VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

EKLIPS HËNE
Kushtuar babait
Poezi nga SKËNDER BUÇPAPAJ

E Djelë, 02.15.2015, 12:39pm (GMT1)

 

Katër erërat

Te Ujvara e Madhe

Çirreshin

Grindeshin vajtueshëm

Si gjëmëtarët

Se kush do t’i prijë

Rreshtit të gjëmës.

 

Hëna e eklipsit

Mbushte tej e tej qiellin.

Në magjen e hapësirës

Ishte një hënë

E ardhur mbrume.

Nga çdo por i fytyrës

Gati

T’i pëlciste gjaku.

 

Babai im

Pas përkryerjes së tejskajshme të rrudhave

Pas përkryerjes së tejskajshme të thinjave

Shkonte të pikëtakohej

Me tejskajin tjetër të bukurisë

Me vdekjen.

 

Ishte 16 shkurt

Si sot

Dhe askush në botë s’e kuptonte

Pse hënës

Skaj më skaj qiellit

S’kishte re që t’i ndalte

Hemoragjinë.

 

Ndërkohë që

Të katër erërat

Te Ujëvara e Madhe

Çirreshin

Kush të zinte vend e para

Në rreshtin e gjëmës.

SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.