E Hënë, 11.18.2019, 03:03pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
FLETORJA E VJETËR...
Tregim nga PËRPARIM HYSI

E Djelë, 02.22.2015, 10:26am (GMT+1)


E kish fshehur me kujdes këtë fletore si një reliktë që fshinte shumë kujtime. E vetmja dëshmi e një kujtimi sa të bukur dhe aq të dhimbshëm. Sado që e dinte mirë se sa prekej nga një ballafaqim se ç'shkruhej në ato faqe, ai, jo rrallë, e nxirte nga vendi ku e kish fshehur dhe humbte në mjegullimë kujtimesh e mbresash. E kapi me duarët që i dridheshin nga emocionet dhe në fletët, tejet të zverdhura, vuri re se sa kish humbur nga ajo kaligrafia e asaj kohe; të atij bukurshkrimi- një shkrim -vizatim, do thoshe- me atë shkrimin që bën sot. Eh, psherëtiti. Kohë e re, avaz i vjetër. E mbylli për një çast dhe kaloi në meditme.
* * *
Çdo gjë ndodhi si me porosi. Kështu ka qenë, se nuk ka se si ta shpjegosh gjithçka që ndodhi më tej. Qeshë mirë e bukur. Familjar i mirë. I martuar dhe me fëmijë dhe, tek bëhesha gati për të shkuar në institut, befas takoj kolegun , Tasimin.
-Ore,- tha Tasimi,- po tani e gjete për të ikur, kur në shkollën tonë ka ardhur një nga ato "të bëra me dorë nga Perëndia?".
-Ka ardhur... e po pastaj? Mos ka ardhur enkas për mua?
- Dëgjomë, mua,- ngulmoi Tasimi. Ke për t'u penduar. Më duket se po lë dasmën e po nisesh për shkarpa. Pastaj, ti je me grua, me fëmijë. Ktheje të drejtën e studimit me korrespondencë dhe ktheu në shkollë. Apo harrova unë: je i biri Rrok Felerit ti dhe nuk pyet për xhep.
Nuk e di se ç'brokullitëm më me Tasimin, se ku mund të mbash mend muhabete badiava, por një gjë e mbaj mend mirë: unë, Rakip Luari, vërtet që e anullova të drejtën e studimit (për arsye familjare) dhe u ktheva në shkollën ku qeshë. U ktheva dhe sikur e bleva pak belanë me para.
* * *
Tasimi m'u hodh në qafë, kur u paraqita në shkollë. Të gjithë ishin aty dhe vetëm një kolege qe e re: ajo " e bëra me dorë!". E bërë me dorë qe me të vërtetë, po kjo nuk do të thoshte që qe e"bërë me dorë" për mua... dhe bjerë e vdis. Unë, për të qenë i ndershëm, as isha kthyer asaj ane. Së pari, se ajo, Selvia (si selvi qe, pse t'i hamë hakun), qe gati nja dhjetë vjeç më e re dhe, së dyti, në kolektivin tonë me rreth njëzet veta, vetëm unë dhe drejtori qemë të martuar. Nuk kishim as dy muaj punë, kur Tasimin e morën ushtar. Por fati vjen në forma të ndryshme. Kolektivi ynë kishte shkuarje. Drejtori ( shpesh herë drejtorat ta vështirësojnë punën e ta kthejnë në skllavëri) qe njeri racional dhe mua më dukej se e kisha shok të besës. Kishim tri vjet me të dhe qemë të kënaqur nga puna e njëri-tjetrit. Me të besonim dhe çështje shumë konfidenciale. Kështu besoja, po a mund të më thoni se cili nuk e ka pësuar nga miqtë?
Kur tha kështu, tak dhe e hapi fletoren. Atje lexoi:
"... e dashur. Të kujtohet? Shkrepsen e parë të dashurisë e ndezëm pas një kërcimi. Qe një fokstrot aq melodioze, sa hapte me tingujt e saj"Radio-postën". Ne kërcyemë dhe, befas, bëmë "masë" nën ritmin aq gazmor. As thamë gjë me gojë. Po pse duhet të flisnim kur açik dukej "faji?". A flet "faji?!". Sado që nuk flet, ai duket sikur bën mu."
Përsëri ndaloi, se e dinte mirëfilli, gati faqe për faqe, se ç'thuhej në atë fletore. Eh,- tha me vete,- Tasim që nuk të takova më kurrë, ti sikur shtrove shinat ku eci treni i fatit tim. Thonë që fati të të ndjekë dhe jo ta kërkosh. Dhe vërtet që kështu qe. Unë rashë brenda. Them "unë rashë brenda", se unë qeshë i madhi dhe në një "faj të përbashkët", peshën më të madhe të fajit e mban i madhi. Po më të vërtetë faj të qe? A është faj dashuria? Nuk më vjen turp ta pohoj: unë,Rakip Luari, i martuar dhe me fëmijë rashë në dashuri si një adoleshent i pandreqshëm. Qe një dashuri e pastër dhe e ëmbël, me një marrëveshje aq reciproke, sa dhe tani ndjej të më dhëmb zemra.
Ajo qe e ndërgjegjshme se unë nuk do e prishja familjen dhe më donte pa ndonjë kusht specifik. Dhe, kur e pyesja se po rrezikonte shumë për fatin e saj të ardhshëm, ajo duke më puthur, më përgjigjej me fjalët e Nerudës: " Dalëngadalë po vdes, nëse nuk rrezikoj". Dhe unë "dalëngadalë" po vdisja duke rrezikuar. Qe një marrëveshje aq e bukur,aq pastorale dhe aq paqësore, sa, kur e kujtoj, ndjej dhimbje.
Është njerëzore dhimbja ime, se është pasojë e një dashurie të bukur që një ditë e vranë. E vranë dhe nuk kishte vrasje më të flliqur dhe më të pështirë. Kjo "vrasje" qe nga dora e një miku. Më shkoqur: nga miku im "konfidiencial" aliaz drejtori.
* * *
- Sa e mirë që është,- tha drejtori . Kuptohej se disa çapa më tutje u rrëfye ajo,Selvia.
-Selvi e quajnë dhe si Selvi është,- shtova unë.
- Sa qejf kam që t'ia rrufit ato llërë,- tha ai
Dhe kështu hidh e prit, secili gjente plot e plot fjalë sa më të zgjedhura për të bërë portretin e saj. Pra, unë e drejtori, qemë gjahtarët që kishim vënë në shënjë të njëjtin gjah. Por kjo ndodhte kur unë dhe ajo "kishim rrezikuar, për të mos vdekur ngadalë". Natyrisht, kjo mbetej një e fshehta jonë intime dhe unë kurrë, për asnjë çmim, nuk do t'ia besoja njeriu. Dhe, siç kuptohet, as dhe drejtorit. E fshehta jonë... po për sa kohë do mbetej e tillë? Unë dhe ajo qemë betuar: sa të jemi gjallë! Por...
* * *
Populli thotë: kopili mund të fshihet vetëm për dyzet ditë. Ne jo vetëm po "vdisnim me ngadalë duke rrezikuar", por shkëmbimet tona aq të ngrohta dhe intime i shkruanim në fletore. Shkruaj unë dhe,pastaj, ajo. Sa herë, fletorja më dorëzohej mua. Dhe kishim mbushur jo pak po plot 16 të tilla. Sikur pa shkruar nuk do kishte kuptim dashuria. Një ditë. Vetëm një ditë unë harrova ta merrja fletoren dhe, po atë ditë të vetme, ndodhi dhe thagma. Fletorja e "harruar" ra në dorën e drejtorit. Të atij që donte t'ia rrufiste ato llërët". Kur pa sekush i kish "rrufitur ato llërë", si mik intim imi, më denoncoi në seksion. Kaq u desh që mbi mua u lëshuan rrufetë e qiellit dhe unë e Selvia, u vramë së gjalli. Nga të gjitha, ka mbetur veç një nga ato fletore,që, sa herë e shfletoj, ndjej jo vetëm dhëmbje, për një dashuri të pafajshme dhe të bukur, që e vranë më shumë nga zilia. Ajo fletore e vjetër që më çon në atë kohë të largët, kohë nga kam marr dhe plagë. Plagë që të hapë një mik dhëmb shumë.

Tiranë,18 shkurt 2015


PËRPARIM HYSI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VAZHDIMISHT TRADHTOHET NJERIUPoezi nga VISAR ZHITI (02.21.2015)
SONATA E HËNËS- FOLEJA KOMBËTARENga EGLANTINA MANDIA (02.21.2015)
ARITMETIKË MISTIKENga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.19.2015)
NJË NJERI MBASE I URITURCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (02.19.2015)
POEMA E DHIMBJESPoemë nga NIKOLL N ULNDREAJ (02.19.2015)
SONATA E HËNËS (Rrëfim për një jetë)Nga ENGLANTINA MANDIA (02.19.2015)
KORTEU!REXHEP KASUMAJ - poezi nga libri "Marathonomak i vonuar" (02.18.2015)
ZOTI KADARE DHE VEPRA QË SFIDONEsé nga NADIRE BUZO (02.17.2015)
NJË MESHË PËR 'ALIENIN' E POEZISË MBARËSHQIPTAREIn memoriam Frederik RReshpjesEsé nga PËRPARIM HYSI (02.17.2015)
GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEPoemë nga LLEMADEO (02.17.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2019  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 

 
VOAL
[Shko lart]