VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VËLLIMI POETIK “ËNDRRAT E BARDHA” I AUTORËS, ALMA FERUNI
Nga UKSHIN MORINA

E Mërkurë, 02.25.2015, 03:42pm (GMT1)


Libri me poezi i poetes Alma Feruni “Ëndrrat e bardha”, është përmbledhja e saj më brilante e cila vjen përpara lexuesit me një pasuri të madhe për nga dendësia e unit poetik. Interes të veçantë në këtë vëllim paraqet realiteti dhe mënyra me të cilën poetja i shpreh ndjesit e saj duke vënë në dukje anën negative të politikës së kohës që ne jetojmë, jo vetëm në Shqipëri por edhe si emigrante në vende të ndryshme të perëndimit ku ajo jetoj dhe punoj, për një pjesë të kohës së saj.

Vëllimi poetik “Ëndrrat e Bardha” i poetës Feruni, përmbledh një numër të konsiderueshëm poezish me motive të ndryshme, të marra nga veprimtaria e saj ndër vite si, “Helmon si gjarpëri”, “E gdhimë mallin rrugëve”, “Kujtimet”, “Përtypur në ëndrra”, “Mërguar”, “Kllounet”, “Unaza”, “Pikturoj globin”, “Lufta e brezave”, “E dua fitoren” etj.

Në këtë vëllim poetik gjejmë nota të thella pesimizmi dhe optimizmi, ku fryma dhe besimi i saj për një të ardhme më të mirë dhe për një jetë më të sigurtë, i japin vargjeve ngjyra të larmishme, përmes së cilave gërshetohet bukur natya e lirë duke mos dekurajuar vullnetin dhe forcën e saj përballë çdo lloj rrethane. Metafora qëndrore në poezitë e poetes mbetet ëndrra për një jetë më të mirë për njeriun, ku në të shumtën e rasteve, ajo paraqitet e ndërlikuar përballë rrethanave që shoqëria jonë ndodhet.

Veçoritë e heroit lirik nuk mbyllen në një rreth vicioz por atë e terheqin hapsirat të shumta, të cilat pasqyrojnë me admirim lirinë dhe barazinë mes njerëzve, ku sipas saj politika është në shërbim të popullit dhe njerëzit janë të gjithë të bashkuar në mbrojtje të interesave të tyre. Alma përfaqësohet si një nga poetet më origjinale dhe me një forcë të madhe artistike e cila në qendër të krijimtarisë së saj, paraqiten tematika të ndryshme shoqërore ku me ta ajo e sfidon jetën. Vargu i saj ka forcë të madhe shprehëse edhe pse në dukje është e përdorur një gjuhë e thjeshtë, ka ritëm dhe kombinime të bukura metrike të përcaktuara qartë.

Në të gjitha vargjet e saj paraqitet një saktësi e madhe, e cila në të shumtën e rasteve përsëriten mendimet me qëllimin e mirë për të vënë në dukje më tepër idenë dhe mendimin e lirë. Rimën e gjejmë të përsëritur shumë rallë, por që kjo zëvendësohet me mjeshtri nga poetja, duke përsëritur fjalët apo grupet e fjalëve në fund të vargut. Poetja Feruni ka një aftësi të madhe për të depërtuar në ndjesitë e fshehta të shpirtit të njeriut, ajo paraqitet edhe si një piktore e talentuar e pejsazhit me pasurin e saj leksikore dhe stilistike. Në vëllimin poetik “Ëndrrat e Bardha” të poetës Alma Feruni, bie në sy kondensimi semantik, ose ngjeshja maksimale e shprehjeve poetike e cila i jep mundësi poezisë të bëhet më ekspresive, më e ndjeshme, më e kapshme dhe tej mase e prekshme për çdo lexues.
UKSHIN MORINA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.