E Shtunë, 12.05.2020, 06:44pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
IMZOT VINÇENS PRENNUSHI - IPESHKËV, POET, MARTIR

E Premte, 04.03.2015, 08:06am (GMT+1)



Nuk është e lehtë ta përmbledhësh me pak rreshta jetën aq të pasur të imzot Vinçenc Prennushit. Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. U Pagëzua me emrin Kolë, së shpejti ndjeu thirrjen e Zotit për jetën rregulltare. Hyr në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900; u shugurua meshtar në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc.

Nisi të botonte rreth 1909-1910-tës. Më 1911 botoi “Kangë popullore gegnishte”; më 1918 fletëpalosjen liturgjike “Fjala e Zotit”; “Java e Madhe”, libër feje, për javën para Pashkëve. më pas dramat “E trathuemja” e “Prej robnie në liri”; studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Kryeveprën poetike “Gjeth e Lule” e botoi më 1924, për të vijuar me veprat agjiografike “Shën Françesku i Asizit” dhe “Jeta e Shna Ndout prej Padue” (1913) ; “N’Agape”, vjershë (1926); “Vorri i fratit”, 1717-1918. Dy fjalë mbi jetën e A. Anton Soranit, dëshmitar feje françeskan (1918);

Ndër përkthimet e imzot Vinçenc Prennushit kujtojmë: “Quo Vadis” të novelistit polak, Henryk Sienkiewiz; “Burgjet e mia” të italianit Silvio Pellico, poemën “Dreizehnlinden” të gjermanit Friedrich Wilhelm Weber, nga e cila “Hylli i Dritës” u botuan te vetëm tri këngë. Këtu këputet veprimtaria e mbyllet, për të përfunduar kush e di se ku, arkivi i tij jashtëzakonisht i pasur.

Imzot Vinçenc Prennushi, njihet si këngëtar i ëmbëlsisë dhe i trishtimit. Ndër poezitë e tij, kumbon një jehonë e këndshme dhe një ushtimë e trishtë, ashtu siç këndon atdheun me bukuritë e tij, po kështu edhe kur vargëton misteret e besimit. Në poezinë e Prennushit, bota lëndore vështrohet si një ndër arsyet e shkatërrimit të njeriut, për shkak të paaftësisë për t’u vetëpërmbajtur dhe të lakmive të pangopura vetjake.
Shkruan At Justin Rrota: “E n’atë mënyrë qi At Fishta mund të thirret për kah trajta e gjuhës poeti i Gegnìs, pse dijti me i a vjedhë popullit të malit e të fushës bukurìt mà të pikaturat e të shprehunit, kështu Prennushi mund të mbahet si poeti i qytetit të vet, mbassi gjithshka gjeti të hijshëm në fjalë e në frazeologji të këtij dialekti e mblodhi si bleta dhe e vendoi me shije të madhe ndër shkrimet e veta”.

Më 1947 imzot Vinçenc Prennushi u arrestua nga komunistët në Tiranë e më pas u nis për në Burgun e Durrësit, ku edhe vdiq më 19 mars 1949 në një natë të errët e të acartë, duke kërkuar “më shumë dritë e duke mbrojtur deri në frymën e fundit, vlerat, idealet e bindjet e veta. Shkruan mes tjerash Arshi Pipa, që ia mbylli sytë e vdekur “...asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë qysh njerëzit vdesin për ideale”.

Procesi i beatifikimit të imzot Vinçenc Prennushit dhe 39 martirëve të tjerë shqiptarë, që tashmë gjenden në Kongregatën përkatëse të Selisë së Shenjtë për Çështjen e Shenjtorëve, ka filluar më 9 nëntor të vitit 2002 në Kishën katedrale të Shkodrës, në pranin e kardinalit Sepe, aso kohe prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve.
*******
Më 19 mars përkujtojmë vdekjen e ipeshkvit shembullor imzot Vinçenc Prennushit, kryeipeshkëv i dioqezës së Durrësit. (4 SHTATOR 1885 - 19 MARS 1949)
"..E ngarkuan me bajtë trungje prej rrugës posht e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n'Udhën e Kalvarit u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa shprehë ankim."
Prof. Arshi Pipa

Ka le në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi dhe asht pagëzue me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit françeskan. Mësimet e larta i përfundoi në Tirol të Austrisë. Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908, dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M.

Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por radhitët ndër letrarët ma në za të Rilindjës sonë. Shkruan në revistën "Hylli i Dritës","Lajmtari i Zemrës së Krishtit", "Zani i Shna Ndout" dhe ka vlera të posaçme për artikujt e shkruem në gazetën "Ora e Maleve", mbasi, aty, Ai shfaqë edhe pikëpamjet e veta atdhetare, politike dhe demokratike. Ban pjesë në veprimët e vazhdueshme të klerit për pavarësinë dhe, si i tillë, me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë "Rozafat" në Shkodër, me 14 mars 1914, mban fjalimin kryesor ku spikat oratoria e At Vinçencit.
Në librin "Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë", At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të andrruem demokratik të tipit Përendimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën e sotme. Fusha e përkthimëve asht ndër ma të dashtunat për té, mbasi "Fabiola" dhe "Quo vadis?", janë kenë si oficet e klerikëve ndër familjet shkodrane. Libri "Gjeth e lule" mbetët ndër veprat e letrarit të nivelëve të larta, mbasi ashtu ishte edhe pena e tij.

At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor'i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial, ka provue mendimin se ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936, At Vinçenci, shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçezi i Zadrimës). Në vitin 1940, Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezit të Durrësit. Kur asht Metropolitan i Durresit asht edhe koha kur kryeqyteti i Shqipnisë, Tirana, përfshihej në Dioçezin e Durrësit (ashtu si sot), pra, vetvetiu qendra kryesore e Shqipnisë kalonte nën drejtimin e Imzot Vinçenc Prennushit. Asht e vërtetë se aso kohe ai ka përkrah tij edhe Imzot Luigj Bumçin, një ndër përsonalitetët ma të njohtuna të Klerit Katolik edhe si politikan, që ka lanë emnin e vet të paharruem në çastët ma delikate të fateve të Shqipnisë. Atë kohë në Tiranë nuk duhet harrue se ishte edhe Don Lazër Shantoja, At Pjetër Meshkalla dhe Don Shtjefën Kurti, përsonalitete që kanë lanë në kujtesën e qytetarëve të Tiranes, një "epokë", ku spikatën me punën e tyne këta kolosë të atdhetarizmës.

Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Bumçit, ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Imzot Prennushi jo vetëm kreu me ndër detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike, pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.

Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni, për françeskanët e Shqipnisë dhe për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano, ku shprehët kjartë pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve, i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: "Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij - Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin". (Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue ndonjëherë, mbasi fatkeqësisht aty asht shkrue edhe se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi Imzot Frano Gjini, (atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij:
"........4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë t'Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit tonë." (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë).

Ndërsa, Imzot Prennushi deklaron: "Se shka përmban telegrami nuk me kujtohet, ai asht ba nga Metropoliti i Shkodrës." (Dosja 1245, Arkivi M.M.Tiranë).

Si Imzot Prennushi, si Imzot Gjini, deklarojnë se, "na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të Shqipnisë nga Italia.".

"Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim", shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjale deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta, mbasi veprimet e tija diheshin.

Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imzot Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë....

Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër në vitin 1949, dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku i rrahu shpatullat "birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës", "shokut të dashtun" Tuk Jakova, kujtoj si tashti që, kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin dhe shprehu si zakonisht, "konsideratën" e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa....

Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi, arrestohët dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në Hetuesi tregon karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Prennushi asht i parapregatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Gjolaj: ".....Letra që Imzot Frano Gjini, u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Meshkalla. Arsyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Prennushi, e kishte dorzue këte letër erdhi në Shkodër, dhe na tha atyne pak vetëve që ishim në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit:
-Bijt'e mij, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin dhe popullin Katolik. I tregova represionet dhe burgjet e mbushuna me né. I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjigj: -Ecelenza, i dijmë të gjitha shka ke thanë e, shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej, duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma. Ju jeni të përfunduem, se për 40 vjet komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet!
Unë ika.
Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist!
Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist, por keni me pa, e ndoshta ma parë tek unë se shka do t'ju gjejnë ju. Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt". Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue."

Kur, Imzot Prennushi pyetët për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjigjet: "Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin....Në Tiranë, në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare, si, dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum, me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ia kam çue misionëve amerikane e franceze në Tiranë." (Dosja1245).

Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: "Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme, por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez, ku me kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit, dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t'i bënin rrobe me veshë fukaratë!

Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë."(po në atë dosje).
Për vuejtjet dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej tij me datën 4 shtator 1947:
"....Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té, dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje".
Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:
1.Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër.
2.Don Anton Lekë Zogaj, datlindja 1905, prift katolik, i biri i Lekës dhe i Marijës, lind në Kthellë të Mirditës.
3.Don Pal Martin Gjini, datlindja 1910, prift katolik në Jubë, i biri i Martinit e Terezës, lindë në Shkodër, arrestue me 19 maj 1947.
Vëndimi i gjykatës u dha me datën 20 dhetor 1947 si vijon:
1.Don Anton Zogaj, vjeç 42, me vdekje, me pushkatim.
2.Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç 63, me 20 vjet burg.
3.Don Pal Gjini, vjeç 37, me 10 vjet burg, heqje lirie.
Vëndimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947), në të cilin kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes:
"......Don Anton Zogaj pranon menjëherë sa thotë katoliku Gjon Vlashi se ka zhvilluar aktivitet të gjerë kundërshtar, sidoemos në pjesën katolike....Mbrend në Kishë ka bërë mbledhje me katolikun Gjon Vlashi e Palush Koka....". (përforcimi i shkronjave në tekst asht i emi, autori).
Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar, aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjën e të pandehurve...."refuzon kërkesën e tyre"....

Arsyeja e refuzimit nuk ka nëvojë për koment, mbasi do të lexoni prap ma poshtë:
".....Don Anton Zogaj dhe dy shokët e tij të akuzuar mohuan, njëkohësisht edhe pohimët e tyre në proçes-verbalët e hetuesisë në Sigurim, shoqëruar megjithse fjalë për fjalë janë të njëllojta dhe pa asnjë ndryshim me deponimet e të pandehurve....
Don Anton Zogaj thotë se unë kam ba një proçes-verbal dhe nuk e pranoj krejtësisht....por më kanë detyruar....
Janë kundërshtarë koshient të Pushtetit Popullor.
Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste, që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve." (Dosja 1245, po aty).
Prof. Arshi Pipa, në "In memoriam", për Imzot Prennushin tregon: "Kur gjyqi ushtarak që u zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qe: "Nuk i kam dashtë kujt të keqën. Jam mundue me ba mirë".
Dosja mbyllët me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës:
"Don Anton Zogaj deklaroi dëshirën e fundit para ekzekutimit:
Nuk kam ba aq faj sa Qeverija të më dënojë, por kjo asht vullnesa e saj dhe i bindëm, dhe shtoi - ju lutëm që trupin tem t'ma çoni në Kishë, dhe teshat që kam në burg të mi marri kushrina. Mbasi bani Kryq u ekzekutua dhe u konstatua nga doktori se kishte vdekë."
Prokurori Publik i qytetit të Durrësit
( Muharrem Rugia) d.v.
Data 9 mars 1948 në Durrës, më kujton datën tjetër në Shkodër, 11 mars 1948, ditën e pushkatimit të Prelatve të Klerit Katolik. Pra, vërehët deshira dhe pangopësia e komunistëve me gjak klerikësh ndër ato ditë në të gjithë Shqipninë.

Po cili nga këta tre klerikë u shpëtoi thonjve të Sigurimit të Shtetit?
Don Anton Zogaj u pushkatue me datën 9 mars 1948.
Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.
Don Pal Gjini "lirohët" i sëmurë nga burgu i Shkodrës, në vitin 1951 dhe vdes në shtëpi.
Kishe me thanë, se Dosja 1245 asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit. Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë, e shpesh, mashumë me të vdekun se me të gjallë.
Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: "Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste, që të mos egzistonte..", mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai mbas 20 vjetësh: "Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër, deri në vdekje...." (Dosja Monsinjor Ernesto Çoba me grupin.). Edhe Imzot Çoba, dha shpirt ndër birucat e Sigurimit të Tiranës.
Tue lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën "Zani i Shna Ndout", kallnuer 1930, me titull "Nji e stigmatizueme e ditve tona", u ndalova një çast në takimin që Imzot Prennushi kishte pasë me TERESA NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte thanë:
"Do të keshë nji aksident rrugor,
Do të bahësh Ipeshkëv dhe,
Mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh MARTIR I FESË".
Dhe, me të vërtetë, në atë prag pranvere, nësa lulja e Sh'Jozefit shpërthente gonxhët e saja në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za ndigjohej në atë errësinë, në të mekun: MEHR LICHT !"....

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KUR NUK VJEN TICikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (04.02.2015)
X H E L A T Ë TPoemë për vrasjen e 2785 rekrutëve shqiptarë në TivarNga RRUSTEM GECI (04.02.2015)
NGA SERAFINA TOPIA TEK SERAFINA LAJÇINëntori i lirisë së Shqipërisë dhe nëntori i letërsisëNga XHEMAIL PECI (03.29.2015)
KUR VËSHTRIMIN ARRATISCikël me poezi nga QAZIM SHEHU (03.29.2015)
KËNGËT E TË PAURTITNga RRUSTEM GECI (03.28.2015)
ÇKODIFIKIME TË NJË TEKSTI POETIKPoezia 'Diku, kudo' e Frederik ReshpjesNga RIZA BRAHOLLI (03.27.2015)
LETRA E PADËRGUAR...Tregim nga PËRPARIM HYSI (03.26.2015)
ARTI I TË QËNIT POETEsé kushtuar poetit ADEM ZAPLLUZHANga RRUSTEM GECI (03.26.2015)
ENIGMA 'SHTEGU I PASHKELUR I NOLIT'Nga PETRO LUARASI (03.26.2015)
MOS TË LUTEM MOS THUAJCikël poetik nga ADEM ZAPLLUZHA (03.24.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Dhjetor 2020  
D H M M E P S
    1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31    
 

 
VOAL
[Shko lart]