trupin e tij. Hija që mbushte gjurmët dukej si gjak i zi i mpiksur. Bryma e bardhë  e mëngjesit rreth buzëve të gjurmëve dukej si qelb në buzët e plagëve. Rrezet e diellit në perëndim binin, reflektoheshin mbi buzët e gjurmëve të deleve dhe dukeshin si të stërpikura me gjak. Man Murrizit i dhembnin ato gjurmë që merrnin trajtën e plagëve. Më shumë i dhembnin gjurmët e deleve të zeza. Ato i dukeshin si plagë plumbi me helm. Delet e zeza i dukeshin kobzeza. Po, po... Ato ndillnin kob, ato ndillnin zi. Sa të përzishme i dukeshin. I numëroi. Ishin pesë. Tamam... S'kishte nevojë për më shumë...
Përfytyroi nënën e Qaniut, veshur me të zeza. Me leshin e asaj deles atje do të vishej ajo. Përfytyroi motrën e Qaniut. Edhe ajo e veshur me të zeza, me leshin e asaj deles atje përtej. Motra e Qaniut do të dukej si korba e zezë. Ram Zhurit i mjaftonte leshi i deleve të tjera. I mjaftonte për pallto, shallvare, gunë të zezë. E përfytyroi Ram Zhurin, njeriun e qeverisë si kërcu të zi, të djegur nga rrufeja e kobshme e Man Murrizit. "Sikur po flas përçart, më duket", tha Man Murrizi dhe çoi dorën në brez. Preku tehun e sëpatës. Tehu ishte teh i bardhë, i mprehur, i bërë grerëz...I gjithë fisi i Ram Zhurit duhej të vishej me të zeza.
Man Murrizi i tha me të butë Qaniut të vogël:
-Fryji pak zjarrit o çuni i Ramës se do të ulem edhe unë të ngrohem e të thek bukën. U pa kjo punë. Mirë thotë ajo fjala e urtë: "Ujit, zjarrit dhe qeverisë s'ke ç'i bën. Sot qenka shumë ftohtë. Rrezik të ngrijnë edhe lumenjtë, bile dhe zogjtë e shkretë...
Qaniut i erdhi mirë që Man Murrizi u zbut, që i foli me të mirë. U gëzua që ai do të ulej të ngrohej e të thekte bukën me të. Do të theknin bukën e do të hanin bashkë.
Djali uli kokën.Filloi t'i frynte zjarrit. Man Murrizi pa qafën e djalit. Pa vendin ku lidhej qafa me kokën. Ia nguli sytë mirë. Çoi dorën në brez. Nxori sëpatën. Djali vazhdonte t'i frynte zjarrit... Ndërsa Qani Zhuri po i frynte zjarrit dhe përflakej si të përgjakej në fytyrë, Man Murrizi e goditi vetëtimthi, pikërisht, aty ku kishte fiksuar ta godiste. Koka e djalit ra mbi prushin e ndezur.


BRITMAT

-E morët vesh çuna?
-Çfarë?
-E varën Man Murrizin.
-E kishte nxjerrë gjuhën?
-Oj të nxjerrë...
-Do të shkojmë ta shohim para se të vemi në shkollë!
-Oj të vajtur...

***
Ishim fëmijë.
Vrapuam të shinim të varurin e parë te sheshi i pazarit, sikur do të       shihnim ndonjë ari që kërcente.
Flitej vesh më vesh:
-Bravo i qoftë Man Murrizit, nuk e ka nxjerrë gjuhën...
-Bravo i qoftë...
-Trim, jo llafe ...
-Trim për atë Allah, trim...
Por edhe nëse e kish nxjerrë pak majën e gjuhës, e kish nxjerrë me qëllim që të përqeshte Pushtetin e ri, që të përqeshte ata që e shihnin me urrejtje klasore: kulaku i qenit!
Tregtarët, kulakët, zonjat, donin ta paraqisnin trim Man Murrizin. Donin ta paraqisnin të guximshëm, të fortë sojin e tyre. Kështu kishin folur ata edhe për Latif  Lilën. Pas pushkatimit të tij, ishte përhapur versioni se Latif Lila kishte qëndruar si burrat para pushkatimit te Çesma e Kalifasë. Thoshin se Latifi, në breshërinë e parë ishte lëkundur pak, i ishin dredhur pak gjunjët, pastaj ra me njërin gju, pastaj me gjurin tjetër. Vetëm me të shtënën e tretë kishte rënë plotësisht duke sharë: komunistët e mu..! Por edhe kjo ishte një hamendje e reaksionit për t"Ëœi paraqitur trima njerëzit e tyre. Në të vërtetë Latif Lila kish rënë menjëherë, hundë e buzë, përtokë që në breshërinë e parë të plotonit të ekzekutimit.

***

Unë e njihja të varurin. E njoha atë ditë kur i bëhej gjyqi. Gjyqi iu bë te Kinemaja e Mynyrit. Kinemaja ishte e shtetit, po ne fëmijët i thoshim kinemaja e Mynyrit, sepse Mynyri ishte ai që shfaqte filmat tek ajo.
Gjyqi zgjati disa ditë...
Man Murrizin e çonin në sallën e gjyqit përmes qytetit. Qëkur dilte nga dera e Degës së Punëve të Brendshme e gjer te kinemaja, ku zhvillohej gjyqi, ne kalamajtë e ndiqnim prapa si ariun duke thirrur e bërtitur sa kishim në kokë:

Litarin me dhjamë
Mishin me gërshanë...

Man Murrizi ecte duarlidhur. Dëgjonte zërat tanë. Kthente kokën. Na shikonte me egërsinë e një maceje të egër. Dëgjonte britmat tona dhe mua më dukej sikur ai do të na hidhej e do t'i gërricte fytyrat tona me thonjtë e duarve e të këmbëve si të ishte një mace. Por si mace e shihnin ata të  pushtetit të ri, por të përmbysurit,  kulakëria e shihte atë si një tigër e shkuar tigrit, luan e shkuar luanit. Megjithatë Man Murrizi s'kishte ç'na bënte, Man kulaku, nuk na gërricte dot, sepse  duart i kishte të lidhura, kurse këmbët i kishte të mbathura me opinga. Kështu që edhe me thonjtë e këmbëve nuk na gërricte dot sepse s'e linin opingat. Kot frikësoheshim ne, fëmijët.
Ai dëgjonte britmat tona dhe mendonte: "Po, po... Këta të varin" Ndjente sikur i vinin litarin në fyt. Bënte të çonte duart që ta hiqte litarin nga fyti, por duart i kishte në pranga. Ecte. Dëgjonte thirrjet tona dhe vazhdonte të mendonte me tmerr: "Po, po... Edhe mishin ta presin këta, po, po, me gërshërë ta presin". Me fjalën "këta" ai kishte parasysh komunistët, pushtetin, qeverinë e re të cilën e përçmonin si qeveri të rigonit. "Po, po... Këta ta presin me të vërtetë mishin me gërshërë..." I bëhej sikur diku i hiqnin një copë mishi me ca gërshërë të ndryshkura. Bënte të çonte dorën te plaga që të ndalte gjakun, të ulte dhimbjen, ..., po duart i kishte të lidhura. Ju kujtua qethja e deleve.  Kur qethte delet mes vapës, i shpëtonte gërshëra dhe i hiqte ndonjërës një çikë mish. Delja hidhej përpjetë. Man Murrizi nuk e kuptonte atëherë se sa i dhimbte plaga deles së shkretë. Tani e kuptonte dhe jo vetëm e kuptonte, por edhe e ndjente. "Qenkam treguar katil"- thoshte me vete. "Po, po..., katil". Kur i doli para syve vrasja e Qaniut me sytë në shpuzë, u mat ta thoshte edhe njëherë fjalën katil, por nuk e tha... Mendoi se mirë ia kishte bërë atij «rrufjani». "Po, po... Mirë ia bëra  birit të rrufjanit".- përsëriti me vete.
Ne, kalamajtë, vazhdonim të thërrisnim:

"Litarin me dhjamë
Mishin me gërshanë"

Man Murrizi vazhdonte bisedën me vetveten:
"Po, po... Këta të varin vërtet. Edhe litarin ta lyejnë me dhjamë, edhe mishin ta presin me gërshanë...  Bile ta presin me gërshanë të ndryshkura të dhenve që të fusin tetanosin. Ç"Ëœdo gjë që thonë, këta, e bëjnë. Po, po... E bëjnë këta. Ne i kemi quajtur kalamaj. Mirëpo këta na e morën pushtetin. Ne i quajtëm Qeveria e rigonit, mirëpo kjo qeveria e rigonit, na i mori tokat «ne, ".maleve" dhe ua dha ". haleve». Me kalamajtë e bënë luftën, me kalamajtë na morën tokat... Ja dhe tani me kalamajtë po na çojnë në litar. Sa të rafinuar paskan qenë dhe sa të rafinuar janë... Më ndërsejnë çdo ditë kalamajtë: Për veten e tyre e kanë mirë.. U fusin frikën të tjerëve që të mos pipëtijnë, për të mos bërë as gëk as mëk. Ata ta thonë troç: po nxore majën e veshit ne të presim kokën. Nxirre veshin, po deshe, kundër Pushtetit të ri Popullor. Po, po...  Komunistët janë ai shejtani që thoshim ne. Ne kushedi se si e pandehnim shejtanin... Ai paska qenë i kuq. Ne e dinim të zi... Ai paska qenë i kuq.
Edhe kur pushkatuan Latif Lilën, kështu vepruan. Mblodhën njerëzit nga ishin e nga s"Ëœishin që të shikonin se si do të pushkatohej: Pajtuan jevgjit me daulle, gërneta, që ta pushkatonin me saze... Me daulle e gërneta e çuan Latif Lilën te Çesma e Kalifasë, aty ku pushkatoheshin armiqtë e komunizmit, kulakët e borgjezët që luanin bishtin. Me daulle e gërneta e çuan dhe me daulle e gërneta e me saze e pushkatuan Latif Lilën. Ke parë ti vdekje me daulle e saze?. Ja këta të çojnë drejt vdekjes me daulle  e saze. Edhe ik e mos i quaj, po deshe, shejtanër me brirë apo shejtanër të kuq... I shkreti Latif. E pashë vetë kur e pushkatuan te Çesma e Kalifasë. Si tani i kujtohej Man Murrizit rënia e Latifit. Ra sa gjatë e gjerë, hundë e buzë, pas batareve të plumbave të kuq... Pas pushkatimit, kulakëria, e paraqiti ndryshe rënien e Latif Lilës. Përhapi fjalë sikur ai qëndroi si burrat, se u tregua trim mbi trima, sikur e qëlluan tri herë: në breshërinë e parë vetëm sa u drodh pak, në breshërinë  e dytë ra në gjunjë, në breshërinë, vetëm në breshërinë e tretë ra gjatë e gjerë si lis. Edhe për mua kështu do të thonë. Me siguri që soji ynë do të më quaj trim. Vrasja që bëra unë qe më e lemerishme. Mua do të më ngrenë këngë me siguri. Po, po... Unë e meritoj të më këndohet një këngë. Atë që bëra unë s"Ëœe bënte burrë tjetër. Ta shihje si ia preva kokën këlyshit të Ramë Zhurit. Ta shihje kur i ra koka në prushin e zjarrit ashtu siç i ra Latif Lilës mbi plisa dhe ferrecka. Sytë e Latifit u shpuan  nga gjembat,  sytë e këlyshit të Ramë Zhurit u poqën në prushin e zjarrit. Me siguri mua do të ma këndojnë një këngë soji ynë i kulakërisë..."

***
Sa më shumë i afroheshim sallës së gjyqit aq më shumë bërtisnim ne, fëmijët duke i finalizuar britmat tona:

"Litari me dhjamë
Mishi me gërshanë"

Kjo finale britmash e tronditi Man Murrizin. Ai e ndërpreu bisedën me vetveten dhe po na dëgjonte.
Këtë punë, ne, kalamajtë e bënim katër herë në ditë: dy herë para dite dhe dy herë pas dite kur vrasësin e çonin në sallën e gjyqit dhe kur e kthenin përsëri në burg. Unë nuk mungova as një ditë. Kur ishte në sallën e gjyqit, unë rrija te dera e kinemasë, ku bëhej gjyqi si të prisja të shihja një ari cirku. Kur ishte në burg rrija dhe prisja te dera e Degës. Nuk e dija dhe nuk u bëra kurrë kurioz që të mësoja se ç"Ëœkishte bërë ky njeri. Dëgjoja që i thoshin kriminel dhe që kishte bërë krim. Asgjë tjetër nuk dija. Nuk thoshin që kishte vrarë një djalë të vogël, në moshën tonë, por thoshin që ka bërë një krim. Dhe se ky krimi ishte shumë i shëmtuar. Unë nuk e kuptoja fjalën krim atëherë. Isha fare i vogël. E ngatërroja me fjalën krimb. Nuk e dija se ç"Ëœishte krimi. Në përfytyrimin tim fjala krim merrte trajtën e krimbit. Herë, herë, merrte trajtën e krimbit të misrit. Po krimbi i misrit ishte i bardhë dhe mua nuk më dukej i shëmtuar, nuk më ngjallte urrejtje, inat. Çfarë krimbi të shëmtuar të ketë bërë ky njeri dhe si e ka bërë. Ky është burrë, mendoja me vete. Përfytyroja një krimb tjetër. E harroja krimbin e misrit. Edhe krimbin e mëndafshit që endte fshikas të verdha e të bardha. Përfytyroja një krimb të shëmtuar. Kisha parë diku një krimb të zi, të frikshëm me qime të zeza, të gjata. Ky do të jetë ai krimbi i keq, mendoja. Po, po. Ai  ishte krimbi i Man Murrizit. Ishte me të vërtetë një krimb i shëmtuar me qime të zeza. Kishin të drejtë që donin ta varnin gjersa kishte bërë këtë krimb të shpifur. Ai krimb është i zi dhe helmues. Po të të pickonte, ai të helmonte, të vdiste në vend. Këtë e kisha dëgjuar nga nëna. Po unë nuk e çaja kokën për as një lloj krimbi, sado i keq e i shëmtuar që të ishte, unë e shtypja me këmbë.
Ndërsa nuk i dalloja dot fjalët krim dhe krimb duke i përfytyruar ata njëlloj, unë doja që ta shihja të varur Man Murrizin. Vetëm kaq. Doja ta shikoja me sytë e mi, nëse do ta nxirrte apo jo gjuhën, siç thuhej pro dhe kundër. Kur e pashë me sytë e mi që ai e nxori gjuhën një pëllëmbë, më erdhi për të vjellë. Tri ditë më vinte për të vjellë e nuk më hahej bukë. Kisha frikë. Nuk dilja as te lesa, po të errej. Dhe kush kishte frikë. Kisha frikë unë që s'më pritej gjersa ta shihja të varur Man Murrizin, unë që thërrisja sa kisha në kokë së:

"Litarin me dhjamë
Mishin me gërshanë"

***

Më vonë edhe ne kalamajtë, e mësuam të vërtetën. E mësuam një ditë, para se të jepej vendimi me varje. Man Murrizi kishte vrarë një djalë që ishte sa ne ose pak më i madh se ne në moshë. Tani fjala krim ishte e kuptueshme. Krimi i Man Murrizit ishte vrasja e Qaniut të vogël. Atë ditë britmat tona u bënë më të fuqishme, më të egra  dhe dilnin  me dhimbje nga kraharorët tanë të njomë. Tani britmat i shoqëronim me pika loti :

"Litarin me dhjamë
Mishi me gërshanë".

Britmat e mia tani ishin më të egra. Tani unë e dija pse thërrisja. Kuriozitetin naiv për të parë një të varur tani e zëvendësoi urrejtja për kriminelin Man Murrizi.
Man Murrizi kishte vrarë Qani Zhurin dhe mua nuk më hiqej nga mendja. Vrasja kishte qenë e lemerishme. Unë e përfytyroja atë edhe më të lemerishme. Një kokë e prerë e rënë mbi prush. Qaniu kishte emrin e vëllait tim. Mua më dukej sikur kulaku më kishte vrarë vëllanë. Padurimi, për ta parë sa më parë të varur, tani u qindfishua. Tani nuk kishte më kuriozitet. Kishte vetëm urrejtje. Por edhe kjo urrejtje nuk ishte e plotë. Urrejtja ime shumë se urrejtje ishte dhimbje  për Qaniun, për kokën e tij të prerë, për sytë e tij të pjekur në prush. Unë nuk e kuptoja, nuk arrija të kuptoja ndonjë urrejtje tjetër, ndryshe nga kjo lloj urrejtje që vinte nga dhimbja, nga keqardhja për moshatarin...për Qaniun  e vogël... Dëgjoja të flitej për një urrejtje klasore, urrejtje që unë fëmija nuk e kuptoja dhe që më pas nuk e kuptova kurrë, megjithëse e dëgjova gjatë të kumbonte si një kambanë ndjellazi në qenien time...
                              
                                             ***

Man Murrizin e varën për ditë pazari me qëllim që ta shihnin jo vetëm qytetarët, por edhe gjithë fshatarët e fshatrarave të rrethit.
Krimi i Man Murrizit ishte përshkruar me saktësi në një letër që ishte vendosur në gjoksin e të varurit. Përshkrimi i krimit ishte bërë me një shkrim të qartë dhe me gjuhë të thjeshtë. Por në atë letër nuk ishte shkruar asgjë për atë që flitej dhe thuhej gojë më gojë. Nuk flitej për sytë e pjekur të djalit.
Nënën nuk e kishin lejuar kurrsesi që t'i shihte sytë e të birit. Sytë ia kishin lidhur me fashë të bardhë. Nga sy të zinj, ata ishin kthyer në sy të bardhë, xhelatinozë, të veshur me një cipë të hirtë, si xham opak. Ramë Zhuri ishte tmerruar kur kishte parë sytë e djalit. I kishte rënë të fiktët, prandaj dha porosinë që e ëma të mos i shihte kurrsesi sytë e të birit.
                                                  
                                          ***

U fol se në fjalën e tij të fundit Man Murrizi kishte kërkuar që ta varrosnin në krye të arës së Vidhishtës..., sepse ai e quante atë ende pronën  e tij dhe se donte të prehej atje në krye të saj...


1982
FASLLI HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
MNERA TË MERR SYNI ME I PAPoezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.31.2015)
MË LËR TË VDESADEM ZAPLLUZHA, poezi të zgjedhura nga libri 'Menatë vijnë lejlekët' (01.31.2015)
NJERI PA FAT NUK KAVILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragmenti VI i romanit 'Loja e mëkatit' (01.31.2015)
NJË LIBËR I PASHMANGSHËM Shaip Beqiri: Hydra des Zorns - Hidra e mllefit, libër dygjuhësh shqip - gjermanisht, botuar në Cyrih nga Limmat Verlag, përkthyer nga Hans-Joachim LankschPërurim nga SADIK KRASNIQI&am (01.30.2015)
URATAPoezi nga FASLLI HALITI (01.30.2015)
KOKA E SHQIPTARITCikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (01.30.2015)
NDËRKOHA E KETRITPoezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ (01.28.2015)
DASHURI E MALLTregim nga GANI MEHMETAJ (01.28.2015)
FEDERIKO GARCIA LORKANjë parathënie dhe një poezi të përkthyera nga FASLLI HALITI (01.27.2015)
NJË PORTË E HAPUR NË MISTERET E ILIRISËNga Prof. dr. ESHREF YMERI (01.27.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]