VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KORTEU!
REXHEP KASUMAJ - poezi nga libri "Marathonomak i vonuar"

E Mërkurë, 02.18.2015, 04:05pm (GMT1)




Më ndodh sikur shoh,
netësh pa hënë
e me erë që retë harbon,
të rënduar shoh në
kolonë
hijen e korteut tim,
me këngë rend gjysma
e gjysma n’mnerim!

Dhe tek drojshëm pyes
për të ikurin
kësolltarët gjithë hir,
më kujtohet zakon i vjetër
i mirë,
që posi në dashurinë
dhe në sytë e vdekjes kërkonte
bukurinë!



Këto kupola Kishe!


1.
Sa të ulta këto kupola Kishe,
e vetmja portë e njeriut
ndër qiej,
sa po u zgjat një grimë
me dorë mund t’i prekë
e ndiej
të akullta të pagojë,
e të bie në dëshpërim
në çdo feksje drite në agim,
pse lutja (oh, lutje e tij!)
mbetet përherë poshtë,
përmasë vojtjesh toksore
me fate të parathënë mortore...

2.
Përse këto kupola vallë
me kryqe të bekuar sipër,
të mos ngrihen më lartë,
atje përtej vdekjes e reve
në yllnajën e zjarrtë?,
që njeriu të mos i shohë
me besimin e lumur
a n’mashtrim përkundur,
se ëndrra,
lutja,
rrëfesa e tij në altar
natë e ditë,
tashmë kanë takuar perënditë!



Peri i fëmijërisë

Kur më qepte nëna pullën
e këputur,
kurthohej peri shpeshherë,
lidhej nyjë,
si truante ajo e mira aherë...
dhe i këpuste një të mallkuar
pse parathosh orën e prerë
a fatin e hidhur,
pe i nyjëtuar,
e prapë një pëshpërimë
me të lutur,
për perin e lidhur,
për pullën e këputur!

Ndonëse mistike ngjanin,
aspak të tillë nëma lutja
s'qenë,
i huaj mbi gjithçka
mbi tokën ilirike
mbi dhenë,
herrte ferri barbarisht,
me hekurat,
me gjuhën,
me gënjeshtrën serbisht!



Arithmetikë e mundur!
( V.)


Sado e paanë
Arithmetika të jetë
Dashurinë për Ty
Nuk e tejshkon dot
Këtë polen në krah fluture
Vesë agu mbi fletë

Numrat përftojnë qortues
E herë kanosshëm shtohen
Por një çast
Dhe Arkimed e Khajam
Flamurin e bardhë ngrejnë
E dorëzohen

Ja, zerot mbarojnë e bien
Si fletëvdekurat kur era tund
Veç dashuria ime
Përtej vete hirshëm
E pamatshme
E pafund!


Pritje e qershisë

1.
Do kthehem, i tha
Më prit
Për dashurinë,
Kur të çelë qershia
Aty rrëzë
Ke brija,
Do ngrejmë ne shtëpinë!

2.
Fletët ranë
E sërish gjethëruan,
Zogjtë vanë
E behën nga mërguan,
Qershi e vjetër çeli
E u poq,
Thua fjalën mbajti
E ajo,
Ajo mori shaminë
Dhe qajti...


Çastësi e parrëfyer

Dashuri e një dite
Më e gjatë është
Se një shekull i çalë
Më e thellë
Se det i harbuar me valë

Më erëmonjëse është
E të vetmes ditë
Dashuri
Se armatë e trëndafilave
Se kopshti pa njeri

Dashuri e një dite
Më çastësore është
Se rr’fetë shituese t‘erinive
Më e përjetshme
Se amshim i perëndive

Më humbake është
Dashuri e një dite
Se zog i përftuar erës
Më shpërthyese
Se ringjallja e pranverës

Dashuri e të vetmes ditë
Më vegullore është
Se puthja e fshehtë e agimeve
Më e terrshme
Se muzgjet e trishtimeve

Më përzitëse është
Kjo dashuri e njëj dite
Se mekja e qiriut
Se lotët
Lotët ylberor të shiut

Dashuri e një dite
Më e bukur është
Se udhëtim i gjatë n’askund
Më e plotënuar
Se mbërritja në fund

Më e pathënë është
Dashuri e asaj dite
Se qerpikfjetura e mumjes
Më pengmbetëse
Se fjala e vyshkur e humbjes

Ah, dashuri e një të vetmes ditë
Më shumë dhimbje ndryn
Se fletët e rëna tokës
Më shumë, më shumë
Se arkmortët e gjithë botës.


E Pavarr

Përgjigje kurrë s’mora
e të më shkruaje prisja
që s’më do
të kisha doja së paku
varrin e dashurisë
orët e përshpirtjeve
lulet,
kandilin e zisë!

REXHEP KASUMAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.