E Mërkurë, 11.13.2019, 09:00pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
VAZHDON PO AI REFREN
Cikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA

E Mërkurë, 03.11.2015, 11:12am (GMT+1)



VAZHDON PO AI REFREN

Ka çaste nuk na kthehet në kujtesë
Fëmijëria pa ëndrra
Si një mollë e vetmuar
Dielli i përskuqur
Piqet në imazhet e horizontit

Ecim përskaj trotuareve
Nuk ndalemi në asnjë shitore
Ecim si kukullat në teatrin tragjik
Të përditshmërisë
Pas shpine i lëmë vitrinat e zhveshura

Lumëbardhi gurgullon në përgjumjen
E një dite pa rrugëdalje
Njerëzit kalojnë
Ecin pa e përfillur erën
Mjegulla e dendur na i shprish flokët

Të nesërmen
Vazhdon po ai refren
I përditshmërisë se numërimit të hapave
Dikush troket nëpër dritaret përdhese
E dikush tjetër
Te portat e yjeve të verdha

KUAJT E MI TË MIRË

Mbi një araba prej ëndrre
Udhëtoj nëpër fëmijërinë time
Më del parasysh
Rrugë e gjatë dhe e lashtë
Vrapi i kalit të zi
Pa frena nuk e ndalte trokun
Deri në Kostandinopojë

Më kujtohen imazhet e erës
Kur e ndaja misërniken
Me arabaxhiun babaxhan
Me një copë djathë dhie
Kapërdinim  tërë bukën e çerepit

Nëse na premtonte koha
I pushonim kuajt
Në ndonjë han të vetmuar
Ku gjenim hanxhiun duke na pritur
Me pagurin e mbushur
Me verë të kuqe

Më pastaj sërish na prite
Një udhë e gjatë
Derisa arabaja tundej
Në ëndrrën e plepave
Kuajt e mi të mirë
Gjumin e bënin në ecje e sipër
Duke i numëruar
Gurtë e kuq të kalldrëmeve

NUK MARR DOT FRYMË PA TY

Të lutem o të përgjëroj
Mos shko në këtë çast
Me trenin e çmendur të mëngjesit
As me atë të mbrëmjes së vonshme
Nuk marr dot frymë pa ty

Kjo aromë e pemëve që zbret
Nga kujtesa e degëve
Ishte dikur në ëndrrën e flokëve të tua
Të lutem
Mos shko me trenin e çmendur

Jam pakëz i lodhur
Më dridhen këmbët e fishkura
Si purtekët e metaltë  më dridhen
As duart më
Nuk i përngjajnë duarve
Kjo ëndërr e sfilitur po dënes si qilimi

Të lutem mos ik sonte
Nëpër shtegun e binarëve të verbët
Ti e di
Se unë tani jam shumë i lodhur
Nuk mundem t’i ndali
As të reshurat e verdha të stinës



DUART E MIA

Duart e mia
Si duart e pemës së egër
Marrin frymë
Qeshin me udhëtarët e vonuar
Qeshin me njerëzit
Që i kanë humbur kujtimet

Qeshin
Dhe i përqeshin zogjtë
Krahthyer
Marrin frymë si gjelbërimi
Nën degët e këputura te shelgjeve
Ndërtojnë kala prej ëndrrave

Duart e mia
Si ato të erës asnjanëse
Nëpër skutat e gjelbërimit
I humbin rrugët

Dhe asnjëherë më shpresat
Nuk kthehen të pinë ujë
Në kroin e kujtimeve
Ku vërshojnë ëndrrat e përrenjve

Duart e mia
Nuk i përngjajnë asgjëje
Sepse çdo lëvizje e tyre
E përqafon pafuqinë
Herë janë si aroma e mushmollës
E herë si kundërmimi i ashtit të thyer
Në ndonjë trup të ndërkryer
 

SEPSE E NESËRMJA

Më thanë te mjegullat ka varre
Edhe përtej mjegullave
Pohojnë se
Lindin njerëzit me nga një sy
Dhe kur kanë kohë
Dynden si shirat në mesin tonë

Atje është ajo e përtejmja
Që i përngjan fjalëve të shthurura
Të vetëtimave
Ku njerëzit me xhelozi
I rruajnë ëndrrat e vjedhura
I rruajnë
Si vashat e vogla kukullat
E drunjta të erës

Nëse i lajmë duart me ngjyrat blu
Te ylberit
Dhe të reshurave ua marrim zemrën
Mund të takohemi me një tjetër kohë
Sepse e nesërmja
Më nuk do të jetë më nesër
Por një hapësirë krejtësisht tjetër
Mes të kaluarës dhe të ardhmes

ADEM ZAPLLUZHA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HIJET E ZEZA TË SË KALUARËSNga EDLIRA DEDJA (03.11.2015)
PARA SE LULET TË SHKONIN NË FARMACICikël poetik nga QAZIM SHEHU (03.10.2015)
NDËRGJEGJA E ZEMRËSEse letrare për poeteshën Irma KurtiNga RRUSTEM GECI (03.10.2015)
PESHA E LIRISE SIPAS ROMANIT “DATA NJËMBËDHJETË” TË MUHARREM KURTITVështrim nga TAHIR BEZHANI (03.09.2015)
KUSHTRIMI I SKANDËRBEUTPoezi nga ERNEST KOLIQI (03.09.2015)
NEW YORK TIMES - PASTERNAKU I TRADHTUAR... (03.08.2015)
KËNGA E REXHËSTri poezi me motive popullore nga RRUSTEM GECI (03.07.2015)
7-8 MARSI NË VARGJET E MIANga PËRPARIM HYSI (03.07.2015)
SHËNIME PËR LIBRIN 'ZOGJTË E HIÇKOKUT' TË ROLAND GJOZËSNga AGIM BAÇI (03.07.2015)
ËSHTË DREJTËSIA HYJNORE AJO QË NA JEP NJË MUNDËSI TË REVILHELME VRANA HAXHIRAJ, fragment XI dhe i fundit i romanit 'Loja e Mëkatit' (03.07.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2019  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 

 
VOAL
[Shko lart]