E Djelë, 10.20.2019, 06:30am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
KJO ISHTE HISTORIA IME E SHËMTUAR, PËR TË CILËN NUK KËRKOJ SHFAJËSIM
VILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragmenti X nga romani 'Loja e Mëkatit'

E Martë, 03.03.2015, 01:17pm (GMT+1)



   Koha kaloi pa u vënë re. Në Parajsën me emrin Llogara ra mbrëmja. Antonio dhe Arlindi ulur pranë oxhakut ku digjej një trung, i cili veç ëmbëlsisë që përciell ngrohtësia e zjarrit, shpërndan edhe aromën e dashur të drurit të djegur. Të dy miqtë , duke biseduar qetësisht, shijonin nga një gotë verë shoqëruar me sallatë ulliri, me qep të mëdha e të ëmbla Tushemishti dhe limon, e mbytur në vajin e ullirit  me famë të Kaninës. Pronari i lokalit iu ofroi një pjatë me stafidhe rrushi, mollë Ohri dhe agrume Himare. Ai pasi trokiti gotën me ta, u ul në tavolinën e tij.
Me këmbënguljen e tyre ai erdhi u ul me ta për t'u bërë shoqëri.
      -Po zonja u largua?- pyeti pronari i hotelit.
      -Jo. Bashkëshortja ime ndihej e lodhur dhe po qetësohet në dhomë.
      -Më falni për interesimin. Pyeta, pasi çdo periudhë e ditës, e natës apo e vitit këtu ka magjinë e vet. Shikoni se ç'mbrëmje ka rënë mbi borigat e pishave. Përse nuk shëtisni pak? Shkoni deri te Qafa, se tani duhet ta ketë mbuluar mjegulla e dendur.
Arlindi kërkoi falje dhe u ngjit në dhomë. Nuk trokiti, por e hapi me çelësin dytësor. Hyri ngadalë në majë të gishtave. U mrekullua kur e pa Kaltrën që flinte  e shkujdesur dhe si një engjëll i pafajshëm.
Njërën kga këmbët, deri në rrëzë të kofshës, e kishte të zbuluar. Po ashtu edhe kraharorin e më poshtë gjoksin e kolmë. Dantellat e qëndismat e të brendshmeve prej mëndafshi në ngjyrë të kaltër ia hijeshonin trupin e saj të sedeftë. Për një çast ai trup i pambrojtur atij iu duk si një pjesëz e shkëputur nga universi, mungesa e të cilit do të sillte anomali në rregullsinë ndërhapsinore. Ajo brishtësi e veshur me kaltërsi, mes çarçafëve të bardhë, ngjante si një trup qiellor i rrëzuar, i cili për të mos qenë inekzistent, ka nevojë për ndihmë,kujdes dhe për mbështetje. Arlindi vazhdonte ta sodiste mes një shikimi përkëdhelës, e shijonte sikur të ishte një skulpturë e Rilindjes, aq e përkryer iu duk atij. Ndërsa e vështronte ëmbël dhe me kërshëri atë trup pjesërisht të zbuluar, i cili e tërhiqte si një magnet drejt mëkatit, një buzëqeshje mjerane iu ravijëzua në fytyrë.
I erdhi turp nga mendimet që i gëlonin..."Më duket mua, apo vërtet është kaq hyjnore? Gjithsesi unë e dua. Ajo këtë e ka nuhatur, por nuk do që ta pranojë. Ende ka frikë ta lidhë jetën e saj me një mashkull. Unë do ta pres, do të kem durim derisa ajo ta ndiejë nevojën për mua.Ndoshta deri kur tek ajo të lindin ndjenja të pastra që i ngjallin besim për të nesërmen."- mendoi dhe e mbuloi me kujdes.
  Ajo e ndjeu, shtriu gjymtyrët dhe i dhuroi atij një buzëqeshje të dëlirë foshnjarake.
-U bënë muaj që njihemi. Mua më duket sikur jemi rritur bashkë. Kemi arritur t'i njohim njëri-tjetrit virtytet dhe veset. Me ty, Arlind, mësova të ringrihem, atëherë kur ti më gjete të rrëzuar. Pikërisht me ty po mësoj të ecë në rrugën e mirësisë. Prania jote më bën të ndihem e qetë, e sigurt në gjithçka që bëj. Për këtë të falenderoj së tepërmi.
     -Vetëm kaq meritoj?!
     -Besoj se kaq mjafton për një mik të mirë.
     -Nuk kam as të drejtën e një përqafimi?! Kujtoja se një ditë do të më përqafoje aq natyrshëm sa...
Ndërsa ai fliste, një hije trishtimi i ra mbi fytyrë. Në atë çast u ndje aq i pafuqishëm, sa u ul në fundin e shtratit. Kapi tëmthat me dorë dhe pa vetëdije
nisi të fërkojë ballin.
   Ajo hodhi diçka krahëve dhe u ngrit ndenjur mbi shtrat. Tek e vështronte ashtu të trishtuar, i dhembte për të.
   -E kuptoj gjendjen tënde. E di që unë si femër, të tërheq, por a jam unë e duhura për të qenë gjysma e jetës tënde?
     -Mos vallë duhet të ketë brirë, apo mos duhet të ketë rënë me shportë nga qielli,  ajo që duhet të marrë unë?
     -Mendoj se nuk duhet të ketë një të shkuar të diskutueshme si...
     -Unë e njoh atë të shkuar, por që sot nuk duhet ta zësh më në gojë. Për mua e shkuara i përket asaj kohe që iku. Deri sot ajo që ka qenë e jotja të përket vetëm ty dhe askujt tjetër.     
      -Po familja jote? A do të jetë dakord me këtë zgjedhje që kërkon të bësh?
      -Unë nuk jam bebe. Për jetën time vendos vet. I vetmi detyrim që kam ndaj familjes sime, duhet t'i njoftoj. Mjafton t'u them se do të martohem.
      -Do ta pranojnë një gjë të tillë?
      -Kjo varet nga mendësitë e tyre, gjithsesi nuk është diçka që iu përket. Zemër, jeta është plot të papritura. Këtë gjë e di mirë. E papritura më e këndshme për mua nisi që atë mbrëmje para gati një viti, kur në bregdetin e qytetit tim, në një mbrëmje të errët, gjeta një fëmijë të braktisur. Historia e tij u bë pjesë e jetës sime. A mund të braktiset një pjesë jetike e qenies së dikujt?
      -Arlind, vërtet ai është im bir, por nuk mund të vetmohohesh për fëmijën e dikujt tjetër.
      -E kam të qartë që nuk kam lidhje gjaku me të. E di që nuk është fëmija im biologjik, por unë do t'i jap Jonidit atë kujdes dhe dashuri që i ati ia mohoi. Për më tepër ai baba bëri krim ndaj fëmijës së tij. Nuk di se si e bëri një gjëmë të tillë?! Mirë për ty se nuk të ka dashur, ndaj edhe të shiti, po për të birin nuk i erdhi keq? Ishte gjaku dhe trashëgimtari i tij i vetëm. I mohoi një fëmije dashurinë dhe kujdesin amësor. Kurse unë u betova se do t'ia riktheja njeriun më të shtrenjtë në botë, nënën. Nëse do ta dish të vërtetën?  Je ti ajo që e mbushi pjesën tjetër të qenies sime që unë të jem i plotësuar shpirtërisht e mendërisht.
      -Sa kohë do të të ngrohë zjarri i dashurisë? Ç'do të ndodhë me ne, nëse...?
      -Sa keq më vjen që ti nuk e merr me mend. Ende nuk e ke idenë se ti je frymëmarrja ime, ti je drita e shpresës. Zoti më solli enkas në këtë rrugë vetëm që të takohesha me ty. Nuk e kupton që ne jemi bërë për njëri-tjetrin?
       -Ka kohë që jam bindur se diçka e rëndësishme, ajo që e shtyn njeriun të jetojë, brenda meje ka vdekur. Bashkë me të u zhduk, vdiq edhe shpresa. Nuk dua që dhembja ime të të lëndoj edhe ty. Nuk është e drejtë, Arlind. Ti je i ri dhe e ke gjithë jetën përpara. Jetoje se e meriton, i dashur.
    -Thuaje prapë, të lutem! Përsërite mijëra dhe miliona herë se ajo fjalë më bën tjetër njeri.
     -Ç'e bëre Antonion?- ndërroi bisedë ajo.
       -Poshtë me të zotin e hotelit. Po na pret që të dalim një shëtitje.
Ai zbriti në katin e parë, kurse ajo u vesh shpejt e shpejt
Të dy meshkujt u kënaqën nga që kur zbriti ajo ishte e qeshur dhe e shlodhur. Ngjante si në lule që sapo i kanë shpërthyer petalet dhe ka shpalosur bukurinë e saj mëngjesore nën kristalet brilante të vesës. Kaltra doli jashtë e para dhe thirri e gëzuar si një fëmijë kur sheh fishekzjarre në qiell.
   -Çuna, ejani, ejani jashtë që të shijoni këtë mrekulli që quhet "Mbrëmje e praruar në Llogara",- dhe zbriti shkallët dy e nga dy, me nxitim sikur mbrëmjes po i vinte fundi dhe ajo nuk mund ta pinte dollinë me fund.
   "Sa fëminore që duket! Sa e qashtër dhe sa e dlirë është! Vetëm po të dojë ajo, ka për të qenë kështu si sonte, e  qeshur dhe e lumtur. Mjafton që ajo të guxojë e ta thyej akullin që ia ka ngrirë shpirtin. Më pas shpresoj që portat e zemrës së saj do të hapen, ku mund të gjej streh edhe unë i gjori. E shoh me sy dhe plas me zemër. Si nuk më jep asnjë mundësi që ta ndajë ngazëllimin dhe gëzimin me mua? Pse, pse është kaq e ngurtë, xhanëm?!" -më kot pyeste ndërgjegjen. Kurse ajo sikur ishte bërë me flatra dhe mori të përpjetën e rrugës që gjarpëron mes borigave.
-E di që pylli i Llogarait ka ujqër, çakaj dhe derra të egër? Apo nuk janë të uritur tani që është kohë bore? Për ta kjo do të jetë një natë feste, kur të kënaqen me mish të freskët të cilësisë së parë.
-Arlind, nuk më tremb dot. Miku im, ti e di që unë jam rritur në pyje me dëborë. Kafshët e egra na ngjiteshin deri në dritaret e katit të parë dhe nuk jemi rrezikuar ndonjëherë.
-Ju ishit të gjithë bashkë. Ndërsa delen që ndahet nga tufa, e ha ujku.
Që aty poshtë vunë re se kurorat e pishave ishin mbështjellë nga një mjegullnajë e hollë. Sa më lart ngjiteshin aq më e dendur dhe më mistike bëhej mjegulla. Pasi kaluan pishën flamur, tej dy metrave largësi nuk dallonin dot asnjë send. Makinat që zbrisnin në të tatpjetën e malit, lëviznin ngadalë dhe me drita të gjata.
      -Sa afër pishave duket qielli. Ngjason si çatia e tij, e cila e mbron nga faktorët klimatik. Kaq pranë e ndiej, saqë po t'i zgjas duart do të mund ta kap hënën dhe do ta rrokullisja mbi majat dhe gërxhet e tokës, - ajo mbajti këmbët, u kthye nga ata dhe fliste si një adoleshente e përkëdhelur."Duket që ka dalë nga vetja. S'ka faj!"-hamendësoi miku i saj. Kurse Antonios iu duk më se i zakonshëm gëzimi i shfrenuar i një femre nën përshtypjen misterioze të natyrës.
   -Mjafton që mjegulla të shpërndahet dhe ne mund të shohim yjet që qëndisin qiellin me fije të arta. Shiko, e dashur atë copëz qiell atje tej, në mes të pishave. A nuk duket sikur yjet kanë lindur nga hëna? Ata të largët, tejet të largët, të ndritshëm dhe xixëllonjës, kurse hëna e zbehtë, e menduar, ëndërrimtare, sikur merakoset për të lindurit e saj. A nuk ngjason me një zemër të lënduar, e cila dhemb për dëshirat e parealizuara?
     -Ndoshta! Kush mund të hyjë në mendimet e saj? Një Zot e di.
Ndërsa qëndronin në bregun shkëmbor mbi fshatin e parë të Himarës, Palasën, para tyre shtrihej një univers mistik prej mjegulle.
-Në një natë pa re dhe pa mjegull, që nga këto shkëmbenj, duken dritat e qytetit Otranto..
-Më duket e pabesueshme, gjithsesi ju e dini.
-Po qëndruam edhe nesër ka mundësi ta shuani kureshtjen, zoti Antonio.
-Nuk do të ishte keq. Nuk më bie rasti për ta njohur bregdetin jugor të vendit tuaj.
   Kishin kaluar mëse dy orë kur u kthyen në hotel. Ishin gjithë energji dhe të uritur.
        -Do të hani diçka të lehtë, apo?
        -Ajri i pastër dhe i ftohtë na ka hapur oreksin. Kemi nevojë për një darkë të mirë.
   Antonio veç brinjëve të kecit, kërkoi një pastë (makarona) me fruta deti. Kurse ata të dy kërkuan rizoto, po me produkte deti.
      -Sa të përgatisim ushqimet, po ju sjellim një gatim tradicional të krahinës sonë.
      Kamerieri nuk vonoi dhe solli nga një tas me arapash (mëmëligë). Antonio donte ta dinte se me çfarë produktesh ishte gatuar.
     -Gatuhet me miell misri, gjalpë, lëng mishi, me zorrë e mëlçi qengji... Shërbehet i ngrohtë dhe zakonisht në mëngjes. Ju provoni pak. Nëse nuk ju pëlqen, ne nuk mërzitemi.
     Çuditërisht ai jo vetëm e pëlqeu, por edhe i përgëzoi.
      -Nëse do qëndroj këtu për pushime të gjata, do detyrohem të ndërroj gjithë garderobën.  
     Kishte kaluar mesnata kur u ngritën nga tavolina. Antonio shkoi në dhomën e tij, kurse ata në të tyren.  
***

-Arlind, fli në shtrat se unë nuk kam gjumë. Unë po shoh ndonjë film.
Papritur në një kanal nisi filmi "Kujtimet e një gejshe" dhe ajo po e ndiqte me interes. Ngjarja e shtjelluar në ekran, e çoi atë padashur aty ku i dhembte më shumë. Duke bërë krahasimin mes personazhit të filmit që e kërkoi vetë ta ushtronte profesionin më të lashtë të botës dhe vetes, u ligështua. Pasi çdo histori prostitucioni, e lidhte me veten. Solli ndërmend se si ai i pafytyri e shiti si mall tregu, për t'u pasuruar dhe për të rritur besimin ndër rrjetet kriminale të njohura. Filmi i hapi plagët e shpirtit dhe  ajo nisi të dëneste.  Arlindi e ndjeu dhe u ngrit menjëherë i shqetësuar.
-E dashur, ç'pate?
-Asgjë. Ashtu kot. Më ndodh ndonjëherë.
       Ai kur pa skenat që jepeshin në ekran, e fiku televizorin.
       Gjithë shëtitja në këtë natyrë të bukur, më çoi larg duke më sjell kujtime të trishta. Sikur të mundja ta ktheja kohën pas, atij përbindshit që takuam sot, do t'ia kisha numëruar në lule të ballit, por kemi një mision shumë më të rëndësishëm se jeta ime private.
      -Hakmarrjen lerja kohës, zemër. Mjafton që për ty ai është një qenie pa vlerë, një i urryer që i përket asgjësë.
    -Në jetë ka gjëra që nuk mund t'i hedhësh në humnerat e harresës. Ti e di se ishte ditëlindja e djalit, nata e kobshme që vendosi fatin tim. Po për fat  të keq më kishte shkarë këmba, kisha humbur rrugën kohë më parë. E joshur nga lajkat dhe përkëdhelitë e të pacipëve apo servilëve, nisa të mendoja për një jetë tjetër.
     Në verën e tretë të martesës shkonim shpesh në plazhin e Durrësit por sidomos në Shëngjin. Tani që djali i kishte mbushur dy vjeç, herë e merrte mamaja ime dhe herë ime vjehërr. Në raste të tilla pa praninë e djalit, unë dhe Erindi ishim si dy të fejuar. Besoja, madje e kisha bindur veten se ai ishte njeriu i ëndrrave të mia. Ishte mashkulli i parë që hyri në jetën time të njomë. Unë ashtu e padjallëzuar, fluturova pas ëndrrës dhe besova se ai do të më realizonte çdo dëshirë për t'u arsimuar jashtë shtetit. Isha një tetëmbëdhjetëvjeçare e padalë. Botën jashtë mureve të shtëpisë, thuajse nuk e njihja fare. Gjithsesi jeta jonë familjare vazhdonte me ngritjet dhe uljet e saj të natyrshme. Vonesat dhe largimet e shpeshta të Erindit më shqetësonin.
   Në bregdet përzihesh me të njohur dhe të panjohur. Tim shoq e tërhiqte alkooli dhe ky ves e bënte moskokçarës. Veçse kur dehej, nuk ishte më i njëjti.
Një natë në plazhin e bukur të Durrësit u bëmë bashkë disa çifte. Vetëm ne ishim të martuar. Të tjerët bashkëjetonin, ishin të dashuruar apo vetëm të njohur. Ishte një përbërje me interesa të ndryshme. Mjerisht atë kohë nuk e bëja analizën në këtë mënyrë, kurse sot që hedh shikimin pas në rrugën në të cilën kam ecur, e shoh me një sy tjetër kritik, por është e pavlerë. Pas asaj nate të turpshme ,e shtrirë sa gjerë e gjatë në rërën e bregdetit, ku rrezet e diellit, në vend të përkëdheljes, më përqeshën e më përbuzën, atë mëngjes ndjeva tokën të më rrëshqiste nën këmbë. Brofa në këmbë si e luajtur nga fiqiri. Vështroja veshjet e mia të llangosura sikur isha zhgërryer në kanalet e ujërave të zeza. "Çfarë i kam bërë vetes?! Ç' më ka ndodhur?"- pyesja duke klithur mes lotësh e mëse e turpëruar. Teksa kujtesa më rikthehej vura duart në kokë. Nisa të kërkoja Erindin, po nuk dija se ku dhe me kë e kishte thyer qafën atë natë. Nisa të urreja atë dhe veten. Në ato çaste nuk e doja më veten. Pas kësaj nate nuk ka ç'më duhet më jeta, jo. Duhet t'i jap fund menjëherë.
Ndërsa qëndroja e pavendosur para asaj mase ujora të pamatë në ngjyrë të kaltër, mendoja: “Nuk di ç’do të bëj tashmë me jetën time. Nuk kam ku të mbytem. Më duhet të kthehem në shtëpi. Ç' them dheunë! Në shtëpi?!Jo, nuk mundem, në asnjë mënyrë: Jo në shtëpi, Jo.Pastaj kush më pret atje? Një burrë i padenjë..., jo,jo …më mirë të fle në rrugë se sa në atë ferr. Po sikur të kthehem në qytezë, atje në shtëpinë time? Ajo shtëpi nuk besoj të më braktisë kurrë. Po a mund të shkoj në këtë gjendje? Ç’do të thotë im vëlla, i cili ishte kundër kësaj martese? Po nëna me babanë që besojnë se jeta ime është e lumtur? O Zot, më jep pak mend. Në gjendjen që jam katandisur, kam frikë nga vetja, pa le të tjerët që do të tromaksen nga pamja ime mjerane. Më mirë po i bëj një telefonatë mamit...”- dhe menjëherë i rashë numrit të telefonit të tyre fiks.
    -Hë..., po tani çfarë ke, Kaltra?
   -Mama, unë kam nevojë të rri pak kohë aty tek ju...si thua?
   -Po shtëpinë moj vajzë, po burrin dhe djalin...do t’i lësh në mëshirën e fatit? Nuk di kur do të bëhesh e përgjegjshme si bashkëshorte dhe si nënë,- zëri i ftohtë, toni i çuditshëm dhe shpërfillës i nënës, më tronditën tej mase.
   U ula në rërën e lagët, e përhumbur, me shikimin tretur në sipërfaqen e pafundme ujore. Më pas kapa kryet me dorë sikur doja të përqëndrohesha më mirë."Oh, si jam! Kokën e kam të nxehtë e të rëndë kurse mendimet i kam tejet të çoroditura. Jeta më është bër lëmsh. Nuk di t’u japë rrugë. Jam shumë e pazonja. Ende nuk e kam të qartë se faji i kujt është që ndodhem në këtë gjendje të nderë. Nuk di çfarë të bëj. Jam në një udhëkryq, që ose do të më nxjerrë në dritë ose do të më fundos. Nuk di ç’ rrugë të zgjedh. Jam bërë tym, i cili s’më lë të shoh qartë. Më mirë po futem në det." Ndërsa përparoja drejt thellësisë, më shkoi ndërmend:“Oh, sikur uji të më rrëmbente dhe të më mbante në gjirin e tij, që të mos dilja më në sipërfaqe të tokës. U bëra gaz i botës. Ç'qenka morali?  Asgjë, një flluskë sapuni...”
    Flladi mëngjesor dhe uji i kripur më kthjelluan mendimet...“Jo deti nuk do të jetë varrmihësi im. Unë duhet të jetoj se kam një fëmijë dhe për hir të tij do të kthehem në shtëpi. Kam të gjitha mundësitë për të qenë një nënë e mirë. Duhet ta pranoj ofertën e mikut të Endrit për punë, e cila do të më japë pavarësinë ekonomike. Nuk kam pse ia shtri dorën tim shoqi, kur mund të punoj vet...”- kështu vendosa atë çast dhe u vesha. Qëndrova pak sa u tera dhe mora rrugën e kthimit për në shtëpi. U gëzova kur pashë makinën të parkuar në anërrugë.  
-Po yt shoq?
-Eh, im shoq! Aq i bënte për mua, për deri sa më hodhi në krahët e një të panjohuri. Ai ishte martuar me punën. Kurrë nuk ishte i lirë për mua. Gjithsesi vendosa…do të shkoja në shtëpi. Po... si do t’u dal përpara? Do të ishte më mirë...  të zhytesha me një gurë në qafë e të mos dilja më?  E tmerruar vështrova ujin prej të cilit po largohesha dhe belbëzova... "Jo,jo...,uji i deti nuk do të jetë arkivoli im dhe as funddeti s'do të jetë kurrë varri im..."
        E ndava mendjen dhe shkova drejt automjetit. Isha vetëm disa metra larg makinës, kur më parakaloi një motorr, ku ishin dy djem. Motori gati më fshiku kofshën e djathtë dhe papritur frenoi pranë meje.
     -Putanë....! - dëgjova dhe nuk u besoja veshëve. Zgurdullova sytë dhe nxitova hapat. Por ata s'më ndaheshin. Më shoqëronin duke më fyer...
     -Bushtër! Na i jep paratë? Ndyrësirë...!
     -Sa do për një orë? Sa të dha ai mbrëmë? Pse bënë të paditurën?! Vetëm një si ti nuk e ka për gjë që ta bëjë turpin në mes të rrugës. Ne të pamë që bëre seks dhe më pas flije në krahët e atij drogmenit, ndaj shkundi xhepat,- m' u drejtua ai që ishte në timon.
     -Ne do të të paguajmë shumë më tepër nga ai trafikanti. Një natë apo...? Sikur ta bëjmë treshe...,si thua? Është bukur kur jemi tre...Ti e di më mirë se je e zanatit.
     -Në ato çaste nuk e doja më veten. "O Zot, një gabim pa vetëdije më futi në radhën e prostitutave. Nuk duhej ta kisha pranuar atë gotë të mallkuar. Kushedi se ç' kishin hedhur në të!"-mendova vetëtimthi dhe vrapova pa e kthyer kokën. Ai që ishte pas në motor, zbriti e duke vrapuar më kapi dhe më goditi me grusht në fytyrë.   Në vesh më zhurmonin klithmat e tyre. Pastaj si nga një jetë tjetër dëgjoja rënkimën time dhe utërimën e motorit që shoqërohej nga qeshjet e shfrenuara të atyre të dyve, që sa vinin dhe shuheshin.     
    Kur erdha në vete, ata ishin larguar. Qëndroja ulur në tokë dhe kujtoja gjithçka nga nata që shkoi. Për aq sa mbaja mend, ishte tronditëse, një veprim i ulët për të cilin më brente ndërgjegjja. Se ç'më kishte ndodhur në të vërtetë, nuk mbaja mend asgjë, por mjafton që pushuesit më kishin parë duke fjetur në krahët e një të panjohuri. Shkova pranë makinës me qëllim që të prisja Erindin se ndoshta vinte. Kur ç'të shoh? Ai flinte në makinë dhe në krahë mbante njërën prej atyre të përdalave të mbrëmjes së shkuar.  
    Në atë çast bota u përmbys para syve të mi dhe unë u gjenda nën rrënojat e saj. Ndjeva zhgënjimin më të madh për njeriun që e kisha quajtur burrin e ëndrrave. Nuk kërkoja më asnjë sqarim  as nga vetja ime dhe as nga ai. Njeriu më i afërt, burri më kishte bërë preh të imoralitetit. Pasi e zgjova, pa i thënë as gjysmë fjale, shkuam drejt e në shtëpi.  
     -Erind, do t'i telefonosh ti mikut tënd, apo ta marrë vet në telefon?
     -Sikur e kishe vendosur të mos shkoje. Çne ky ndryshim i beftë? Ti nuk ke nevojë për para. Kurrë nuk të kanë munguar.
     -Ha, ha, ha. Ti nuk sheh tej hundës. Por nuk di atë më thelbësoren, se paraja nuk është gjithçka. Të bënë paralli, por asnjëherë nuk është faktor lumturije. Cili ka qenë ai i pasur që ka fjetur mbi dafina?! Mua nuk më hyn në punë, asgjë që që nuk më takon. Jam e zonja t'i shërbej vetes.
     -Mos harro zemra ime se, kush ka para, ka pushtet.
     -Nuk kam nevojë për lëmoshën tënde, pa le për atë palo pushtet, - dhe pa ia vënë veshin mburrjeve, i telefonova mikut të tij, i cili ishte drejtues në një institucin të rëndësishëm dhe e pyeta nëse ishte i vlefshëm propozimi që më kishte bërë. Ai e mirëpriti telefonatën time, pasi ishte një përgjigje që duhej ta kisha dhënë kohë më parë.
    Të nesërmen në mëngjes, sipas fjalës së tij, u paraqita dhe fillova punë në një zyrë. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai u ngrit në detyrë. Njëra mes dy -tre personave që mori me vete, isha dhe unë.
   Ndërkohë vazhdoja universitetin, në vitin e tretë, dega biznes. E padiplomuar ende, megjithatë ai më emëroi shefe të kabinetit. Në këtë mënyrë kisha lidhje direkte me të. Pa e kuptuar u bëmë shumë të afërt me njëri-tjetrin. Gjithashtu spikata se im shoq kishte lidhje të ngushta pune me të.  Kohët e fundit ai e niste përherë jashtë shtetit e sa herë kthehej në shtëpi, kuleta e tij ishte gjithmonë dhe më e mbushur. Pas çdo rruge ata të dy e festonin. Natyrisht bashkë me ta isha edhe unë.  Ai ia njihte dobësinë Erindit dhe e dehte deri në atë pikë, sa nuk merrte më vesh se ç'bëhej rreth tij. Im shoq në botën tjetër, kurse ai dalëngadalë nisi të më joshte .
       Ajo pushoi një hop dhe një hije trishtimi i ra në fytyrë. Mes drithërimash dhe lotësh vazhdoi...
-Kjo miqësi u trash aq shumë sa, i kaloi të gjitha kufijtë moral...
Erindi kishte shkuar në Itali para një dite. Të nesërmen në kohën e mbarimit të orarit të punës, shefi më thirri në zyrë.
     -Nëse nuk e ke problem, mund të shohim disa dosje bashkë, se presim një kontroll.
-Tani?! Ju e dini që Erindi nuk është këtu. Kam djalin vetëm, pasi dadoja ikën  sapo unë futem në shtëpi.
-Po mund t'i telefonosh që të qëndrojë një orë më tepër. Fundja e paguaj unë dyfish.
-Ç'është ajo fjalë, unë nuk ja, e papunë, ndaj...gjithsesi po e marrë me që e keni me kaq ngut. Dosjet që solli ishin shkaku, se synimi i tij ishte shumë më i ulët.
I kaluam shpejt e shpejt dhe papritur, ai solli disa ushqime për të ngrënë dhe verë për të pirë.
-Juve ju bëftë mirë, ndërsa unë po iki, -dhe u ngrita menjëherë. Por  dera ishte e mbyllur me çelës. -Ju lutem hapeni.
-Bëjmë aq gjëra të mira bashkë dhe natyrisht lodhemi. E përse të mos e ndiejmë shijen e kënaqësisë që të jep puna? A nuk e kemi këtë të drejtë? Vetëm një gotë dhe pastaj ik. Jemi vetëm ne të dy dhe ndërtesa, - dhe më zgjati gotën e mbushur. Duke pirë e biseduar lirshëm me mua, ai u ngrit dhe bëri disa hapa. Qëndroi disa sekonda pas shpinës sime. Pastaj nisi të më puth nga qafa. Pas pak u gjenda në divanin e zyrës dhe me dashje, apo e detyruar isha bërë mantenuta e tij.
Që nga ajo natë, ai nisi të më lavdëronte para Erindit për aftësi të rralla. Ndërkohë unë i bindesha me përulësi nga frika se mos i thoshte tim shoqi. Kjo histori vazhdoi një vit deri në ditëlindjen e Jonidit.
     Tani e kuptoj se ç'është në gjendje të bëjë merimanga. Ai pastronte paratë e pista për të cilat dërgonte atë tuhafin tim, që më mori më qafë. Jam e bindur se ai pasi i shfrytëzon njerëzit, i vret, për të mos pasur dëshmitar.
Njëherë në intimitet e këshillova...
       -Mendoj se duhet të kesh kujdes në marrëdhëniet me të tjerët. Në biznese të tilla nuk duhet të luhet me jetën e tjetrit.
       -Syri yt që sheh pa e parë diçka, është i verbër.
       -O Zot, nuk të mjafton pushteti që ke? Je në sferat më të larta të pushtetit dhe pse kjo babëzi?!
     -Pushteti?! Nga se nisesh që flet me kaq siguri. Çfarë është pushteti nëse nuk ke në dorë jetën e tjetrit apo të tjerëve që punojnë për ty?!     
    -Për çdo aktivitet që kryen njeriu këshillohet, merr mendimin edhe të ortakëve. Pasi  e di se askush nuk i kryen punët vet.
      -Unë dhe fjala ime vendosin për gjithçka. Zgjedh unë se çfarë duhet të them dhe për çfarë nuk duhet ta hap gojën. Jemi bashkëpunëtorë, por jo ortakë. E kam vënë re se ti je e zonja, je nuhatse, ke guxim, madje rrezikon për t'i  arritur synimet, gjë që e vlerësoj. Shumë, shumë ai burri yt, është masha ime me të cilën nxjerrë gështenjat nga zjarri, por jo ortaku im. Kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jemi të barabartë. Unë jam ortaku i vetvetes.
    -Përgëzime shef! E fitove lojën, por mos harro se loja s' ka mbaruar ende. Madje sapo ka nisur.
     -Ashtu? Ky është mendimi yt? Eh, kot nuk thonë : "gruaja është flokëgjatë dhe mendjeshkurtër." Por një gjë nuk di  ti koketa ime, se "qesh më mirë, ai që qesh i fundit. "
     Një javë pas kësaj bisede kishim ditëlindjen e djalit. Ai erdhi por nuk qëndroi deri në fund të darkës..."- ky është njeriu që takuam. Është nepërkë me dy koka.  Tani  kushedi se kush e ka radhën që ai do ta largojë nga kjo botë. Ajo që më çudit është se ai ka kaq vite që punon në të zezë dhe jo vetëm ka dalë pa e shpuar një gjemb, por përherë ngjitet në sferat më të larta të pushtetit.
Kjo ishte historia ime e shëmtuar, për të cilën nuk kërkoj shfajësim. Të tjerat  ti i di,- ajo ishte bërë sa një grusht dhe dridhej mes ngulçimash drithëruese.
Ai e mori në krah dhe e mbështeti në kraharorin e tij.
        -Tani mbaroi, mori fund... Më ke mua, shpirti im,- dhe ai nisi ta përkëdhelë e ta puthë.
     Për herë të parë ajo ndihej e sigurt, ndaj nuk e kundërshtoi, por iu dha me trup e me shpirt këtij djali të sinqertë që iu bë nënë e babë, i cili kërkoi vetëm drejtësi për të dhe të birin.

       Vazhdon


VILHELME VRANA HAXHIRAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DUA TË IKI LARGCikël me poezi nga PËRPARIM HYSI (03.02.2015)
XHEVAHIR SPAHIU MBUSHI 70 VJET - DENJËSISHT NË KRYE TË LETRAVE DHE KULTURËS SHQIPENga ZYLYFTAR HOXHA (03.02.2015)
TË MOS DIGJET NGA HESHTJA JOTEPoemë dashurie nga ADEM ZAPLLUZHA (03.01.2015)
SHKOPINJ HORIZONTESHCikël poetik nga QAZIM D. SHEHU (03.01.2015)
FERRPARAJSAPoezi nga XHEVAHIR SPAHIU(Ribotuar në 70 vjetorin e lindjes së poetit) (03.01.2015)
VDIQ ROMANCIERI I SHQUAR TURK JASHAR QEMALI (02.28.2015)
LUTJE DASHURIEPoemë nga ABDULLAH KONUSHEVCI (02.28.2015)
'NJË ALIEN' QË KA SHALUAR 'KALIN PREJ BORE'Esé për librin e ri poetik të ADEM ZAPLLUZHËSNga PËRPARIM HYSI (02.28.2015)
ATË NATË UJQËT NUK M’U KTHYEN NGA KULLOTANga SKËNDER BUÇPAPAJ (02.27.2015)
DHE NJË NJERI  I VETMUARCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (02.27.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Tetor 2019  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 

 
VOAL
[Shko lart]