VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MË SHPËTOI SI NEGRE NATA
(Shqiptarëve që ikën nga Atdheu për një jetë më të mirë)
Nga Elida BUÇPAPAJ

E Mërkurë, 11.24.2010, 08:39am (GMT1)

Më shpëtoi nata

pa hënë

e mugët, e muzgët, e errët

arushë e zeshkët

si negre

 

M'i rrafshoi siluetat,

idhujt, idolet,

konturet, konstrastet, dritat,

hijet, dritë-hijet,

mëngjesin, ditën, mesditën

mbasditën

i fshiu krejt.

 

U humbi objekteve trajtat

I zhduku ndërtesat e vjetra

pa kurrëfarë arkitektonike

të shëmtuara,

uniforme,shurdh-memece, vrasëse,

autobuzët dhe trenat e mjerë,

me sediljet e shqyera, pa tavanë

si shtëpi pa çati,

të lagura prej shiut që vazhdon të bjerë

mbi orenditë, mbi librat

dhe formon gropëza

mbi faqet e lagura, të ngjitura

...

Më shpëtoi nata

pa hënë

nuk më la të shoh

kaprollin e vetëm të sëmurë

në Kopështin Zoologjik,

rradhët e pafundme të njerëzve për qepë,

babain tim që del nga shtëpia në orën 01:00

të nates

për të blerë qumësht për djalin tim

...

Më shpëtoi nata

si negre e zezë,

si qymyri

ma fshehu Qytetin tim

me një Xhami e minare

në Qendër,

me një Sahat jo të përpiktë si Big Beni

qytetin tim me fytyra të mangëta,

me flokë biond, brun, gështenjë,

të praruar, të artë

të mangëta..

refugjate...

 

më shpëtoi nata

pa hënë,

si një SOS

si një Save our Spirits

si një gomone

që i ndihu fati,

fatlume

në mes të Adriatikut

kur terri ka kallur çdo gjë

e bën që qielli të ngjajë det,

e qiell deti

ku sytë e njerëzve

si yjtë në qiell

formojnë konstelacione yjore

prej shpresës !

 


 


ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.