VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

LE TË JETË PËRJETË DASHURIA NJË FATA MORGANË
Poezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ

E Enjte, 02.12.2015, 11:20am (GMT1)



Isha tepër i dhënë pas shkretëtirave
Pas bukurisë së Saharës,
Gobit, Shkretëtirës Arabike
I kisha mbledhur shpesh
Në Kolkozin Botëror të Shkretëtirave.

Kisha ikur shpesh prej xhunglës së dhunshme
Sepse atje nuk kishe ku të vije këmbën
Veçse në kokat e zvarranikëve
Sepse atje nuk kishe ku të vije dorën
Veçse në qafat e amfibëve.

Sepse përkundër delikatesës sime të bërë proverbiale
Ata ishin të rrezikuar jo vetëm në individët
Por edhe në llojin e tyre
Nga mungesa e taktit në ecjen time
Nga mungesa e taktit të hapave të mi
Tejet të zhvilluar.

Isha tepër i dhënë pas shkretëtirave
Dhe ato ishin tepër të shtëna
Pas bukurisë sime
Dhe pas rendit tim njerëzor.

Në breg të tyre
Si në breg të lumit
I lija rrobat e mia
Dhe kridhesha në hapësirat e tyre.

Miliona vjet para se të arrija unë
Ato kishin evakuuar gjithçka.

Nuk kishte përreth gjëkundi kërkues të naftës,
Nuk kishte gjëkundi kërkues të alabastrit
Tejpërtej hapësirë e paprekur
Prej përgjimit të radarëve
Shikimit dhe dëgjimit të satelitëve.

Isha Adami që nuk i përsërit për herë të dytë mëkatet e veta
Pasi ka lexuar Talmudin, Ungjillin,
Kuranin.

Ndjeja aromën time të vërtetë
Të pandotur nga qeniet e tjera nëpunësore
Ashtu nuk e pandehja më vetveten
Nga aroma ime që kisha lënë nëpër qeniet
E rendeve të ulëta
Ose ultra të ulëta.

Përkundër kësaj
Gjithnjë e më shumë tregohesha me gisht
Në rikthimet e mia të dendura
Në xhunglën e dhunshme.

Pas shpinës m’i hante ditët Zhabuleta,
Pas shpinës m’i hante netët Zhabulani.

Pas rikthimeve të mia
Askushët ndjenin përherë e më dhimbshëm
Se unë isha tjetërkush
Sepse askund nuk ishte më tek unë
Era ndotëse e qenieve të tyre.

Ata nuk duronin që unë të kultivoja drejtqëndrimin, ecjen,
Kultivoja hapat, vrullet njerëzore.

Shkretëtirat më zëvendësonin ujin që në xhungël mungon
Ajrin e kokrrizuar në trajtat e pluhurit
Që xhungla e ka.

Ato kishin shqisa vetëm për të bukurën
Ato nuk kishin përshtatur asnjë shqisë për të shëmtuarën.

Isha tepër i dhënë pas shkretëtirave
Dhe kjo gjithsesi shkretëtirave mund t’iu bënte dëm.

Ndaj, më mirë se bumerang,
Le të jetë përjetë dashuria jonë një Fata Morganë
Tokë-Tokë,
Qiell-Qiell,
Tokë-Qiell e kthim.

Ne të rendim pas saj
Pa fund dhe pa shpresë.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.