E Martë, 07.23.2019, 05:32am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
MAGJIA E NJË ZËRI
Tregim nga ALBANA M. LIFSCHIN

E Shtunë, 02.14.2015, 11:15am (GMT+1)


Rrallë ndodh që puna që bën, të jetë njëkohësisht edhe hobi yt. Unë e pata këtë fat. Prej dy dekadash si gazetar i Radios, jam marrë me regjistrime zërash, intervistime njerëzish të ndryshëm. Kam krijuar një arkivë përrallore. Fillimisht kisha një magnetofon të vogël portativ. Me pas, me kohë krijova një koleksion të tërë aparatesh regjistrimi. Kam programe ku përpunoj zëra, i zbus dhe i egërsoj, u heq zhurmat, apo ua shtoj. Kështu, i njoh thellë ata. Kam arritur në përfundimin që nga zëri mund të përcaktosh karakterin e tjetrit deri në skajet e tij. Zëri është ADN-ja e shpirtit.

Disa zëra janë krejt të veçantë. Brenda tyre ka lot dhe gaz njëherësh, gjen shushurimë ujërash dhe nota muzikore, zemërim e përkëdhelje, pëshpërimë ....Janë të gjitha njëherësh, nuk i ndan dot. Zëri i saj kishte diçka të tillë, e më shumë se kaq. Ishte një zë i pa moshë. Në bisedë me të, ai zë përcillte një ngrohtësi të pashpjegueshme. Të tërhiqte e të mbante në magjinë e tij, të bënte të ndiheshe mirë, të ngacmonte në shpirt, por edhe shumë joshës. Ndërsa kur qeshte, qeshte me gjithë shpirt me çiltërsinë e një fëmije. U dashurova me atë zë...Kalova në marrëzi për një grua që s’e kisha parë kurrë. Fillova t'i telefonoj vetëm për të dëgjuar zërin e saj në sekretarinë telefonike. Ishte një mesazh i shkurtër, por edhe aq ishte i mjaftueshëm elektriciteti që percillte ai zë tek unë. Një efekt të tillë kishte zëri i saj. Ndjeja nevojë ta dëgjoja përditë. Ia “vodha” zërin, e rregjistrova. Më së fundi, mik i dashur, siç mund ta marrësh me mend, kërkova ta takoj. Le të mbytesha në grackën qe i kisha ngritur vetes. Le të shkoja symbyllur drejt një muri ku mund të thyeja kokën, por vetëm ashtu s’jetoja dot më. Kërkoja një arsye për të shkuar në qytetin ku banonte dhe e gjeta: rregjistrimin e një aktiviteti pikërisht në qytetin e saj. E njoftova nëpërmjet një mesazhi elektronik. I thashë që do të isha atje pas tre ditësh dhe se doja ta takoja.

Nuk mora përgjigje atë mbrëmje, po as të nesërmen. S’bëra rehat gjithë natën. Qe një natë e çmendur. E përfytyroja në krahët e mi. Heshtja e saj më trembi. Mos ndoshta kishte ndonjë dashnor e unë rrihja ujë në havan?

I bëra telefon. M’u përgjigj një zë pa nota zanore. U tremba. Më tha se ishte sëmurë. Ndjeva dhimbje.Gjithsesi i tregova se të enjten do të ndodhesha me shërbim në qytetin e saj dhe se kisha dëshirë ta takoja.

-Ndoshta do na krijohet mundësia të shihemi. Do të vi që nga treni me taksi deri aty ku punoni ju.
- Taksia kushton shumë...
-Unë nuk jam i pasur- iu përgjigja, por ka raste kur shpenzimet nuk llogariten.
Mu duk se vuri buzën në gaz, por qe një gaz i pa zë.

Ja kështu. U ndodha në qytetin e saj atë të enjte dhe kisha 15 minuta që prisja para godinës ku punonte ajo. Bënte ftohtë. Vështroja fytyrat e grave që dilnin nga dera për të parë ndonjë përngjasim me foton që mbaja në xhep. Qe një foto me një kualitet të dobët që e kisha ‘shkulur’ nga interneti. Asnjera s’ishte si ajo. Pata frikë se nuk do ta njihja. Ndërsa mendoja këto, ajo u dha në krye të shkallëve. Duhet të ishte ajo, sepse mbajti këmbët e qëndroi një copë herë duke vështruar përreth. Kishte veshur një pallto blu me një shall të trëndafiltë rreth qafës. Flokët ngjyrë gështenjë i binin onde-onde mbi mbi supe. E përshëndeta me dorë. U afrua e kujdeseshme, si të mos kishte siguri për të panjohurin që qëndronte përpara saj. I zgjata dorën. Ndjeva në pëllëmbë për pak sekonda një dorë të vogël, të freskët.

Ajo iu përgjigj atij shtrëngimi me një buzëqeshje miqësore. Ecëm disa minuta duke hedhur fraza të shkëputura, pa lidhje, siç ndodh midis dy njerëzve që takohen për herë të parë me njëri-tjetrin deri sa ndalëm pranë një restoranti të vogël. E ndihmova të hiqte pallton duke zbuluar një fustan të trëndafiltë që i shkonte shumë. Ajo porositi për të dy.
Kur kamerierja u largua, ktheu sytë nga unë.

-Ja pra, ku jemi, thashë unë. Faleminderit që më dhatë mundësi t'u njihja personalisht. Nuk munda ta shmangia këtë.
Ajo u skuq lehtë në mollëzat e faqeve. Ku i kisha parë ato mollëza ashtu? Hëm.. kohëra të shkuara, në një album të nënës sime; koleksiononte foto artistësh.
M'u duk se u mat të thoshte diçka, pastaj sikur ndërroi mendje. Vështronte përtej dritares dhe ndërsa unë kundroja profilin e saj, ajo u kthye papritur:
-Ç’thotë puna?
Qe një pyetje e përgjithshme. Nuk ishte ngacmuese për një bisedë intime, por gjithsesi të nxirrte nga situata; të lejonte të flisje për shumë gjëra. Nuk mbaj mend se çfarë i thashë, sepse në mendje kisha të tjera .
-E dëgjoj shpesh programin tuaj. Gjej tema me interes, por ndonjëhere ka disa tekste që nuk di si…
-Si? pyeta unë, pa e kuptuar se ç’desh të thoshte.
-Mediokër. Mbase janë shkruar jo nga profesionistë.
- Duhen edhe ata, thashë unë.
-Si? Ajo vuri shishen e limonatës në tavolinë pa pirë asnjë pikë.
-Thonë se Petro Marko kur punonte në gazetë me Merxhanin, i shkon atij në zyrë me një dorëshkrim e i thotë: Po shiko ç’sjell ky... i ka shkrimet të dobëta, po ngulmon që t’ia botojme. “Botoja, Petro, botoja! Ta shikojë tërë bota se ç’mall është!
Ajo qeshi për herë të parë dhe mua m’u bë se ndjeva gurgullimën e ujërave në gushën e saj. Fustani kishte një prerje si gojë zambaku tek gusha e bardhë dhe më erdhi ta puthja. Kishte një lëkurë të hollë të bardhë. Përfytyroja një gjoks verbues. M’u duk se më ndihmoi të dilja nga turbullimi im duke u hedhur në një tjetër temë. Fliste me bindje për ato që thoshte ndërkohë që unë bëja çudi si i kombinon Zoti ndonjëherë bukurinë me mënçurinë e inteligjencën… dhe sikur këto të ishin pak, u jep edhe zërin. Ose ndoshta ky qe privilegj vetëm për të.
Kishte filluar të errej dhe po ndizeshin dritat e rrugëve. Ajo kërkoi me sy kamerieren.
Nuk desha ta lija të paguante, por ajo nguli këmbë. Vuri pëllëmbën e saj mbi timen duke më penguar të fusja dorën në xhep. Na u përplasën vështrimet njëherësh dhe ajo u skuq për herë të dytë. U ngrit nga tavolina dhe unë e lashë të ecte përpara meje. Palltoja i vinte pak nën gjunjë duke i zbuluar një pulpë të bukur. Më bënë përshtypje këpucët e saj elegante, por shumë të vogla. Ç’numër i mbante këpucët vallë, pesë? Pesë e gjysmë?
- Ku i blini këpucët, në dyqanet e fëmijëve?
- Si?
Ajo u kthye nga unë.
- Këpucët, thashë… në dyqanet e fëmijëve i blini?
Asaj iu mbyllën sytë nga te qeshurit, dhe pastaj me cepin e një shamie të bardhë fshiu bishtin e syrit.
-Kësaj i thonë të qeshësh me lot, tha.
-Duket se kishit shumë kohë pa qeshur. Duhet të vijmë ne aljenët-thashë unë, që t’u bëjmë për të qeshur juve këndej.
Ajo nuk iu përgjigj shakase sime.
-E keni lexuar këmbkën e vogël?
- Këmbkën e vogël? Ajo po mendohej
“Nuk ka mundësi që të mos e ketë lexuar Çehovin”, thashë më vete.
-Kam lexuar për një këmbë të vogël, tek Çehovi, por ai tregim më duket se e kishte titullin “Bashkëshortja”, në mos gabohem…
U skuqa si një budalla. Kaq më kishin mbytur ndjenjat për këtë grua, sa nuk po dëgjoja se ç’po thoja… Mora inat me shkrimtarin e madh. Në fund të fundit, ai tregim pikërisht ashtu duhej të quhej: Këmbka e vogël! Një këmbë aq e vogël me thëmbër të trëndafiltë mund ta mbaje brenda pëllëmbës së dorës.
Ishin minutat e fundit të takimit dhe ndjeja se si po më mbaroheshin fjalët.
-Unë duhet të pohoj që erdha këtu, vetëm për t’u takuar ju… Nuk mund të më jepni më shumë kohë? Kam nevojë të të njoh më tepër, kemi nevojë të njihemi, e ktheva në shumës. Nuk dua të ndihem në pozitë qesharake sepse ndjej për ju. U bë një kohë e gjatë që e kam ëndërruar këtë takim e sot më duket se kam folur vetëm budallallëqe.
Papritur vura re se ajo qe zbehur në fytyrë. Shtrëngonte çantën e saj të zezë me të dy duart tek gjoksi, sikur të kishte thesaret e saj aty dhe vështronte kalimtarët e shpërqëndruar. M’u duk një çast si një gjimnaziste që po i propozonin për herë të parë.
-Të lutem, nuk mund të ndahemi kështu… thashë përsëri.
Një bllok më tutje ishte stacioni qëndror i trenave. Me të hyrë në atë galeri ajo do të humbiste mes turmës. E urreja atë hark te madh pas të cilit njerëzit zhukeshin si në një gojë të madhe balene.
-Të lutem, eja të ulemi gjëkundi, ku të duash ti, ndoshta në këtë lulishten këtu pranë. Mos shko tek treni që tani… thashë vrullshëm. Ia zura kokën me të dy duart dhe e putha në buzë. Ajo e priti atë puthje si e ngrirë.
-Më falni, tha duke u mbrapsur,- ka ndodhur një keqkuptim i madh këtu… dhe u largua pothuajse me vrap në drejtim të stacionit.
Dy ditë shërbimi në atë qytet nuk isha në gjendje të bëja asgjë. Kisha dështuar. “Gjete ç’kërkove” –i thoja vetes. Me siguri ka qënë e zënë. Ti s'e pyete kurrë për këtë…Ose qe një koketë që i pëlqente ta dashuronin.
Kur u ktheva nga shërbimi, në postën elektronike gjeta një e-mail nga ajo:
“ Ju falenderoj shumë për mirëkuptimin Do të qe krejt e pamundur për mua t'iu takoja atë ditë të ftohtë. Jam ende në shtrat pas operacionit të kordave të zërit. Ime motër mori përsipër t’u priste për të më justifikuar mua. Asaj i kishit pëlqyer shumë…”

Nju Jork, 2008
( nga libri me te njejtin titull, bot. 2009)

ALBANA MËLYSHI LIFSCHIN


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SHPIRT I MOHUAREsé nga VILHELME VRANA HAXHIRAJ (02.14.2015)
NJI LULE VJESHTETPoezi nga AT GJERGJ FISHTAPërgatitur për botim nga FRITZ RADOVANI (02.13.2015)
GRUAJA, BURRI DHE SHËN DASHURIAEsé nga DRITA LUSHI (02.13.2015)
VDEKJA E ANTONJITO  EL KAMBORIOSPoemë nga FEDERICO GARCIA LORCAPërktheu: FASLLI HALITI (02.12.2015)
FEMRACikël poetik nga QAZIM SHEHU (02.12.2015)
LE TË JETË PËRJETË DASHURIA NJË FATA MORGANËPoezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.12.2015)
VEPRA "BRIGJEVE TË DRINIT, MORAÇËS E LIMIT" I RAMIZ LUSHAJ NJË MODEL I NATYRSHËM GJITHËKOHËSIENga DËFRIM CANI, Publicist, Studiues (02.12.2015)
Ditari PoetikTHA BARDHI I BARDHIT TË GËRVALLË DUKAGJINITNga MENTOR THAÇI (02.11.2015)
LULE TË POSAÇELURACikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (02.10.2015)
GJASHTËDHJETË E PESË VJET MË PARË( Me rastin e 65 vjetorit tё masakrёs greke mbi popullsinё e Çamёrisё)Poemë nga QERIM SKËNDERAJ (02.09.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Korrik 2019  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 

 
VOAL
[Shko lart]